back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Fondi i librit dhe përkthimi i autorëve shqiptarë në të – nga Lindita Komani

Gazeta

Fondi Perkthyes Letrar Botues
Fondi Perkthyes Letrar Botues

Fondi i librit dhe përkthimi i autorëve shqiptarë në të

nga Lindita Komani

Në një artikull të shkruar kohë më parë kam bërë një lloj krahasimi të thjeshtë kthjelltësues mes Shqipërisë dhe Austrisë lidhur me mbështetjen që jep Ministria e Kulturës për shtëpitë botuese, autorët, përkthyesit e gjithashtu edhe krahasim të nivelit të çmimeve të librave.
Lexova që Ministria e Kulturës ka shpallur fituesit për fondin e përkthimit për vitin 2020. Në konkursin e shpallur nga ministria janë përfshirë 12 shtëpi botuese të huaja nga të cilat gjashtë janë shpallur fituese për të sjellë në një gjuhë të huaj libra nga autorë shqiptarë dhe 23 shtëpi botuese shqiptare nga të cilat po ashtu gjashtë janë shpallur fituese për të sjellë në shqip libra nga autorë të huaj. Pra në tërësi janë 12 libra që do të marrin mbështetje.
Fondi i përkthimit nga shqipja në gjuhë të huaj është një arritje, por a ka ai fokusin e duhur?
Përse të mos jenë 12 autorë shqiptare që të kenë mundësinë të përkthehen? Sa është mundësia që një shtëpi botuese e huaj vërtet të interesohet për një autor shqiptar që nuk është Kadare, sa jo vetëm të blejë të drejtat dhe të paguajë për botimin dhe promovimin e tij, por edhe për përkthimin e tij? Librat e huaj gjithsesi e gjejnë një rrugë për të ardhur në shqip. Janë me mijëra tituj tashmë nëpër librari dhe çdo vit shtohen disa qindra. Sa ndryshim domethënës përbën pra që vijnë edhe gjashtë të tjerë me mbështetje nga ministria? Ndërkohë për 6 autorë shqiptarë të tjerë që mund të ishin në këtë lista ndryshimi do të ishte shumë domethënës, më shumë për stimul moral dhe rritje vetëbesimi në punën që bëjnë në kushte të vështira.
Ndërkohë të bën përshtypje që si në vitin 2019 ashtu edhe në vitin 2020, Ben Blushi është në listë. Për këtë njohje ai sigurisht që është ndihmuar nga fitimi i çmimit të BE për librin. Por tek ky çmim ka arritur edhe Rudi Erebara dhe pyetja ime është pse Rudi nuk është në asnjërin prej këtyre dy viteve në këtë listë? Po Zija Çela pse nuk është? Po Flutura Açka pse nuk është? Po Virion Graçi? Po Enkel Demi – Tom Kuka i cili me librat e shkruar do të fuste në hartën e trurit joshqiptar Çamërinë si koncept? Po sa shumë të tjerë?
Gëzohem për autorët që përkthehen, në listën e 2020 veçanërisht për Romeo Çollakun me romanin “Mjaltë në teh” dhe për Gëzim Qendron, i cili ka lënë pas një trashëgimi të rëndësishme që vlen të mbështetet shumë.
Mendoj që autorët shqiptarë duhet të bëhen bashkë dhe të bëjnë kërkesa drejt ministrisë në këtë drejtim. Dikur kam shkruar edhe një tekst lidhur me idenë për krijimin e një shoqate përfaqësuese të autorëve shqiptarë, e cila mes të tjerash do të merrej pikërisht me përmirësimin e kushteve për autorët (nën shembullin e një shoqate të ngjashme në Kroaci). Por për aq kohë sa një e tillë nuk ekziston e për këto tema nuk diskutohet fare publikisht, unë po i shtroj disa propozime si vijon e mbase bëhen mbarë edhe të tjerë të shprehen.
 
1.Është e nevojshme që libri të merret më seriozisht. Në këtë drejtim është e domosdoshme që të shtohet fondi i librit në nivele që nuk janë më qesharake.
2.Mbështetje të jepet pikësëpari për autorët shqiptarë të cilët duhet të kenë mundësi të shkruajnë. Të gjithë e dimë që me përjashtim të Kadaresë, asnjë autor shqiptar nuk jeton prej shitjeve të librave të tij, por të paktën autorët të kenë një honorar mbështetës në varësi të cilësisë së librave që shkruajnë – që mund të realizohet përmes çmimeve letrare ose bursave për shkrim librash.
3.Në rast se librat e autorëve shqiptarë zgjidhen për përkthim dhe nuk kanë marrë me herët fonde mbështetëse, ata duhet të marrin po ashtu shpërblim sikurse do të marrin përkthyesit që do të merren me përkthimin. Pa materialin bazë, shkrimin në shqip, ç’do të bëjnë përkthyesit?
4.Për aq kohë sa nuk ka mundësi për më shumë fonde për përkthimin, të gjitha fondet e shtetit të investohen në përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj. Kjo për një arsye të rëndësishme: pozicioni i shkrimtarit në Shqipëri është shumë më tepër i rrezikuar sesa ai i përkthyesit. Përkthyesi mund të bëjë edhe përkthime joletrare dhe të fitojë shumë më tepër duke e bërë këtë gjë sesa me përkthimet letrare që të kërkojnë më tepër mund dhe janë të paguara jo në mënyrë konkurruese.
Fondi i Përkthimit Letrar nga Gjuha e Huaj në Gjuhën Shqipe
Fondi i Përkthimit Letrar nga Gjuha e Huaj në Gjuhën Shqipe

Të përzgjedhur për vitin 2020:

Fondi i përkthimit nga shqipja në gjuhë të tjera
Shtëpia Botuese/ Përkthyesi/ Autori/ Titulli origjinal i veprës/ Gjuha e përkthimit
1.Plethora, Eleana Zhako, Fatos Lubonja, Ridënimi, Greqisht
2.Besa, Mateo Mandala, Visar Zhiti, Rrugët e ferrit, Italisht
3.Vaxikon (gr), Yorgos Goumas, Ben Blushi, Otello, Arapi i Vlorës Greqisht
4.Petergailis (Lit.), Dens Dimin, Ismail Kadare, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, lituanisht
5.Eurasia (Gr), Eleana Zhako, Gëzim Qendro, Heronjtë janë të uritur, Greqisht
6.Salento, Eda Derhemi, Francesco Ferrari, Romeo Collaku, Mjaltë në teh, Italisht
.

Fondi i perkthimit nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe

Shtëpia Botuese/ Përkthyesi/ Autori/ Titulli i veprës/ Gjuha nga është përkthyer
1.Dudaj, Adrian Beshaj, Isabel Allende “Përtej dimrit”, Spanjisht
2.Onufri, Granit Zela, William Faulkner Absalom, Absalom, Anglisht
3.Dituria, Oriana Tamburi, “E bardhë vrastare”, Anglisht
4.Pika pa Sipërfaqe, Arben Idrizi, Roberto Calasso, Martesa e Kadmit dhe Harmonisë Italisht
5.Pegi, Gentiana Kasemi, Kazuo Ishiguro, Anglisht
6.Albas, Edlira Lloha, Wladyslaw Reymont, Komediana, Polonisht
6 vepra prej secilit Fond do të mbështeten nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
 
Burim: https://liberale.al/qkll-shpalli-fituesit-e-fondit-te-perkthimit-ja-kush-jane-ata/
.

Të përzgjedhur per vitin 2019:

1.Salento books SRLS, Besa Editrice, “Të jetosh në ishull” Ben Blushi Adriana Prizreni
2.Anthea Verlag, “Në kërkim të këmishës së humbur”, Arian Leka, Loreta Schillock
3. Plethora Edition, “Më kujtohet”, Ylli Demneri, Eleana Zhako
4.Jean – Marie Mongin, Editor, “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Ylljet Aliçka, Michel Aubry
5.Salento books SRLS, Besa – Livio Muçi, “Sende që nxirrte deti”, Ardian Vebiu, Valentina Notaro
6.Salento books SRLS, Besa Editrice, “Vepra 2” Migjeni, Adriana Prizreni
.
Burim: https://kultura.gov.al/ministria-e-kultures-shpall-e-fituesit-e-fondit – te-perkthimit-letrat-nga-gjuha-shqipe-ne-gjuhe-te-huaj-per-vitin-2019/
 
Gjuhët si enë komunikimi mes popujve
Gjuhët si enë komunikimi mes popujve

Komente

Baro Aida
Nuk me duket e drejtë kjo që thua, sidomos për përkthyesit nga gjuha e huaj në shqip. E para, sepse tarifat e përkthimit letrar janë shumë të ulëta, dhe 6 tituj janë shumë pak për mbështetje. Nga përvoja ime, përkthyesi verbal nuk është i mirë për përkthimin letrar. Unë personalisht, nuk jam marrë kurrë me përkthime të tjera, përveç atij letrar. Dhe është sforcim i jashtëzakonshëm të punosh gjithë ditën me gjëra të tjera e të kthehesh në darkë të punosh me romanin a poezinë. Stërlodhje që s’ta paguan askush. Dhe nëse një herë në vit, jepen fonde për 6 tituj, prap është pak. Dhe pastaj ankohemi për cilësinë e përkthimit.
 
Virion Graçi
Aida. Edhe unë nuk jam dakord me ty. Qendra e Librit Shqip duhet të promovojë e të mbështesë librin e autorët shqiptarë, në radhë të parë. Qendra italiane e kulturës, aleanca franceze, fondacione e institutë perëndimore të librit bëjnë jo pak për letërsitë përkatëse; në, ato pak mundësi financiare që kemi, t’ia bashkojmë këtyre fuqive të mëdha ekonomike apo të kujdesemi së pari për kulturën tonë?
 
Baro Aida
Sigurisht që Qendra duhet dhe po e bën atë pjesë, po së pari ti nuk po u bashkohesh fuqive të mëdha, por është ndihmë për përkthyesin e varfër shqiptarë, që po ashtu ndikon në kulturën e vendit. Ajo pagesë është vetëm për një përkthyes, ama unë kam një shpresë që puna ime zë vend diku, përndryshe po shkoj të prashis domatet.
 
Lindita Komani
Aida, Creative Europe, Traduki, Instituti Italian i Kultures, Ambasadat e shteteve të ndryshme janë vazhdimisht mbështetje për përkthim librash nga gjuhë të huaja në shqip. Kjo ka mundësuar vazhdimisht mbështetje për shtëpitë botuese dhe për përkthyesit. Për autorët shqiptarë Nuk mendon njeri. Shtëpitë botuese Nuk paguajnë honorar, shteti nuk jep mbështetje, shitjet janë të pakta. Me çfarë do të jetojnë autorët? Ndërkohë përkthyesi po mbeti keq mund të marrë përkthim të llojit joletrar dhe ia del të mbijetojë. Ky është argumenti në shkrim. Gjithashtu shtëpitë botuese mirë a keq ia dalin të gjejnë fonde për përkthim, pavarësisht se mund të jenë të ulta, por ama nuk gjejnë fonde për honorar për autorët shqiptarë që botojnë, për të mos thënë gjënë e zakonshme që ndodh që autori duhet të paguajë vetë që nga dizajni e deri te shtypja e lidhja e librit, mundësisht edhe ta çojë në librari dhe t’i bëjë promovimin vetë. Me përkthim edhe mund të jetosh, me shkrimtari jo. Përkthyes ka shumë më tepër se shkrimtarë dhe ia dalin të mbijetojnë.
 
Baro Aida
Lindita, po flasim për përkthim letrar që është kryekëput ndryshe nga llojet e tjera. Nuk jeton dot me përkthim letrar, dhe këtë e di si buka që ha. E di edhe që autori shqiptar nuk mbijeton dot vetëm me punën e shkrimësisë, sepse së pari duhet t’i kërkojë kontratë shtëpisë botuese dhe të paguhet në bazë të përqindjeve të shitjes. Por kur shtëpitë botuese marrin dhe botojnë çdo gjë, pa asnjë filtër, thjesht se autorët paguajnë, nuk mund të penalizohet përkthimi. Janë dy gjëra të ndara, që ndikojnë në kulturën e një vendi, dhe doemos që duhen trajtuar me dinjitetin e duhur, por kjo ndarje që bën ti nuk më pëlqen. Personalisht, do të kisha preferuar të jetoja vetëm me përkthim letrar, por ja që s’është e mundur. Të gjithë jemi të detyruar të bëjmë punë të tjera për të mbijetuar, ndaj çfarëdo mbështetje që vjen nga shteti është e mirë, por jo ngrihu prift, të ulet hoxha…
.
Marre nga Lindita Komani https://www.facebook.com/688787648/posts/10158555
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.