back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Formula e Pagëzimit – 8 nëntor 1462 – nga Paulin Z. Zefi

Gazeta

Formula e Pagëzimit
Formula e Pagëzimit

Formula e Pagëzimit – 8 nëntor 1462

nga Paulin Z. Zefi

8 nëntor 1462: Formula e Pagëzimit ose përpjekja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe e Pal Ëngjëllit për të hedhur themelet e një shteti të mirëfilltë arbër, të bashkuar nën të njëjtin mbret dhe flamur, me një gjuhë dhe me një kishë të vetme”.
Kjo ngjarje historike lidhet kryesisht me realizimin e aspiratave personale të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Arqipeshkëvit të Durrësit, Pal Engjëllit, të cilët synuan unifikimin e institucioneve kishtare të Ritit Katolik Roman në territorin që mbulonte Arqipeshkëvia e Durrësit.
Më 8 nëntor 1462, ditë e hënë, Pal Engjëlli organizoi një Koncil Kishtar pranë Kishës së Trinisë së Shenjtë në Mat (Ecclesia santae Trinitatis de Emathia) dhe këtu paraqiti: “Constitutiones, ordinationes et statuta de Paulus Angelus, miseratione divina Archiepiscopus Dirrachiensis et Illiricae Regionis… In Ecclesia santae Trinitatis de Emathia. Anno Dei 1462, Indictione decima die vero lunae octava mensis Novembris.” Vendi ku u zhvilluan punimet e Koncilit Kishtar, që kulmuan me shkrimin e Formulës së Pagëzimit, është kisha e Trinisë së Shenjtë të Matit, rrënojat e së cilës në ditët e sotme ndodhen midis fshatit Shlli dhe lagjes Dazjan të fshatit Macukull, në trevën e Matit dhe më saktësisht mbi kodrën e Ballës në Dharbël, ku banorët e kanë ruajtur emërtimin origjinal mesjetar në trajtën Shnritat, ose Kisha e Shnritatit. Në këtë Koncil (Kuvend) Kishtar, u shpall dhe u promovua “Formula e Pagëzimit në Gjuhën Shqipe”, ku nëpërmjet kësaj fjalie të shkurtër “V’nte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit (Unë të pagëzoj në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë), të gjithë arbërit do të pagëzoheshin si katolikë vetëm në gjuhën e tyre amtare. Ky manuskript (Ashburnham, I, 167 e Laurentianës) është i vogël, in-8 (200×140 mm) dhe përbëhet nga 37 fletë prej pergamene shumë të bukur, pa ndonjë shënim prej nga vjen, por kuptohet se do të jetë nga qyteti i Durrësit, i shkruar në shek. XV dhe data e dokumentit më të ri, që është riprodhuar në të, duhet të jetë përpara muajit qershor të vitit 1503. Gjithashtu ky dorëshkrim mban kopjet e disa copave të ndryshme, duke nisur nga shek. XII dhe deri në shek. XVI, të cilat janë shumë të rëndësishme për historinë e bregut lindor të Adriatikut. Kodeksi origjinal i Pal Engjëllit, siç e përmenda më lart, përbëhet nga 37 fletë pergamenë pra, kemi të bëjmë me 74 faqe manuskript, por që deri më sot është botuar dhe transkriptuar vetëm faqe nr. 4, në të cilën ndodhet “Formula e Pagëzimit”.
Formula e Pagezimit - 1462
Formula e Pagezimit – 1462
Ky dokument kaq i rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar dhe sidomos për historinë e Kishës Katolike Shqiptare, e cila e ka udhëhequr që në zanafillë procesin e shkrimit të gjuhës tonë amtare, u zbulua nga historiani rumun, Nikolla Jorga (1871-1940) në vitin 1915, në arkivat e Bibliotekës Laurentiane në qytetin e Firences dhe deri më sot, pavarësisht kontestimeve, vijon të konsiderohet si dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe. Përmes këtij dokumenti ne arrijmë të kuptojmë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, së bashku me këshilltarin, kryediplomatin dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Pal Engjëllin, synuan ndërtimin e një themeli të qëndrueshëm, mbi të cilin shpresonin që do të ngrihej Mbretëria e Arbërisë, por sidomos, duke krijuar shkëndijat e para për formimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit arbër. Në këtë dokument, Pal Ëngjëlli i udhëzon besimtarët e vet që, në mungesë të meshtarëve, ata duhet t’i pagëzojnë vetë fëmijët e tyre të porsalindur me ujë të zakonshëm dhe duke e përmbyllur ceremoninë e këtij sakramenti me fjalët: “Vn te’paghesont premenit Atit et birit et spertit senit (Unë të pagëzoj në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë).” Nëpërmjet këtij akti, qëndresa anti-osmane e popullit arbër, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, merr një kuptim shumë më të gjerë dhe përforcohet prej qëndresës shpirtërore, religjioze, kulturore dhe asaj gjuhësore. Përmbajtja e akteve të tjera kishte të bënte me shtatë sakramentet e Kishës Katolike dhe zbatimin e tyre rigoroz për ritualet fetare të rrëfimit, celebrimit, shërbimit, dhënies së ujit të bekuar dhe të vajit të shenjtë, kungimit, pagëzimit dhe kurorëzimit. Përveç Formulës së Pagëzimit, në këtë shkrim të tijin, Pal Ëngjëlli na paraqet edhe statusin politik të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, duke e quajtur atë “Zotin Skanderbeg, të Famshëm” dhe “Mbretin e pamposhtur të Arbërisë.” Pas zhvillimit të këtij Koncili Kishtar, Arqipeshkëvia e Durrësit, me në krye Pal Ëngjëllin, filloi të zbatojë një strategji politike shumë efikase për përhapjen e katolicizmit në të gjitha trevat e tjera ku vepronte Kisha Ortodokse dhe në çdo vendbanim që ishte pjesë integrale e Shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Me një shpejtësi marramendëse, në Arbërinë e Mesme, filloi procesi i pandalshëm i konvertimit nga ortodoksë në katolikë, fillimisht i klerikëve e për rrjedhojë i banorëve dhe më pas i të gjitha kishave ortodokse të Kryepeshkopatës së Durrësit. Në aktet e këtij Koncili Kishtar vihet re edhe një element tjetër shumë domethënës, sepse aty është shkruar: “Nën të ndriturin zotin Skënderbe, zot i Arbërisë, dinjiteti kishtar gëzon të gjithë lirinë dhe mbrojtjen… Klerikëve u lejohet të mbajnë armë, të plagosin dhe të vrasin.” Kësisoj, duket mjaft qartë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, së bashku me Pal Ëngjëllin, kishin vendosur të ndërtonin “Një shtet të mirëfilltë arbër, të bashkuar nën të njëjtin mbret dhe flamur, me një gjuhë dhe me një kishë të vetme,”, konform fizionomisë dhe modelit të mbretërive të fuqishme europiane. Por fatkeqësisht, Arbëria, e mbërthyer nga një luftë e pandërprerë për jetë a vdekje, nuk e pati asnjëherë mundësinë dhe as kohën e mjaftueshme që të zhvillohej e qetë për të krijuar institucione të mirëfillta shtetërore, kulturore dhe arsimore, të zhvillonte artin dhe shkencën në nivele bashkëkohore, ta bënte arbërishten (shqipen) gjuhë letrare dhe ta fuste në përdorim në liturgjinë kishtare…
.
Marrë nga Muri i Fb. i Paulin Z Zefit, 8 nëntor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.