back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Ku humbën të gjithë burrat!…”… poemë nga Robert Martiko (kushtuar at Pjetër Meshkallës)

Gazeta

Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)
Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)

Kjo poezi, përveç vlerave artistike,
është edhe një himn i madh për burrërinë e jashtëzakonshme
të provuar në praktikë, ndershmërinë,
fisnikërinë dhe sakrificën ekstreme.
Është gjithashtu një mësim i madh
për të vlerësuar modelet njerëzore absolute,
të nivelit botëror, pa të cilat shoqëritë,
nuk mund të shpresojnë kurrsesi një jetë më të mirë në të ardhmen. Robert Martiko

Martirët katolikë masakruar nga komunizmi
Martirët katolikë masakruar nga komunizmi

“Ku humbën të gjithë burrat!…”

poeme nga Robert Martiko

Dedikuar një individi të jashtëzakonshëm si Pjetër Meshkalla*,
i cili hyri në burg me vullnet të lirë,
për t’u shërbyer shpirtërisht  të burgosurve.

Nuk ndodh përherë,
prej një mali të lartë,
në të argjenduarin lumë të rrëmbyeshëm,
shkëmbinj të mëdhenj të rrokullisen,
gjigantë…
reflekset e tyre të praruara
në shkumë të humbasin, pa ankim,
si aromë lulesh jetëshkurtëra,
venitur në agim.

Jo përherë rastisim kala në hon
e cila,
përmbi anekdotat e kohës,
lartësimin lejon.
Një fisnik me çelës në dorë,
të kërkojë aty qelinë e lirisë
dhe çuditërisht,
burgun të lëvdojë,
këtë lulëkuqe të zjarrtë,
të përjetësisë…

Kur shkëmbinjtë kridhen
në të lumit baltovinë,
themele të forta bëhen,
për urën me hark në luginë.
Nuk mund ti dallojë dot
syri i pamësuar i udhëtarit,
por as edhe një armatë e tërë,
intelektualë në betejë a fushim,
kudo në botë,
që kurrë ndër mend u shkojnë
të pashfaqurat gjëra,
të fshehta, të heshtura, të pazbuluara…
(Siç ndodh me ujët nën tokë që tretet,
humbet pa lënë gjurmë, në degëzime pa kthim.
Apo, lart në qiell, heshtjen duke zgjedhur si
himn të vetëdëgjuar, të shpirtit nderim.)

Në Kështjellën e Tmerrit,
mos kujtoni se Drakula i Kuq
net çmendurie s’kalon:
Karl Marks!…
Zhan-Pol Sartr!
Frederik Niçe!…
nga tre Magë të zgjedhur gjigantë modernë,
ndihmën e tyre kërkon.
Kryeprinc i pari,
Luçiferr i zi shkëlqimtar:
Krimi, Urrejtje e Vrazhdësie,
në Tokat Lindore
një lloj Kserksi i marrë
Kapital loser,
dështak, budalla…
i fundit,
ndonëse Mbinjeriun në botë ka trumbetuar,
ende riosh kur kupton
që jo vetëm kriminelë,
snobë mendjelehtë,
por edhe veten e vet:
si Grande Übermensch
ka mashtruar.

Dyzet Martirët e Kishës
Dyzet Martirët e Kishës

I dyti filozof, në Café de Flore,
thirrje njerëzve u bën,
për ndërgjegje,
veç modelin hyjnor asgjëson,
ashtu i prerë e arrogant,
ekzistencializëm të ëmbël,
à la carte.
Teksa trima të tërbuar,
jakobinë me flatra në Tetor,
mijëra Çe Gevara,
Gjyqet e Moskës,
të Lubjankës dhoma torture,
pa zhurmë ndahen më dysh,
si trungje të kalbur në hon,
bumerang utopia e tyre,
ringjallja e përmbytur në gjak,
banderolat e përmbysura,
i vagullti iluzion…

Ca më shumë,
në të lartën piramidë,
Stalinit i dorëzohen pa kushte,
gjithfarë knjazësh me nofka çelik,
zhytur në luks, bujë, krim, panik,
si dhe qindra miliona robër pa gojë,
popuj të mjeruar brohoritës të gjorë,
të mbytur në poshtëri,
varfëri cigane, gjenocid,
vdekje kolektive,
uri…

Nën të Kuqen Diktaturë,
nënshtrohen
edhe të Zhan-Polit kryemodele!…
Herkulë, Jazonë, Tezej,
Ajaksë, Agamemnonë,
Hektorë, Akilej…
marshallë e gjeneralë,
thembër përgjakur delikatë,
që besën e mikut harrojnë
të gjithë, pa përjashtim,
spiunojnë njëri tjetrin
në darën e xhelatit mbërthyer,
pa shpëtim.

Vetëm shpirti i Foshnjës,
i pastër, i butë, i padëmshëm,
i vendosur,
për të mos tradhtuar askënd,
në vetëmohim,
i papërkulur, i thjeshtë,
i ndershëm,
trim.

Filozofë  gjenialë,
Magë Modernë,
pantofla të ngrohta push butë,
përgjysmë të mbushura me hi,
tjetër është galaktika-ushqim
për shpirtin e mbijetuar,
Absolut,
burrë legjendar
(spartan apo viking)
dhe Foshnjë Hyjnore,
bashkuar në Një,
tretur në hyjnoren mister,
të panjohurën,
të dyshuarën,
të përfolurën nga Ju,
përjetësi…

Një Gentleman i vërtetë,
lord dhe sir i zjarrtë,
me ndërgjegjen e vet Hyjni,
(jo kornemuza të Elizabeth Queen!,
as Fransua Hollande freluquet,
avaleur de Légion d’Honneur,
gjithfarë princash në pupla asturianë,
të tipit Zhorzh Klemansó:
“dyzetë vrima bythësh akademikë”,
heronj të çastit, bashkuar në kope,
që mbijetojnë e kthehen në hafijé)
urë mes dy botësh përpiqet të ngrejë
rron e vdes me një të përhershëm,
të ndershëm shqetësim…
shpërthyes kalash bëhet
Shpirti i Foshnjës.
në Kohë…
hedh në erë
gurët e krimit
vitet skëterrë të burgut shekullor,
pa mbarim,
së bashku me monotoninë…

Derën e qelisë së vet
Pjetri ynë zemërmadh,
kujdeset të mbyllë me kujdes,
shqiponjë e artë me krahë çeliku,
shpirt lumëruar,
që në tortura, miza i janë dukur
hetuesit Cerberë
dhe aty askënd ka tradhtuar,
krimin lë jashtë,
së bashku me inkuizitorë,
gjithfarë trombetjerë Tutankhamunësh
artistë, akademikë, gazetarë,
à la Gorki, Majakovski & Company,
romancierë e poetë bashkëfajtorë,
që Stalinit gjithë lajka i thurën lavdi,
lepuj të trembur në savanën tartare
seriozë në poza qesharake,
edhe sot e kësaj dite,
kiç,
hijerëndë si varre të bukur në kalbëzim,
nga jashtë të lyer me gëlqere të bardhë,
brenda me krimba të shëndetshëm topolakë,
brumbuj të tharë e merimanga tinëzare,
myk,
gjithfarë fundërrinash me tituj,
kolombina e arlekinë,
spiunë të të gjitha kohëve,
gjoja të rilindur,
turistë të përdhosur deri në vetëverbim,
me Kalin Trojan në zemër,
gjakun e sëmurë,
restart
si gjithë jo-vertebrorët e tjerë,
dhelparakët meskinë në farefis,
miqtë e ngushtë, mendjelehtë,
me fare pak besë e cipë.

Përfytyrohet lehtë Gardiani i Madh,
edhe mes petalesh trëndafili,
rënë pa frymë,
dërrmuar,
keq e mos më keq ndjehet
(mendërisht)
me qindra çelësa shtriganësh,
përfytyrime zhonglerësh perversë
gjalma qesharake,
pushkë të përgjakura,
berra të therura kurban,
shokë të shtrenjtë revolucioni,
kocka të nxira në dorë,
në emër të Hekatës,
pa pikë mëshire,
shndërruar në theror.

Jo pak herë guri filozofik,
përngjan me atë të Sizifit,
të baltosur në terr.
refuzojmë një Djall,
dy hapa më tej,
për tu ndeshur
me një tjetër Mefistofel.
Deri sa vjen monopati,
epigramë e errët hieroglifësh,
një pllakat shkëmbor në hon,
që, për besë!
nuk dihet ku çon…

Edhe pas Uraganit në Lindje,
me emrin fare pak të njohur:
Tmerr Perfekt,
këmbëzbathur, kokulur në shi,
myku në zemër përhapet,
për Njeriun e Ri,
gënjeshtra mbijeton,
e përforcuar,
deri sa vdes,
(brez pas brezi, fëmijët me të ushqen)…
në vend që, dritë duke hedhur në zemër të malit,
në të Platonit Shpellë,
të pafytyrën egërsi, verbëri, idiotësi,
pjesëmarrje mendjelehtë,
në keqbërësen kope njerëzore,
me guximin, që nuk mund të gjesh dot në terr,
të paktën, në kohë paqe,
njëherë e mirë,
të vërvitësh
në Ferr…

Në erë stuhish tropikale,
kandili i mjerë,
përpiqet vetveten të ndriçojë,
ca më pak të zgjuarit e përhershëm barbarë,
jetën e vërtetë duke bërë të lindë në vetmi,
për të mos përsëritur,
stërgjyshoren klithmë të egër,
përherë të mbijetuar në tmerr,
e vjetërsi…

Padër Pjetër Meshkalla
Padër Pjetër Meshkalla (1901-1988)

*At Pjetër Meshkalla, ishte mik i ngushtë i tim ati, Dino Martiko, në burgun e tij të parë, në Shqipëri.
Ishin dy individë të brumosur prej të njëjtash ideale humane dhe mbi të gjitha, të pajisur me një frymë të pathyeshme, heroike: për të mos tradhtuar asnjë nga miqtë e tyre, në hetuesitë e tmerrshme, inkuizitore, pa avokatë, të asaj kohe. Një ditë, im atë e dëgjoi Pjetrin të thoshte: “Ne iu përngjajmë gurëve të parë që, kur ndërtohen themelet e një ure, humbasim pa ambicie, për të rënë në sy.”
Në pranverën e vitit 1967, At Pjetër Meshkalla, provokoi me ndërgjegje të plotë burgun e tij të dytë, nëpërmjet një letre drejtuar ish kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehut.
Në Shqipëri porsa kishin filluar shkatërrimet në masë të objekteve të kultit fetar. Kryeministri, edhe pse me pamje hijerëndë, në të vërtetë një rob i frikësuar keqas, buratin i dorëzuar pa kushte në duart e diktatorit famëkeq, Enver Hoxha, shënoi në fund të letrës: “Të demaskohet dhe të futet në burg!” -Në këtë mënyrë, dëshira e imzot Pjetër Meshkallës, për t’iu shërbyer të burgosurve, të keqtrajtuar në burgjet komuniste, u bë realitet. Deri ditën që u largua nga jeta, mjaft njerëz të përvuajtur e pa shpresë në jetë, gjenin ngushëllim të fjala e këtij individi, aq të rrallë në shoqërinë njerëzore. Të njëjtin veprim analog kreu edhe im atë, në vitin 1947, kur i propozuan të bëhej agjent i kuq në Perëndim. Ndonëse mund të pranonte ofertën për të dalë nga Ferri, zgjodhi më mirë të sakrifikonte veten dhe familjen e tij.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.