Fotografia e 11 Shtatorit
nga Wislawa Szymborska
(1923-2012, Poloni)
Ata kërcyen nga katet që digjeshin –
një, dy, dhe ca më shumë,
më lart, më ulët.
Fotografia i ndali në jetë,
dhe tani i mban
lart mbi tokë drejt tokës.
Secili është ende i plotë,
me fytyrë të veçantë
dhe gjaku i fshehur mirë.
Ka mjaft kohë
për flokët të shprishen,
për çelësat e monedhat
nga xhepat të ikin.
Ende janë brenda përqafimit të ajrit,
brenda busullës së vendeve
që sapo i kanë hapur.
Mund vetëm dy gjëra të bëj për ta –
ta përshkruaj këtë fluturim
dhe t’mos shtoj vargun e fundit.
© 2005 by Wislawa Szymborska – Burimi: Monologue of a Dog (Houghton Mifflin Harcourt, Inc. 2005)
© Për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2008