Fqinji i Bodrumit
tregim nga Edmond Hasani
I vjen gjithmonë era hudhra nga goja, e pavarsisht se dua ta shikoj me simpati, kur ja ndjej edhe aromën e rakisë e shmang takimin me të, por sot gjithçka brenda meje u përmbys.
-Mondi, – me thotë – eja të të tregoj diçka! – dhe duke ecur para meje me heq udhën poshtë, tek bodrumi i pallatit ku banon prej kur nuk mbahet mend. Përkulet poshtë një shtrati të madh e të lashtë bashkëshortor, e prej andej nxjerr një kuti! E hap dhe në duart e tij shikoj një gramafon të vjetër. Ulet mbi shtrat, pi ujë nga një broke e zbukuruar me vija jeshile dhe befas më thotë:
-Ti je i ri në këtë pallat e ndoshta nuk më njeh fare as mua e as banorët e tjerë apo jo?”
-Po, – i them, – ka dy muaj që kam ardhur këtu!
Ai nuk flet, ndërkohë e ve në punë gramafonin e ndërsa prisja të dëgjoja ndonjë këngë të vjetër sa mosha e gramafonit në vesh çuditërisht më futen ca ofshama, britma, pasthirrma, psherëtima… Ah… uh…. oooooooh…!
-Edmond, gruaja ime është vrarë duke u arratisur me not bashkë me një mik të sajin, i cili rezultoi të ishte dashnori i saj, diku mes liqenit të Ohrit para nja 30 vjetësh!
Çava sytë nga habia dhe mekja ime shoqëruar me tingujt e çuditshëm të gramafonit të lashtë i dhanë kurajo fqinjit tim të vazhdonte tregimin!
-Pas vrasjes së saj dhe demaskimit tim para kolektivit si armik i klasës më detyruan të divorcohem prej saj, megjithse ajo kushedi ku ishte dekompozuar plotësisht nga ujrat dhe korani i liqenit!
Ju afrova fqinjit, i hodha krahun në qafë pa ditur ç’ti them, por rrudhat e tij ishin më të forta se ç’mendoja unë e kështu nisa të dëgjoj në heshtje mes klithmave të gramafonit një thriller të jashtzakonshëm!
-Ok, – i thashë dikur, – veç një zemër e fortë si ti, i mbijetoi kësaj tragjedie familjare, por më thuaj çfarë janë këto klithma në gramafon!
-Hahahahaha, – shpërtheu e qeshura e tij me një histeri dhe kollë azmatike sa desh ma vdiq fqinjin tim! Pastaj kur u qetësua disi, vazhdoi të më thotë:
-O Edmond, fqinjët e këtij pallati ose me saktë të hyrjes tonë nuk jane njerëz dosido, përkundrazi, ata janë vipa, dhe bëri nji buzqeshje tallëse! – Ja, në kat të katërt jeton vëllai i kufitarit që vrau gruan time dhe dashnorin e saj në liqen të Ohrit! Në kat të tretë jeton ish sekretari i partisë i uzinës që më demaskoi mua si armik i Partisë! Në kat të dytë jeton ish gjykatësja që e dënoi pas vdekjes gruan time me 25 vjet burg dhe ndalim të së drejtës për të votuar e për t’u votuar! Kurse përballë saj jeton gruaja e ish dashnorit të ish gruas time që është martuar me kufitarin vrasës të tyre! A e bën dot lidhjen e tyre me gramafonin tim o Edmond, se më dukesh edhe si gjë e zgjuar!?!
Kishte filluar të më ngacmonte hundët era e mykut, egrasisë dhe pisllëkut të bodrumit dhe mezi prisja të dilja prej andej kur ai vazhdoi:
-Pas pijes kthehem vonë fare në shtëpi dhe që ta dish në orët e vona të natës rreth pallatit dëgjohen pëshpërima, rënkime, ngashërime, pasthirrma të cilat unë i incizoj në shiritin e gramafonit! Do thuash ti ç’janë këto tinguj! Edhe unë ende nuk e di nëse këto që po dëgjojmë janë britmat e ndërgjegjeve të plagosura të mëkatarëve tanë, o mos vallë britmat, rënkimet e gruas time, e dashnorit të saj dhe viktimave të tjera të kriminelëve që sot jetojnë më mirë se dje… dhe mbi mua gjithmonë?