Fragmente kujtimesh dhe refleksionesh
nga Lekë Tasi – 95 vjeçar
“Nuk ndalohet Mozarti”
Përballë Xhamisë së Et’hem bbeut ishte një megafon para se niste kantjeri për Pallatin e Kulturës. Jepte muzikë pa dallim a thua se koha e Italisë me Pjetër Gjinin dhe Mihal Cikon të vazhdonte (qe viti 1966, koha e Kinës kur u ndalua çdo klasik, (ishim në punë fizike në Çermë, kur i thash Hysen Kurtit sekretar partie, “Nuk ndalohet Mozarti”, ma mbajti shënim dhe më erdhi pusulla për pushim mbas ca muajve) Në vitet ‘50 përkundrazi Beniamino Gigli me këngën e Paolo Tostit këndonte pa frikë e fare pa turp “È l’April e l’april è la stagion d’amore!”, kurse te megfoni i Kafe Kursalit valse të Strausit. Kështu rinia, edhe pse kishin baballarë ose farefis në kanalet e Maliqit e të Bedenit në Kavajë e kudo tjetër duke punuar nën kamzhikun e policëve, e kishin pjesën e tyre të iluzioneve rinore duke ëndërruar këtu në rrugët e Tiranës: Të rriturit jo, sepse do të pësonin presionin kudo, në dyqan, lagje, zyrë lagjeje e gjetiu. Sidoqoftë gjërat erdhën duke u përkeqësuar baraz për të lirët dhe të burgosurit. Është një kalim që ndodh sëpari te diktatura vetë, që zhvesh normalitetin dhe vesh shtrëngimin që u vjen së jashtmi.
Ndërkohë ne e falënderojmë egoizmin dhe pafajsinë e asaj kohe, kemi ruajtur një bagazh freskie që na mban gjallë trurin tek bukuritë e jetës dhe kjo përkthehet edhe tek njohja e të drejtave që ka tjetri pranë dhe larg…
Leka Tasi, FB 26 maj 2023
Sa shumë gjëra duhen restauruar!
Nuk duhet mendje e mprehtë për të kuptuar se periudha 30 vjeçare (1991-2012) iu shtua periudhës 70 vjeçare (1912-1990), që të plotsohet procesi njiqindvjeçar i përpjekjes për shtet. Mbështetja tek i Huaji – Jo! Tek Opozitari, i ka karakterizuar të dy periudhat e para tek Antanta (Jugosllavia) për Esat Toptanin dhe pjesërisht Zogun që pastaj preferoi Italinë, dhe refuzoi Ish Shokët, kurse Enveri që u mbështet tërësisht tek Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, Kina dhe as bëhet fjalë për tërë Kategorinë e Inteligjencës së formuar në 50 vjet të cilën e masakroi ose e çburrëroi.
Vjen rradha tek ditët e sotme.
Mbas hyrjes së mësipërme, ësht evidente që cilido që propozon një zgjidhje politike duhet të synojë mbi çdo gjë bashkëpunimin mes qeveris dhe opozitës! Çfarë del në ekrane? Lufta për jetë a vdekje ka arritur kulmin. Një copë parti që brehet nga krimbi, pretendon të marrë pushtetin, jo të bëhet kompetitive! Kjo tregon se uria për pushtet absolut ka një ringjallje të tillë sa ka harruar dhe të fshihet, e deklaron hapur, harron çdo turp, madje s’e ka njohur kurrë dialogun veçse si një maskë mirësjellje që mbas takimit pasohet me të qeshura para pasqyrës. Pra njiqind vjet s’kanë vlejtur. E kuptueshme me tërë ato lavdi të rreme, që u bënë kulturë dhe u shfaqën publikisht me pendime ministrash të katandisur kufoma. Por virtytet civile mbijetuan, pra vlejtën, te kush? Tek ata që nuk rreshtën se propozuari, së ofruari për marrëveshje! Në Gjyqin Special të Prillit 1945, “armiqt e popullit” dolën me tezën se nuk tradhtuan, por zbatuan kompromisin me më të fortin! U hodh poshtë nga prokurori, dhe u dënuan/ Pesdhjetë vjet më pas Ramiz Alia vizitoi ShBA dhe erdhi me kompromisin në xhep: Që të dorëzonte këtë vend të shndrruar në varrezë…
Leka Tasi, FB 25 maj 2023