back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Françesk Radi: Elektronika ka shkatërruar muzikën, montazhierët kanë zëvendësuar kompozitorët

Gazeta

Këngtari Françesk Radi
Këngtari Françesk Radi

Françesk Radi:

Elektronika ka shkatërruar muzikën,

montazhierët kanë zëvendësuar kompozitorët

Intervistoi: Julia Vrapi

Kantautori i njohur Françesk Radi,
gjatë aktivitetit të tij muzikor ka sjellë këngë,
të cilat kanë mbetur te publiku,
përmendim këtu “Biçikleta”, “Adresa”, “Telefonatë zemrash”,
“Të kesh para”, “Zemër e lodhur” etj.
Vetëm pak kohë më parë krijimtaria e tij mori dhe një tjetër vlerësim.
Ishte grupi i njohur kosovar “Asgjë sikur dielli”,
që këngën “Adresa” e kënduar nga Françesk Radi
para 44 vitesh e risolli për publikun në versionin pop-rock.
Në intervistën dhënë për gazetën,
kantautori i njohur shprehet se:
“…ishte një gjetje e bukur mënyra se si erdhi kënga
nga grupi kosovar, por sipas tij që në vitin 1972,
kur ajo u prezantua në Anketën Muzikore u shpall fituese.

Françesk Radi - Festivali i XI ne RTVSH
Françesk Radi – Festivali i XI ne RTVSH

Në Festivali i 11 në RTSH, ku me këngën “Kur dëgjoj zëra nga bota” ai u paraqit si kantautor, fatkeqësisht kjo këngë u bë dhe shkak për largimin e tij për 10 vite nga Tirana në Fushë-Arrëz. Por sërish pas këtyre viteve, kantautori i njohur arriti, që të marrë vlerësimin e publikut. Sot këngët e tij janë në kujtesën e të gjithëve, por në ditët e sotme kantautori Françesk Radi pohon se kënga shqiptare është me jo pak probleme. Mos-harmonizimi i muzikës, me tekstin dhe interpretimin, sot bëjnë që kënga të harrohet shpejt, ndërsa janë të pakta krijimet e bukura në muzikë.

Jeni nga artistët e njohur në vend, mes krijimtarisë suaj përmendim këngën “Adresa” e vitit 1972, që ishte përzgjedhja e grupit të njohur kosovar “Asgjë sikur dielli”, që e solli për publikun më moderne. Për ju si erdhi kënga në këtë version? Teksti i këngës është nga Kastriot Gjini, sepse ai ka qenë i pari që ka dëgjuar këngën time pa dalë në radio. Në atë kohë unë i pata shkuar në shtëpi Kastriotit dhe i tregova këngën e re, që ishte vetëm melodia, nuk pati ende tekst. Në atë moment ai tha: “tani që po të dëgjoj këngën tekstin do ta bëj unë”. Unë e kam dëgjuar këngën e grupit kosovar, ata më kanë marrë dhe leje për transmetimin e saj. U ndjeva mirë, që kur shikon një grup të rinjsh arrin të të marrë një këngë 44 vjeçare, pasi ka qenë kompozim i 1971 dhe ka dalë në Festivalin e Studentit, më pas në 1972 ajo këngën kaloi në Anketën Muzikore në muajin maj ku u shpall fituese. Unë fillimet e mia i kam pasur në Anketën Muzikore, sepse isha i padëshirueshëm atë kohë për festivalin e këngës në RTSH. “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë të dyja këngë të anketave, e para në maj, ndërsa e dyta në korrik të 1972. Mua më pëlqeu kënga në mënyrën e tyre, që e kishin bërë në ritmet rrok. Më pëlqeu shumë dhe videoklipi që kishin bërë “Asgjë sikur dielli” ishte modern, ishte gjetje e bukur.

Anila Kati - një nga vajzat më të bukura te viteve '70
Anila Kati – një nga vajzat më të bukura te viteve ’70

Për kohën “Adresa” ka qenë një hap para në krijimtarinë muzikore, çfarë kujtoni nga ajo kohë? Nga mënyra e interpretimit ajo këngë ishte përpara, struktura e këngës ishte e veçantë, orkestracioni e bëri atë këngë të suksesshme, që vazhdon akoma dhe sot pas 44 vitesh. Pra të gjitha këto e bënë atë këngë, që të rezistojë në vite. Klipi i këngës është bërë në Tiranë, madje ka qenë dhe një nga vajzat më të bukura e asaj kohe, Anila Kati. Për fat të keq ajo video nuk ekziston më. Klipi atë kohë u prit shumë mirë, ishte eveniment. Bashkë me këngën “Biçikleta”, ato ishin dy videoklipet e para shqiptare. Kujtoj që në orën 21.00 kur jepej Anketa Muzikore mezi i prisnin këngët. Duhet të kemi parasysh, që dhe 1972 ishte vit që u liberalizuan pak gjërat. Radio “Tirana” filloi të jepte dhe muzikë të huaj, ishte periudha e tillë që lejoi që të dyja këto këngë të ishin, sepse po të ishte një kohë tjetër nuk do të ishin. Kur kam regjistruar këngën “Adresa” pata probleme në studio. Gjatë kohës që po e regjistroja shkoi lajmi te shefat e Radios, duke thënë që është një Françesk Radi me zë si të Çelentanos. E morën vesh dhe teknikët e Radios dhe më thanë Franko ti duhet vetëm të interpretosh thjeshtë këngën, vijën melodike pa interpretim. Unë atë regjistrim e kam kënduar pa emocion, por dhe në atë gjendje këngën donin ta hiqnin. Ndoshta është dhe këmbëngulja e Gaspër Çurçisë, sepse ai bëri orkestrimin dhe e regjistroi. Ai u motivua për ta shpëtuar këngën, por dhe tjerë si Gjon Simoni shef i muzikës.

Gaspër Çurçia
Gaspër Çurçia

Shumë flitet për këngë të bukura sot, por pak gjenden? Ato që e bëjnë një këngë të bukur sot janë të gjitha komponentët. Muzikë, interpretim, orkestracion, tekst. Nëse janë në mënyrën e asaj, që këto shkojnë bukur njëra me tjetrën, shkojnë në performancë, edhe nëse interpretimi është i mirë, atëherë kënga nuk ka pse të dali e papëlqyeshme.

Por sa i gjejmë sot sipas jush këto komponentë, bëhen këngë por humbasin shpejt? Kjo është vështirësia, sepse mund të jetë dhe një tekst i bukur, dhe një orkestracion i mirë, por kur nuk ka këngë, kur nuk ka interpretim, këto duhet të jenë në harmoni. Sot këto komponentë shumë pak janë në harmoni, sepse çalojnë në kompozim. Nëse ke një këngëtar të mirë, por nuk ke orkestracion, tekst, atëherë asnjë këngëtar nuk ka çfarë t’i bëjë këngës. Vetë fakti që këngët e mia kanë pasur sukses, është që unë i kam dhënë rëndësi të gjithë këtyre komponentëve, si “Adresës”, “Biçikletës” vijmë pas viteve ’90, që kemi “Telefonatë zemrash”, “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Zemër e lodhur”, etj, janë këngë që komponentët kanë qenë në shkallë të lartë.

Sipas jush, sot pse nuk bëhet me kaq vëmendje harmonizimi i këtyre komponentëve që ju përmendët? Nuk bëhet, sepse duhet të dini që shumë kompozitorë janë pa shkollë, nuk dinë muzikë, nuk dinë profesionin, nuk dinë notat, instrumentin. Unë kam mësuar prej Gaspër Çurçisë, kam prekur instrumentin, kam qenë me orkestrën e Robert Radojës, me orkestrën e Ferdinand Dedës, kanë qenë mjeshtra dhe unë mësova shumë prej tyre. Sot? Muzika elektronike e ka shkatërruar muzikën. Çdo gjë e marrin të gatshme, sepse nuk dinë. Janë vetëm montazhierë, jo kompozitorë. Më shumë kemi sot montazhierë se sa muzikantë kompozitorë.

Ndërkohë po tekstet e këngëve, si vijnë? Sot janë disa autorë tekstesh si Agim Doçi, Jorgo Papingji po dhe të rinj si Rozana Radi, që vijojnë të shkruajnë tekste të bukura. Por në përgjithësi po kalohet në stile muzikore si hip-hopi, dhe për këto stile muzikore unë nuk jam dakord.

Françesk Radi - ne vitet '80
Françesk Radi – ne vitet ’80

Pse nuk i pranoni këto stile muzikore? Nuk i pranoj, sepse janë tekste të rrugëve. Nuk kanë asnjë vlerë, tekste rruge. Madje dhe Quincy Jones, e dini si e ka quajtur hip-hopin? Muzikë ordinere me këngëtarë ordinerë. Rrepi dhe hip-hopi ashtu lindi, muzikë rrugësh dhe bandash. Ne e kemi fatin që shtrihemi midis kulturave botërore si greku italiani, francezi, pse nuk marrim anët e mira të tyre?

Vazhdon e drejta e autorit të jetë shumë probleme për krijuesit, artistët. Ju sa jeni dëmtuar nga pirateria? Unë jam dëmtuar shumë nga e drejta e autorit. Mund të jem nga kantautorët ndoshta më të transmetueshëm, dhe nuk jam paguar. Është e vështirë të kërkosh të drejtën e autorit këtu. Nuk e marr vesh se si Europa do na fusë në Europë pa të drejtë autori? Nuk e imagjinoj dot. Vidhet prona intelektuale në mes të ditës, dhe askush nuk bën gjë.

Këtë bisedë mbi muzikën po e zhvillojmë kur disa javë na ndajnë nga zhvillimi i Festivalit të Këngës në RTSH. Çfarë shije ju lë ky festival? Deri më sot nuk më ka lënë asnjë lloj shijeje në muzikë. Unë jam kantautor, që krijimtarinë më të madhe e kam bërë pas viteve ’90, dhe të them të drejtën unë me festivalet ruaj krijimtarinë time më të mirë pas ‘90, kam këngë të arrira. Kam disa vite që jam larguar nga festivali, jo për fajin tim por për faj të atyre drejtuesve të Redaksisë së Muzikës. Jo vetëm unë, por dhe artistë të tjerë janë larguar nga ai trajtim atje jo fort dashamirës, por dashakeqës më shumë. Por festivalin e kam ndjekur, por ai nuk bëhet siç është bërë deri tani. Thjesht nxjerrin një lajmërim, por festivali duhet ndjekur, festivali ka platformë që në fillim. Pse për një “X Factor” shkojnë në qytete të ndryshme dhe zgjedhin pjesëmarrësit, ndërsa për festivalin e RTSH se merr kush mundimin për të gjetur një talent të ri apo këngë të bukur? Ju kujtoj që në Festivalin e Sanremos kur ishte Xhani Morandi, ka shkuar në gjithë Italinë, duke bërë audicione për të zgjedhur disa këngë për festivalin, dhe ai dëgjoi 800 këngë nëpër Itali. Ndërsa tek ne rrinë dhe presin këngët se kush do të sjellë. Por kënga duhet gjetur dhe duhet porositur, jo vetëm si muzikë, por dhe tematika duhet porositur, duhet të jetë shumë e gjerë, duhet të ketë këngë me motive popullore, këngë me shtrirje deri tek tipi Boceli, që janë të tipit lirik, këngë të karakterit humoristik, të jenë këngë nga të gjitha zhanret. Është festival i këngës në përgjithësi dhe jo i vetëm një rryme.

Françesk Radi
Françesk Radi

Keni ndonjë projekt muzikor me të cilin po merreni? Po merrem me këngët e reja, që po i punoj. Jam në proces të tyre dhe dua të nxjerr një album të ri. Ky është albumi im i tretë në krijimtarinë time, që numëron mbi 40 këngë të mira ndër vite, ku jam si kantautor.

Jeni kantautor shumë i njohur, me një krijimtari prej 45 vitesh, por a ka një vlerësim për ju nga institucionet, janë dhënë jo pak tituj? Unë nuk kam asnjë titull deri më sot, por megjithatë nuk më shqetëson ky fakt, sepse unë kam bërë atë art, që e kam ndjerë nga pasioni dhe talenti dhe mund të jem i vetmi kantautor, që ka një veprimtari muzikore kaq të madhe sa e imja. Unë kam luajtur si instrumentist profesionist, kitar bass, kontrabas, me orkestra simfonike, unë kam kompozuar dhe kënduar këngët e mia dhe i kam orkestruar ato, duke shkruar dhe tekstet e tyre në disa këngë. Pra kam një veprimtari të madhe, megjithatë tek ne duhet ta kërkosh titullin, se sa të ta japin, por unë nuk dua tua kërkoj atë titull. Unë dua të ma japin titullin, jo tua kërkoj.
29 nëntor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.