back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Frederiku si m’u shfaq -Një kartolinë dhe një kartelë – nga Visar Zhiti

Gazeta

Liriku i pashoq Frederik Reshpja (1940-2006)
Liriku i pashoq Frederik Reshpja (1940-2006)
Frederiku si m’u shfaq – Një kartolinë dhe një kartelë –
nga Visar Zhiti

Gjithmonë çohem herët
në mëngjes,
por botën
e gjej zgjuar…

Gjithë ditën kam mërmëritur me vete këto vargje të Frederik Rreshpjes, jo vetëm pse ai sot do ishte 84 vjeç, por e kam bërë dhe herë të tjera, i dija këto vargje që kur isha student në qytetin e tij, në Shkodër dhe ai ishte poet i njohur. Pata fatin të bëheshim miq…
Desha të thosha sot diçka për atë, shkruajta gjatë paradites dhe befas më humbën fjalët të gjitha dhe u trishtova.
Kur erdhi mbrëmja, sërish kujtova datëlindjen e tij dhe vargjet e mëngjesit i mërmërita të ndryshuar:
Gjithmonë fle vonë në mbrëmje,
por bota s’është asnjëherë
në gjumë.
Shoh dritat në rrugë dhe plot dritare të ndezura. Ç’kisha humbur, nuk e ribëja dot më. Deshi, pa humbi, po mërmërisja. Dhe kjo s’është vetëm për fjalët. Megjithatë unë kisha shkruar për Frederikun. Në burgologjinë time “Rrugët e ferrit” kam shumë rrëfime nate, po e risjell njërin:

Kartolina në ferr
​-Po kjo kartolinë armiqësore dërguar poetit armik Frederik Rreshpja? – Hetuesi tundte një kartolinë, e vetmja gjë me ngjyra aty, që nga ajo dhomë shkretane, në korridorin e gjatë dhe të errët e deri te biruca jote. Por ajo ulërimë e papërcaktuar nga vinte ashtu? Ti mbaje vesh për ta gjetur dhe shqetësimi shtohej. Zjarrmia e ulërima nga s’avitej, qasej, derisa e kuptoje se ishte tjetër, jo ajo te birucat e anës sate, as e asaj, e treta nga këtej, por ishte brenda tek ti. Të erdhi radha të ulërish. Ndërsa hetuesi mbante në dorë një copë nga ulërima, me ngjyra, e ruajtur mirë, me fanatizëm, një kartolinë me të cilën një Vit të Ri të shkuar, kur kishte të tillë, të largët, apo që s’kishin ardhur ende, uroja një njeri.​
​-A mund ta shoh? – thashë.
​-Patjetër, është e drejta jote, – ma zgjati kartolinën hetuesi, duke kujtuar se desha të shihja vërtetësinë e saj, teksa nga buzët e tij derdhej ngazëllimi që të jep prova e pakundërshtueshme, aq e çmuar dhe po aq e panevojshme, por boll që i shton andrallat të hetuarit.
Në të vërtetë unë desha ta shihja për të përftuar një çast timin, të përjetoja të shkruarit, fjalët, vajtjen në postë dikur, ngjyrat e kartolinës etj.
​-Yti është shkrimi? – u bë i vëmendshëm hetuesi.
​-Patjetër, – buzëqesha, – por s’ia kisha dërguar organeve të Sigurimit. Ç’do kjo këtu?
​-Atë e dimë ne! Mos harro, ta kam thënë, jo vetëm unë, por edhe polici më i rëndomtë, pyetjet i bëjmë ne dhe jo ti, aq më keq kur ato janë edhe provokuese. Kemi konfiskuar 32 fletore nga ato të tuat. I mori një koleg yni gjatë kontrollit në shtëpinë tënde në Lushnjë, një kalendar, 4 blloqe, ditarë, poezi, prozë. Dhe 5 fletore të tjera të kapura atje ku punoje, në fshatin Vilë. Në rregull?
​(-Obobo! – thashë me vete.)
​-Jemi duke i studiuar. Nuk të kemi arrestuar gabim.
​-Por këto që përmendët, i keni marrë pasi më arrestuat, – kundërshtova i pafuqishëm. – Pra, provat tani po i kërkoni, tani. Nuk është e drejtë, – rënkova.
​-Po i shtojmë provat, i pandehur, – bërtiti. – Dhe drejtësinë e vendosim ne! I kemi dhënë dhe për ekspertizë tjetër dorëshkrimet e tua, ditarët. Do të ta them edhe se kujt. Një profesorit tënd në Shkodër, ka qenë edhe imi, gjuhëtar i njohur. Shef katedre…
​Ndjeva hidhësirë në gjuhë. Dhe zhgënjim. Po ai pse m’i thoshte emrat? Që dhe unë ta kisha të lehtë të thosha emra? T’u kundërvihesha. Nëse ishin profesorë të mi, unë nuk jam student i tyre…
​-E ç’do të bëhet…? – mërmërita i hutuar.
​-Me profesorin, me ty, me ditarët? – më hetoi hetuesi buzagaz, – I ruajmë ne më mirë… të gjitha. As kur të lirohesh nga burgu, nuk do t’i kesh.
​-Është vendosur “burgu” për mua?
​-Po. Nga ti varet masa e dënimit. Sikur një ditë të dalësh më parë, s’është pak. Na ndihmo, të të ndihmojmë. Po nuk kuptove, ka edhe metoda të tjera. Më kupton? Vazhdojmë. E lexove kartolinën tënde? – dhe ma mori vrik me merakun se mos unë e zhdukja provën, e haja p.sh., si në një roman të realizmit socialist. – Të ta lexoj unë?… Të kujtohet?
​-Po.
​-E di që Frederik Rreshpen do të ta sjellim dëshmitar që nga burgu politik, ku është? Të ka marrë malli për miqtë e tu? Vazhdo mbroji. -Hetuesi u bë i rreptë. Shpejt e shpejt hapi një dosje tjetër nga ato që kishte shpërndarë mbi tryezë, në fakt s’kishte nevojë për aq shumë, por që të ndihesha sa më i sulmuar. – Këtu kam ekspertizën që i ka bërë objektit-kartolinë shkrimtari Thoma Frashëri. Ndër të tjera, ai thotë se qysh nuk u gëzuaka shkrimtari te ne?! Pse, nuk e gëzon shkrimtarin në socializëm rendimenti i lartë i grurit, shtimi i qumështit të lopëve në kooperativat bujqësore? “Të uroj romane mermeri”, shkruan ti dhe ekspertizuesi e zbërthen: Mermeri është nëpër varre dhe i ftohtë. Pra, ke bërë urim që ndjell vdekje.
​- Është edhe te varret e dëshmorëve, – e ndërpreva. – Ata janë gjallë përjetësisht. Edhe te statujat e udhëheqësit e…
​Hetuesi ndali. Picërroi sytë. Mbase mendoi modifikimet në akuzë, por edhe unë përgjigjet e tilla t’i lija për në gjyq. Hetuesi vendosi të më shpartallonte aty për aty, edhe fizikisht, po u desh.
​-Pse nuk gëzohet shkrimtari te ne? – të pyes. Përgjigju dhe mos dredho! – m’u vërsul tërë hakërrima. – Të duruam shumë! I poshtër! Maskara! Dredharak! Qelbësirë! Pse nuk gëzohet, pse? – Po bërtiste aq shumë, sa po tmerrohesha, për fjalën “gëzim” po përdoreshin të kundërtat e saj, sharje, nëpërkëmbje, pranga. – I biri tët eti! Ti… – më shkundulloi. S’doja të dëgjoja, kur më shante babanë. Të paktën të shpëtoja pa ma sharë nënën këtë radhë. – Fol, f-o-o-o-l! Çohu në këmbë! Jo, ulu. Çohu! Ulu, ulu! Poshtë e më poshtë ti! Shpjego, pse nuk gëzohet shkrimtari te ne. Çohu, – më kapi nga jaka e mbetur. E shqeu edhe atë. – Ulu! – Dihaste, kërcëllinte dhëmbët e veta e të miat kur më rrotullonte nofullën e ënjtur. Ulu-çohu! Ulu-çohu! Uuuuuuçççççç!
​-P-o-o, si? Shpjegohu! Dalja e një libri nuk e gëzuaka shkrimtarin?!
​-Po fillon tortura për librin tjetër, prandaj, – përçarta.
​-Jo, ende s’i kemi filluar torturat, por do t’i fillojmë, po vazhdove kështu, me sofizma…

* * *
Dhe i lashë kujtimet e tjera, portretin, mitomaninë, aq të bukur për në skrivani, po aq e rrezikshme larg saj, që armiq i shtoi Fredit, thyerjet dhe zhgënjimet dhe humbjet, takimet në liri që i ngjanin lirisë, mashtrimeve të saj, etj, etj, dhe hapa një libër tjetër, një sprovë imja e gjatë, për një detyrim kujtesës kolektive:

Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)
Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)

Kartela të Realizmit të Dënuar
Frederik Rreshpja (1940 – 2006)

Kur mua më çuan në Spaç, ai u lirua, kështu që s’u ripamë dot në burg. Kishim qenë shumë miq: unë student në Shkodër dhe ai poet i njohur. Atëhere më dukej si i pakallur ende në burg dhe jashtë tij si i padalë ende nga burgu.
Dukagjinas i lindur në Shkodër në vitin 1940. Bëri dhe gjimnazin po në Shkodër dhe me korrrespondencë ndoqi studimet universitare pedagogjike në Tiranë, teksa punonte në Gjendjen Civile në Dajç të Bregut të Bunës e më vonë në Shkodër si përgjegjës kulture në Kombinatin e Drurit.
Në vitin 1967, del përmbledhja e tij poetike “Rapsodi shqiptare” dhe më pas disa libra për fëmijë. Romani i parë “Zëri i largët i kasolles” 1972, si dhe drama e parë “Ëndrra e tokës”. Përsëri poezi, “Në këtë qytet” 1973. Në vitin 1975, vepra e tij hiqet nga qarkullimi “për shkak të qëndrimeve të autorit”. Arrestohet dhe dënohet me 4 vjet burg, që në Shqipëri shihej si dënim jo i rëndë. Pasi del, e ridënojnë me nene të tjera ordinere.
Në vitin postdiktatorial, 1991 Frederiku bëhet kryeredaktor i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste në Shkodër si dhe kandidat për deputet i po kësaj partie. Vjen në Tiranë në vitin 1992, dhe bëhet themelues e pronar i shtypshkronjës “Europa” si dhe drejtor i revistës po me këtë emër. Shtyp dhe trakte kundër qeverisë. Falimenton me gjithçka, përveçse me poezinë. Bie në një varfëri të skajshme, teksa shkruan vargjet më të bukura në jetë, me një trishtim brilant, me një hënë që vezullon si plagë.
Takoheshim sërish, kur burgu na e kishte thyer të dikurshmen. Në 1994 nxjerr librin “Erdhi ora të vdes përsëri”.
​ Unë kam qenë trishtimi i botës.
…erdhi ora të vdes përsëri.
Më pas boton “Lirika”, 1996, “Vetmi” në 2004. Poezi antologjike. Dhe ashtu vdes në vetmi në shkurt të vitit 2006. Prehet në Varrezat e Rrmajit në Shkodër.
Poezia e tij duket si e shkruar pas vdekjes, me një bukuri mortore, farfuritëse, me metafora dëshpëruese qe të këpusin shpirtin edhe duke mos shkruar asgjë për burgun e tij. Fjala kumbon si në një pus me qiell, ku lëkundet e pasqyruar një copëz eliptike stine: ​
​ …e kam kuptuar se kisha lindur
i mallkuar me art…
Ai ka shumë vetmi dhe asgjë më shumë se veten. Duken flatrat e thyera prej allçie të engjëllit mbi shpinën e kërrusur të një demoni të mirë, që sikur pyet me shpoti: Erdhi ora të ngjallem përsëri?

 

 

Gentiana Kone
Ka ditë që shiu nuk rresht së rëni. Si asnjëherë, k’të vit.
Është heshtimi ai që më zgjon, sot. I qiellit.
Kaltërima e tij, më kuron dhimbjet, lehton mallin.
Nis e lexoj dhe poeti më shfaqet.
I përhënur, me barrën e artit mbi shpinë, fatmjerë që botën lumnon me fjalën e shkruar.
Qiri që digjet në këmbët e virgjëreshës Mari. Në këtë botë e të tjerat pas saj.
Jashtë, zogjtë kanë nis me festu kaltërimën, hyjin e ngrohtë.
Zbres shkallinat e leximit, ndalem para portës së honit e ndij marrfrymjen e një tjetri poet.
Kam ndigju nga të mitë çfarë pas asaj porte ka. Është ferri që tatuon, fatmjerët, poetët, të bukurit në shpirt.
Dyzoj.
Marr frymë e pragun kaloj.
Lexoj deri në fund.
Dita është e dielltë sot në Flandër.
Lotët rigojnë të ngrohta.
Mirënjohje Visar Zhiti për këtë rrëfim dhimbe.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.