back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 4 Janar, 2025

Friedrich Hölderlin (1770 – 1843) dhe Lasgush Poradeci – rrëfim nga Perikli Jorgoni

Gazeta

Friedrich Hölderlin (1770 - 1843)
Friedrich Hölderlin (1770 – 1843)
Friedrich Hölderlin (1770 – 1843) dhe Lasgush Poradeci
rrëfim nga Perikli Jorgoni

Kujtime nga takimi i parë,
por jo i fundit i Perikli Jorgji Jorgonit (1936 – 2012)
me të Madhin, Llazar Sotir Gusho (Lasgush Poradeci) (1899-1987)

Nga afër me Lasgushin jam njohur rastësisht dhe ishte ky takim fatlum, që më shtyu më me vrull drejt thellësive të letërsisë gjermane e të vetë Hölderlinit, me gjithë atmosferën mirëdashëse që ishte ngulitur në shpirtin e gjyshit tim, Hilë Mosi, i pari përkthyes i letërsisë gjermane dhe europiane në gjuhën shqipe, si dhe të babait tim, Jorgji Jorgoni, që kishte mbrojtur Doktoraturën për Mjekësi në Grac të Austrisë. Shpesh e ndjeja veten ngushtë përballë babait tim intelektual, gjykimit dhe analizave të tij të thella e të sakta, megjithëse edhe unë po përfundoja studimet e larta në degën Letërsi – Filologji dhe lexoja në disa gjuhë europiane.
Ndodhi që babai të më dërgonte te shtëpia e Lasgushit, për t’i dhënë një paketë me ilaçe për vajzën e tij të porsalindur, Kostandinën, e cila ishte e sëmurë me ethe. Lasgushi më priti në studion e tij me buzëqeshje dhe më tha i gëzuar:
“Më ka falur zoti një vajzë që i ngjan nënës sime Kostandinë. E kam dashur shumë dhe i vura vajzës emrin e saj, prandaj e shqetësova dhe Doktor Jorgonin. Por, për të të gëzuar, do të të jap të lexosh në shqip poetin Heinrich Heine, që pritet të botohet nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, në tri vëllime. Hajneja është i ëmbël si mjalti dhe i hidhur si pelini… Pse flas kështu? Pse Hajneja qenka dhe mjaltë dhe pelin? Shpesh poetët janë të tillë, një përzierje e dehjes para të bukurës e të madhërishmes dhe e helmit që u shkaktonte realiteti… Ironia e mprehtë që vihet re në poezinë e Hajnes, kaq e vetvetishme dhe e pazakontë, është shpesh, shfrimi i dhimbjes dhe i pakënaqësisë. Hajneja tallej e qeshte, që të mos qante. Dhe ti mund të më pyesësh me të drejtë; ku e gjente forcën shpirtërore që të mos qante dhe përpara dhimbjeve e dramave?! Kjo duhet kërkuar dhe në karakterin prej Prometeu të vetë popullit gjerman… Por as Hajneja dhe as Gëtja nuk janë poetët më të mëdhenj të Gjermanisë. Më i madhi nga të gjithë është Hölderlini, një poet pothuajse i panjohur në kohën e vet, që vdiq i çmendur… Vdiq i çmendur si dhe Eminesku, sepse ishte më tepër poet nga ç’duhej të ishte, sepse e përjetonte në mënyrë të fuqishme gjithçka. Vuante për hallet dhe brengat e njerëzimit… Kështu janë mbrujtur artistët e mëdhenj… Tani le të shkojmë te ai…”

Lasgushi me Vajzat - Marien dhe Kostantinen
Lasgushi me Vajzat – Marien dhe Kostantinen

Papritmas Lasgushi hoqi nga këmbët pantoflat dhe eci ngadalë, me elegancë e shkathtësi drejt sënduqeve që kishte pranë dritareve të mëdha, në parvazet e të cilave kishte vënë mollë e ftonj nga kopështi i shtëpisë në Pogradec…
“Duhet të eci me ngadalë, që të mos e zgjoj nga gjumi Hajnen… Ka mote që fle gjumin e vdekjes, por shpirti i tij regëtin i gjallë nëpër fletët me vjersha të kthyer në një gjuhë ballkanike. Bën sikur fle, por është i gjallë…”.
Më erdhi për të qeshur, por mbeta i mahnitur nga ato lëvizje të hijshme, nga ato fjalë dhe ai ritual si prej magjistari. Lasgushi, përpara syve të mi dukej si ai magu zemër-flori dhe i butë si fëmija i përrallave, që m’i tregonte aq bukur e me pasion gjyshja ime, nëna e babait, sa më bënte të përjetoja gjithçka që më rrëfente… Kjo më afroi menjëherë me Lasgushin. Kalimi aq natyrshëm nga situatat reale në ato fantastike. Këto dyzime Lasgushi i përjetonte gjithmonë. Ai ishte një poet gjenial i lindur, me ndjeshmëri të jashtëzakonshme me fantazi mjaft të begatë e të gjallë.

Friedrich Hölderlin - Poezi te Zgjedhura
Friedrich Hölderlin – Poezi te Zgjedhura

-Nga biblioteka ime mund të marrësh për të lexuar gjithçka, por Hölderlinin nuk do të ta jap… Se kam frikë se ma humbet e s’do të rri i qetë pa të…
-Me që e dashke kaq tepër pse nuk e përkthen në gjuhën tonë dhe Hölderlinin?
-Sepse Hölderlini është një “grand dekadent”. Me që e dua kaq tepër kam frikë se nuk do të mundem ta përkthej kurrë. Kështu më ndodh gjithnjë me dashuritë e mëdha…
-Po, ju zoti Lasgush, a jeni një “grand dekadent”?
Pyetja ime i pëlqeu. Më vështroi në bebe të syrit.
-Jo vetëm unë, por edhe ti, do të vish e të më kërkosh për të lexuar vetëm këta bij hyjnorë, që nuk ngjajnë aspak me taborrin e oborrtarëve e të daullexhinjve. A e di seç ka thënë në poezi njëri prej këtyre, gjermani Johan Beher:
O mik i dashur, do të them dy fjalë, por mos u tut! Sa bukur është të rrish në bisht të nevojtores, pësipër të shohësh yje e poshtë, mut…
Ia shkrepa së qeshurës, sikur të ishim të një moshe e unë të isha një mik i afërt i tij… Lasgushi me njerëzit që e ndjente se e donin dhe e çmonin me të vërtetë, pasi bindej për dlirësinë e zgjuarsinë e tyre, zhdukte çdo pengesë e largësi që i ndante. Ai dinte të bëhej mik i afërt e të të rrëfente në mënyrë mjaft të çiltër e mirëbesim dhe brengat e shqetësimet e veta të përditshme dhe jo të pakta…
Marrë nga Muri i FB Elida Jorgoni, 21 dhjetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.