Fshati ynë ja doli të botojë Antologjinë Letrare
Humor nga Marsel Spahiu
Me hare të parrëfyer, katundi ynë shpall të shpifur lajmin ngashëryes. Më në fund e botoi edhe fshati ynë (Hakikati i Sipërm) Antologjinë letrare!
Juria e fshatit u bëti nga kjo përbërje: Kryetar i Jurisë Letrare, Peçi Poçja, veteran, pensionist, tre herë komunist me tesqere. Dy herë demokrat me shumë hakikat, por pa tesqere fare, dhe një herë i rrahur nga republikanët te kahveneja e Pilos.
Megjithëse Peçua nuk merr pykë nga letërsia (tërë jetën vetëm lajmërime vdekje në shtylla ka lexuar) ne Hakikatasit e zgjodhëm njëzëri Kryetar.
Nënkryetar i Jurisë: Qamilja e Bikes dhe Biku i Xhemalit. Pronarë serash me zarzavate. Të dy bashkë dinë a nuk dinë 15 shkronja nga alfabeti, por e dashurojnë letërsinë.
Madje shkruajnë rregullisht artikuj kritikë mbi letërsinë, në gazetën e fshatit “Zëri i Hakikatit”
Anëtarë të Jurisë: Nakja i Fuatit, Ndoni i Ndinit, Rrap Rripi, Bake Byku dhe baxhanaku i Rrapit, Liu Lonit.
Krijimet tona fshataro-letrare padyshim që plasën si Përroi i Qenëve…
Prirjet tona letrare krijuan prurje të tillë sa u zalisëm si Juri.
Në poezinë moderne konvencionale, fitues shpallëm të Shpifur Zaken e Abedinit me poezinë “Të fala tepelekes”
Disa vargje për ju filoHakikatësit:
-Grimca mendimi në tasin me çorbë…
Përshesh me çorbë në tru…
Të fala i panjohur që të njoh aq mirë gjithashtu!
Në gjininë e Romanit shpifëm të shpallur Daken e Selimesë për romanin me tre faqe “Hataja”
…Vetëtinte bubullima atë natë në drekë… Po mblidhja fasule duke menduar? Apo… po mendoja duke ngrënë fasule?
Një cërmë ndjej nga shalët…
Apokalipsi paska erë rigoni me qepë të kalbur…
Do fle përmbys të ftillohem. Brenda dhomës gjëmon ushtima e jashtme…
-Në gjininë e Ese-së fitonjëse shpifet Xëkja e Xakes për esenë: “Ishim mirë m’aheret!”
S’kishim çurape po kishim dashuri.
Si zoqër ne losnim në avlli me lojëra të ndryshme. Jo si sot që lozin me telefon.
S’kishim gjëllë të shtrënjta po hanim bijo! Nanjiherë nuk hanim fare po kishim dashuri! Jo si sot që na u shpifën hormonet në shëndet.
Kishim morra në kokë e na lyente mamaja kokën me vajgurti, po kishim dashuri. Jo si sot koka me xhel, këmët me maniqyrr. Degjenerim!
Yyyyyyy!
Më merr malli për ahere që s’kishim si ishim po ama ishim tamëm!
Parathënien e Antologjisë ja besuam priftit të fshatit Papu Gorit meqë ky rri gjithmonë esëll.
Si e këndoi Antologjinë, Papu Gori shkroi: -At që je në Qiell! Trutë e tokësorëve beko, se të tjerat… Halelujah!
Pasthënien, natyrisht ja besuam Imam Raufit për të ruajtur ekuilibrin teologjik të fshatit.
Efendiu, pa e lexuar fare Antologjinë shkroi: -All’llah i Mëshirëshëm! Shpëtona fshatshe!
Prezantimi i Antologjisë do bëhet nga Shtëpia Botuese
“Biga më tresh” e botuesit të fshatit, Tiku i Qanies, te kafeneja e Pilos ditën e Çlirimit të fshatit. (në fakt ne si fshat nuk u pushtuam asnjëherë, dhe me kalem e qitap i bie të mos jemi çliruar asnjëherë. Mirëpo një kompani partizane që po kalonte në 1944-ën nga fshati jonë na dha një ide gjeniale. Të rrihnim njeri – tjetrin të veshur ca si gjermanë, ca si partizanë e kusuri të veshur si psikopatë e të bënim ndonjë heroizëm çlirimtar…
Si u bëmë xurxull te kahveneja e Palit të Pilos, ja nisëm çlirimit nga njëri-tjetri, me fitoren triumfuese të Partizanëve të veshur si gjermanë.
Marrë nga Muri i Fb, Marsel Spahiu, 10 gusht 2024