back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

“Fshatrat Potjomkiniane”… nga Klodi Stralla

Gazeta

Katerina e Madhe & Gregorij Potjomkin
Katerina e Madhe & Gregorij Potjomkin

“Fshatrat Potjomkiniane”…

nga Klodi Stralla

Me rastin e 275 vjetorit të lindjes të Grigorij Potjomkin (1739-1791)

Ndonse Grigori Potjomkin ishte një ushtarak dhe burrë shteti rus i shek. XVIII-të, bukurosh nga pamja dhe tepër inteligjent nga natyra, favorit dhe i dashur i vetë careshës të famshme ruse Ekaterina e II-të (Katerina e Madhe), kolonizator i stepave ukrainase, ato që e bënë atë të famshëm botërisht ishin të ashtuquajturat “Fshatrat Potjomkinianë”.
Duke e ditur se sa të shkëputur nga realiteti i jetës së popujve të tyre ishin despotët absolutë dhe njëherazi sa të etur ishin të dëgjonin për rezultate spektakulare të “mirëqeniejes së popullit” nën udhëheqjen e tyre, (siç ishte faktikisht edhe Katerina e II-të), njerëz si Potjomkin ditën, me mjeshtëri, t’ua përkëdhelin këtë delir madhështie, duke krijuar realitete imagjinarë, të paqënë, por që ju krijonin pushtetarëve bindjen se poshtë populli ishte i kënaqur dhe jetonte në mirëqenie dhe siguri të admirushme.
Kur pajtoni (karroca) e Careshës kalonte rrugës, për të mbritur në një zonë të Krimesë, Potjomkin kish sajuar, me makete false, fshatra të tërë, me ndërtesa të bukura, e me burra e gra qe jetonin dhe punonin të lumtur. Mjeshtria e lartë e aktorit që zotëronte ai, në përmasat e paturpësisë, ishte në shkallë aq të lartë, sa ai personalisht, kur shoqëronte karocën perandorake, i tregonte vetë careshës, se cili qe ky apo ai “fshat”, me se merreshin njerëzit aty, dhe sa të lumtur jetonin ata e sa luteshin ata për shëndetin e saj!!

Peisazh socialist i Myzeqesë
Peisazh socialist i Myzeqesë si Hambar

E kujtova këtë figurë historike për bëmat e tij spekulative sepse ai është ende aktual edhe në kohën tonë, kur falë mjeteve të reja të komunikimit masiv, si filmi, televizori apo rrjetet sociale, na serviret, prej pushtetarëve (të të dy krahëve), një realitet i ndryshëm nga ai që është në të vërtetë, e ku: papunësia masive na paraqitet si punësim masiv, që shtohet dita ditës, jo nga veprat industriale të ndërtuara, por nga Zyrat e punësimit, të hapura anembanë vendit; rënia e fuqisë blerse të popullatës (që e thonë të gjithë ata që shesin), na paraqitet si rritje ekonomike e vendit; rritja e të ardhurave buxhetore, maskohet me rritjen e taksave dhe tatimeve dhe jo me shpërndarjen më të drejtë të barrës fiskale ndaj bizneseve apo reduktimin e evazionit fiskal; kapja e institucioneve të pavarura të shtetit, maskohet me synimin për të luftuar korrupsionin dhe vendosur drejtësinë. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, maskohet me pamundësinë për ta detyruar CEZ-in çek, të përmbushte detyrimet kontraktore me shtetin shqiptar apo me pamundësinë për ta detyruar të paguajë atë pjesë të popullatës që, për vite rresht, nuk e paguan energjinë elektrike të konsumuar, etj, etj…
Kudo “fshatra potjomkinianë”!!
Modeli Potjemkinian i qeverisjes duhet t’i bëjë edhe pushtetarët, qëndrorë apo lokalë, që dëshirojnë të ballafaqohen me realitetin e vërtetë, të jenë syçelët që, vartësit e tyre, të mos u ndërtojnë, në sektorët ku ata drejtojnë, “fshatra potjomkinianë”.
Por nëse populli rus, i 300 viteve më parë, nuk i kishte mundësitë ta kuptonte lojën djallëzore të Potjomkinit, falë paditurisë të tij masive, shqiptarët e këtij shekulli duhet të jenë më syçelët të dallojnë, prapa arritjeve reale të qeverive të tyre, ato që aq shumë u përngjajnë “fshatrave potjomkinianë”.
26 shtator 2014

Princi Gregorij Potjomkin (1739-1791)
Princi Gregorij Potjomkin (1739-1791)

Kush është Gregorij Potjomkin

Gregorij qe i biri i Aleksandër Potjomkin (1673-1746), anëtar i familjes Potjomkin, dhe gruas së tij Darya Kondyreva, i cili që në moshë të re tregoi kureshtje dhe ambicie.
I njohur mbi të gjitha në përpjekjet e tij për kolonizimin e stepave të shkretuara të Ukrainës në jugperëndim (Rajoni Edisan), nji prej blerjeve të Perandorisë Ruse në vijim të Traktatit të Kuçuk Kaynarca me Perandorinë Osmane (1774).
Mbas nji karrierë ushtarake, ai ndoshta mori pjesë edhe në grushtin e shtetit që i dha fronin  Katerinës së II të Rusisë, duke u bërë edhe preferuari i saj, dhe mori detyra e shpërblime të rëndsishme. Mbështet Perandoreshën ruse në shtypjen e revoltës së Pugachev-it dhe në riorganizimin e territoreve jugore të perandorisë, duke demonstruar aftësi të konsiderueshme administrative.
Nën sugjerimin e tij në 1783, u pushtua Krimeja, ku ai arriti të ripopullonte fshatrat, për të ngritur qytetet e reja, përfshi këtu Sevastopolin (1784), Stavropolin dhe të krijojë qendra kulturore. Në këtë mënyrë veproi për t’i tërhequr vëmendjen perandoreshës të mirë… aq sa u sajua nji legjendë nga kritikuesit e tij që pohonin se ai ndërtoi shumë fshatra, të quajtur më vonë fshatra Potjomkin, të cilat në pamje të parë dukeshin si fshatra, po në të vërtetë ata ishin papier-mache.
Potjomkin merr pjesë në luftërat kundër Perandorisë Osmane nga 1767 dhe 1787. Nji tjetër aktivitet i rëndësishëm i tij qe krijimi i flotës në Detin e Zi. Vdiq në 1791, gjatë një udhëtimi në Ukrainë, në Mykolaiv.
Atij iu  kushtua më e famshmja luftanijeve të flotës ruse në Detin e Zi, në vitin 1905, e cila mori pjesë në revoltën kundër regjimit të Carit. Ky episod u bë i njohur në filmin e famshëm “Korracata Potjomkin”.
Katerina e Madhe, si delfinin e saj, e caktoi “Princ të Tauris”.
Shumë historianë shkruajnë se ka pasur nji martesë të fshehtë mes Katerinës së Madhe dhe Admiralit Potjomkin, i cila ka ndodhur në 1774. Disa besojnë se Perandoresha ishte edhe nëna e vajzës së ilegjitime, Elizaveta, me të preferuarin e saj Potjomkin, i cila mori emrin Tjomkin.
(Mori dhe përshtati shqip Jozef Radi nga Wikipedia italiane)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.