Gallatë Presidenciale…
nga Jozef Radi
Që Shqipëria është një shtet në prag të falimentimit, tashmë e ndjejmë të gjithë! Vetëm fakti i ikjes masive prej vitit 2015 e deri në ditë të sotme, Shqipëria humb çdo vit një qytet me 40 mijë banorë, është jo vetëm dëshmi e braktisjes së anijes që mbytet po edhe tragjedia më e madhe në historinë e këtij vendi, në periudhën e postdiktaturës që duket sikur e plotësojnë njëra-tjetrën.. e para me hermetizmin e mos daljes së një mize, dhe e dyta me shpërbërjen kombtare të ikjes nga sytë këmbët…
Pra shqiptarët e dinë…! E dinë gjithashtu më mirë edhe ata që prej mese 110 vitesh e projektuan zvogëlimin e kësaj hapësire ndërshqiptare duar duar nëpër konferencat e tyre të famëshme!
Por, ajo që po e nxjerr më në pah dhe evidenton më së miri këtë falimentim, është zgjedhja e Presidentit të ri! Presidenti i fundit, pra njeriu ende në detyrë, u zgjodh para pesë vitesh nga po kjo maxhorancë, me qëllim të dyfishtë, së pari ta hiqte si forcë opozitare, dhe së dyti ta minimizonte në rolin që do kryente! Të realizuara të dyja, sepse kjo maxhorancë e ka asgjesuar në mënyrë të frikëshme autoritetin e tij, edhe pse figura e tij mbetet ndër më të spikaturat në ngjitjen shkallë-shkallë si në hierarkitë e pushtetit po edhe ato të dekadencës së shtetit postkomunist!!
Çështja e sotme e trajtimit të Presidentit është çështja më e pavlerë në kuptimin e trajtave dhe metamorfozave që ka marrë sot shteti shqiptar, jo vetëm pse roli i Presidentit ka ardhur duke u dobësuar nga ekzekutivi, por edhe pse palët politike e kanë degraduar pozitën e tij në një rol tejet figurativ, i cili duke qenë se në Shqipëri, pozitën diktuese e ka Kryeministri, i cili arrogancën karakteriale e mvesh me pushtet të pakufi, automatikisht, gjithë problemet që kërkojë njëfarë zgjidhjeje ose konsensusi në opinion kombetar dhe ndërkombëtar, realizohen vetëm përmes vetos kryeministrore dhe gjithçka mban vulën, ose shkelmin në fyt me diktatin e tij, kështu që pozita e Presidentit e mbetur në një rol tejet figurativ, për të mos thënë qesharak, vjen pikërisht prej kësaj rrokade mes ushtarësh, e ku figura e Presidentit gjatë viteve të fundit ka një teposhtë spektakolare, e shpesh ka kaluar në plan të tretë, duke iu zvogëluar dukshëm edhe ato pak pozita që ia garanton Kushtetuta, tashmë duke e lënë mënjanë autoritetin si figurë mjaft përfaqësuese e unitetit gjatë këtyre 32 viteve posdiktaturë!
Kryeministri, ose nëse do ta përcaktonim në formën më korrekte (simbas disa dokumenteve të miqve të tij), që më lejojnë ta quaj “I Çmenduri i Surrelit! prej kohësh bën kohesh është në fushatë me figurën e Presidentit, duke përdorur gjitha mjetet dhe mënyrat për ta asgjesuar edhe më tej institucionin në fjalë o në mos, për ta reduktuar në rangun më qesharak të mundshëm, që figura e tij të jetë edhe më dominuese në vitet që vijnë. Është mëse e qartë që në këtë komedi tragjike që ai po luan, na shpalos në nivelin më të ulët shtetëror e shtetformues të historisë së 110 viteve e ku Presidenti i rradhës do të jetë me siguri më qesharaku në historinë e këtij shteti!!
Kushdo që do ta pretendojë kët post, duhet të kuptojë se ai do t’i dhurohet nga KM, dhe duhet të jetë në konsideratë të plotë se autoriteti i tij do të zbresë në nivelin e fshesaxhijve mëngjesore të rrugëve të Tiranës, (por i veshur me kostum) dhe gjithçka e barasvlerëshme me teneqet, firmat dhe vulat formale të hedhura herë me ngut, herë me përdhunë e herë me mosdije… E një shtet kësisoji s’mund të jetë asgjë më shumë se diktaturë!
Të qenit telendar, i paftyrë, i paskrupullt, të qenit kryeministër i shtetit të Drogës, Megakorrupsionit dhe abuzimeve kolosale, s’ka asnjë probabilitet të na ofrojë një president dinjitoz, një figurë ku të konvergojnë grupe të mëdha shoqërore dhe politike, një President largpamës që të mund t’i imponohet realitetit shqiptar! Pra, me gjithë tamburexhinjtë, përfshi këtu edhe mjaft figura të urryera në mediat e përnatshme, të shpallura haptas në antishqiptarizmin e tyre, janë gjithnjë e më të shumtë atë që thonë :“Pse jo unë!”, ndaj me keqardhje ju themi se kësaj here, Presidenti do të jetë vegla më e verbër e një kryeministri të çmendur. Kushdo që mund ta tentojë Fronin e këtij posti, ka edhe përgjegjësinë e bashkëpunëtorit në krim në shqelmin total të shtetit shqiptar. Nuk besoj se janë të paktë ata që po i bëhen me zell pjesë kësaj farse dhe komedie tragjike, ku indulgjencat kryeministrore të kryeçmendurisë të hedhura si “ballakume shansesh” s’mund të ofrojnë asgjë më shumë se një President “kukull”, e që në hall të hallit do të zgjidhet me kartat e mjaftueshme të atij pushteti votblerës që ka përgjegjësi të plotë për shkatërrimin e institucioneve e rrjedhimisht edhe të këtij vendi: Forcave të Rilindjes!
Dhe po ta shohësh tregun e indulgjencës, njëherë hidhet ideja e një gruaje, njëherë tjetër e një intelektuali, njëherë e një patrioti protestash, njëherë e një intelektuali jashtë Shqipëria, njëherë e një kryeopozitari të ankandit, njëherë si formatim i brendshëm i pushtetit, pse jo edhe populli që merr me zarfa të mbyllur i zografis i fut një të ngjitur pështyme dhe ia kthen të Gjatit të Nahijes, që ua di anën këtyeë punëve dhe shpërndan llafin se çdo qytetar i këtij vendi mund të jetë befas edhe President i Zullumlandit…
Komedia e Asgjësë vazhdon kafeneve e mejhaneve e gudulis gjithkah gjithkënd e miklon gjithfarë shpirtrash ideja e të qenit president i shtetit të trushpërlarjes kolektive!
Në këtë zallamahi, të ballakumeve kryeministrore që çmenduria të ishte sa me e plotë u hodh edhe ideja që në majë të piramidës Presidenciale së këtij vendi qesharak, të merrej në konsideratë edhe vetë familja Kryeminstrore, pse jo te kemi edhe ne Dinastinë tonë!
Simbas meje, problemi nuk shtrohet se kush mund të jetë presidenti i ardhshëm, po cilat do të jenë të më të spikatura të qesharakësisë së tij: sepse President kësaj here, mund të jetë cilido që do të nënshkruajë kompromisin e të qenit vegla më e nënshtruar (nënkupto e ndyrë) e një kryeministri të çmendur!!!
prill 2022