back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gaspër Pali – tri Poezi e nji thirrje në kujtesë nga “Hyjt mbi Greminë”

Gazeta

Gaspër Pali - (1916 -1942)
Gaspër Pali – (1916 -1942)

“Hyjt mbi Greminë” i Gaspër Palit…

si rikthim në inkoshiencë

nga Jozef Radi

Para do kohe, kur befas ndesha n’kopertinën e librit me poezi, “Hyjt mbi Greminë”, diçka m’u drodh mbrenda meje… M’qe shfaqë diçka që s’e kisha harrue, nji si dashni e pambrritun kurrë, që njashtu si të zgjon, njashtu të merr e të çon larg në nji botë që ende dremit diku n’periferi të kujtesës tande…
Libri “Hyjt mbi Greminë” i Gaspër Palit, njashtu i hollë e i cikërrimtë (si shpirt poeti), pa ndonji motiv të spikatun, ma kish grabitë vëmendjen bash n’ato kohna kur sa ia kisha nisë leximit. Si nëpër mjegull e kujtoj, që im atë na kishte kallzue si e kishte njoftë poetin Gaspër Pali, në vitet e tija të Gjimnazit në Shkodër, (qe habi e madhe për mue, njoftja me dikë që shkruente libra!) dhe si duket ai libër i vocërr, i pari dhe i vetmi i poetit Gaspër Pali, sillesh gjithkah nëpër shpi si nji relikte e shenjtë e rinisë dhe kujtimeve të eti… n’ato kohë të dikurshme andrrash e besimesh… ndërkohë që fati i tij kahera kish marrë teposhtën prej dhunës së pësueme…
Sot, ndërsa m’u shfaq… ajo kopertinë me at imazhin e errët të nji mbramje me selvinë e hollë përskaj nji kulle a kështjelle; nji njeri i vetmuem buzë liqenit, me do hyj të verdhë  e të mëdhenj mbi krye… ndjeva diçka të pazakontë, të papërcaktueme… m’u duk sikur gjeta nji botë andrrash o përrallash të mbetuna përgjysë…
Nuk e di pse at libër me vargje, të cilave asnjiherë s’mbrrita me ia gjetë kuptimin, e msheha diku në raftin e teshave të mia, dhe herë mbas here përplitesha me e lexu dhe me e kuptue diçka diku aty te 10 vjeçët… Sado që i përplitesha leximit, pothuej s’kuptojsha asgja… po ma shumë habi më bante fakti se lexoja në nji shqipe ndryshe prej asaj çka mësoja në shkollë… dhe ma të madhe ma bante habinë fjala Hyjt, që simbas mendjes sime lidhesh me Hyjnitë e lashta… tashma të rame në  Greminë …
S’di sa herë e kam marrë ndër duer at libër në përpëlitje me e kuptue… at libër që s’ishte asgja ma shumë se nji fletore katërlekëshe… po s’mujta kurrsesi. Mandej, mbas do kohe s’di se si e qysh, po ai libër i mbetun ngulitë fort në inkosheincën time… treti… e kurrë s’e pashë ma…
Aq shpesh e kam mendue si nji vegim hyj-nor…! dhe veç shfaqja e kësaj kopertine, zgjoi diçka magjike të fëminisë sime … dhe ishte Muri i fb i nji mikut tim, që ma solli kët detaj të fjetun t’ikoshiencës sime të kahershme… kur poezia ende s’ishte, po gjithqysh i duhej me u shfaqë… e që sot më shtyu me i shkrue këto pak rreshta në nder e kujtim të Poetit Gaspër Pali, i hikun pa mbushë 26 vjetët.  shtator 2014

Gaspër Pali - "Hyjt mbi Greminë"
Gaspër Pali – “Hyjt mbi Greminë”

Gaspër Pali

Tri Poezi nga Libri “Hyjt mbi Greminë”

Hyjt mbi greminë

Mbi buzë kang’t pada m’buçisin,
n’sa gjamë luftar’sh s’paguem
n’ajri plot flakë gjimojnë.
E zajet që m’lamije t’vdek’s
ushtojnë vërshojnë në dhomën time,
ku bulojnë nji mbas nji njimij’ andrrime.
E britma1 t’ndryshme m’lindin n’dhomë meiherë
e ftyra t’ndryshme m’lindin n’dhomë meiherë,
fytyra t’murrme, zaje që kërcnojnë.
Hijet m’murmurojnë:
“Ende vallet s’t’janë shuem?
O, si t’kndon zemra, – m’pyesin njizani –
n’sa botë s’ndihet veç vajë,
e nga gjoksat tonë, gjaku derdhet rrkajë?”
E trandet shpirti e m’zhduken kang’t nga buza
m’duket se krejt jeta nisë me u rrënue,
njashtu si tërmeti
muret e vjetra, shkojnë tue u shkatrrue.2
Por nër buzë t’mija prap nji fjal u ngjall:
“O m’leni hije – gjegja me i gjysë zani –
m’leni t’vijoj me mall,
pse kam humbë n’shoje udhën e vërtetë.
Un s’daj shtigjet, që rraha gjithherë,
s’shoh ma qiellën, që ndritte ma parë.
Gjithçka ka ndrrue:
Mbi botë thellimi ka bulue.
Prandej me kangë dëshiroj me shërue varrët.
Kanga m’ngjallë rininë,
pse vargjet lenojn dhimat,
kah shndrisin shpirtin, si hyjt mbi greminë…”
Firenze, 1940

Kanga e Poetit

N’qiell dy tre hyj shndrisin zbehtë
e duken si sy të venitun vashash
që s’kanë provue humbjen e dashnis s’parë.
Npër ajrì ndoi jone tretë:
dikush këndon me nji zà mallngjimtar.
Duket se nata s’lëviz, as s’merr frymë
kah rrin e prigjon.
E qiella e bardhë, si qumësht i papërlyem
nga s’nalti shikon.
Kjo qetsi zbret në shpirt t’kangtarit
e i zblon nji mall të ri deri tash ndryem,
pse toka e qiella kanë heshtë para fjal’s s’tij.
Buzët i dridhen gjithherë me hov t’ri
pse kangtari n’zemër ndryen
gëzimet e bot’s mbarë
e dhimat e bot’s mbarë.
……………….

Mëngjese Shnjergjash*

Në buzë t’kuqe si agimi
i Majit dridhej gëzimi1
kur Vasha me flokë ari
n’derë niste lule t’vari.
Simjet, por duert e bardha
mermeri i ngrini mardha.2
Njimijë duer varzash tjera
vendojnë lule te dera,
si Shkodra e ka zakon;3
por ti në vorr pushon.
Kot rrezet e prarueme
n’qytet zgjojnë valle t’lume.
Vallzojn’ sot kumbanoret
e grishin t’çohen faret,
qytetast, që janë n’gjumë
pse nën rrasë s’jehon kumbë.4
Gazmend gjithkah përtrihet
n’çinar,5 der cijimi ndihet,
n’sa dyert mbushen n’blerime
por Lil’,6 për ty s’ka gzime.
Kumbona shpresë nuk t’njallë
dhe zemres sime t’gjallë,
blerime n’dyer tue pa
i kndon. Kohët nuk kthejnë ma.
N’qytet veç kangë ndihet.
Por s’mundem ma me andrrue,
mos hylli pse m’u shue7
…m’ka prendue.8

1.dridhej gëzimi rrëshqitte gëzimi ne kopjen e parë
2.mardha – ngrica
3.bri këtij vargu e tjetrit që e ndjek janë dy vargje “por n’shpi time prendverë
nuk çeli si përherë…”

4.kumbë: kumbim, jeh, gjëmim kumbonë
5.çinar – rrap shekullor, që gjindet ndër vorrezat e shkodrës, strehë qindra çerdhesh zogjsh këngtarë, në kontrast me vendin e vdekjes e të vajit.
6.emri i nji vajze me të cilën poeti u rrit bashkë
7.në mes të këtij vargu gjindet fjala “Zot”, por është prishur
8.këto katër vargje pakuptim tregojne se poezia nuk u përfundua, sepse ankimi “ylli pse m’u shue” nuk e zgjidh idenë.

Shpi e Vjetër Shkodrane
Shpi e Vjetër Shkodrane

Gaspër Pali (14 gusht 1916 – 21 korrik 1942)

Gaspër Pali u lind në Shkodër, në lagjen Serreq, me 14 gusht 1916. Nëna, Luçia – shtëpiake, ishte bijë e familjes Dabërdaku. Baba Kola – çikërrimtar në rrënim e sipër, punonte në pazarin e Shkodrës. Gaspri ishte i fundit nga 11 fëmijët. Atij i vunë emrin e vëllait të madh, që kishte vdekur rreth të njëzetave.
Gaspri kreu shkëlqyeshëm filloren e pesë klasat e gjimnazit françeskan në qytetin e lindjes. Aty u dashurua pas muzikës, lëndë që e jepte At Martin Gjoka, ngritësi i orkestrës frymore “Illyricum”, ku Gaspri qe instrumentist flauti e më pas i trombës sibemol. Repertori i zgjedhur i partiturave: “Tango të famshme – Kumparsita – Plegaria – Xhelozia”, dëshmon se ai e ka njohur mirë muzikën në përgjithësi e thellësisht atë që ekzekutonte me pasion. Shokë shkolle e pjesëtarë orkestre me Gasprin qenë muzikantët e talentuar Prenk Jakova, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Çesk Zadeja, si dhe dramaturgu Kolë Jakova.
Në vitin 1929, Gaspri mori pjesë në bandën frymore “Illyricum” të Martin Gjokës ku u mbrujt me kulturën e traditën e muzikës popullore dhe u njoh me disa pjesë të kompozitorëve të huaj. Me Prenk Jakovën, në shtëpinë e tij, nëpërmjet disqeve të gramafonit apo të një radioje të vjetër, dëgjon muzikën e Shubertit, Puçinit, Hajdenit, Mozartit.
Në bankat e liceut françeskan ku drejtorë qenë Gjergj Fishta e Frano Kiri dhe mësues Anton Harapi, Bernardin Palaj, Justin Rrota, Marin Sirdani, Gaspër Pali fillon aktivitetin e vet poetik, që pesëmbëdhjetë vjeç, me dy sonete në sistemin metrik të kodifikuar si dhe me një vjershë “Djepi i vorfën” – ndikim nga poezia popullore qytetare. Me 4 mars 1933, përmes një eseje 4 faqesh, Gaspri 17 vjeçar paraqet formimin e tij filozofik, në një apologji idealiste model: “Mbi natyrë të Zotit”.
Me 23 prill 1933, përmes modifikimit të Statutit Themeltar të Shtetit, shkollat private u mbyllën. Gaspri kaloi në degën klasike të Gjimnazit të Shtetit Shkodër, ku mori dëftesën e pjekurisë në seksionin e pranverës të vitit shkollor 1934-1935. Bankat qenë skrivania e lirikave të tij prekëse e njëkohësisht vendi ku mori vlerësimet dhe vërejtjet e dy Filipëve: Filip Ndocajt, shokut të klasës dhe Filip Fishtës, profesorit kompetent të letërsisë.
Një vëlla, tre vite më i madh se Gaspri, Zefi, që po specializohej për mjek në Vjenë, e frymëzonte të ndiqte studimet e larta. Por me se? Rioshi kërkoi bursë shtetërore, por nuk iu dha. Boshllëkun e vitit shkollor 1935-1936, që e kaloi si i papunë, e mbushi disi me debutimin me 15 shkurt 1936, në revistën “Rilindja” të Korçës. Poezia “Natë shtregullash”, ishte shkruar në varg të çlirshëm, si ai i disa poetëve të spikatur të atyre viteve, të cilët po sillnin njëkohësisht një formë dhe një përmbajtje të re në letrat shqipe.
Përballë shtëpisë së familjes Pali, banonte këngëtari i mirënjohur popullor Kolë Gurashi që i gjinikoi të riut pasionin për mbledhjen e folklorit dhe studimin e tij. Asaj rruge Gaspri nuk do t’i ndahej edhe kur të afirmohej si shkrimtar.
Ky botim i suksesshëm jashtë Shkodrës, që e shndërroi Gaspër Palin në një emër të ri arti në atdhe, e nxiti familjen të bënte një sforcim, të tejkalonte për një çast gjendjen e pamundur ekonomike dhe ta regjistronte poetin e ri, në tetorin e 1936-ës, në Fakultetin e Letërsisë të Firences në Itali.
Gaspri ndoqi studimet për katër vite rresht në të njëjtën degë me shkrimtarin e ardhshëm Filip Ndocaj, me të cilin e lidhte një miqësi e kahershme qysh nga “Illyricum”-i. Në Firence ai shoqërohej me mjaft studentë bashkatdhetarë, që ia hiqnin paksa mallin e vendlindjes. Megjithatë vitet e arta studenteske ai do t’i quante mërgim…
Gaspër Pali shkoi në qytetin e Dantes si poliglot. Ai dinte me themel, që nga liceu françeskan, greqishten e vjetër, latinishten, italishten. Gjermanishten e mësoi si autodidakt me ndihmën e të vëllait, Zefit, që më 1935, mbaroi studimet në mjekësi në Grac të Austrisë. Librat në gjuhë të huaja, që ende sot ndodhen në bibliotekën e familjes Shantoja, dëshmojnë edhe përmes ndonjë shënimi të vogël të Gasprit, për formimin filologjik dhe për preferencat e tij letrare.
Sa mbërrin në Firence, në tetor e dhjetor 1936 Gaspri vendos lidhje me revistën shkodrane “Cirka”, tani si mbledhës dhe argumentues i folklorit, duke përdorur pseudonimin Gimi.
Në janar të 1937, do të botojë aty një novelë folkloristike, “Plaka jonë” ku do të shfaqet me profilin e prozatorit.
Më 1938, nga Italia vendos lidhje me kryeqytetin shqiptar duke botuar novelën “Prangat e arta” në gazetën “Java”. Ndërsa më 1940, brenda Firences do të botojë një poezi shqip, në revistën “Numero unico degli universitari albanesi”.
Tri ngjarje tronditëse, do ta plagosnin zemrën e poetit lirik. E para, pushtimi i atdheut nga gjuhëfolësit e po atij vendi ku ai po kulturohej. E dyta, dashuria fundtrishtuar me një vajzë siciliane, studenten Kleyde, që papritmas sëmuret rëndë. E treta, kur zbuloi përmes tingullit që i dilte nga mushkëritë, shenjat e para të TBC-së. Ishin gjithsesi tepër për një 23 vjeçar hollak dhe sentimental, që fliste gjithnjë me gjysmëton muzikor.
Në fillim të vitit shkollor 1940-1941, Dr. Gaspër Pali u emërua profesor i shqipes në Gjimnazin e Shtetit Shkodër, ku afërsisht dy vite shkollore punoi me aftësi e zell. Revistat më në zë të kohës kërkojnë të thithin firmën e poetit dhe penën e kritikut letrar Gaspër Pali. Kështu drejtuesi i revistës “Shkëndija” në Tiranë, shkrimtari Ernest Koliqi, në hapësirën e një viti (shtator 1941-qershor 1942) i boton tri poezi dhe një ese. “Hylli i Dritës”, sapo Gaspri kthehet në Shkodër, në shtator 1940, i boton një studim të gjerë mbi letërsinë e huaj. “Cirka” në nëntor 1941, boton broshurën 31 faqesh “Cordignano në gjyq para botës”, ku Gaspri është bashkautor me një grup profesorësh të Gjimnazit të Shtetit Shkodër. Broshura qe shembull i një polemike shkencore dhe pati një jehonë të fortë në mbarë Shqipërinë e më tej.
Në gjysmë të dhjetorit 1941, Gaspri u sëmur rëndë. Poezinë e fundit e shkruan në spitalin e Tiranës me 2 shkurt 1942. As kujdesi i të vëllait, Zefit, doktor ftiziatër-rentgenolog s’mundi t’ia zgjasë jetën, që iu ndërpre, po në verë, po në Shkodër, më 21 korrik 1942.
Personalitete të njohura të kulturës si Kolë Ashta (1942), Qemal Draçini (1945;1995-botim postum), Mark Gurakuqi (1966), Rinush Idrizi (1972), Gjergj Zheji (1988), Robert Elsie (1995), Robert Shvarc (1997), Perikli Jorgoni (2000) do t’i kushtojnë një vëmendje të posaçme Gaspër Palit në librat, studimet, artikujt apo intervistat, duke arritur majën në vlerësimin e argumentuar të Nasho Jorgaqit (2000): “Pionier i poezisë moderne shqiptare.”
(marrë nga Wikipedia)

(Falenderoj Bep çobën, për ndihmën e dhanë për paraqitjen e kësaj faqeje)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.