back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gegë Marubi – i fundit i Marubëve të mëdhenj Qerim Vrioni

Gazeta

Gegë Marubi (1907-1984)
Gegë Marubi (1907-1984)

Gegë Marubi –

i fundmi i Marubëve të Mëdhenj

nga Qerim Vrioni

Në këtë fundmaji, mbushen 25 vjet nga dita kur në Shkodër u nda përgjithmonë nga jeta fotografi i shquar, Gegë Marubi. Ai ishte i treti dhe ndoshta i fundit i yllësisë zulmëmadhe të fotografisë shqiptare me emrin Marubi, me vlera unike dhe të pakrahasueshme në kulturën shqiptare.
Lidhja e Gegës me fotografinë është e hershme, ajo filloi kur Rrok Kodheli, i zbritur nga fshati Kodhel dhe, i vendosur në Shkodër, aty nga fund të shekullit XIX, çoi djalin e tij Mati, si çirak tek italiani Pjetër Marubi. Ky kishte hapur në qytet të parën studio fotografie në vend. Matia ndodhi i pafatë, sepse vdiq mjaft i ri, në moshën 19-vjeçare, nga një sëmundje e pashërueshme. Atëherë plaku nga Kodheli e zëvendësoi birin fatkeq me djalin tjetër të tij, Mikelin, atë kohë vetëm 15 vjeç. Këtë e përthithi shpejt magjia e fotografisë, por edhe mjeshtër Pjetri, i cili tanimë ishte shqiptarizuar mirë, e ndihmoi pa u kursyer që Kodheli i ri të zbulonte të fshehtat e profesionit. Kur vdiq mjeshtri, më 1903, Mikelit (Kelit), tashmë fotograf i përgatitur, i mbeti studjoja me emrin e njohur “Fotostudio Marubbi”, por edhe mbiemri Marubi, të cilin e trashëguan më vonë të gjithë pasardhësit e tij.

Babë e bir - Kel dhe Gegë Marubi
Babë e bir – Kel dhe Gegë Marubi (Bep çoba)

Gegë Marubi, u lind në Shkodër në vitin 1907 në familjen Kodheli si njeri nga dy djemtë dhe tri vajzat e fotografit Kel, tre vjet pasi ishte shuar pioneri i fotografisë shqiptare, gjyshi Pjetër. Ky i fundit, kish ardhur nga Italia më 1856 dhe, dy vjet më vonë kishte realizuar fotografinë e parë shqiptare. Gega, me emrin e lindjes Gregor, bashkë me të vëllanë dhe motrat kryenin punë të rëndomta në atelje, por dukej se mjeshtri këtij i kishte vënë syrin për ta pasur krah në fotografi. Ndoshta zgjedhja nuk ka qenë rastësi, diçka të veçantë mund të ketë dalluar i ati tek i biri. Kështu, në moshën 17 vjeçare, Keli edhe me ndërhyrjen e vëllezërve të njohur francezë, Lymiere, me të cilët kishte letërkëmbim, e dërgon Gegën për studime në Francë. Aty, ai regjistrohet në shkollën e parë të kinematografisë dhe fotografisë në botë, “Lumiere&Joungla” të Parisit, të hapur nga Vëllezërit Lumiere. Gega ishte studenti i parë i huaj i që kryente studimet në të. Sipas stdiuesit Pirro Naçe, aty ai u njoh edhe me fotografët e shquar parizianë të kohës, Atget (1857-1927) dhe Lartigue (1894-1986). Mjeshtër Keli, me dërgimin e Gegës për shkollim profesional, tregon se kuptoi shumë mirë se për të vazhdur rritjen e nivelit të punës në “Studio Marubi” lipseshin njohuri teorike dhe praktike bashkëkohore.
Pasi studioi për dy vjet në Francë, më 1927, Gega kthehet në Shkodër me njohuri të plota teorike dhe praktike për fotografinë, por edhe me ëndra e projekte mbi të ardhmen e “Foto Studio Marubi”. Fillon të bëj ndryshime në ndriçimin e ateliesë dhe i përkushtohet sidomos fotoportreteve brenda saj, por edhe të dali në natyrë e të fotografoj për qejf të vet. Puna në dyqan po ecte mirë, prej disa vitesh (1919) po mbahej edhe regjistri i fotove, një nga gjerat më të mençura dhe me vlera të paçmushme për fondin Marubi. Ndërkohë, materialet fotografike porositeshin tek firma e Lymjerëve, pra të cilësisë më të lartë, çka bënte që edhe fotografitë të dilnin teknikisht mjaft të pastra. Gega fillon të eksperimentojë për gjithçka kishte mësuar në shkollë. E nis me solarizimin që edhe në Francë ishte gjë e re, më pas vazhdon me fotografimet e peizazheve me filtra, ku tregohet mjeshtër i vërtetë dhe pioner në këtë lëmë për fotografinë shqiptare. Natyrisht, mund të këtë pasur edhe përplasje ndërmjet të atit dhe të birit, secili me nga një armë të fortë, por të ndryshme nga e tjetrit. Plaku kishte përvojën e tij të pasur,  por edhe të mjeshtër Pjetrit, ndërsa rioshi kishte shkollën e francezëve të njohur të kinematografisë. Nga këto ndeshje, më e fituar dilte “Studio Marubi”, e cila përherë e më shumë po ngrinte nivelin e punimeve fotografike.

Gra shkodrane (marubi)
Gra shkodrane (marubi)

Rreth vitit 1930, ai realizon për herë të parë foto me reliev dhe me rreze infra të kuqe në Tiranë e gjetiu. Ishte një sprovë e sikletshme, por e kaluar me sukses nga Gega. Janë fotografi që kur shihen sot, të mbajnë gjatë para tyre duke menduar se si ka arritur fotografi të trajtojë objekte të ndryshme si të ishin të shkëputura nga e tëra, sikur gjysma e fotos të ishte pozitive dhe gjysma negative. Këto ishin lodrime të bukura artistike e plot fantazi të fotografit me gjuhën e fotografisë, përherë brenda natyrës së veçantë të këtij mediumi.
Më 1936, në Bari të Italisë, ku si për çdo vit organizohet panairi i njohur si “Fiera del Levante”, merr pjesë dhe Shqipëria me një pavion artizanati, por edhe me disa fotografi. Aty Gegë Marubi vlerësohet me “Fletë Nderi”, çka natyrshëm e ngazëlleu atë, por edhe të atin, Kelin, puna është në rrugë të mbarë. Ishte diçka që plaku nuk e kishte arritur e provuar, por s’kishte shumë rëndësi, atë po e gëzonte i biri. Përveç punës së përditëshme në atelje, mjeshtri i ri vazhdon të fotografoj gjithmonë e më tepër jashtë studios, peisazhe natyrore dhe urbane, portrete, pa harruar se ajo që bënte sot duhet të ishte më e mirë se e djeshmja. Më 1937, Gega bashkë me fotografët më të mirë të kohës, si Ymer Bali, Mandi Koçi, Dedë Jakova, Kol Maca, Vasil Ristani, Ali Bakiu, Shan Pici etj, ftohen nga mbreti Zog për të përjetësuar në letrën fotografike kremtimet e mëdha të 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Tiranë. Po atë vit, me një farë guximi prej artisti, Gega hap në Tiranë një ekspozitë vetjake me punime fotografike në shumë zhanre, duke përdorur pllakat autokrome të Lymiereve. Historikisht, kjo është dhe ekspozita e parë fotografike në Shqipëri. Ekspozita përbënte një ngjarje në jetën e vakët kulturore të kryeqytetit shqiptar. Në shkurt të vitit 1938, realizon foton “Katër shkrimtarët e mëdhenj”, ku paraqiten Fishta, Asdreni, Koliqi dhe Poradeci, njerëz të shquar të letrave shqipe. Dy shkrimtarët e jugut, Asdreni dhe Poradeci, kishin shkuar në Shkodër me ftesë të Fishtës për kremtimin e 25 vjetorit të pavarësisë, por për shkaqe të ndryshme kishin mbritur atje tre muaj më vonë. Fotografia është realizuar në studio dhe është mjaft e studiuar, si nga vendosja simbolike e personave, ashtu dhe nga konturimi grafik dhe shpërndarja tonale e bardhë e zisë. Kështu, ajo mbetet një nga fotografitë më të goditura të Gegë Marubit. Po atë vit, ai merr pjesë me fotografi në Panairin e Selanikut (Greqi), ku dhe aty puna e tij çmohet, Gega nderohet me “Medalje Ari”, vlerësim nxitës i punës së tij me pasion dhe frymëzim artisti.

At Gjergj Fishta - Poradeci - Koliqi - Asdreni
At Gjergj Fishta – Poradeci – Koliqi – Asdreni (foto Marubi)

Ndërkohë, Gega realizon fotoportrete të figurave të njohura të jetës shpirtërore shqiptare. Veçojmë këtu portretet e Aleksandër Xhuvanit, Migjenit, Lola Aleksi, Tefta Tashko Koço, Marije Krajës, e piktorit Kol Shiroka etj. Njeri me kulturë europiane, ai, natyrisht do tërhiqej nga figura që jo vetëm e konsumonin, por edhe krijonin kulturë. Në këtë suazë, i veçantë sidomos është portreti i piktorit Kol Shiroka, ku ndonëse ai nuk paraqitet me përparsen e punës, pra nuk është në proces pikturimi, me bardhë e zinë karakteristike, jepet mirë e bukur bota e një artisti ëndërimtar e romantik. Fotoja është mbajtur pa kontraste të forta tonale, çka i shkon mjaft mirë edhe natyrës së qetë të vet piktorit.
Vdekja e të atit Kelit, më 1940, e hidhëroi pa masë, sepse me të kishte lidhje të dyanëshme, si prind dhe si koleg. Vazhdon të fotografojë, por sidomos, të ruaj dhe mbaj me rreptësi regjistrin e fotgrafive. Pas 1944, vijon si fotograf privat, veprimtari që zgjati deri në vitin 1949, kur me vendim qeverie u shtetëzuan të gjitha studiot fotografike private. Këtë ngjarje të dhimbshme e pasqyron edhe një fotografi e bërë nga Angjelin Nenshati, ku me një buzëqeshje të ngrirë qëndrojnë para aparatit, Gega, Shan Pici, Pjetër Rraboshta, Dedë Jakova, të cilët bashkë me fotografuesin, përbëjnë ”Pesëshen” e njohur të fotografëve shkodranë të shekullit XX. Themi të ngrirë, sepse prej atij çasti ato detyroheshin të punonin me profesione të tjera artizanale që s’kishin të bënin me artin, për më tepër nën urdhëra dhe varësi nga njerëz që s’e njihnin fare fotografinë.
Më pas Gega, thuajse nuk fotografon fare, por ruan dhe mirëmban me kujdes të veçantë fondin e madh të paraardhësve, punë e vyer që në një farë mënyre, zbuste pasojat e kolektivizimit brutal dhe i jepte atij kënaqësi krijimi. Në vitin 1970, u zhvillua farsa e faljes (dorëzimit) nga Gega organeve shtetërore të Fondit Marubi prej rreth 200.000 fotografish në letër, xhama dhe negativa (celuloid). Diçka të papëlqyeshme për diktatorin mendohej se kishte brenda tij, prandaj, ndoshta, u kërkua fondi, i cili u muarr nga përfaqësuesit e shtetit pa proces-verbal dhe pa numërim. Shpejt u inskenua edhe letërkëmbimi i shtirë, i shplarë, por i detyruar i fotografit plak me diktatorin që mbushi faqet e shtypit të vetëm shtetëror.

Luftëtarë shqiptar (foto marubi)
Luftëtarë shqiptar (foto marubi)

Nga fundi i jetës, në vitin 1984, Gegë Marubi e çliroi veten nga një e fshehtë përvëluese 40-50 vjeçare. Ai i dorëzoi në mirëbesim, arkivistes së tij besnike të fototekës një zarf me dhjetë foto (negativa në celuloid) nudosh femërore të realizuara në qytetin e Shkodrës gjatë periudhës 1927-1940. Edhe ai, si gjithë fotografët e të gjithë kohrave ka lëvruar edhe zhanrin e ëmbël të nudos, megjithë gjendjen e ulët të emancipimit të femrës në vend. Madje fillënisësa në këtë lëm ishin mjeshtrat Pjetër dhe Kel, që kishin realizuar të tilla, disa dhjetvjeçarë më parë. Ai nuk donte t’i merrte me vete në atë botë nudot e tij, por edhe ndoshta të tregonte se në fotografi, shqiptarët nuk janë shumë prapa vendeve të tjera dhe kanë lëvruar çdo zhanër të saj.
Si duket e kishte bluar gjatë mendimin e dorëzimit të nudove sepse ai i krijonte një si ngërç në shpirt sa herë i kujtonte dhe priti tik-taket e fundit të jetës së tij për t’a bërë këtë veprim, ishte në një farë mënyre, katarsisi i fundit i fotografit plak…
28 maji 1984, ishte dita e fundit e jetës së Gegë Marubit, ndoshta fati e donte që ai të ndahesh nga kjo botë po atë muaj kur 77 vjet e tetë ditë më parë ishte lindur. Me shuarjen e Gegë Marubit u fik edhe zjarri i fundit i yllësisë fotografike me emër e famë botërore Marubi, por nuk u mpak vlera e fondit fotografik 120 vjeçar. Ai çdo ditë e më tepër bëhet i pranishëm dhe e dobishëm për botën kulturore dhe shkencore të shqiptarëve në të gjitha trevat ku ata banojnë. E, një pjesë e madhe e këtij fondi, është fryt i mendjes dhe dorës së Gegë Marubit.
http://www.albanovaonline.info 02 qershor 2009

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.