back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gegnishtja asht nji pasuni e pakufi… Dy pyetje nga Klara Buda për Jozef Radin

Gazeta

Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016

Gegnishtja asht nji pasuni e pakufi…

Dy pyetje nga Klara Buda

për shumë përgjigje nga Jozef Radi

Poezia juaj shkruhet në gegnisht. Kjo thjesht pse në këtë dialekt ju gjeni më shumë vetveten apo me shumë ndjeshmëri poetike?
Nëse do më duhej me u përgjigjë me nji frazë të vetme kisha me thanë se: gegnishtja asht krahu ma i fuqishëm i shqipes… Por me qenë pak ma i hapun, më duhet me u shpjegue.
Libri Poetik “Fletorja e Vjeshtës” qe rezultat e nji reflektimi të gjatë pothuej dhjetëvjeçar, mbas botimit të librit “Kujtesa e Mjegullës”. Kohë e mjaftueshme me kuptue jo vetëm disa mekanizma gjuhësorë dhe poetikë… po edhe nji pune të thellë hulumtuese ndër lexime mbi vepra të Fishtës, Koliqit, Haxhiademit, Harapit, Camajt, Pashkut, Shllakut dhe plot tjerëve. Ishte si të thuesh nji pasunim i madh, çka solli për pasojë nji fazë edhe ma reflektuese, e cila më shtyu me iu futë edhe do eksperimentimeve të kandshme si përmes shkrimit të poezive, apo përkthimeve të shumta kryesisht në poezi po edhe në prozë, apo esetë dhe tregimet e herpashershme.
Edhe pse i ardhun prej prindësh gegë, fakti që krejt rinia jeme qe ndërthurë në hapsinën myzeqare, dëshmoi se areali myzeqar nuk pat ushtrue aq trusni sa me u ndodhë në vështirsi t’mëdha me e kuptue, me e përdorë dhe me e përsosë nji gegnishte të lehtë e fluide, të ambël e tejet komunikuese. Fillimisht për vedi, mandej me mjaft sukses edhe ndër lexues. Kështu ia nisa pak si me droje e me kohë po e ndjeja si nji frymë të gjallë që u jepte mjaft ngarkesë emocionale vargjeve, frazave, poezive e përkthimeve të mia… Ditë mbas dite ky familjaritet m’u ba kaq i natyrshëm, sa në kumtet letrare që përcillja ndër lexues, s’kam hasë asnjiherë as ma të vetmin rast që ndokujt t’i jetë dukë e randë, e pakuptueshme apo bezdisëse gegnishtja e përdorun prej meje… përkundrazi!
Këtu vlen nënvizue edhe nji element tjetër tejet i randsishëm: Unë jam fort i apasionuem me laryshinë e dialekteve të shqipes, duke i konsiderue ato si idenditete të vogla të secilit prej nesh. Fjala vjen unë kam realizue me mjaft sukses edhe shkrime në dialektin e Tiranës. Kjo punë më lejon me qenë i gjithnji e ma i vëmendshëm ndaj hollsive që përcjellin dialektet dhe me qenë haptas në mbrojtje të kësaj pasunie, pse vazhdoj me i konsiderue dialektet e shqipes si prroje të kristaltë që vazhdojnë me e mbrojtë dhe me e mbajtë gjallë mrekullinë e gjuhës shqipe.
Gegnishtja për mue asht pasuni e pakufi, e sidomos në trajtimet poetike, çka m’ka entuziazmue, e m’ka shty shpesh drejt përkthimit. Gegnishtja mbetet nji pasuni gjuhsore e pamatë që zbulon njiherit në rrafshe të shumanshme jo veç forcën e poezisë po edhe ndjeshmëninë e thellë të saj, komunikimin e ngroftë me lexuesin, shpesh tuj e ftue at kandshëm në nji marrdhanie të shkrueme me çdo varg të saj. Së shpejti do të paraqes rreth 20 poetë tejet të randësishëm të letërsisë botnore në nji antologji përkthimesh titullue “Antologjia e Dashnisë” nji libër që jam ma se i bindun në suksesin e tij, sepse nji pjesë e këtyne poezive të paraqituna në sitin radiandradi.com, kanë pasë nji sukses të pazakontë. Kam nji nxitje tejet të fortë që ky libër duhet mbrritë sa ma parë ndër ata lexues që e duen poezinë, po edhe shqipen sa ma të bukur e sa ma të kumbueshme.
.
Jozef Radi - Kopertina - Poesie Scelte 2017
Jozef Radi – Kopertina – Poesie Scelte 2017
Cilat janë temat më të rëndësishme të poezisë së Radit?
Unë nuk do t’i queja tema. Do t’i queja nji lloj sensibilitet poetik mbi krejt botën ku vërtitet ekzistenca shqiptare… Verbi im poetik s’mundet me i anashkalue as kohnat e as problemet shoqnore, s’mundet me qenë as ilustrues dhe as euforik, s’mundet me i shmangë as trazimet shpirtnore as tjetërsimet poetike për gjithçka të ndodhun në njeriun shqiptar.
Ndaj dhe poezitë e prezantueme në kët libër, plotësojnë në nji farë mënyre nji peizazh të rindërtuem si prej emocioneve që prekin e transmetojnë, edhe prej formave, strukturimit, harmonisë së vargjeve…
Poezia sa asht dhimbje asht edhe trazim i thellë! Nuk kam dishrue nji shpirt qaraman, përkundrazi edhe n’trishtimet ma të thella gjej fillin e shpresës dhe frymën e guximit… Unë besoj te Dashnia, unë besoj te e Mira dhe e Bukura. Këto janë kollonat ku rrin poezia jeme. Nuk asht shmangë drama e emigrimit, tashma e shndrrueme në gangrenë, as dramat shoqnore të familjes, as mospajtimi me çka politika po i shkakton shpirtit të njeriut… e gjitha kjo në emën të lirisë, të besimit, të shpresës e guximit qytetar… Gjithçka e filtrueme përmes eksperiencës personale dhe nji shpirti të mprehun ndër vëzhgime të holla të krejt shoqnisë shqiptare, e në veçanti të deformimeve të pësueme nën diktaturë… Unë mendoj se arti asht nji rrugë e vështirë, e s’mundet me ba kompromise me të keqen, dhe mendoj se s’munden me shërbye si modele letrare as artistike trubadurët e partive, por ata që asnjiherë s’u pajtuen me të keqen, ata që u sakrifikuen kundra së keqes, ata që koha veç i madhështon pse ata vendosën në altarin e artit jetën dhe veprën e tyne… Unë besoj se në poezinë time gjithë çka shpjegova në këta pak rreshta asht ma se e prekshme dhe ma se e ndjeshme…
Asht nji kënaqësi e madhe që ma s’fundi erdh koha që edhe lexuesi i huej ta prekë e ta trajtojë kët frymë poezie të shkruejtun e të vuejtun prej meje!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.