back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gëzim Hajdari – “Poezi të zgjedhura” 1990-2015

Gazeta

Gezim Hajdari - Poesie scelte 1990-2015
Gezim Hajdari – Poesie scelte 1990-2015

Gëzim Hajdari

“Poezi të zgjedhura” 1990-2015

Besa – Editore

***
Ky ribotim i antologjisë “Poezi të zgjedhura” 1990 – 2015 përmbledh një përzgjedhje të poezive të shkëputura nga vëllimet Barihidhët, Antologjia e shiut, Hije qeni, Gurëkundërerës, Trup i pranishëm, Vragë, Gjëmba të zinj, Dhimbjehëne, Peligòrga, Nur, Herezia dhe Besa dhe Grykë e Lumit Tënd.
Kanë kaluar plot njëzetepesë vjet nga botimi i librit të parë. Vite të ngjeshur dhe intensivë me përpjekje për liri dhe demokraci në vendin tim, denoncime kundër krimeve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, kundër abuzimeve dhe shqyerjeve të regjimeve të rinj të maskuar postkomunistë (të ashtuquajtur të majtë apo të djathtë), si dhe zhgënjime, kërcënime me jetën, ikje, ezile, dënime me heshtje nga ana e kulturës në pushtet në Shqipëri. Sepse unë s’u kam kënduar partive, tiranëve, luftës se klasave, terrorit shtetëror, përkundrazi e kam krijuar corpus-in e veprës sime me stërmundime të pafundme dhe me ndershmëri intelektuale, duke u imponuar kritikës italiane dhe ndërkombëtare falë vlerave letrare, pa ndihmën e ambasadorëve, konsujve, qeverive apo politikave të Tiranës tirane. Madje në kushte të skëterrshme ekonomike e ekzistenciale, në një kohë kur, ende në mijëvjeçarin e tretë, imazhi i Shqipërisë mercenare, shitur “Pushteteve të Errta”, rrënohet përditë e më shumë dhe shqiptarët identifikohen ende me kriminelët, trafikantët e drogës, prostitutat, mafien pushtetare te Tiranës, e cila ka uzurpuar çdo qelizë të jetës shoqërore, ekonomike, politike, kulturore dhe shpirtërore te vendit.

Mbi dymbëdhjetë vjet punë krahu për të mbijetuar, si në Atdhe dhe në Perëndim, studime  pafund, udhëtime në Azi, Afrikë dhe në Jug të botës për të dëshmuar në librat e mi reportazh-udhëtimesh, shpesh duke rrezikuar jetën.
Pikërisht gjatë këtij rrugëtimi u lind dhe u trupëzua vargu im, ushqyer me këngët epike të malësorëve. Stërgjyshit e mi vijnë nga Alpet e Veriut, vend mistik ku gjenden Bjeshkët të Nemuna e ku ka mbretëruar Kanuni, Kodi Juridik Gojor i Nderit dhe Besa. Janë poezi të shkruara paralelisht në dy gjuhë: shqip dhe italisht.
S’kam ndjekur një renditje kronologjike të vjershave sipas botimeve, por sipas krijimeve të vëllimeve. Dëshiroj të vë në pah se në kët’përmbledhje të zgjedhur s’kam përfshirë  vëllimin “Poema e mërgimit” (botimi i dytë i zgjeruar), pse e konsideroj kët’ libër një vepër komplekse dhe më vete. Si e tillë, s’mund të copëtohej, por duhet të lexohet si e tërë. Ata që kanë pasur mundësinë ta lexojnë, e kuptojnë vendimin tim.
Përzgjedhja e këtyre teksteve në një “libër të ri” (ndërkohë ribotuar për të tretën herë në gjuhën italiane nga Edizioni Controluce), ka qenë për mua tejet e vështirë dhe prekëse: një rikthim mbrapsht në kohë e në hapsirë dhe një ripërjetim i rrugëtimit poetik, i cili nis në dimrin e dikatturës komuniste shqiptare, në vendlindjen time Hajdaraj, fshat i vogël kodrinor në krahinën e Darsìsë, ku gjatë vjeshtës dhe dimrit shpërthejnë vetëtima, rrufe dhe gjëmime të tmerrshme e fryn vazhdimisht erë.
Mendoj se ky ribotim i zgjeruar, promovuar nga botuesi im historik Besa, do ta plotësojë dëshirën e lexuesve duke u dhënë atyre, më në fund, një pamje më të plotë të krijimtarisë sime poetike, midis botëve dhe gjuhëve, gjer në ditët e sotme.
Autori i këtij vëllimi, në harkun e gjysmë shekulli, është ftuar për të promovuar veprën e tij në shumë vende dhe universitete të botës, por kurrë në Shqipëri! Ndaj veprës sime dhe kontributit tim intelektual vazhdon komploti i heshtjes thuajse tridhjetëvjeçare!
G. H.

Gëzim Hajdari
Poeti Gëzim Hajdari

Ezili i Hajdarit… Kopertina e Pasme

 Gëzim Hajdari, me veprën e tij
po universalizon qenien e migrantit.
Pasiguria, vetmia, përjashtimi
si rrethanë e migrimit individual
është kënga që çlirohet
nga poezia e poetit me origjinë shqiptare.
Dante ka universalizuar syresh
kushtet reale të largësisë nga atdheu i tij,
duke e transformuar si largësi të një njeriu të vetëm
nga lavdia e nga shpëtimi i përjetshëm, nga Parajsa;
ndërsa Gëzim Hajdari, përkundrazi,
ka universalizuar nevojën e braktisjes dhe largimit
nga diçka tipike tokësore;
ndërsa tek Dante, ezili, lidhja me atdheun tokësor,
kapërcehet nga jeta e amshueshme;
tek Hajdari, ezili i prin në tejkalimin e çdo lidhjeje
me një terren tokësor duke e lënë njeriun
pa asnjë lloj terreni veç trupit të vet.
Janë kushtet ku jetimi i përhershëm
i duhet të mbështetet veç në forcat e veta
për të mbijetuar, pa asnjë përshtatje.
Krahasimi me Danten mund të duket eklatant,
por me sa njoh, vështirë të gjesh në historinë italiane
ose në letërsinë botërore,
një poet të aftë të universalizojë
kushtet e ezilit dhe të shkularakut nga vendi i tij,
siç vjen prej Hajdarit.”
Raffaele Taddeo

Raffaele Taddeo
Raffaele Taddeo

Poezia e Palosjes se Kopertinës së Parë

***
Kemi pritur gjatë për të folur,
tash s’dimë të themi asgjë
nën drurët e rinj,
pranë gurëve të vjetër.

Na shtyjnë në kufi të një tjetër ezili,
njerëz e kafshë shtrënguar pas njeri tjetrit.

Çdo të bëhet me hirin tonë
larg nga atdheu?

Do të humbasin në harrim zërat
dhe emrat tanë të thinjur.

Do ta kujtojmë ngado këngën e mëllenjës,
shtigjeve me gjëmba shege,
dhe zinë e detit

në bregun tjetër.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.