back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Gëzim Hajdari “trondit” Italinë me parullat enveriane Ylli Polovina

Gazeta

Gëzim Hajdari 2013
Gëzim Hajdari 2013

Gëzim Hajdari “trondit” Italinë me parullat enveriane

Ylli Polovina (shqiptarja.com)

Kur shtëpia botuese italiane “Cosmo Iannone Editore” ripublikoi vëllimin e parë të “Erbamara” (“Barihidhet”), të Gëzim Hajdarit, shkruar në vitet ’70, teksa në vendlindjen e vet, Lushnjë, poeti sapo kishte mbaruar gjimnazin, nuk harroi ta shoqëronte me këtë shënim: “Poezitë e përmbledhjes nuk trajtojnë temën e fshatit tonë socialist; heroi i poezive është i vetmuar dhe i veçuar nga moshatarët e tij, nga organizata e Pionierëve, nga realiteti; veç kësaj në vargje nuk pasqyrohen transformimet që ka sjellë socializmi nën udhëheqjen e Partisë…”
Ky tekst shokues për një lexues perëndimor ishte pjesë e reçensës së shtëpisë botuese të kohës, të vetmes për letërsinë artistike në diktaturë, “Naim Frashëri”. Një e gjykuar e tillë jo më në vendet demokratike prej gjeneratash të tëra, por edhe në Shqipërinë e pas vitit 1990, ngjan me një çrregullim mendor. Një mjek i përgjithshëm, jo më një i specializuar për psikoterapi, njeriun që pati shkruar fjalët e mësipërme do ta konsideronte pacient dhe do t’i niste menjëherë kurat.
Për fat të keq ky qe vendi ynë në periudhën e diktaturës, ku dikush më shumë e të tjerë më pak, e përdornin këtë gjuhë të drunjtë me “fshat socialist”, me organizatë fatosi apo pionieri, me udhëheqje partie të lavdishme e kështu me radhë, profkë pas profke. Pas një gjysmëshekulli nën këtë trysni ideopatike duket e habitshme që shoqëria shqiptare doli, edhe pse e traumatizuar, e shpëtuar mendërisht. Fare lehtë mund të rrënohej nga një kolaps i plotë, fatal.
Se sa shtypëse për dinjitetin dhe atrofizuese për çdo krijesë njerëzore, sa e pamend dhe absurde, e palogjiktë, ishte kjo periudhë na rikujton Gëzim Hajdari me librin e tij të fundit të botuar në Itali: “Evviva il canto del gallo nel villaggio comunista” (“Rroftë kënga e gjelit në fshatin komunist”).
E ka publikuar e njohura shtëpi botuese e letërsisë së Evropës Lindore, po ashtu edhe asaj shqiptare, në Perëndim, “Besa”, Leçe.
Janë 160 faqe, kur përveç një analize hyrëse të vetë autorit si edhe një pakete fotosh ilustruese në mes të vëllimit, i janë paraqitur lexuesit italian pothuaj të gjitha parullat politike që përdoreshin gjatë diktaturës. Rreshtohen njëra pas tjetrës rreth 250 të tilla. Është një masë vërtet e pafre, e papërmbajtur, delirante, frymëmarrëse, mbytëse. Një botim i tyre edhe në Shqipëri do të quhej mjaft i dobishëm, porse jashtë vendit ca më tepër.
Kujtesa kombëtare, por edhe ajo eurokontinentale, duhet mbajtur e hapët me çfarë ka ndodhur dje, përherë aktive dhe në gjendje të ndikojë mbi një popull të vetëm apo të gjithë popujt, që gabimet e fajet e shkuara të mos përsëriten. Sidomos krimet.

Ylli Polovina
Ylli Polovina

Në shënimin e parë prezantues të librit Gëzim Hajdari e shtyn aq përpara qëllimin e botimit të vet sa që e ngarkon atë edhe me një mision politik: “Kam vendosur ta botoj këtë përmbledhje për t’u ballafaquar me të vërtetën e historisë së shkuar dhe për të mos i harruar deri në çastin kur Parlamenti i Tiranës të ndëshkojë krimet kundër njerëzimit gjatë diktaturës komuniste”.
Dyqind e pesëdhjetë parullat e “Gjelit që këndon në fshatin komunist” kanë edhe një tjetër titull: Parullat enveriste. E meritojnë këtë përcaktim, sepse më shumë se prej dogmës së marksizëm-leninizmit ato qenë krijesa të vetë një njeriu: Enver Hoxhës. Ato parulla (citate) të njohura në botë si të Mao Ce Dunit, edhe ashtu tragjikomike, në fund të fundit qenë dy herë më pak se të Hoxhës shqiptar. Ato të prodhuara nga vendi amë i komunizmit shtetëror, Bashkimi Sovjetik, ishin edhe më pak se të Maos. Shporta e parullave të tilla në Itali, në kohën e fashizmit, nuk guxoi kurrë të fryhej gjer tek numri njëqind. Po flasim për sasinë, jo fjalorin e tyre, as frymën e shtrëngimit apo të zbrazëtisë mendore, mënyrën vulgare të të shprehurit. Ato, tonat, sloganet enveriane, në të gjitha anët t’i shohësh, mbajnë kampionin e mediokritetit.
Shkruan e saktëson Hajdari: “E gjitha kjo histeri kolektive ishte pjesë e terrorit shtetëror…” Thotë të vërtetën. Ai nuk harron që ndër të parat citate të vendosë në librin e vet kryesloganin e asaj ideologjie: “Proletarë të të gjithë vendeve, bashkohuni!” Pikërisht prej kësaj thirrjeje u përhap dhe veproi tek punëtoria e shtypur prej kapitalizmit të egër të dy shekujve të shkuar, zjarrmia e revolucionit përmbysës, krijimi pas triumfit të kryengritjes sociale me armë, i një shteti me një emër të përçudnuar: diktatura e proletariatit. Qe diktatura e tyre, e të shtypurve. Tani po shtypnin ata, duke u ngushëlluar që këtë e bënin jo si “borgjezët”, të cilët qenë pakica, por në emër të shumicës, siç ishin ata. Për të kuptuar këtë marrëzi mendore, ku entuziazmi duhej të të përfshinte tek thërrisje absurden parullë “Rroftë diktatura e proletariatit!”, tek lexon librin dygjuhësh, italisht-shqip, të Gëzim Hajdarit, më shumë se çfarëdo slogani enverist, lexuesin perëndimor do ta mpinte e linte pa gojë njëra prej “kryeveprave” të asaj psikopatie: “Edhe bar hamë, por parimet nuk i tradhtojmë!!”.
Hamë bar!? Kjo vërtet qe çnjerëzore. Dhe për çfarë do ta bënim këtë tjetërsim të njeriut në thjesht një dele? Mos për të mbrojtur atdheun nga një agresion pushtues? Jo, barin duhej ta hanim për të mbrojtur disa dogma, madje thjesht disa parulla të tjera të atij gjysmëshekulli absurd. I tërë ky përçudnim realizohej nën thirrjen e detyrimit dhe delirit kolektiv, të humbamendjes më të plotë: “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë!”
Ndërkohë, po të mos e duronin dot këtë lloje jete, mbi fatin e shqiptarëve, që doemos thellë shpirtit të tyre e dëshironin lirinë, kanoste hapët citati tjetër: “Shpata e diktaturës së proletariatit qëndron gjithnjë e mprehur”.
Në librin e Gëzim Hajdarit “Evviva il canto del gallo nel villaggio comunista” (“Rroftë kënga e gjelit në fshatin komunist”) prandaj nuk mungojnë edhe parullat e frikshme “Pushteti i popullit lindi nga gryka e pushkës”, “Plumb në gojë kujtdo që do të guxojë të prekë fitoret tona”, “T’i shtypim kokën armikut të klasës”, “Votat tona plumb për armikun!”…
Botimi i Hajdarit për publikun italian është mjaft interesant jo vetëm për thënien troç të gjërave që kanë ngjarë në Shqipëri gjatë të shkuarës staliniste, po ashtu për impulset emotive që lëshon mes rreshtave, por edhe të një zemërimi që ia shndërron idetë në patos rebelimi. Kjo e bën të trazuar librin, ta pohosh fort, por në ndonjë rast edhe ta kundërshtosh. Gjithë kohën e mbështet ashpërsinë e kritikës së tij, sepse ajo që ka ndodhur gjatë një gjysmëshekulli nuk qe thjesht marrëzi apo çmenduri mendore, por mbi të gjitha krim fizik. Jo vetëm burgjet dhe internimet ose thjesht “biografitë e këqija”, të cilat ishin pamje dridhëse të asaj të shkuare, por edhe vetëm nisma ideologjike e krijimit të “njeriut të ri” ishte në thelb vrasje gjenetike e njeriut normal.

Prezantim i Gëzim Hajdarit në Brescia
Prezantim i Gëzim Hajdarit në Brescia

Duke ia pëlqyer këtë zemërim të nevojshëm, këtë indinjatë të domosdoshme, në ndonjë rast të zgjohet dëshira t’i propozosh edhe çaste vetëpërmbajtjeje, sepse po shkoi deri në inat, misioni i tij fisnik për t’u larguar shoqëria shqiptare një herë e përgjithmonë nga kurthe të tilla të politikës, komprometohet dhe bëhet i padobishëm. Një shkrimtar operon me mjete të letërsisë. Ja pse, kur Gëzim Hajdari përdor ironinë (nxjerrja në pah parullën idiote “Rroftë qumështi socialist”), të vjen për të qeshur, për ta tallur diktaturën dhe ideatorin e saj. Porse vihesh në mëdyshje nëse, në një rast të tillë kur paraqitet mekanizmi mbytës i citateve, janë patjetër të frytshëm edhe disa deçitura fotosh si “Diktatori E.Hoxha pret në shtëpinë e tij shkrimtarin simbol të regjimit Ismail Kadare, anëtar i Partisë Komuniste, deputet në parlament për dy legjislatura, si edhe nën kryetar i Frontit Demokratik, në krye të të cilit qe Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit…”. Ose “Diktatori E. Hoxha takon poetin Dritëro Agolli, kryetar i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve”. Në rresht të dytë, i dyti nga e majta, shkrimtari-deputet Ismail Kadare”, etj.
Shpresojmë njëkohësisht të jetë më shumë humor se e vërtetë historike që në gjysmëshekullin e diktaturës së proletariatit dhe në fakt të vetëm një personi, të kenë vepruar parulla të tilla si “Rrofshin delet komuniste!”, “Rrofshin pulat komuniste!”, “Rrofshin lopët komuniste!”, “Rroftë gruri komunist!”, Rroftë pambuku komunist!”
Ndërkohë theksojmë se është mjaft e nevojshme, në brendinë e librit, paketa me fotot e parullave. Po të qe më e plotë, çfarë nuk është gjë e lehtë për t’u siguruar, “Evviva il canto del gallo nel villaggio comunista” do të përftonte edhe më shumë fuqi denoncimi.
Po ashtu gjerësia e pamjeve me strukturën përdhunuese të sloganeve enveriste botimin e vyer të Gëzim Hajdarit, në llojin e vet me siguri libri i parë shqiptar në letërsinë perëndimore, do ta bënte më jashtëzakonisht të rrallë. Me një përpjekje të përafërt, të realizuar artistikisht bukur prej regjisorit Gjergj Xhuvani, ka një tregim e pastaj një skenar filmi (“Parullat me gurë”), të Ylljet Aliçkajt, fitues i çmimit të kritikës së të rinjve në Festivalin e Kanës.
***
Ata italianë që do ta lexojnë këtë libër të “gjelit që këndon në fshatin komunist”, mes tyre edhe mjaft bashkëkombës të emigruar në shtetin fqinj (në gadishullin e përtejmë, me dokumente të rregullta, janë aktualisht më shumë se një gjysmë milioni shqiptarë), jo të gjithë do të kenë mundësinë të kuptojnë se Gëzim Hajdari nuk ka transferuar përtej kufijve të vendit të vet imazhin e shtrembër, të keq, neveritës dhe revoltues të gjysmëshekullit stalinist, as se akuzon tërthorazi se edhe pasnëntëdhjeta mbetet e ozurpuar nga ata që bashkëpunuan dukshëm me diktaturën.
Ai e do Shqipërinë së brendshmi, thellë, të pavënë kurrë në diskutim.
Sepse është i tillë, Hajdari më parë se t’i përcjellë lexuesit italian (të mësuar edhe ai me dhunën e një diktature fashiste që zgjati plot dy dekada dhe që në arsenalin e vet shtypës të parullave kishte edhe të turpshmet “Armiku i Fashizmit është edhe armiku tënd, mos e lërë të gjejë prehje!” apo “Sa më shumë armiq, aq më tepër nder”), botoi, sërish nga Besa me drejtues mikun e njohur të shqiptarëve, italianin Livio Muçi, librin “I canti di nizam” (“Këngët e nizamit”).
Duhet thënë se me këtë rast ai shkëlqeu.
Vëzhgues i shoqërisë sonë dhe interpretues i zhvillimeve të saj, disa herë edhe shkrues udhëtimesh në vende të vuajtura afrikane, Gëzim Hajdari i dha vitin e kaluar lexuesit perëndimor një nga pasuritë më të mëdha të kulturës shqiptare. Po të mendosh se “I canti di nizam” është vetëm fillimi i një trilogjie të folklorit tonë, një triveprash ku do të përfshihen shumë shpejt për botim edhe këngët e kurbetit si edhe lirika, e përfytyron më lehtë madhështinë e gjestit të tij.
Gjysmë shekulli më parë një sipërmarrje të tillë për lexuesin italian e ka kryer, në vëllim më modest, vetëm Ernest Koliqi.
Ky libër dy gjuhësh në 209 faqe ka paraqitur nëntëdhjetë perla: 47 këngë nizamësh që tregojnë momentin e mobilizimit, të nisjes, të largimit, pra momentin e dhimbjes therëse të ndarjes nga shtëpia (“Dolli një vapor nga deti\ sa i madh që ish i shkreti\ u drithmua vilajeti\ nizamët i kërkon mbreti” ose “O dovlet, more dovlet\ vit për vit po na thërret\ rrob’e djallit na u qep\ njerëzia nizam mbet”); 23 këngë me brenda ankthin e vuajtjet e ushtarëve shqiptarë dhe të familjeve të tyre gjatë tërë kohës së mungesës në shtëpi (“Shokë, mos e merrni këngë\ po merreni vaj të rëndë\ gjarpri që na ka zënë\ me këtë sulltanë tëndë\ na mba tre sahat në këmbë\ sa na vjen shpirti në dhëmbë\ dhe s’kujtojmë as babë, as nënë” ose “Qaj e qaj se mu nxi xhani\ ma mori djalin dushmani!\ Dhjetë vjet asqer n’Jemen\ mirë shkon, po vallë, a vjen”); 20 këngë janë nga kthimi i nizamëve, tashmë numër rralluar. Një pjesë kanë vdekur nëpër luftërat nën e kënd, deri në shkretëtira, që bënte Perandoria Osmane (“Mbeta nuse e re\ e sapo martuar\ ike dhe s’më pe, nizamë të muarë;\ mbeta kallogre\ me foshnjë në duar, nuk e di ku re\ larg në dhe të huaj.\ U vesha si korbi\ gërxh mbi gërxh të qava\ kërkon bukë i vogli\ po ç’ti jap e varfra\ Vitet po kalojnë\ dhe rrudhat m’u shtuan\ flokëtë si bora\ zemra përvëluar\ po tretem në këmbë\ si qiriri i shuar\ për ty e kam rëndë\ që bashkë s’u gëzuam”).
Kur një vit më pas nga “I canti di nizam” Gëzim Hajdari botoi “Evviva il canto del gallo nel villaggio comunista”, çfarë të përbashkët ka gjetur mes dy kohëve të ndryshme të fatit të mëmëdheut të vet?
Vuajtjen e shqiptarëve.
Në shërbim të detyruar ushtarak osman për vite të tëra, si të vënë në rresht për të shkuar drejt ferrit dhe të zënë prej një rrjeti pezhizhke parullash politike në realkomunizëm, shqiptari historinë e vet e ka të lidhur më shumë me mundimin, me robërimin e përdhunimin fizik, por edhe shpirtëror, me shtypjen e trupit dhe sidomos të mendjes, me vrasjen e të ardhmes, shkatërrimin e jetës, të dashurisë, të vatrës familjare.
Kjo është e përbashkëta mes këngëve të nizamit dhe sloganeve ultrastaliniste të diktaturës.
Por me këtë rast lexuesi perëndimor, para kësaj dhimbjeje njerëzore të një populli të pafat, dallon se vuajtja e shqiptarit gjatë pushtimit të huaj osman, krahasuar me atë të regjimit enverist, duket disi më e lehtë. Paradoks e megjithatë një e vërtetë tronditëse: ndonjëherë sillet më keq tëndi se i huaji.
Një siklet që duket sikur nuk ka fund ky i shqiptarit, i cili ngjan se vetëm përsëritet, se zgjatet e zgjatet sikur synon ta bëjë kronike këtë gjëmë, ta shndërrojë mundimin në agoni. Një vetëdënim për ta, mbase nga që nuk janë aq të zotë sa të zgjedhin në krye të fateve të tyre bijtë më të mirë.
Gëzim Hajdari, për t’u shpjeguar perëndimorëve të gjitha këto të vërteta, tashmë është një emër i kërkuar prej shumë universiteteve evropiane. Ai ka kryer biseda e ka mbajtur leksione në 11 universitete italiane, 5 franceze, në universitetin e Stokholmit dhe atë të Strasburgut. Në Romë e kanë ftuar Institutet e Kulturës të Gjermanisë, të Belgjikës, të Austrisë dhe Akademia Amerikane.
Me veprën e tij, tashmë të shumtë, janë me dhjetëra studentë italianë, francezë e deri ballkanas që mbrojnë disertacione.
Peshon fjala e tij. Në të mirë të vendit të vet.
Shkrimi u publikua me (15.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)
www.shqiptarja.com/kultura/2730/gezim-hajdari-trondit-italine-me-parullat-enveriane

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.