back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjama e Poetit Martin Camaj… nga Ilir Seci

Gazeta

Gjama e Poetit Martin Camaj
Gjama e Poetit Martin Camaj (foto Rhodri Jones)

Gjama e Poetit Martin Camaj…

nga Ilir Seci

ose “Nji fotografi, sa për njimilion fjalë…!”

Kjo fotografi asht marrë te shpia e poetit Martin Camaj, në Temal të Dukagjinit…
Asht marrë bash njat ditë që fisi i poetit Martin Camaj, mbasi u lajmrue për dekën e burrit të fisit të tyne, u mblodhën dhe i banë traditën e Gjamën…
Ia banë Gjamën, njashtu si ka kenë traditë gjithmonë e jetë kur ka dekë nji mashkull n’za i nji Fisi… Ksaj here burri n’za i fisit vdiq larg, ndër dhèna të hueja, po Fisi prap u mblodh, edhe pse mbi ta kishtë ra mallkimi i kohës, me ja ba Gjamën si ai djalë të kish dekun njaty… Se ka leu Dielli asht Toka e Zotit…
Njisoj asht! Gjamën iu ba në oborr të Kullës së Camajve ku leu poeti… dhe burrat e fisit tue mos pasë mundësi me shkue deri në Gjermani ku kish dhanë shpirt Poeti, ja banë Gjamën në mungesë aty në Temal… E pabesushme me u ba Gjama në mungesë…
Në oborr të kullës së Camajve u qitën teshat e të vdekunit, që ja kish dërgue të vllaut, nji palë kpucë, pantollt, setra e kmisha, të tana të tijat… Nuk e patën trupi i Poetit me u nxjerrë në oborr, po u nxuerrën teshat e tij… tek e mbramja çka asht trupi pos nji teshë për Shpirtin!?
Teshat që dikur kish veshe vetë Martini, teshat që dikur e kishin mbajte nxehtë kurmin e tij, i qitën aty, njashtu si dikur hapej në mort, këmisha e përgjakun e mashkullit të vramë ditën e marrjes së gjakut… Me ndryshimin e vetëm se Martini s’kje kurrë në gjak me kënd!
Në rini të vet, nji kohë mbasi iku prej regjimit komunist e ndejt Maleve me komitë, po as gjak e as varrë nuk bajti kurrë! Ora e tij kish shkrue tjetër fat për tè… Teshat u qitën për trup të tij, e ndërsa te kryet… në vend të sajë ku vunë librat që kish shkrue vetë Poeti!!
Librat… Ç’metaforë rranqethëse! Librat njaty ku vehet kryet! Librat që poeti shkroi me mendjen dhe shpirtin e tij prej artisti të rrallë… Librat që Poeti la mbrapa për me e mbajtë përjetë emnin e tij!
Njeriu nuk mund të mos rranqethet tue kqyrë kët foto!
Malsoret e fisit të Martin Camajt me at genin krijues që e kanë pasë në gjak ndër shekuj, ja thurën djalit të Temalit nji poezi edhe ditën e Gjamës! I njajti gen që ka thurë Eposin tonë të legjendave e diftoi edhe njiherë vedin, at ditë duke krijue këtë metafore si të tragjedive antike… Librat ku vehet kryet!
Gjamën ja banë si e kish lanë vetë me fjalë ndër librat e shkruem prej tij… E fjala e lanun duhet krye, porosia duhet çue në fund:

Në shtëpinë e Camajve në Temal
Në shtëpinë e Camajve në Temal

“Elegji e parë”
Ku kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa’i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze,
për mue të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.
Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë,
premë dy qe me ngimun të unshmit
e thneglat e lamit me grimca buke.
Por unë do të vdes
mes njerzve gjithmonë të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija
qitni vetëm kafe të idhta!”

Porosia e tij për Ditën e Dekës: “Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej ndër drekët e mija qitni vetëm kafe të idhta!”
Njerëzve të ngijshëm!… Në vendin ku vdiq ndoshta po… në vendin ku leu, jo asnjiherë deri më sot! Gjama ju ba njashtu si ka kenë tradita gjithmonë e jetë, prej se ka mbi Lisi n’ato male! Malet e Dukagjinit pritshin me e ndie jehonën e Gjamës së Martin Camajt, njashtu si patën ndie gjashtëdhetë e shtatë vjet para jehonën e pushkës që kumtoi fisit lindjen e nji djali, Martinit, fmisë së trete të Kolë Camajt… Nji ditë të nxehtë korriku të vjetës 1925, dhe malet e Dukagjinit ja përcuellën njani-tjetrit jehun e pushkës që kumtoi ardhjen në jetë të Martin Camajt…
“O çka asht pushka moreee!”
“Ooo i ka le djalë Kolë Camës moreee!”…  Gjashtëdhetë e shtatë vjet mbrapa, në nji ditë të ftoftë marsi ato male nuk mund të gjejshin paqe pa e përcjellë edhe jehun e Gjamës së malsorit të tretun dhenave të huej Martin Camaj…
“O çka asht kjo Gjamë moreee!”
“Ooo asht dekë Martin Camaj more!”…
Má e randë ish Deká se bahej fjalë për nji mashkull të fisit që vdiq larg, në dhé të huej… pse për ato male e kreshta të Dukagjinit, Martin Camaj qysh herët ishte kenë gur i rreknyèm larg nga shkambinjtë e vendlindjes…
Ajo Gjama e Fisit e bante Martinin të kthehej prap njaty, midis maleve të vendlindjes má në fund gjejshin paqe, orët dhe zanat e maleve nuk do rrijshin ma tue pritë kur do vinte ai kumt… Shpirti i njeriut mbas dekè mundet me shkue në parriz, mundet me shkue kudo… po malsorët e dinë që shpirti para amshimit ndalet aty ku ka njoftë jetën ma se pari, në vendlindje…
Fisi i Martin Camajt gjithmonë e ka ditë mirë njat gja, ata gjithmonë e jetë e kanë ditë kah endet shpirti… E kanë marrë vesh prej shenjave që kanë dhanë orët e zanat… ato gjithmonë e jetë kanë përcjellë kumte në Malsi… e vllaznia ja kishin detyrim Gjamën… Poeti tashma kish shkue te të shumtët… Ka shkue njashtu si e kish parandie vetë dikur ndër vargje:

Camaj - Dranja
Camaj – Dranja

“Mes Shëngjergjave”
“Nëpër palcin e eshtnave ndij frymën e vdekjes.
Përreth digjet ajri e shikimi tret në udhën e pa skâj.
Më dhimben vetëm sýt:
do të shohin dhambët e amshimit tue u mbyllë përpara.”

Në ditën e Gjamës u mblodhen burrat prej kahmos, Dukagjini e Nikaj-Mërturi, gjithkah prej Malsie… U falshin me ma të parin, plakun e zgjedhun për krye të vendit…
“A la emën mbas vedit ky burrë!?” – dvetshin pleqtë që prijshin at a që kishin ardhë në të pamé… U dvetshin ka ndrrojshin kutitë e sermta të duhanit… u dvetshin ata që kishin ecë nandë male udhë për me ardhë me pa at Gjamë me Burrë të munguem…
“Po, pasha Tokë e Qiell fort emën të nderuem ka lanë mbas vedi ky burrë!!” – u gjegjshin pleqtë e Dukagjinit…
“Po mall e gja… e pasuni a la?!” – nuk u durue pa dvetë dikush… Ishte vjeta 1992, e njerëzit kqyrshin edhe për ksi gjanash…
“Po besa boll! – jua ktheu plaku në krye të vendit, – La boll pasuni, sa na bani ma të pasun ne të tanve mbas tij! Na la kangët e tijna, na la kallzimet e tij që kanë me rrnue sa t’jenë jeta!”
nentor, 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.