back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjama malsore, ose kur qajnë burrat! nga Gjon Neçaj

Gazeta

Gjama e malsorëve
Gjama e malsorëve

 Gjama malsore, ose kur qajnë burrat!

nga Gjon Neçaj

Nisi me Skënderbeun mbaroi me një… burrë nga Peraj

Në Shqipërinë e veriut, kryesisht në regjionet e Nikaj-Merturit, Dukagjinit, disa krahinave të Pukës, Malësisë së Mbishkodrës, Kosovës, etj., riti i gjëmës së burrave ka filluar pas vdekjes së Skënderbeut, pra rreth vitit 1468 janë kronikat e para që raportojnë këtë zakon. Tradita ka vazhduar deri në vitin 1960. Për herë të fundit në Nikaj-Mërtur, gjëma e burrave është bërë në vdekjen e Malush Zeqirit nga fshati Peraj. Thuhet se oshëtima dhe britmat e gjëmatarëve kanë ushtuar deri në Qafë të Kolçit. Ishte një ndër ngjarjet që shtyu sistemin komunist ta ndalojë këtë rit të veçantë duke e konsideruar “zakon prapanik”.

Sjellja e çuditshme e Lekës në varrimin e Skënderbeut

Pjetër Ndue Marticanaj, ish-mësues historie dhe njohës i mirë i traditave të zonës së Nikaj-Merturit konfirmon se zanafilla e këtij riti është pikërisht sjellja e Lekë Dukagjinit në vdekjen e Skënderbeut: “Princi Lekë Dukagjini nga mërzia e thellë për vdekjen e Skënderbeut, vajtoi me zë të lartë, rrahu gjoksin, shkuli flokët dhe filloi të gërvishet me thonj. Duket e habitshme, por e bërë prej Lekës, u kthye në zakon. Që andej e tutje, për çdo burrë të nderuar, duhej të kryhej i njëjti rit”, – thotë ai dhe shton: “Është një rit i organizuar. Prijësi ka detyrën që të merret me çdo detaj dhe përgjegjësinë që çdo gjë të shkojë në mënyrën e duhur”.

Gjama e Burrave
Gjama e Burrave

Dëshmitari 90-vjeçar: U ndërpre rreth viteve ‘60

Zef Prend Pepkolaj, sot 90 vjeç (nga fshati Rajë), ka marrë pjesë shpesh në këtë rit. Ai vetë e ka mësuar nga gjyshi i tij që në moshë të re. “Por nga vitet 50-60 riti u ndërpre nga regjimi komunist si zakon prapanik.  Ka rifilluar pas viteve ’90, – tregon Zefi – Mblidheshin burrat e fshatit dhe të fisit dhe nga larg e nisnin gjëmën duke rrahur gjoksin me grushta”,- thotë 90 vjeçari. Prijësi më pas i afron burrat tek personi që i bëhet gjëma dhe u thotë burrave që ta rrethojnë. Nëse gjëmën ia bënin nipit, thuhej: “O i mjeri nipi im”; nëse gjëma i bëhej mikut, thuhej: “O i mjeri mik”, – thotë ai. Teksti i kushtohej të vdekurit, virtyteve dhe cilësive të tij. Pra, një histori e shkurtër e atij burri që ikën.

Emrat e disa gjëmatarëve të fundit profesionistë

Në Nikaj Mertur dhe Dukagjin ka patur gjëmatarë të njohur si Ndoc Gjoni, Zeqir Prela, Gjelosh Kola, Kukel Ndoci, Sokol Delia, Nikollë Zefi, Pjetër Ndou (Peraj), Nosh Luci, (Brisë), Qerim Delia, (Salcë), Kukel Ndou, (Curraj i Epërm) etj. Ata e trashëguan prej të parëve këtë rit special të vajtimit.
Studiuesi 80-vjecar Ibrahim Kadria, thotë se Nikollë Zefi ishte nga prijësit e fundit të gjëmës së burrave prej 50 vjetësh. Thotë Ibrahimi: “Gjëma vijoi deri vonë si rit në malësinë e Nikaj-Merturit, Dukagjinit, Gjakovës dhe në Iballë së Pukës. Vajtimi mund të fillojë vetëm nëse në të marrin pjesë të paktën mbi 10 burra. Sa më shumë meshkuj t’i bashkohen ritit, aq më i respektuar është personi për të cilin bëhet gjëma…”

Gjama e Burrave
Gjama e Burrave

Përshkrimi i detajeve: Gjëma e burrave organizohet në grup në disa faza

Në fazën e parë, – gjëmatarët heqin rrobat e rënda (në kohë dimri e të ftohti), vendosin duart mbi ijet e bërrylat dhe i mbajnë hapur anash. Prijësi i gjëmës (ai zgjidhet unanimisht nga pjesëmarrësit duke qënë më i vjetri, e më i përgatituri), jep shenjë dhe fillon lëvizja duke u përdredhur i gjithë grupi herë majtas e herë djathtas, duke u përkulur mbi shalë e duke u ngritur, duke rrahur për tokë herë njëren këmbë e herë tjetrën, duke shpërthyer në britma të gjithë përnjëherë. Pastaj të gjithë ngrejnë kokën lart, e një dorë e vënë te goja e tjetrën te veshi duke lëshuar ofshama dhe thërrasin emrin e të vdekurit me fuqi e duke e zgjatur zërin. Pastaj shpërthejnë me thirrje.
Në fazën e dytë – ata lëshohen me hap të rëndë dhe epik drejt kufomës (përshkojnë distancë rreth 50-100 m) dhe ndalojnë të gjithë përnjëherësh. Pamja është interesante: kryet lart, kraharorzbuluar, duar në ije, me këmbë gjysmë të hapura. Pastaj gjëmatarët “ngrijnë” dhe presin shenjën e prijësit. Sapo ai bën shenjë ata lëshojnë pasthirrmën “hou!” ose “ho!”, heqin duart nga mesi, i bijnë grusht dhe me forcë i ngrejnë lart. E kështu i mbajnë derisa përfundojnë thirrjen “i mjeri unë për ty!”. Pastaj menjëherë ulin grushtat dhe i përplasin mbi kraharorin e zbuluar. Kjo zgjat derisa gjëmatarët mbarojnë ofshamën “Ho! Ho! Ho!”.
Në fazën e tretë, – nëse mund ta quajmë kështu, me shenjë të prijësit, sulmojnë me vrap edhe 50-100 hapa drejt të vdekurit. Kur lëshojnë thirrjen e përseritur “Ho! Ho! Ho!” heqin duart nga mesi dhe i çojnë anash te fytyra, ngulin thonjtë në tëmtha e në faqe e nisin e gërvishin fytyrën derisa të rrjedhë gjaku.
Së fundi, – ulen në gjunjë me radhë duke vazhduar thirrjen e fundit, ulen krejt për tokë, mbështesin ballin përdhe e me duar përkëdhelin dheun. Qëndrojnë kështu deri sa një mashkull i shtëpisë apo vëllaznisë së të vdekurit, i ngarkuar për këtë punë, u shkon afër dhe i ngre, duke u thënë: “boll o burra!” dhe “Ua shpërblefshin në të mira!” ose “Paçi faqen e bardhë!”.

Disa veçori që duhet të ketë “burri gjamtar”

Gjamtarët ose brimtarët burra (sikurse edhe vajtoret femra), janë gjysmëprofesionistë dhe profesionistë. Vajtori bën gjamë për mashkullin e vdekur e jo për gruan. Ai duhet të ketë zë të lartë e të fortë. Në anën tjetër teksti duhet të jetë i atillë që t’ua lehtësojë dhe zvogëlojë dhimbjen dhe pikëllimin familjes dhe farefisit. Gjama e burrave në Malësi nuk ka një formësim të vargut konstant, por i ngjanë një naracioni të lirë. Janë pjesërisht të improvizuara. Veçoritë fonetike dhe shprehjet frazeologjike janë interesante: Thuhet për shembull “Mjer-o sot për ty Dak Leka”, por edhe: I mje-e-ri, o Smal Dedi”, O-ooo, i mjeri Gjelosh Toma”, “I mjeee-ri, o Nikë Zeka”. Ka edhe gjamë individuale (një burrë i vetëm), por kjo del si fenomen më i vonshëm, krahasim me gjamën kolektive. Gjamtari individual para se të thërras vaj, vë dy duart në brez duke nxjerrë njërën këmbë (në të shumtën e rasteve të majtën) përpara dhe ia fillon gjamës, duke theksuar ato virtyte e tipare që e kanë cilësuar për së gjalli të ndjerin, por edhe familjen e tij apo fisin. Gjamëtari mund të thërras vaj te shtëpia vetëm në mëngjes. Natën nuk ka vajtore as gjamëtarë te shtëpia, që thërrasin vaj.

(Marrë nga fb Gegnishtja)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.