back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Gjana të domosdoshme, nëse nis me shkrue poezi… Claudio Pozzani

Gazeta

Arti i të shkruemit...
Arti i të shkruemit…

***
Bota virtuale asht tejet zemërgjanë, e shpesh e fton secilin prej nesh me thanë nji fjalë, me shprehë nji mendim, me ba nji replikë, me shkëmby pak humor, me dëshmue nji ndjenjë, më rrëfye nji emocion, me iu përkushtue nji poezie… Të gjithë së bashku kemi sot nji mjet magjik komunikimi, kundështimi, rebelimi, vrojtimi, gëzimi, emocionimi… e kështu pafund… Shpesh e përkrahim njeni tjetrin në aforizma, statuse, humor, batuta, poezi e gjithçka që e shetit hareshëm, o zymtueshëm mendjet dhe shpirtnat tonë… Pushteti i shtypit shtypës, dhe i censurës tashma ma ka marrë të keqen, po asht nji tjetër pushtet censure shumë ma i rreptë e shumë ma kërcënues, censura morale e vetvetes… atë që secili e ka në përmasën e vet dhe e përdor si e gjykon ai… e randsishme asht që edhe pse jena në largësina të paimagjinueshme mos ta cënojmë dinjitetin dhe vlerën e askujt, sado modeste të jenë ato… kam vërejtë se shpesh ndër ne shpirti i poezisë asht i gjallë dhe i prekshëm… e gjithkush mundet që at gjendjen e tij tejet fluide e poetike e shpërndan ndër të tjerë si nji kartolinë “mirmëngjesi”…
Ky ishte edhe qëllimi i këtij përkthimi prej nji poeti italian, dhe ma merr mendja se ma shumë si përkthim asht nji kujtesë për shumë prej nesh me e rritë në vazhdimsi kërkesën ndaj vedit në respektin sa ma të madh e ma i plotë ndaj fjalës dhe gjuhës të cilës i përkasim… j.r.
17 qershor 2014

Pesë gjana të domosdoshme që duhen mbajtë parasysh

nëse nis me shkrue poezi…

nga Claudio Pozzani

Me krijue nji sistem fjalësh të thjeshta që bashkojnë në vetvedi ritmin, kuptimin, fantazinë, tingujt dhe sugjestionimin asht nji kryevepër sa estetike, aq  artistike po edhe aq komunikuese… Ja pesë këshillat e mia se si mundeni me e zhvillue ma tej shkrimin tonë poetik…

Muzikë dhe poezi...
Muzikë dhe poezi…
E Para: Lexoni sa ma shumë poezi (dhe jo vetëm poezi)

Duhet theksue se nji artist s’mundet me e anashkalue diçka që ndodh përreth tij. E megjithatë, paradoksi ma i madh i poezisë asht së të gjithë (o pothuej) e shkruejnë poezinë, po askush (o pothuej) nuk e lexon atë. Unë nuk me iu besue piktorve që s’i ndjekin galeritë, muzeumet, o mostrat e pikturës; as regjizorëve që s’shkojnë në kinema; as muzikantëve që s’frekuentojnë koncerte apo nuk ndigjojnë disqe. Në të njajtën mënyrë edhe ndaj ndokujt që e shkruen “poezinë” po pa i lexue poetët e tjerë. Qoftë edhe me justifikimin vrastar që s’dëshiron me u ndikue prej tyne, ai dishmon nji shterpsi intelektuale, dhe po ta vërejsh, shkruen do vargje tejet të randomta… Sa ma shumë influencime të kemi, aq ma shumë shans do të kemi që stili jonë poetik të jetë origjinal. Mandej poezia asht art i lirë dhe i lashtë, dhe s’ka nevojë për ndonji mjet apo instrument për me u prodhue… Ju jeni krejt të lirë me zgjedhë burimin ku me e ngjye penën…

Përtej reales...
Përtej reales…
E Dyta: lexojeni poezinë tuej me za të naltë

Tingulli dhe ritmi janë elementat ma thelbsorë të nji poezie. Duke i lexue vargzimet tona me zà të naltë, mbrrijmë me i gjetë mospërsosjet, rrëzimet e toneve dhe gjithnji e ma tepër kemi me u përmirsue në shtegun e të shprehunit poetikisht, që për antonomazi: asht përcjellje gojore. Shpesh herë më ka ndodhë me marrë pjesë ndër lexime që i ndëshkojnë aq shëmtuet tekstet, të cilat në t’vërtetë janë tejet interesante.
Duke e mprehun veshin tonë ndaj poezisë, ka me u përmirsue në mënyrë të pashmangshme edhe të shkruemit tonë poetik…

Poezia asht art vetmitar...
Poezia asht art vetmitar…
E Treta: Ushqehuni dhe përtypeni sa ma mirë poezinë tuej

Artisti duhet me pasë me veprën e vet edhe nji raport sa fizik aq edhe të ndjeshëm, e këtu as poezia s’ban përjashtim. Nji krijim poetik ka nevojë të jetë i përtypun mirë dhe të ketë kohë me precipitue. Për me e quejtun të kryeme nji poezi, rileximi i saj duhet të na fusë në rezonancë me at përndritjen që na ka shty me e fillue atë. Disa (rrallë) herë, ajo mund të jetë shtysë e nji çasti të vetëm, dhe kur poezia shpërthen s’ka aspak nevojë me u latue, por pjesa ma e madhe (kisha me thanë e krejt) prumjet tona poetike kanë nevojë për ura lidhje, për vegsha, për mbyllje, për me mbrritë në mënyrën sa ma t’plotë në detin e emocioneve tona po edhe n’emocionet e të tjerëve…
I lini me u fermentue krijimet tueja, derisa t’i ndjeni se janë tuj ra kambanës mbrenda jush…

Grueja si poezi...
Grueja si poezi…
E Katërta: Mos u dashuroni marrëzisht…

…me shprehjet tueja, sigurisht. Shpesh ne nuk dëshirojmë me u nda prej nji shprehje apo prej nji fjale që na duket aq fantastike, e që n’ekonominë e poezisë që asht tuj marrë trajtë, ndoshta shfaqet pak si e tepërt.
Mos e lejoni vedin me u sundue prej materies që asht tuj shpërthye. Janë fjalët ato që ju kqyrin, që ju thërrasin, që ju ledhatojnë e ju hipnotizojnë… Rueni prej tyne njifarë largësie dhe pamvarsie…

Poezia asht liri...
Poezia asht liri…
E Pesta: Përballuni me poetë të tjerë, por edhe me veten tuej

Këshilla e fundit asht e lidhun me të parën. Edhe pse krijimi poetik asht nji akt krejtsisht vetmitar, bashkndamja ose përballja me autorë të tjerë apo edhe me lexues të thjeshtë mbetet thelbsore për ngritjen tonë artistike, sepse i jep në çdo çast shumë përgjigje punës sonë…
Nji këshillë jetër asht edhe ajo e punës pa ndërpremje me vedin. Mbetem krejtsisht i bindun që poezia duhet të jetë nji mirkuptim dhe nji qëndrim i veçantë ndaj jetës dhe nji mënyrë “tjetër” e të pamit e të ndjemit e ma pas edhe e  përshkrimit të ndjesive dhe emocioneve…
Ngushtojini hapsinat tueja, për me gjetë ritmet tueja…

Claudio Pozzani (1961)
Claudio Pozzani (1961)

Claudio Pozzani ka lindun në Gjenovë në 1961. Poet, tregimtar, performues i poezive të veta, të cilat janë përkthye dhe publikue së pakut në dhjetë gjuhë dhe ka marrë pjesë në festivalet ma të randsishme të letërsisë në nivel ndërkombtar. Prej ma shumë se njizet vitesh organizon ngjarjet kulturore në Itali dhe jashtë saj. Asht drejtor i Festivalit ndërkombtar të Poezisë në Gjenovë.

Përktheu dhe përshtati në shqip Jozef Radi (qershor 2014)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.