back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjashtë gënjeshtrat e ‘fabrikës’ të majtë dhe ‘punishtes’ së vogël të PD-së së Bashës – nga Arian Starova

Gazeta

Dipllomati Arjan Starova
Dipllomati Arjan Starova

Gjashtë gënjeshtrat e ‘fabrikës’ të majtë

dhe ‘punishtes’ së vogël të PD-së së Bashës

nga Arian Starova* 

Mbi rrenë-argumentet e debatit politik të sotëm…
Në ditët e sotme, titulli i këtij shkrimi nënkupton debatin politik që ka në qendër të tij përplasjen politike Berisha-Basha. Kush i njeh dhe kupton mirë gjërat nuk do të kishte nevojë fare ta lexojë këtë shkrim, por unë do të përpiqem ta përmbledh sa më shkurt për pjesën tjetër të lexuesve të interesuar.
Prandaj, edhe shtysa ime e vetme e këtij shkrimi është fakti se përreth debatit politik Berisha-Basha është përfshirë si në një vorbull gjigande thuajse i gjithë opinioni publik shqiptar dhe brenda saj vijnë përreth edhe gjithfarë lloji të gënjeshtrave. Sigurisht, “fabrika e gënjeshtrave” ka qenë dhe mbetet të jetë si gjithnjë, e majta politike dhe media pranë saj. Por fatkeqësisht, kësaj “fabrike” i është bashkangjitur edhe një “punishte e vogël dhe e paskrupullt e gënjeshtrave” brenda PD-së së zotit Basha.
Po i marr me radhë disa prej tyre

Gënjeshtra numër 1: “Hamendësimi i vendimit të Sekretarit të Shtetit Blinken mbi Berishën si gjoja ‘mbështetës i korrupsionit madhor, minues i demokracisë dhe i pazgjedhshëm për të marrë vizë hyrëse për në Sh.B.A. sikur të ishte një vendim gjykate, si një tabu, e cila nuk duhej të vihej fare në diskutim dhe as të kritikohej, por vetëm të pranohej verbërisht për shkak të autoritetit të shtetit të fuqishëm siç është Sh.B.A.”
Si akuzat ligjore edhe vlerësimet moralë kanë nevojë për fakte që të jenë të besueshëm. A nuk është vetë demokracia e Sh.B.A.-së, shteti që e ka vënë në piedestal fjalën e lirë bashkë me mendimin kritik që është përherë sivëllai i saj i pandashëm? Pikërisht kjo është edhe ajo çka ka bërë Zoti Berisha, duke e dërguar çështjen në gjykatë, në Paris, për të kërkuar faktet përkatës të munguar, sado veprim befasues mund të jetë dukur ai për ndonjë nëpunës administrate ashtu edhe për ca “intelektualë” shqiptarë mendjembyllur dhe interesaxhinj të politikës.
Për një pjesë të madhe të shqiptarëve, mbetet diçka shumë habitëse, sesi Sekretari Blinken merr vendim ekzekutiv për Berishën [8 vjet pas largimit si kryeministër] dhe le në heshtje qeverisjen e tanishme, të cilësuar si tejet të korruptuar në shumë raporte ndërkombëtare.

Gënjeshtra numër 2: “Basha ishte i detyruar të merrte vendim për ta përjashtuar Berishën prej grupit parlamentar të PD-së, sepse nuk mund të dilte kundër Sh.B.A.-së.”
Të jesh kundër një vendimi të Sh.B.A.-së pa dhënë fakte publike mbështetës nuk do të thotë të jesh kundëramerikan. Për më shumë, në rastin e Berishës, duhej pritur përfundimi i procesit gjyqësor të gjykatës së Parisit, ose paraqitja e fakteve siç kishte kërkuar publikisht edhe vetë Basha. Po e nënkuptoj faktin tjetër, se asnjë vendim i tillë nuk mund të merrej pa u këshilluar me forumet e PD-së, sepse kjo parti nuk është “lulishtja” vetiake e shtëpisë së kryetarit. Pyetja pa përgjigje këtu mbetet se çfarë e detyroi z. Basha të merrte atë vendim-blix dhe krejtësisht vetiak, sepse ai doli edhe kundër asaj çka kishte thënë vetë publikisht?!
.
Gënjeshtra numër 3: “Berisha kundërveproi ndaj Bashës vetëm kur iu prek interesi vehtiak, ndërsa më përpara ai e kishte mbështetur atë…”
E vërteta është se Berisha është shprehur publikisht pas zgjedhjeve të vitit 2017 se kur humbën zgjedhjet jepet dorëheqje. Por meqenëse fjala e tij ka bartur gjithnjë shumë autoritet, ai është përmbajtur duke mos iu drejtuar vetë Bashës publikisht. Gjithsesi, Berisha këtë gjë ia njeh vehtes edhe si gabim për të cilin ka kërkuar ndjesë publike përgjat procesit dymujor të dialogut me anëtarësinë e PD-së.
Prej vendimit të Departamentit të Shtetit mbi Berishën të datës 19 maj deri në fillim të shtatorit kur Basha mori vendimin e përjashtimit të Berishës prej grupit parlamentar kishin kaluan thuajse katër muaj.
Kur Berisha mori vesh për vendimin amerikan të 19 majit, ai u shpreh publikisht se atë çështje do ta ndiqte në mënyrë vetiake nëpërmjet gjykatës duke mos e përzier fare PD-në. Edhe Basha u shpreh për Berishën si lider historik i PD-së dhe për nevojën që të jepeshin fakte në lidhje me vendimin amerikan.
Në 9 shtator, kur Basha vendosi që ta përjashtojë prej grupit parlamentar, Berisha vendosi të kundërveprojë, sepse tashmë Basha e kishte shndërruar në çështje partiake atë çka Berisha e kishte deklaruar si çështje vetiake duke e ndjekur nëpërmjet gjykatës franceze.
Berisha e kuptoi, ndonëse me vonesë, se Basha po e përdorte vendimin moral amerikan kundër Berishës për interesa të tij të dyshimta. Pas këtij veprimi të pabesë të Bashës, ai kuptoi se diçka më e madhe po gatuhej në dëm të demokracisë shqiptare.
Pikërisht atëherë, nisi edhe ai “revolucion paqësor” i llojit të vet në Shqipëri nëpërmjet procesit të dialogimit me anëtarësinë e PD-së nëpërmjet organizimit të kuvendeve-foltore nëpër të gjithë Shqipërinë për të diskutuar me anëtarësinë e PD-së. Kundërveprimi i Berishës ka qenë i duhuri çka po e tregon më së miri, mbështetja e tij e jashtëzakonshme nga anëtarësia e PD-së, opozita në përgjithësi dhe shumë qytetarë të tjerë. Pas vendimit përjashtues të Bashës kundrejt Berishës, çështja e Berishës u kthye nga një çështje private në çështje të vlerave të demokracisë shqiptare.

Gënjeshtra numër 4: “Foltoret janë organizuar nga Berisha për të mbrojtur vehten dhe familjen e tij.”
Qindra mijë njerëzit që po ndjekin Foltoret drejtpërdrejt dhe nga ekranet televizivë nuk janë budallenj, siç i kujton Basha. Ata dinë të dallojnë mirë diçka që bëhet nga “halli” prej diçkaje që bëhet për vlera të larta të demokracisë dhe të kombit.
Berisha ka qenë nismëtar i heqjes së imunitetit parlamentar dhe të gjithë e besojnë se edhe sikur akuza më e vogël ligjore do ishte paraqitur ndaj tij, ai do të paraqitej vetë përpara drejtësisë. Pra, Foltoret nuk janë organizuar për të mbrojtur Berishën dhe familjen e tij nga drejtësia, por për të mbrojtur demokracinë pluraliste të Shqipërisë.

Gënjeshtra numër 5: “Kuvendi i PD-së i 11 dhjetorit është i paligjshëm, kurse ai i 18 dhjetorit është i ligjshëm. Çështja mbi ligjshmërinë e kuvendit do të shkojë në gjykatë.” Nuk ka nevojë të diskutohet ndoshta se Kuvendi i 11 dhjetorit i PD-së është i ligjshëm vetëm duke parë pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të anëtarësisë së PD-së në mbështetje të tij. Po ndodh për herë të parë dhe në përputhje me statutin e PD-së që mblidhet një kuvend i tillë, pra, po vepron Demokracia. Po vepron Liria. Fakti që po ndodh për herë të parë, nuk mund ta bëjë atë kurrsesi të paligjshëm.
Çështja mund të paraqitet edhe në gjykatë nga “kryetari” Basha dhe pakica vulëmbajtëse përreth tij, por a ka gjykatë që të mund të hedhë poshtë statutin e partisë?! A ka gjykatë që mund të zhvlerësojë firmat e rreth 5 mijë anëtarëve mbështetës të kuvendit të 11 dhjetorit?! A ka gjykatë që mund të shpërfillë vullnetin dhe frymën e shumicës dërrmuese të anëtarësisë së PD-së?! Do të ishte njëlloj sikur gjykatat e kohës së Ramiz Alisë të shpallnin të paligjshme portestat popullore të fillim viteve 1990 kundër diktaturës komuniste.

Gënjeshtra numër 6: PD do të ndahet më dysh, sepse përplasja Berisha-Basha është lojë politike e të dyve.” Kjo është gënjeshtra më e pastër dhe vetëpërgënjeshtruese dhe nuk ia vlen të merremi me të, por po e përmendim meqenëse është shumë e përhapur në atë pjesë të opinionit publik, e cila nuk është as e interesuar as e informuar mbi zhvillimet politike. Atyre që punojnë për ta përhapur këtë gënjeshtër u intereson që këtë pjesë të opinionit publik ta lenë të painteresuar mbi zhvillimet politike. Në kohë të zhvillimeve të mëdha politikë, është mirë që të mos ketë njerëz të painteresuar, sepse këta zhvillime janë edhe në dobi të tyre.

.
*Dr. Arian Starova, Ish- Ministër i Jashtëm, Kryetar i Shoqatës Atlantike të Veriut-NATO

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.