back to top
14.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Gjashtë poezi nga Lazër Radi Arbëria 1993

Gazeta

Lazer Radi 1916-1998
Lazër Radi 1916-1998

 Gjashtë poezi nga Lazër Radi

– Arbëria 1993

“…që tash mund të parathuhet, se ai me mjeshtëri prej poeti të vërtetë, 
në më të shumtën e herëve, nxjerr në sipërfaqe ndjenjat më të holla njerzore, 
për të bukurën, dhimbjen dhe vuajtjen shpirtërore të një njeriu të ndrydhur 
me dekada nëpër burgje,interrnime dhe kampe pune të diktaturës enveriane,
që pothuaj për një gjysëm shekulli e sundoi Shqipërinë…
Jo si zakonisht, poeti Lazër Radi, gërsheton ndjenjën poetike me filozofinë,
gjë që e bën poezinë e tij të qëndrueshme nëpër kohë dhe sot
ajo arrin të marrë një konotacion interesant dhe përgjithësues…
Kjo për shkak se ai nuk e sforcoi me dhunë ndjenjën, talentin… e la të rrjedhë lirshëm, 
pavarsisht rrebesheve tragjike që rënduan mbi personalitetin e tij…!”
Mustafë Xhemaili “Rilindja” – e hënë, 26 tetor 1992, nr.145 (11.2619)

.

Ku ndali Shqiponja?

Ku ndali shqiponja?
Te gurgullima e kroit
a te fëshfërimë e pishnajës?
Te honi i vdekjes mbi shkamb
a te çerdhja e dritës në qiell?
Ku ndali shqiponja
t’i çelë zogjtë e saj?
Ku ndali shqiponja,
ku krahët i mblodhi,
ku shpirtin shpalosi…?
Ku ndali shqiponja,
gjithçka emnin e saj mori!

Dashni Brezash

Mbas nesh vijnë të tjerë…
nën tokë zgjatën rranjët
mbi tokë shtrihen degat,
ntrashet ndër kohna trungu i Fisit
mjaltet rrushi në maje të lisit…

Ndër brazda brezash
s’humb kurrë dashnia që hodhëm
s’humb fjala e dhanë se e ruan guri
edhe pse kobi, si korbi
vërdallë i vjen
dashnisë së brezave

Toka e Shenjtë

(Vegim mojzean)

Mbi nji kërcu lisi
gjurmat e currilave të shpirtit
i bajnë andrrat me blerue…

…diku tej livadhesh,
nji kaçubë digjet flakë
po s’shkrumbet
edhe pse zjarri bubullon prrallshëm
kurrë e gjitha n’hi s’kthehet…

Drejt kaçubës n’flakë
shtegtarët shtegun morën…
Nji zà prej qiejve zbriste vetëtimë:
“Hiqi sandallet o shtegtar
e zbathun shkeli livadhet
e Tokës së Shenjtë..!!”

Idil dimnor

S’harrohet ajo natë polare
e tërkuztë,
e akullt,
e tmerrtë,
jetëmarrëse
………………….
Po… kur, si me magji ti erdhe
të kandshme,
andrruese
të ngrohtë
jetëdhanse
e bane at natë ankthesh…

Ndër lodra të çmenduna
e strukje ledhatare
ndër zjarre pafund puthjesh
e ndjeva përtërimjen e shpirtit…
dhe dimni shterresh
n’misterin e nji andrre
t’shpërthyeme befas…

Njeriu 359

(në burg secili prej nesh ishte nji numër)

Jeton a s’jeton ai njeri i paemën?
Njeriu tre-pesë-nantë
nën at kod të frikshëm
shiritash bardh e zi?

Jeton a s’jeton ai njeri
që gdhihet e ngryset
i pangjyrë,
i pazhurmë,
i pabukë
i padritë
i pazjarr…

Gjallon a nuk gjallon vallë
njeriu që andrronte qiejt
edhe kur e hiqshin zvarrë…?

Kalorsi i Jetës

Mbi krahë ernash
mori fluturim,
kopshtijet e jetës i zgjoi
dhe terrin me thundrat e kalit e ndezi…
dhe toka ndjeu kangën e luleve
dhe kafshët humbën livadhesh
dhe zogjtë iu kthyen foleve
dhe velat nxituen me frymën e erës…

Kalorsi i jetës… kalorsi i jetës
vraponte ndër qiej
me kalin e Shpresës…

(Marre nga Revista Arbëria Nr. 10, 1993)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Pjetër Delia
    Pa dyshim… do jetë gjithmonë nji gjigant i letërsisë dhe i edukatës intelektuale… Mjafton leximi i këtyre poezive… Edhe pse i kanë vrarë jetën, prapseprap ai nuk i fyen… vetëm ju kujton se jeta është e rëndësishme për të gjithë, e jo vetëm për dikë.
    Unë mendoj që për të ndjerë pendim duhet të keshë ndjenjë dh karakter… Kur mungon ndjenja mungon edukata… e kur mungon edukata bëhemi kafshë… Historia ka treguar se viktimat e preferuara kanë qenë gjithmonë intelektualët dhe të pafajshmit… (Marrë nga muri i fb 5 prill 2014)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.