back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjeneral i shquar Stradiot: Gjergj Basta – Shqiptarët – mjeshtra të Artit ushtarak në shek. XV-XVI

Gazeta

Giorgio Basti (1574 -1607)
Giorgio Basti (1574 -1607) 

Gjeneral i shquar Stradiot: Gjergj Basta

Shqiptarët – mjeshtra të Artit ushtarak në shek. XV-XVI

Është e zakonshme kur shfleton kronikat e shekujve XV dhe XVI, për luftëtarë shqiptarë dhe menjëherë të gjesh një mori stradiotësh, komandantë e kapitenë trima, të cilët arritën edhe gradat më të larta ushtarake, ato të gjeneralëve në armata shumë të njohura të kohës. Të gjithë këta, pa përjashtim identifikohen si shqiptarë ose me origjinë shqiptare. Natyrisht, stradiotë, ushtarë mercenarë, më pak të shquar kishte dhe nga kombësi të tjera si greke, dalmatinase, hungareze, sllave, vllahe etj.
Dalja e stradiotëve në skenën luftarake të Evropës së shekujve XV e XVI, nuk mund të shënohet me saktësi, pasi për një gjë të tillë, deri më sot, nuk është zbuluar asnjë dokument që mund ta konfirmonte një gjë të tillë, por, as kronikat e shumta të kohës nuk na japin një vit preciz. Edhe pse disa studiues shënojnë vitin 1414, si vit të trupave stradiote, kur në një dokument venedikas përmendet për herë të parë termi Stradiot, ky fakt nuk është aq bindës, për shkak se edhe më herët, në shërbim të Venedikut, kishte ushtarë shqiptarë me kuaj, përkatësisht që nga viti 1402. Mendimi se stradiotët i ndeshim si reparte luftarake pas fushatës së Karlit VIII, është i gabuar, sepse, të dhënat më të reja, qoftë nga burimet arkivore, qoftë nga studimi i literaturës së botuar [kronikat e shumta dhe vëllimet e panumërta me dokumente] na i ofrojnë ato të freskëta. Sipas këtyre burimeve, në vitin 1481, stradiotët përmendën në Friuli, pastaj në vitin 1487, në Dolomite, në luftën e Venedikut me Austriakët, si dhe në betejën në mes Ludovikut të Zi dhe zviceranëve të Valezës. Natyrisht, tashmë është e njohur se është pikërisht fushata e Karlit VIII, ajo që nxjerr në pah fuqinë dhe namin e stradiotëve shqiptarë, duke ndërkombëtarizuar rolin dhe ndikimin e tyre në shumë beteja, që jo në pak raste, ata kanë luftuar edhe kundër njëri-tjetrit. Për bëmat e tyre ne kemi të dhëna të shumta në territoret e Francës, Spanjës, Gjermanisë, Vendeve të Ulëta, Hungarisë etj.
I kësaj periudhe është njëri prej figurave më të shquara stradiote, për të cilin janë shkruar vepra, monografi dhe studime të shumta, qoftë si komandant dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i betejave, qoftë si teoricien dhe njohës i jashtëzakonshëm i artit luftarak të kohës kur jetoi e veproi, pra Gjergj Basta.
.
Georg Basta (1544-1607)
Georg Basta (1544-1607)

Emri i Gjergj Bastës është i nderuar, por, pothuajse të barabartë me të, për nga trimëritë dhe betejat janë edhe shumë emra stradiotësh shqiptarë. Pa dashur të bëjmë një listë të plotë të tyre, ne po përmendim vetëm disa nga më kryesorët, të cilët i citon në një studim të tij edhe at Zef Valentini. Këta janë: Ferrante Kastrioti (nip i Vrana Kontit), Alfons Kastrioti, Thedor Krisma, Adrian e Nikollë Muzaka, Theodor Bukali, Mërkur Bua, Manuel, Kostandin, Gjergj e Nikollë Bokali (martuar me motrën e gruas së Gjergj K. Skënderbeut), Konstandin Araniti, Leonida dhe Françesk Maria (të dy bijtë e Kostandin Aranitit), Theodor Bischietto, Gjin Golemi, Gjergj Karisesa, Gjon Sheqeri, Nikollë Masi i mbiquajtur Mëzi, Lazër Mati, Gjon dhe Engjell Lazër Mati, Dhimitër, Qezar e Gjergj Kapuçmadhi, Pjetër e Dhimitër Basta, Teodri nga Sparta, Pjetër Petani, Gjon Volasi, Nikollë, Lekë, Martin, Andrea, Teodro e Martin Peta, Aleks Bua, Gjergj Gërbeshi, Pjetër, Domenik, Vetor, Gjergj dhe Reposh Busikioti etj.

 
Po kush ishte Gjergj Basta? Ai lindi më 30 janar të vitit 1544 në Roccaforzata, (atëherë Rocca), provinca e Tarantos dhe vdiq më 26 gusht 1607 (rreth vitit të vdekjes ka disa paqartësi, sepse, sipas disa të dhënave tjera, mund të ketë vdekur në vitin 1612 në Kurtç/ Belgjikë/?) në Vjenë. Duke qenë nga një familje fisnike shqiptare, i ati, Dhimitri, kishte lindur në Shqipërinë e Jugut, në qytezën e Bastas, të cilën e kishin në zotërim dhe që ndodhej në mes të Butrintit dhe Sarandës. Si qytezë ishte ndërtuar nga venedikasit. Duke mos duruar pushtimin osman, ai me familje dhe disa bashkëqytetarë fisnikë ishte shpërngulur në provincën e Tarantos, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, më 1468, (ku gjyshi i Gjergj Bastës, Andrea Basta, ishte bashkëluftëtar i Heroit tonë Kombëtar) si mercenar kishte hyrë në shërbim ushtarak, në forcat kalorësiake të mbretit të Napolit. Sipas burimeve dokumentare dhe literaturës së shumtë për Gjergj Bastën, e cila është botuar në gjuhë të ndryshme dhe mund të konsultohet, pos studimeve të veçanta edhe në shumë enciklopedi, fjalorë e leksikone biografike, studimet e para i mbaroi në Asti të Piemontes. Duke treguar zgjuarsi dhe aftësi të rralla në artin luftarak, dërgohet për studime të mëtejshme në Akademinë Ushtarake të Holandës, ku tregoi rezultate të shkëlqyera.
Me të marrë pushtetin në Vendet e Ulëta, miku i familjes Basta, Aleksandër Farnesi, e emëron Gjergjin si komisar të përgjithshëm të reparteve kalorësiake për tërë Vendet e Ulëta, (viti 1580), pasi më parë kishte qenë gjithashtu student në Akademinë e A. Farnesit. Ndërsa në vitin 1579, Gjergj Basta ishte komandant i një trupe (regjimenti) kalorësie prej 200 luftëtarësh të stërvitur mirë dhe të gjithë shqiptarë të ikur nga trojet shqiptare në Itali. Gjatë kohës sa ishte komisar i përgjithshëm, ai shumë herë me trupat e tij përballoi me sukses sulmet e bëra nga Henriku i Navarrës. Në vitin 1584, e gjejmë duke luftuar në rrethinat e Anversit (Holandë); ndërsa në vitin 1588, ishte ndër komandantët më meritorë për fitoren famëmadhe të pushtimit të Bonit. Pjesëmarrja në beteja ishte e shpeshtë, në fronte shumë të vështira. Në vitin 1590, shkon në Farnezin të Francës, në ndihmë të Lidhjes së Krishterë, duke korrur një fitore të shkëlqyer, kurse në vitin 1593, merr pjesë në fushatën e Manofeldit po në Francë. Pas vdekjes së mikut të tij, A. Farnesi, Gjergj Basta duke vërejtur se nuk nderohej dhe respektohej ashtu siç e meritonte, nga ana e pushtetarëve spanjollë të Madridit, vendosi të kalojë në shërbim të Perandorisë Austro-Hungareze në vitin 1596, duke u vendosur me ushtarët e tij, kryesisht shqiptarë, në zonën e Danubit. Fati deshi që të korrte fitore të shumta kundër ushtrive osmane, tartare, vllahe, transilvane dhe kundër protestantëve hungarezë. Këto fitore i mundësuan që të kishte funksione shumë të larta, derisa u bë kryekomandant i ushtrisë së Perandorisë Austro-Hungareze për Hungarinë e Transilvaninë dhe njëherësh u emërua edhe guvernator i përgjithshëm për këto dy krahina, duke fituar edhe gradën më të lartë të mundshme ushtarake, atë të gjeneralit (generalisimus). Duhet cekur se kronikat e kohës, sidomos ato hungareze, ofrojnë të dhëna të shumta për luftërat e tij, ku pothuajse njëzëri pohohet se ishte njëri ndër komandantët më të njohur të kohës së tij. Por, gjithashtu në ato kronika ka të dhëna të tjera për shkatërrime të pamëshirshme të viseve, të cilat i pushtoi nga ushtarët e tij, që ishin mercenarë dhe pos shqiptarëve, në radhët e stradiotëve të tij, kishte edhe hungarezë, italianë, grekë, sllavë, italianë, bohemë etj.
Në fillim të shekullit XVII, i ftuar nga perandori gjerman, Rudolfi II (1599-1605), Gjergj Basta, emërohet njëri prej komandantëve kryesorë përkrah Michaelit të Vllahisë, për Siebenbàrgen (Hungari), pasi princi i këtij qyteti, Sigismund Barthàry, kishte prishur traktatin e lidhur me perandorin gjerman, duke mos pranuar që territori i sundimit të tij të jetë pjesë e Perandorisë së Habsburgëve, por kërkonte autonomi dhe të njihej si një provincë e vetme e administruar nga ai, ngase në një traktat të fshehtë, fronin e Siebenbàrgit ia kishte premtuar kushëririt të tij, kardinalit Andreas Barthàry-t. Në vitin 1599, Michaeli i Vllahisë pushton Siebenbàrgen dhe kështu bëhet kundërshtar i perandorit gjerman, Rudolfit II, dhe njëkohësisht edhe Gjergj Bastës, edhe pse më parë ata ishin miq dhe kishin luftuar krah njëri-tjetrit në disa beteja. Basta, armikun e tij të ri, Michaelin e Vllahisë, që kishte për aleat Sigismund Barthàry-n e mund në fushëbetejën e Mirislàs-ë më 18 shtator të vitit 1600. Përkundër disfatës, pas një viti, Michaeli i Vllahisë prapë forcohet dhe më 3 gusht të vitit 1601, e sulmon Gjergj Bastën. Ky i fundit, duke treguar mjeshtri të jashtëzakonshme dhe manovrime të suksesshme, humbjen e kthen në fitore, duke e zënë të gjallë Michaelin e Vllahisë, të cilin po atë ditë e vret dhe komandantin tjetër, armikun e vjetër Sigismund Barthàry-n, i cili ishte aleat me Michaelin e Vllahisë. Në këtë betejë, Gj. Bastës iu vranë 300 luftëtarë, ndërsa armiqve të tij rreth 10 mijë; ai si prè lufte mori 110 flamuj, 40 topa dhe shumë plaçka tjera të ushtrive të mundura armike. Pas vrasjes së Michael-it, Gjergj Basta arriti të bashkojë Moldavinë, Transilvaninë dhe Vllahinë nën Perandorinë Austro-Hungareze.
Duke iu shtuar nami si komandat i pathyeshëm i stradiotëve, më 1604-ën, perandori gjerman, Rudolfi II, e fton përsëri në ndihmë Gjergj Bastën me luftëtarët e tij, por kësaj radhe në luftë kundër Perandorisë Osmane. Gjergj Basta udhëhoqi më shumë se 100 beteja në vende të ndryshme si në: Spanjë, Flander, (Belgjikë) Holandë, Francë, Gjermani, Hungari, Transilvani, Itali etj. Për merita të shquara ushtarake, duke qenë i pathyeshëm, ai arriti gradën e lartë ushtarake të gjeneralit (generalisimus). Perandori gjerman, Rudolfi II (1599-1605), në vitin 1605 e emëroi Kont të Perandorisë së Shenjtë Romake.
Pas një karriere shumë të suksesshme, ku njihte vetëm fitore, Gjergj Basta në fillim të vitin 1606 (fundi i janarit) tërhiqet nga jeta aktive ushtarake. Perandori e shpërbleu me prona të mëdha të Husit e Maramureshit, të cilat më vonë i shkëmbeu me ato të Tropaut, për shkak të cilësisë dhe bonitetit më të lartë. Më parë, Gjergj Basta kishte blerë në vitin 1594, feudin e San Martinos dhe në vitin 1606, para se të largohej nga jeta aktive ushtarake, kishte blerë edhe feudin tjetër të Monteparanos.
Përkundët angazhimeve të shumta në fushëbeteja, ai gjeti kohë të merret me shkrime dhe krijime nga fusha e artit luftarak, duke botuar disa vepra. Por, si duket, ato më kryesoret i shkroi pasi u tërhoq nga jeta aktive ushtarake. Ne na janë të njohura tre nga ato, të cilat i kemi konsultuar në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit dhe atë Venedikut, Marciana. Veprat e Gj. Bastës mund të quhen edhe traktate të artit luftarak. Ato mbajnë titujt: Il maestro di campo generale (Udhëheqësi i veprimeve të përgjithshme luftarake), botuar në Venedik, në vitin 1606; vepër kjo që çmohet shumë dhe sipas specialistëve të artit ushtarak cilësohet si “ungjill i vërtetë i komandantit në luftë”. Është përkthyer në disa gjuhë dhe atë në: gjermanisht, frëngjisht dhe ribotuar dy herë në italisht; vepra e dytë është: Il governo della cavaleria leggiera (Drejtimi i kalorësisë së lehtë). Botuar në italisht në Venedik, në vitin 1612. U përkthye në frëngjisht tri herë radhazi në: Bruksel, Hanà dhe Ruàn, si në dhe gjermanisht në Frankfurt dhe në spanjisht, Madrid. Në artin luftarak, kjo vepër konsiderohet si “rregullorja” elementare mbi organizimin e kalorësisë së lehtë. Kjo vepër botohet post mortum nga ana e bashkëluftëtarëve të tij stradiotë: Pjetër Armitatit dhe Jeronim Sirtorit, me disa plotësime nga botuesit. Pos rregullave themelore, autori këtu lavdëron aftësitë e rralla të oficerëve shqiptarë, trimërinë e tyre dhe traditën luftarake, duke përmendur edhe fitoret e shkëlqyera të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, si dhe komandantëve stradiotë: Gjin Golemit, Gjergj Karisesë dhe gjyshit (Andresë), të atit (Dhimitrit) dhe vëllait të tij, Nikollës. Ndërsa vepra e tretë është: Del governo dell’artiglieria. (Mbi drejtimin e artilerisë). Këto vepra, për shekuj me radhë u përdorën si tekste studimi në akademitë ushtarake të Evropës, duke u cilësuar si të shkëlqyera nga specialistë të fushave përkatëse si: Gabriel Nodà (1600-1653); Pierr Baile (1647-1706); Zhan Sharlou-Folardi (1669-1752) etj.
Janë mjaft interesante përshkrimet që i bëjnë biografët portretit dhe vetive të tija fizike, jo vetëm ata që kishin dëgjuar për të, por edhe të tjerë që e kishin njohur dhe takuar në shumë raste. P.sh. C. Spontoni, i cili edhe e kishte takuar në Venedik, në veprën e tij: Historia della Transilvania, të botuar në Venedik në 1638, e përshkruan: nga pamja paraqitej i zymtë dhe i trishtuar, por pas bisedave me të, ndryshonte kjo përshtypje dhe ai ishte i dashur dhe shumë i qeshur, veçanërisht me batutat e tij të lezetshme për ndodhitë në fushëbeteja dhe atyre në jetën e përditshme. Ndërsa një autor tjetër, L. Crasso, në veprën e tij: Elogi di capitan illustri, botuar po ashtu në Venedik më 1683, shkruan: “Stradioti me origjinë shqiptare, Gjergj Basta kishte fëtyrë të plotë, me tipare të rrepta, hundë shqiponjë, sy të mëdhenë, ishte shtatlartë dhe esmer, me gjymtyrë të shëndoshta dhe trup atleti; ishte sypatrembur në beteja, dhe mjeshtër i vërtet në përdorimin e armëve, i etur për fitore dhe lavdi. Shquhej si besimtar në fe, dhe ishte njeri i fjalës, armik i përbetuar i tradhëtisë dhe pabesisë, ishte i pakorruptueshëm dhe zemërohej lehtë, ishte shumë dyshues dhe kishte një shpirt hakmarrës dhe kishte shumë zili lavdinë e tjerëve, nuk përtonte kurrë të ishte i pari në betejë dhe të tërhiqej i fundit nga ajo”.
Me vlera të konsiderueshme janë dorëshkrimet dhe letërkëmbimet e Gjergj Bastës, një pjesë e mirë e të cilave ruhen të shpërndara në Arkivin Sekret të Vatikanit; Bibliotekën Apostolike të Vatikanit; Arkivin e Qytetit të Venedikut; Bibliotekën Nacionale Qendrore Marciana të Venedikut; Bibliotekën Civico të Muzeut Korrer të Venedikut; Arkivin Shtetëror Hungarez; Bibliotekën Kombëtare Szecheny të Budapestit, Bibliotekën Kombëtare të Vjenës, Bibliotekën Nacionale të Katalunjës etj. Botimi i tyre, pas një studimi dhe shqyrtimi kritik, do të plotësonte këtë figurë të shquar të artit luftarak, jo vetëm si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në fushëbeteja, por edhe në teorinë e artit ushtarak, veçanërisht për fusha të kalorësisë së lehtë, drejtimin e betejave dhe artilerisë në Mesjetë, duke nxjerrë në dritë ngjashmëritë dhe shembujt e luftëtarëve e komandantëve të tjerë shqiptarë, që i kanë shërbyer Gjergj Bastës në veprat e veta në dorëshkrim
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.