back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjerdani i Gjyshes, Gjurma e jetës dhe 96 vjetori i nanës sime! – rrëfim nga Jozef Radi

Gazeta

Familja Vushmaqi, Pejë 1925, Frano e Pjetër, me gratë e prindët
Familja Vushmaqi, Pejë 1925, Frano e Pjetër, me gratë e prindët, Katerina Civlaku e para ne te djathte!

Gjerdani i Gjyshes, Gjurma e jetës dhe 96 vjetori i nanës sime!

rrëfim nga Jozef Radi

12 qershor 2022! Sot mama ime Vitore Vushmaqi – Radi, do të ishte 96 vjeçe…
Po për me mbrritë te kujtimi dhe përshpirtja ime e sotme për të po nisem prej gjyshes sime, Katerina Vushmaqi – Çivlaku, e po përpiqem me provue se kujtimi i saj sot në kët ditë të bekueme ka magjinë ma të madhe të jetës, si të thuesh emni dhe kujtimi i saj asht nji çils me kuptue se pa këto të vërteta të vogla e njerzore shume jete kishin me shkue hupë…..
Katerina Çivlaku – ishte prej familjeve ma n’za në Pejën tregtare, po që fati i keq i saj kishte ba që ajo herët me mbetë jetime, mandej me u martue dhe me i vdekë disa fëmijë njëni mbas tjetrit, mandej me i vdekë edhe i shoqi, e ajo vendos me iu dorzue fatit, e me shërbye si murgeshë… dersa nji ditë mbas shumë lutjesh e përbetimesh të nji djaloshi të pashëm kelmendas, e si ta kishte shtye diçka hyjnore, ajo vendos me e lanë kuvendin e me u martue me gjyshin tim prej kohësh në Pejë, Frano Llesh Vushmaqi, i cili ishte dhjetë vjet ma i ri se Katerina (ajo 29 vjeçe dhe ai 19)! Kështu fati i saj po edhe i të dy njerzve lejoi që shpejt t’u vinte fmija i parë (fill mbas nji vjeti, me 12 qershor 1926), do t’ishte nana ime, Vitore Vushmaqi, po edhe 5 fmijë të tjerë mbas saj… (1 djalë e pesë vajza). Në vitin 1931, familja u detyrue me e lanë Pejën dhe me u vendosë në Tiranë.

Familja Vushmaqi - Tirane - 1941
Familja Vushmaqi – Tirane – 1941 Viktori – Vitorja – Rexhina – Maria – Adelajdja – Xhuzepina – ulur Frano e Katerina

Katerina, vlen me u theksue, se i përkiste nji familjeje mjaft të njoftun e të kamun në Pejë, Çivlakëve, e me gjithë fatin e keq të jetës, axhat e saj në martesë i kishin dhurue nji gjerdan ari të rrallë me nji vlerë tejet të madhe, e që ishte ma e shtrenjta gjà n’familjen e Vushmaqëve, të cilën ajo e në pak ma shumë se dhjetë vite e kishte mbushë me fmijë…!!
Mbas vendosjes në Tiranë, fati e ndihmoj familjen Vushmaqi, me përparue ekonomikisht, në përpunimin e mishit e të sallamit, e mkambja e tyne ishte e dukshme. Në fund të vjetit 1943, vajza e tyne e parë tashma 17 vjeçare, Vitorja, u martue me Lazër Radin, e në krye të vjetit u erdh dhe fëmija i parë – Veronika… Kur gjithçka dukej se po ecte normalisht, befas në dyert e tyne u shfaqën djajtë e kuq, e nuk u mjaftuen me futjen e të shoqit në burg, vdekjen e foshnjës pa mbushë vjetin, burgosjen e axhës Pjetër Llesh Vushmaqit, oficer i naltë, falimentimin e biznesit të familjes përmes taksimit dhe sekuestrimeve, largimin e tyne nga Tirana, por në vjetin 1952, i arrestojnë edhe vajzën e tyne të madhe, torturimi i së cilës në hetuesi kishte kalue çdo limit të mëndjeve ma djallzore, ku ajo e dënue me dhjetë vjete burg!!!!
Gjatë vuejtjeve në burg, Vitores në vjetin e pestë i shfaqet edhe sëmundja e tuberkulozit, asokohnash e pashërueshme… dhe n’se bahej nji lutje, edhe mundej me dalë prej burgu e me i kalue ditën e fundit pranë familjes…!!

Vitore Radi 1951 - foto e arkivit te Ministrisë së Brendëshme
Vitore Radi 1952 – foto e arkivit te Ministrisë së Brendëshme

Pikërisht në kët moment jete shfaqet edhe madhështia e Gjyshes sime, Katerinë, e cila n’atë kohna kishte edhe dhimbën e djalit të vetëm që e kishte lanë Shqipninë, po edhe vdekjen e vajzës së parafundit Maries… Kur merr vesh sëmundjen e së bijes në burg, dhe faktin se kura e penicilinës mund të gjendej me miq jashtë shtetit… ajo nxjerr prej syndukve ma të mshehtë… gjerdanin e martesës, gjen mjekët që e vizitojnë të bijën në burg… e përmes tyne porosit kurën e ilaçeve që mund të gjendeshin vetëm jashtë vendit dhe angazhon avokat, që n’bazë të ligjeve në fuqi, për sëmundjen që shkaktote vdekjen t’i falej dënimi i së bijës… Gjerdani i Arit i Çivlakëve të Pejë, i çeli si me magji tana portat e shpëtimit të jetës asaj grueje 30 vjeçare. Ishte Doktor Shefqet Ndroqi, mik i Lazër Radit në vitet universitare në Itali, që jo veç kishte me përcaktue diagnozën po do të ndihmonte në porositjen e ilaçeve, dhe në futjen e tyne n’mshehtësi të plotë në burgun, ku ajo po vuente vitin e 6 të dënimit…

Kampi i Çermes - 1958 në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 në krye
Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Katerina Çivlaku – Vushmaqi, vdiq vetëm pak kohë mbasi e vajza e saj e madhe Vitorja doli prej burgu, dhe u desh të ndiqte fatin e burrit të saj…! Ajo vdiq në paqe e në lumtuni, pse mori vesh se vajza e saj e madhe priste fëmijë, po jo veç ajo, po edhe dy vajzat e tjera prisnin fëmijet e tyne të parë… e gjithçka kishte ndodhë falë atij gjerdani dhurue prej familjes së saj në Pejë, që nuk kishte shpëtue nji jetë, po kishte pshtue vazhdimësinë e nji jete në nji jetë ku ajo kishte pësue pafund prej fatit, e që sot Zoti ka dashtë që ajo të ketë me dhjetra nipa e stërnipa… dhe emnin e saj sot e mban mbesa e saj ma e madhe, që jeton në Romë, e që asht mbi shtatëdhjetë vjeçe! Katerina Vushmaqi – Di Capua!

Lazer Radi, Katia (Vushmaqi), Marko (Di Capua) dhe unё, Genzano - 15 qershor 1991
Lazer Radi, Katia (Vushmaqi), Marko (Di Capua), Genzano – 15 qershor 1991

Nana ime i qe mirnjoftëse përjetë nanës së saj, dhe kishte nji dhimbje të pakufi kur kujtonte dhe rrëfente për nënën e saj, këto grimca kujtimesh të cilat unë i mblodha si pika lotësh të dramave tona të pafundme të mbijetesës…
Dritë paç nana ime që edhe emrin tim të vogël, e kishe të lidhun me devocionin e shenjtë ndaj Shnandout, që asht pak i lidhun edhe me ditën tande të lindjes…
12 qershor 2022

Lazer dhe Vitore me dy nipat e tyre- Ervis Dine dhe Antonio Saver 1989
Lazer dhe Vitore me dy nipat e tyre-
Ervis Dine dhe Antonio Radi – Saver 1989

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.