back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Gjergj Fishta Dhe “Këngëtari i verbër” i tij në gjuhën frënge – nga Begzad Baliu

Gazeta

Gjergj Fishta - Le Luth de Montagnes
Gjergj Fishta – Le Luth de Montagnes

Gjergj Fishta Dhe “Këngëtari i verbër” i tij në gjuhën frënge

nga Begzad Baliu

Në vend të hyrjes

Brenda më shumë se një shekulli që kur filluan së botuari këngët e Lahutës së Malcis, janë bërë shumë botime në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera: gjermanisht, italisht, anglisht dhe tani së fundi frëngjisht. Në të vërtetë botime të Lahutës së Malcis mund të konsiderohen në radhë të parë botimet e këngëve veç e veç, një traditë kjo e hershme dhe e pranishme dhe në letërsinë europiane; botim i dytë sigurisht është botimi i plotë, historik i saj, i vitit 1937; botim i tretë është ai i Romës, Lahuta e Malcis (e pajisun me argumenta e sqarime fjalori) (1958). Prej vitit 1958, flitet për ndalimin e saj, më parë se sa për ndonjë botim tjetër të përmasave filologjike e tekstologjike, në ato hapësira ku nuk ishte e ndaluar. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një botim më i plotë në gjuhën shqipe nuk u bë deri më tash as nga individë, as nga botues, as nga institucione akademike. Duhej të vinte jo një ribotim, po një përkthim, të zgjeronte përmasat historike dhe filologjike të Lahutës së Malcis, përkthimi i saj nga Abidin Krasniqi në gjuhën frënge (Paris, 2019).
.

Duke pritur një mysafir të rrallë nga Parisi

Një vit më parë, kolegu i motshëm Reshat Sahitaj më ftoi për kafe me një nga miqtë e tij të rrallë, studiuesin e ri të sapoardhur nga Parisi, Abidin Krasniqin. Gjatë takimit, Reshati më shumë më foli për babanë e tij, regjisorin e lavdishëm të viteve ’70 Sefo Bejto Krasniqin, se sa për studiuesin e ri e përkthyesin e kryeveprës së letërsisë shqipe Lahuta e Malcis, ndërsa Abidini kërkoi që takimin ta vazhdojmë pas një ore në kabinetin tim.
E prita i menduar Abidin Krasniqin, një mesoburrë me shikim 25%, që do të vinte vetëm, duke kaluar rrugë, trotuare, shkallë dhe hapësirë të pasistemuar tokësore, sikur i gjen në të gjitha rrugët e Kosovës. E, Abidin Krasniqi po e bënte një punë për të cilën, sikur theksonte përkthyesi i Iliadës së Homerit, Ilia Ballauri, duhej sprovë e madhe e forcës fizike dhe madje e forcës së guximit intelektual. Abidin Krasniqi të parën ma kishte thënë që në bisedën e parë, kur më kishte folur për udhëtimet e tij të gjata interkontientale nga Franca në Amerikën e Jugut, nga Egjipti në Indi e Nepal, por pamja e shëndetit të tij nuk më thoshte këtë, dhe si për të më plotësuar atë anën tjetër të medaljes, modestia e tij e skajshme njohëse që e deklaronte mbi letërsinë, më bënte të pashpresë. Kohë më parë kisha lexuar i mahnitur përkthimin e Ferrit (me komente), të Dante Aligerit, nga Meritan Spahija (2018), i cili me pamjen e tij fizike të kujtonte burrat legjendarë të Veriut të Shqipërisë, po Abidinit sikur i mungonin të dyja. Ballauri (Syshqiponjë) i përkthimit të Iliadës së Homerit dhe Meritani (Vigan) i përkthimit të Ferrit të Dante Aligerit, sikur bashkoheshin te legjenda homerike për Këngëtarin e Verbër.
Ishte koha kur unë mezi po prisja të vinin krishtlindjet dhe të filloja së lexuari përkthimin e Iliadës së Homerit nga Llambro Ruci. Do të ishte ky leximi i pestë i Iliadës së Homerit nga përkthyes të ndryshëm në gjuhën shqipe, nga Naim Frashëri deri te Ilia Ballauri e Llambro Ruci.
.
Gjergj Fishta - Lahuta e Malcis
Gjergj Fishta – Lahuta e Malcis

Lahuta e Malcis dhe orientimet e P. Daniel Gjeçajt

Abidin Krasniqi erdhi në kabinet më herët se ç’e prisja dhe në vend se të ulej filluam së biseduari duke parë vepra e materiale të tjera dokumentare, ku të radhitura e ku të grumbulluara e të mbërthyera rreth mureve. Shumë shpejt më bëri një CV gojore të tij dhe kërkoi të bisedoja me atë e jo me atë përmes biografisë së prindit të tij. Më bëri shumë përshtypje njohja e jashtëzakonshme e literaturës në fushë të trashëgimisë materiale e shpirtërore shqiptare, të cilat i prezantonte si dije sociologjike e antropologjike e më pak albanologjike dhe, edhe më pak, historiko-letrare e gjuhësore. Kulturën shqiptare e prezantonte si dije universale, ndërsa interesimet e tij si një gjen të trashëguar të identitetit shqiptar brenda saj.
Duke parë librat në vitrinat e stërmbushura, ai më foli për shumë shkrimtarë dhe vepra të lexuara të letërsisë franceze, po në të gjitha rastet insistonte të më fliste nga pozita e lexuesit. Vetëm pasi morëm e rimorëm fjalën për letërsinë epike, përkatësisht për Lahutën e Malcis, Abidin Krasniqi filloi të më fliste për punën e tij të gjatë e të madhe për leximin, njohjen e saj të hershme, rileximin e rinjohjen e saj të fundit dhe përkthimin në gjuhën frënge.
Më bënë përshtypje sidomos njohjet e tij të metrikës së vargut dhe përpjekjet e tij që Lahutën e Fishtës ta përkthente në vargun dhjetërrokësh, por pa sukses dhe së fundi përkthimin e tetërrokëshit të Fishtës në nëntërrokëshin francez, me qëllim që të transmetonte më mirë mesazhin, në të vërtetë, sikur theksonte, me qëllim që sa më mirë të ruaj ritmin, frymën poetike të vargut, metrikën, pa u larguar nga kuptimi i tyre, po sidomos për të ruajtur numrin e vargjeve si në gjuhën shqipe ashtu edhe në frëngjisht.
Më bëri përshtypje gjithashtu literatura e gjerë e autorëve shqiptarë dhe sidomos të huaj, që kishte lexuar në të gjitha fushat (gjuhësore, letrare, historike, folklorike, etnografike), në të mirë të pasurimit të saj edhe me ata përbërës të tjerë, të cilët i mungonin botimit shqip, e në të vërtetë nuk duhej t’i mungonin botimit në gjuhën frënge.
Duke i folur për përkthimin e Iliadës nga greqishtja dhe pajisjen me shënime sqaruese për emrat e ngjarjet nga Llambro Ruci, (Tiranë, 2019) si dhe një shtesë me Studime homerike, ku janë përfshirë katër tekstet përfaqësuese homerike në përmasa botërore, Fjalorthin e emrave dhe Literaturën, në rreth 170 faqesh, si dhe punën brilante të përkthimit e pajisjes me shënime të Ferrit të Dante Aligerit nga Meritan Spahija, bisedën e kaluam te i fundmi filolog dhe botues i Lahutës së Malcis të Gjergj Fishës (1958), si dhe orientimet e tij për botimin e saj marrë parasysh lexuesin shqiptar:
Në Parathënien e botimit të vitit 1958, P. Daniel Gjeçaj shkruante: “Lahuta për herë të parë del e numrueme nder vargje” (XII); (…) “Qëdo kange i âsht paravû argumenti përkatës…” (XIII); (…) “Fjalët e përsrituna në të njëjtën kangë zhvillohen vetëm njëherë(…) janë lanë, përkundra, pa u sqarue gjithë ato zaje e fraze, të cilat nga vetë auktori spjegohen nder rreshta…”. (…) “Zhvillohen, përkundra, shum emna toponomastikë, mbasi, mbas mendimit tem, këta e bâjnë leximin mâ të gjallë dhe shpesh e shtyjnë lexuesin të marr pjesë ndër ngjarje të përshkrueshme me aq përshtatmëni” (XIII) (P. Danjel Gjeçaj, Paraqitje, në At Gjergj Fishta, O.F. M., Lahuta e Malcis (e pajisun me argumenta e sqarime fjalori), botimi i dytë, Romë, 1958).
Natyrisht as Abidin Krasniqi nuk kishte arritur të përmbushte kërkesat e lëna peng të Daniel Gjeçajt, ashtu sikur nuk i ka plotësuar as një botues a institucion i specializuar për botime akademike as për Lahutën e Malcis, as për ndonjë botim tjetër të Fishtës apo autorëve të traditës, përjashto Mesharin e Gjon Buzukut. Por, përkthyesi i ri, sociologu, në të vërtetë antropologu dhe kulturologu e përkthyesi i pazakonshëm, veprën e tij e kishte plotësuar me mbi shtatëqind referenca, të cilat e ndihmojnë jo vetëm lexuesin frankofon, po e nderojnë edhe letërsinë shqipe. Në këtë aspekt, sikur e theksonte edhe ai, kishte punuar shumë, dhe e konsideronte përmbushjen më të madhe të pritjeve të tij. Këtë, mbase për herë të parë pa modesti, e konsideronte edhe vlerësimin më të madh që ia kishin bërë personalitetet akademike franceze. Kësaj po i gëzohesha edhe unë. Faqe të tëra me shënime në fusnotë, bënin më shumë se një disertacion i zakonshëm i doktoratës, ndërsa literatura e pasur dhe shteruese, shpjegimet e hollësishme dhe korrekte, vlerësimet kritike dhe të matura i plotësonin natyrshëm objektivat, hipotezat dhe pyetjet e një projekti serioz, i cili i mungon sot dijes shqiptare.
.
Monument i At Gjergj Fishtës
Monument i At Gjergj Fishtës

Projekti Eposi në ndërdijen kombëtare dhe shoqëria shqiptare

Diskutimi ndaloi për një çast kur i erdhi radha të shihnim materialet e lidhura me biografi këngëtarësh dhe sidomos projektin prej 17 vëllimesh me titull Eposi në ndërdijen kombëtare, një hulumtim në terren prej rreth 3500 faqesh kompjuteri dhe dosjeve të tëra të mbushura me shkrim dore, të cilat sigurisht një ditë do të japin edhe dy a tre vëllime të tjera. I thashë se fjala është për një pyetësor prej 49 pyetjesh me të cilat është bërë matja, përkatësisht përshkrimi i gjendjes së eposit te dëgjuesit dhe recituesit e këngëve epike po jo edhe rapsodët. Nëse në rastin e parë është bërë biografia e rapsodëve dhe përshkrimi i titujve të këngëve që dinë, në rastin e dytë është bërë matja e njohjes së vargjeve apo tregimit në prozë të tyre dhe ndikimi që kanë pasur ato në jetën personale, familjare dhe shoqërore, që nga lindja deri tek vdekja. Kjo matje është bërë në nivel të fshatit a qytetit, krahinës dhe më gjerë.
Nëse në rastin e parë, duke përshkruar biografinë personale të këngëtarëve dhe korpusin e këngëve të tyre, kam bërë njëkohësisht edhe identifikimin e disa prej këngëtarëve për të cilët nuk kemi qenë të pavetëdijshëm për pasurinë epike që kanë, në rastin e dytë kemi identifikuar dhe përshkruar situata shumë të rënda, madje sa epike aq edhe tragjike, të ndikimit të tyre në jetën familjare dhe sidomos në raport me pushtetin serb.
I thashë se duke hulumtuar biografitë individuale papritmas kam kuptuar se rapsodi me fondin më të madh të eposit nuk gjendej në krahinën e Rugovës, të Drenicës apo diku në Rrafshin e Dukagjinit, ku janë edhe oazat më të pasura të eposit, po në krahinën e Llapit dhe Gallapit, atje ku në të vërtetë eposi po shteron. E, ky është Enver Maliqi nga fshati Batllavë i Besianës, i njohur në opinion si Enver Batllava. Në këtë rrjedhë, i thashë se një rapsod posaçërisht i pasionuar i eposit tashmë jeton në Zvicër, ndërsa në dorë mbaja një vëllim të Ajet Shalës me këngë tashmë të radhitura me kujdes, po që donin edhe një dorë redaktimi e rishikimi në kontekstin dialektor të të folmes së Drenicës.
Do të bisedojmë më tha për vëllimet me këngë epike, por paraprakisht dua të them se më vjen keq që nuk i kam pasur në dorë kërkimet mbi eposin në ndërdijen kombëtare, natyrisht para se ta botoja përkthimin e Lahutës së Malcis së Gjergj Fishtës. Për më tej, më vjen keq që për këtë fond të fshehur në këndin e një kabineti, pa shprese se do të botohet së afërmi, sikur shpreheni Ju, nuk kam ditur tri vjet më parë, sepse do të kisha pasur mundësi që në këtë kabinet të punoja tri vjet me radhë, aq kohë sa shoh se më duhet. Me këtë korpus të mbledhur në popull, do ta pasuroja më shumë, do ta bëja më të përdorshme dhe më efektive veprën e Gjergj Fishtës, Lahuta e Malcis. Në të vërtetë do ta pasuroja shumë me veçoritë sociologjike të jetës së popullit shqiptar dhe jo vetëm me ato historike, sikur e kam bërë.
Ndërkohë që biseda jonë po i afrohej fundit, unë hapa mundësinë e diskutimit për perspektivën e bashkëpunimit tonë. Pasi i tregove për mënyrën e bashkëpunimit me albanologun e madh Robert Elsie, i propozova disa projekte, por ai e saktësoi shpejt propozimin tim, duke mënjanuar menjëherë të pamundurat. E të pamundura, sikur theksonte ai ishin: përkthimi i poezisë artistike, prozës dhe dramës. Kishim mundësi të bëjmë dy punë: përkthimin e teksteve me karakter historik dhe ajo në të cilën ishte orientuar tash për tash dhe kishte në dorë mjetet e punës, – eposin.
Pres të kem përkrahjen tuaj, më tha, për realizimin e një projekti prej tri vëllimesh me këngë epike, duke përfshirë këtu edhe përzgjedhjen e disa këngëve nga fondi im i pabotuar. Natyrisht e pranova me kënaqësi, duke ia kujtuar se isha gati t’i ndihmoja në mbledhjen e një korpusi paraprak të eposit, nga kënga e parë, e shënuar nga Gustav Majeri në fund të shek. XIX, e deri të vëllimi i fundit, i botuar në gjuhën angleze nga Robert Elsie, po duke shtuar këtu edhe ndonjë këngë nga fondi im i viteve të fundit.
Me studiuesin e ri, në të vërtetë përkthyesin dhe studiuesin Abidin Krasniqi, biseduam gjatë për projektin, për të cilin ai, sikur shprehej, nga aspekti teorik e metodologjik ende nuk kishte vendosur për disa aspekte themelore: a do t’i përkthej dhe prezantoj para lexuesit frëngjishtfolës këngët më të arritura nga këndvështrimi i formës, i estetikës, apo ato që përfaqësojnë më së miri larminë e eposit tonë kombëtar? A do t’i favorizojë në pikëpamje gjeografike, domethënë, të përfshijë këngë nga të gjitha trevat shqipfolëse, apo do të bëjë një prerje vertikale historike?
Kjo e fundit, sikur besonte, se do t’i dalë më e arrirë sepse në këtë mënyrë do të arrinte të përkthente majat e saj, duke përzgjedhur vlerat e përkryera që janë ruajtur brez pas brezi, natyrisht edhe janë botuar.
Kishte përkthyer tashmë dy këngë dhe ishte duke përkthyer këngën Muja dhe Behuri nga Visaret e Kombit. Mendonte se ky projekt duhej të kishte dyzet këngë. Për momentin, ishte duke i zgjedhur ato, duke u përpjekur të marrë parasysh edhe cilësitë e tyre letrare. Kureshtja e lexuesit të huaj, thoshte, duhet të mbahet, përndryshe puna ime si përkthyes nuk ka vlerë, por duhet ruajtur edhe origjinaliteti i tyre për nga ngjarjet dhe motivet.
Pastaj i vjen radha hulumtimit në fondin tim Eposi në ndërdijen kombëtare për tua dhënë “sfondin jetësor” bëmave të heronjve, hapësirave historike dhe etnike, veshjes kombëtare, veseve e virtyteve kombëtare, shenjave e simboleve kombëtare, ubifikuese e identifikuese të mikrotoponimeve e ojkonimeve legjendare të hapësirës kombëtare, bestytnive etj.
.

Abidin Krasniqi dhe Lahuta e Malcis, përkthyer prej tij në frëngjisht
Abidin Krasniqi dhe Lahuta e Malcis, përkthyer prej tij në frëngjisht

Një fillim i ri

Thonë se popujt lëvizin drejt perspektivës kur në vendin e tyre bëhen ndryshime ekonomike dhe sociale. Në të vërtetë popujt lëvizin përpara kur në jetën e tyre bëhen lëvizje kulturore dhe ato ndryshime vërehen kur letërsia klasike vendoset në fronin e dijes së institucioneve të tyre. Në shoqërinë shqiptare ka shumë dëshpërime dhe mungesë besimi në perspektivën e saj. Mbase fillimin e një Ere të Re e paralajmëron përkthimi i ri i veprave të klasikëve, si ato të Homerit, Dantes, Shekspirit etj. Kultura shqiptare, pas botimit të “Mesharit” të Gjon Buzukut nga Profesor Eqrem Çabejt, nuk ka trashëguar ndonjë botim të kryeveprave të saj, e botime të këtilla filologjike, anastatike, tekstologjike, me shënime ortografike, gjuhësore, semantike, toponimike, semantike, historike, etnografike, gjeografike, ubifikuese, kulturore, etnologjike etj., duhet të bëhen e shpresoj do të botohet vepra e Marin Barletit Historia e Skënderbeut, veprat e Jeronim de Radës, veprat e Naim Frashërit, veprat e Sami Frashërit, veprat e Fan Nolit, romanet politike të Ismail Kadaresë, Dimri i vetmisë së madhe dhe Koncert në fund të dimrit, si dhe ditarët e Rexhep Qosjes, Dëshmitar në kohë historike, ribotimi i të cilëve sigurisht do të konsiderohet i plotë, vetëm kur të botohet me faksimile të dorëshkrimit me dorë (stilolaps) i përcjellë edhe me shënime e të dhëna historike dhe biografi emrash e shënime vendesh e shpjegime situatash historike, të përfshirë aty. Ribotimi i tij do të bëhet shumëfish i kërkuar edhe për faktin se ai sigurisht të ribotohet në vëllime të tjera të vjela nga ditari, si: vëllime me tregime, vëllime me ese, vëllime me leksik të zgjedhur, vëllime me tema gjuhe, vëllime me portrete personalitetesh, vëllime me frazeologji të përzgjedhur, vëllime me tema të caktuara sociologjike, vëllime sprovash kulturore, vëllime përsiatjesh filozofike, vëllime polemikash, vëllime trajtesash politike etj.
Shembulli i botimit në gjuhën frënge i veprës së Gjergj Fishtës, Lahuta e Malcis (Paris, 2019), është një model brilant i ribotimit edhe në gjuhën shqipe.
.

Homerologët po rikthehen

Homerologët po rikthehen si përkthyes, si botues, si filologë, si tekstologë, si dantologë, si fishtologë. Pse të mos kthehen. Studiuesit thonë se edhe anglezët e largët e të ftohtë te Homeri janë kthyer duke e përkthyer atë më shumë se tetëdhjetë herë, gjermanët mbi dyzet herë. Studiuesit thonë se edhe anglezët aristokratë e refuzues ndaj Lindjes e Perëndimit, Veriut e Jugut, në ujërat e nxehta të Mesdheut janë kthyer jo më pak se tetëdhjetë herë për Homerin. Për Fishtën dhe Lahutën e Malcis, vetëm një herë. Po shqiptarët sa herë deri më sot janë rikthyer? Pak, tepër pak! Më parë se sa adhuruesit e Lahutës, për shkrimtarin e lavdishëm kanë bërë kundërshtarët e tij, jo vetëm duke e nxjerrë nga literatura veprën e lavdishme të tij, po duke nxjerrë nga varri edhe trupin e tij.
Adhuruesit e tij janë mjaftuar me ankesa dhe deklarata e artikuj gazetash!
Radhën e ka Abidin Krasniqi.
ABIDIN KRASNIQI – me shkronja të mëdha.
Prishtinë, dhjetor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.