back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Gjergj Hani, 16 vjeçari – që sfidoi regjimin komunist duke tentuar arratisjen i vetëm (Gazeta Dielli)

Gazeta

Djaloshi Gjergj Hani
Djaloshi Gjergj Hani

Gjergj Hani, 16 vjeçari – që sfidoi regjimin komunist

duke tentuar arratisjen i vetëm (Gazeta Dielli)

Gjergj Tomor Hani, i persekutuar, i përndjekur, i burgosur
dhe i dënuar prej regjimit komunist shqiptar,
rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”,
Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York,
arrestimin, vuajtjet, dhunën, torturat, përgjimet, hetuesinë
dhe qëndresën në burgjet komuniste të shqiptarëve të pafajshëm.
Me Gjergj Hanin bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

Vendimi gjyqsor ndaj 16 vjeçarit nga Spartak Braho
Vendimi gjyqsor ndaj 16 vjeçarit nga Spartak Braho

Persekutimi i familjes së Gjergj Hanit, gjyshi – 101 vite burg 

Quhem Gjergj Tomor Hani, i datëlindjes 13.05.1969. Lindur dhe rritur në Durrës në një familje antikomuniste. Gjyshi nga babai, Eqerem Hani kishte mbaruar shkollën teknike amerikane që asokohe drejtohej nga Harry Fultz. Pas lufte, meqënëse ishte njohës i mirë i gjuhës angleze punoi si përkthyes pranë misionit amerikano-britanik të U.N.R.A-s. Pas prishjes së marrëdhënievë diplomatike me Britaninë e Madhe dhe me SH.B.A-në, fakti që kishte punuar si përkthyes pranë këtij misioni, u përdor si akuzë ndaj tij për ta dënuar si agjent në shërbim të anglo-amerikanëve. U dënua me 101 vite burg, dhe u dërgua për të vuajtur dënimin në kampin që punonte për tharjen e kënetës së Maliqit. Gjyshja, nëna e babait kishte një vëlla dhe një djalë xhaxhai të pushkatuar nga komunistët menjëherë pas çlirimit, si dhe një vëlla tjetër që u arrestua në vitin 1975, më akuzat e sabotazhit dhe agjitacion e propagandës, dhe u dënua më 25 vite heqje lirie. Edhe ky vëlla i gjyshes vdiq në burg në pranverën e vitit 1990, në një “aksident” në punë tejet të dyshimtë. Pra kjo ishtë klima politikë në të cilën u linda dhe u rrita. 
.

Arratisja prej një regjimi që dukej se nuk do binte kurrë

Vdekja e diktatorit Hoxha më gjeti nxënës në vitin e dytë gjimnaz. Natyrisht që si shumë nga ata që prisnin e dëshironin rënien e komunizmit, edhe unë, e lidhja në mënyrë të pashmangshme rënien e regjimit me vdekjen e diktatorit, gjë e cila nuk ndodhi, dhe sot kuptoj se kjo pritshmëri ishte tejet naive. Menjëherë pas vdekjes së Hoxhës, u vu re një shtim i represionit nga organet e sigurimit të shtetit, që natyrisht i druheshin ndonjë përmbysje të papritur të sistemit që mund të vinte si pasojë e vdekjes së atij që përfaqësonte dhe ishte de facto mishërimi total e totalitar i atij regjimi. Duke parë masat represive, që të krijonin përshtypjen e soliditetit e qëndrueshmërisë së regjimit, e mungesës së dukshme të vullnetit për të ndryshuar, m’u krijua bindja së ky regjim nuk do të binte kurrë në Shqipëri, dhe vendosa pa asnjë mëdyshje së unë nuk do ta kaloja jetën duke pritur të ndodhte ajo që për mua në atë kohë kishte shumë pak gjasa të ndodhte, në mos ishte e pamundur. Pra vendosa të tentoja arratisjen. Për të shmangur ndonjë dekonspirim të mundshëm të tentativës simë, evitova ta bisedoja me njeri vendimin tim, e duke qenë tërësisht i bindur në atë që kisha vendosur të bëja nuk e ndjeva të nevojeshme të kisha shokë. Duke e ditur fare mirë së ishte shumë e vështirë t’i afroheshe zonave kufitare fillova të kërkoj një mënyrë dhe një vend, ku të ishte e mundur t’i afrohesha sa më shumë kufirit pa rënë në sy, dhe vendi më i përshtatshëm m’u duk zona e Pogradecit, meqënëse treni asokohë ndalonte në Gur të Kuq. 
.

Një 16 vjeçar që sfidoi regjimin duke tentuar arratisjen i vetëm

Më 27 Maj 1985, rreth një muaj pas vdekjes së Hoxhës tentova të kaloj kufirin në afërsi të fshatit Lin. Për një fatalitet që mund të shmangej u kapa nga një ushtar i kufirit rreth 80 m pa dalë matanë. Kapja ime asokohe bëri një bujë të madhe, pasi u konsiderua si një këmbanë e rrezikshme alarmi për organet e sigurimit dhe të partisë. Me sa mora vesh më vonë, sekretari i parë i rrethit Durrës, që në atë kohë ishte Muho Asllani, thirri një mbledhje urgjente në komitetin e partisë, e duke ulërirë i pyeste të pranishmit në mbledhje së si ishte e mundur që një 16 vjeçar të tentonte të arratisej i vetëm. Gjatë periudhës së hetuesisë që u zhvillua në birucat e Degës së Punëve të Brëndshme Durrës, hetuesi u përpoq të mësonte nga unë se me kë kisha biseduar, e kush më kishte shtyrë të ndërmerrja një veprim të tillë? Këmbëngulën gjatë që të më bënin të pohoja se kishte qenë familja ajo që më kishte ushqyer ide të tilla, pasi nga hetimet e tyre në rrethin shoqëror të shkollës, natyrisht që nuk kishim mësuar asgjë, pasi kisha qenë shumë i kujdesshëm në bisedat dhe sjelljen time, madje mund të konsiderohesha një nxënës shumë i mirë. Pa dyshim që mohova çdo përfshirje të familjes sime në aktin e kryer, dhe për këtë isha në të vërtetën e në të drejtën time, pasi nuk kisha biseduar me askënd. Meqënëse tentativë e arratisjes konsiderohej si “Tradhëti ndaj Atdheut”, ky “krim” gjykohej nga gjykata ushtarake, dhe ditën e gjyqit u përballa më Spartak Brahon, që asokohe ishte gjyqtar ushtarak pranë gjykatës së Durrësit. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura, dhe merrnin pjesë vetëm disa familjarë dhe një përfaqësi e trupit pedagogjik të shkollavë të qytetit. 
.

16-vjeçari Gjergj Hani në kohën e arrestimit, i paraburgosur në Degën e Punëve të Brendshme Durrës
16-vjeçari Gjergj Hani në kohën e arrestimit,
i paraburgosur në Degën e Punëve të Brendshme Durrës

Dënimi i të miturve, shqipëria komuniste

shkelte konventën për të drejtat e njeriut dhe të miturve

U dënova me 10 vjet heqje lirie që për arsye të moshës së mitur u përgjysmuan në 5 vjet. U dërgova për të vuajtur dënimin në repartin e riedukimit 311, Qafë-Bar në Tuç të Pukës. Ndonëse në bazë të Konventave Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të miturve, (të cilat ishin njohur e firmosur edhe nga Shqipëria e Hoxhës,) një i mitur nuk mund të dërgohej në një kamp punë, pra në shkelje të atyre konventave që vetë komunistët kishin njohur e firmosur, unë u dërgova pikërisht në një kamp pune, ku fiks një vit më parë kishte ndodhur një revoltë e të burgosurve, revoltë e cila u shtyp me dhunë e me gjak. Le të imagjinoni klimën e terrorit që gjeta në kamp! Sapo zbritëm nga autoburgu, pas 8 orëve rrugë të mundimshme, të lidhur siç ishim dy e nga dy, ndërkohë që një zinxhir i gjatë përshkonte të gjitha prangat tona si një rruzarë e dhimbjes, që bënte të pamundur edhe lëvizjen më të vogël, pa i shkaktuar dhimbje vehtes dhe shokut që kishe në krah. Autoburgu ishte një rreth ferri më vehte që i paraprinte rrethit të kampit. Ishte një kazan llamarine, një vrimë e errët e pa ajër montuar në telajon e një kamioni IFA. Orët e atij rrugëtimi, mes diellit që digjte pa mëshirë, mungesës së oksigjenit, e të vjellave të shkaktuara nga tronditjet e rrugëve të pashtruara, dukeshin pa fund, ashtu siç pa fund ishte zbritja në rrethin e nënte të ferrit të kuq, ku për shumkënd, vdekja mund të konsiderohej “kapak floriri”. Tashmë jeta më ka mësuar që rastësitë nuk egzistojnë, ndaj jam i bindur që u dërgova në Qafë-Bari më synimin e qartë për t’i shtuar ndëshkim ndëshkimit, e dhimbje të tjera dhimbjes. Në Janar të vitit 1986 u lirova, pasi përfitova nga amnistia e shpallur atë vit me rastin e përvjetorit të shpalljes së republikës. 
.

Liria që zgjati shumë pak…

Menjëherë pas lirimit, me të mbërritur në Durrës, u paraqita në Degën e Punëve të Brëndshme dhe dorëzova fletën e lirimit. Kjo ishte një praktikë e detyrueshme për çdo të burgosur politik, i cili që nga ai moment vihej nën vëzhgimin e policisë politike, apo sigurimit, siç quhesh rëndom asokohe. Familja kërkoi që unë të vazhdoja shkollën, por natyrisht një kërkesë e tillë nuk u pranua, dhe më dërguan të punoja në ndërmarrjen e komunale-shërbimit, në brigadën e kanalizimeve. Ajo brigadë ishte e përbërë nga ish të burgosur ordinerë, dhe merrej më zhbllokimin e kanaleve, apo hapjen e kanaleve të reja nëpër qytet. Natyrisht që u dërgova të punoja pikërisht aty, jo pa qëllim! Të punojë me kazëm e lopatë në mes të qytetit, i llangosur prej baltës e pluhurit, bënte pjesë në “dekorin” e poshtërimit, depersonalizimit e vuajtjes që regjimi u rezervonte të gjithë atyre që bënin pjesë në listat e tij të zeza, ndërkohë që prisnin radhën për t’u kthyer sërish aty, prej nga kishin dalë rastësisht, o si pasojë e një fataliteti të padëshiruar për regjimin, gjë e cila ndodhi edhe më mua. Kësaj radhe u siguruan që të mos dilja më. Më lanë të mbushja 18 vjet, më qëllim që të merrja dënimin e plotë, dhe në Korrik të ’87 më arrestuan sërish më akuzën e: Përgatitje për Arratisje, dhe Agjitacion e Propagandë. Natyrisht që ishte një proces krejtësisht i montuar e i sajuar më ndihmën e dëshmitarëvë të manipuluar nga trysnia e frikës që ngjallte Sigurimi i Shtetit nëpërmjet shërbëtorëve të tij të zellshëm. Pas një muaji hetuesi u largua hetuesi Zamir Stefani dhe çështjen time e mori Agim Ferizaj, i cili asokohë ishte zv.shef i hetuesisë së rrethit Durrës, më specifikën e krimeve politike. 
.

Torturë dhe presion ndaj familjes

Ndërkohë familjes sime nuk i pranonin ushqimet dhe ndërresat që më sillte, ndërsa mua më thoshin se familja më kishte mohuar si armik i partisë e popullit i cili isha. Natyrisht që tashmë kisha një eksperiencë të mjaftueshme për të kuptuar këtë lojë naive të sigurimit për të më kundërvënë ndaj familjes, që kështu të më nxisnin të flisja kundër tim eti e xhaxhallarëvë të mi. U thashë se nëse më kishin mohuar mirë kishin bërë, pasi ata kishin jetët e tyre e unë timen. Pas 6 muajsh hetuesi më nxorën në gjyq dhe më dënuan me 11 vjet heqje lirie e më pas më çuan sërish në Qafë-Bari. Ndërkohë babanë tim të ndjerë, e kishin hequr nga puna me arsyetimin se Kantieri Detar Durrës ishte zonë kufitare, e aty nuk mund të punonte më babai i një armiku konseguent e të betuar siç isha unë. Nëse herën e parë nuk e dija se ç’ishte Qafë-Bari, tashmë edhe pse e dija uroja të më çonin sërish atje, pasi njihja ambientin e kisha njohur njerëz të mirë, dhe e konsideroj vehten me shumë fat që kam patur nderin të ndaj me ta ato vite të vështira të jetës sime. 
.

Të burgosurit e diktaturës, heronj dhe njerëz të lartë

Në burg kam njohur Nuredin Sulën, njeri më botë e ndershmëri civile e intelektuale si pak-kush. Kam njohur Artan Geco, një djalë që vinte nga bota universitare, e me një dialektikë sokratiane mendimi, që kërkonte e vinte në pah kontradiktat në çdo bisedë. Kam njohur Valer Dyrzin, një djalë që vinte nga sallonet e mira të Tiranës, artist me botë e më shpirt prej njeriu të lirë. Kam njohur Lutfi Kelmendin e Sejfulla Tetën, njerëz kurajozë që nuk e ulën kokën kurrë, të cilët kishin kurajon të mos e gëlltisnin gjuhën, por të thoshin atë që mendonin sy me sy me Ludovik Calin, shefin e policisë së kampit, xhelatin e Qafë-Barit. Kam njohur Beqir Caushin, që theu rrethimin e tentoi të fitonte lirinë e mohuar në emër të popullit. Sot këta njërëz jetojnë jetët e tyre pa zhurmë e pa bujë, por nëse ka diçka të mirë brënda meje, pa dyshim që aty janë edhe gjurmët e tyre. 
.

Ferri i burgut…

Natyrisht që lexuesit dhe ju miku im prisni që unë t’ju rrëfej se si ishte ferri i burgut komunist! Se si ishim të detyruar me dhunë, uri, dhe nga nevoja e shumë prej nesh që të ndihmonin familjet e tyre, që të punonin si Sizifi nëpër ato galeri ferri që kullonin acid! Se si ne rriheshim, dënoheshim me birucë në palcë të dimrit, apo si ktheheshim edhe një turn tjetër për të bërë normën nga e para! Se si ishim të detyruar të dëgjonim për orë të tëra njërin prej nesh që na lexonte veprat e “ndritura” të Hoxhës që do të na riedukonin, apo si prisnim zbathur në dëborë që policia të dilte nga ambientet e ngrohura për të na kontrolluar! Them se nuk ia vlen! Nuk ja vlen pasi penë shumë më të mira se e imja e kanë përshkruar me detaje atë realitet të dhimbshëm! Nuk ja vlen pasi rrëfimi i dhimbjes lakuriq e si fakt në vetvehte, nuk shtron pyetje! E shumta që mund të bëjë, është të ngjallë mëshirë, e në këndvështrimin tim mëshirën nga përçmimi e ndan vëtem një hap. Ne nuk kemi nevojë të rrëfejmë! Rrëfenjat ngjasojnë me mitet e nuk varën nga objektiviteti i historisë si shkencë, por i subjektivizmit të individit që i prodhon. 

Gjergj Hani - Burgu i Spaçit 2019
Gjergj Hani – Burgu i Spaçit 2019

Nevoja për të vërtetën dhe një analizë historike

Ne kemi nevojë për një analizë historike që nuk mund të ndodhë pa u shkruar ajo! Kemi nevojë për një analizë të bazuar në fakte, shifra, që shkojnë përtej ndodhive personale që mund të deformohen nga faktori kohë, këndvështrimi personal, konfliktet e brendshme mbi çka vërtet ka ndodhur e çfarë duhet të ndodhte! Ne nuk kemi nevojë për rrëfenja makabre që mund të gudulisin kuriozitete të sëmura! Ne kemi nevojë për të vërtetën, e në këndvështrimin tim, them se e tërë çështja këtu ngec! Ngec në raportin tonë konfliktual me të vërtetën! Shiko miku im, e vërteta nuk është kurrë e bukur, e nëse has ndonjë të tillë nuk është ajo! E vërteta është brutale, e shëmtuar, indiferente, dhe për rrjedhojë e pamëshirshme, e që të përballesh me të duhen këllqe, kurajo përtej së imagjinueshmes e mbi të gjitha vetëdijë e kthjellët! Cilësi këto që mund ti gjesh vetëm tek një njeri i lirë! Shpesh dëgjojmë të na thonë se ne shqiptarët kemi luftuar gjithmonë për liri! A është kështu!? Ne ndoshta kemi luftuar, por edhe kur e kemi bërë, kemi luftuar për çlirim e jo për liri, pasi liria është një rrugë e brendshme që njeriu mund ta bëjë edhe mes telave gjëmbaçë të një burgu.
.

Pas në kohë… 

E shkuara dhe e sotmja shqiptare shkrihen natyrshëm në distopinë e tyre! Shkrihen natyrshëm pasi na thonë se demokracia është sistem politik, ndërkohë që zgjedhjet e fundit në Amerikë e hodhën poshtë katërcipërisht një teori të tillë! Jo miku im, demokracia nuk është sistem, është shkallë evolucioni të çdo individi që përbën një shoqëri të caktuar, e kur ky evolucion ndalet, të njëjtën gjë bën edhe demokracia! Aq më tëpër kur bëhet fjalë për një model të importuar, e jo të gjeneruar e të aplikuar si nevojë e brendshme e një shoqërie! Shiko miku im! Ne ngatërrojmë lëvizjen e lirë me lirinë, tregun e lirë më lirinë, fjalën, shpifjen, trillimin e lirë me lirinë, e nuk arrijmë të kuptojmë se liria përmbledhur në një koncept të thjeshtë, qëndron në faktin se: Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të ta bëjnë ty. Ne kërkojmë të dimë së si ndodhin fenomenet shoqërore e jo përse ndodhin, e ndaj nuk arrijmë të shohim dritën e diellit dje dhe sot! Dje ku konflikti social, apo lufta e klasave e shtrirë në kohë – hapsirë kulminonte në materializmin dialektik, dhe sot, ku materializmi financiar i shtrirë në kohë – hapsirë kulminon në konfliktet sociale, në arrogancën e pushtetarëve, në injorancën e masave. Realiteti shqiptar sot është një realitet i përçudnuar, distopik, produkt i projeksioneve mentale të atyre që e përbëjnë, e klasa politike nuk bën tjetër veç kalëron verbërinë e turmës duke shtuar distopinë e perceptimeve. Me një fjalë miku im, ne pashmangshmërisht i nënshtrohemi teoremës se: “Kush kontrollon të tashmën, kontrollon të shkuarën! E kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen”.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.