back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Gjithkah ding me ish komunistë… nga Mesila Doda

Gazeta

Deputetja Mesila Doda
Deputetja Mesila Doda

Gjithkah ding me ish komunistë

nga Mesila Doda

Ky Kuvend është i pabesë.
Sot, po kryhet pabesia e radhës dhe për këtë po shpenzoni të gjitha energjitë negative që i gëzoni me shumicë dhe po luani këtë teatër të shëmtuar.
Jeni të gjitha palët në një sofër, atje ku keni bërë gosti me çorbën e prishur.
Të gjitha fjalimet e sotme, kundërshtitë, përplasjet, pasqyrimi i mirë apo i keq i situatës së vështirë që po kalon vendi, kanë vetëm një qëllim: Ju more zonja dhe zotërinj nuk dëshironi që të funksionojë ligji i dosjeve.
As keni dashur, as doni, as do të doni që kjo të ndodhë.
I keni të mbushura skuadrat tuaja ding me ish-komunistë, ish-funksionarë të diktaturës, ish-hetues famëkeq, spiunë.
Ndaj, nuk doni që të hapen petët e byrekut.
Asnjëri nuk do, prandaj është krijuar gjithë ky tension.
Nuk e keni sherrin me njëri-tjetrin, por e keni me të gjithë shtresën e qytetarëve të thjeshtë që duan të vënë në paqe ndërgjegjen e tyre me të shkuarën.
E keni sherrin me ata që u persekutuan dhe me ata që kërkojnë të zbulojnë persekutorët dhe bashkëpunëtorët.
E keni sherrin me shëronjësit e ndërgjegjes kombëtare.
Dëshironi të qëndrojmë ende në batak, në gjirizin e historisë.
Ligjërata e sotme është hipokrizi nga të gjitha krahët e politikës. Ka mbi dy vjet që ky ligj qëndron, ja ashtu në dosje, i pazbatuar dhe nuk ka patur asnjë seancë, ku të mos të kem folur dhe të mos kem kërkuar të hapni dosjet dhe të gjitha palët bënin sikur nuk e dëgjonin.

Censurë komuniste...
Censurë komuniste…

Luajtët shurdhin, sot po luani qorrin.
Por, një gjë duhet ta dini se ata që na ndjekin, ata që na votojnë nuk janë as shurdha, aq qorra, as të marrë që t’i merrni ju për budallenj.
Është kaq e rëndomtë dhe banale kjo sjellje paçavure sa po bëheni gazi i botës.
Ju sollëm një ligj në Kuvend, unë, Shpëtim Idrizi, organizatat e ish të persekutuarëve, të të drejtave të njeriut, studentët e dhjetorit.
Kërcyet sikur ju pati ngrënë miza. Kryeministri solli me rrëmbim një tjetër ligj, veç të zbuste atë që sollëm ne. Përdori diktaturën e kartonit dhe polli një gjysmagjel.
Tani gjysmagjeli ka mbetur ende në vezë, sepse edhe atë nuk doni ta kaloni dhe bëni sikur jeni me nerva, grindeni që të gjeni një sebep për të përmbysur këtë sallë.
Sepse nuk doni të votoni! Nuk doni të merret njeri me të shkuarën tuaj komuniste dhe bashkëpunëtore të së kaluarës.
Bëni sikur qani për klerikët e pushkatuar dhe luani fund e krye një farsë. Aty e keni ligjin për heqjen e medaljeve të depozituar nga ne, por edhe për këtë bëni sikur nuk e dëgjoni.
Ejani në Këshill të Legjislacionit dhe nxirrni Ligjin për heqjen e medaljeve nga pluhuri, se është turpi i këtij Parlamenti.
Ju dhimbsen ende medaljet e shokut Enver dhe shokut Hysni?
Po a keni turp?
Sot që ngriheni e gjëmoni për integrimin europian qani hallin e shokut Ramiz dhe shoqes Nexhmije?
Kam frikë se kaq të madh sa e bëni zullumin, e bëni se keni vrarë moralin, ndërgjegjen, besimin, frikën ndaj mëkatit.
Unë jam studente e dhjetorit dhe jam në politikë për pak gjëra; Të shemb komunizmin dhe ta bëj Shqipërinë si gjithë Europa.
Kam qenë esëll unë, miqtë e mi të kësaj udhe të vështirë.
Ju që jeni sot këtu dhe nxirrni yçkla, ju jeni të dehurit e vërtetë.
Ju ka dehur helmi i gjynahut që mbani mbi supe. Këtë gjynah mbajeni ju, jo ne që nuk kemi asnjë lidhje.
Paçi faqen e zezë.
(Fjalim i Mesila Dodës, mbajtur në parlament, marrë nga faqja e saj në fb, 17 nëntor 2016)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.