back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Gjoba “Becchetti” e shkaktuar nga Edi Rama kushton sa 10 buxhete shtetëror për gjithë kulturën – nga Ndriçim Kulla

Gazeta

Ndriçim Kulla
Ndriçim Kulla

Gjoba “Becchetti” e shkaktuar nga Edi Rama

kushton sa 10 buxhete shtetëror për gjithë kulturën

nga Ndriçim Kulla

Shumë njerëz mund të pyesin se ç’lidhje ka midis masës së gjobës që gjykata ndërkombëtare i vuri shtetit shqiptar për marrëzitë e Kryeministrit Rama dhe buxhetit shtetëror për kulturën. Lidhja është se në një vend që harxhon kaq pak për kulturën, do të ketë patjetër pushtetarë abuzues që sjellin dëme të tilla me veprimet e tyre sa janë të pa imagjinueshme me qeverisjen e çdo vendi tjetër. Nëse buxheti vjetor për kulturën do të kishte qenë 120 milionë euro, sa ç’është masa e gjobës “Becchetti” dhe kjo gjë do të kishte qenë e mundur nëse me taksat e shqiptarëve dhe ndihmat e huaja nuk do të abuzohej siç bëhet, atëherë sot nuk do të kishim pushtetarë që do të bënin shkelje të tilla, sepse nuk do të kishin shans për të qenë në pushtet. Kultura do t’i kishte ndryshuar njerëzit dhe dihet se politika e mirë dhe drejtësia i kanë themelet në kulturë.
Kur Branko Merxhani iku nga Shqipëria pas pushtimit të vendit në 1939, ai la pas pikërisht boshtin e një programi kulturor të gatshëm të vlefshëm për brezat që do të vinin më pas. Për arsye që kuptohen si qeveritë fashiste ashtu edhe ato komuniste deri në 1991 nuk do ta zbatonin këtë program. Si qeveritë fashiste ashtu edhe ato komuniste zbatuan programe të kulturës së ideologjizuar me ideologjitë përkatëse. Programi kulturor i hartuar nga kolosët e mendimit shqiptar në vitet ’20-’30 mbeti në arkiva, ku zuri pluhur në faqet e periodikëve të asaj kohe. Por megjithatë duhet thënë se edhe në kohën e regjimit komunist në Shqipëri ka pasur disa shkrimtarë të cilit ishin njohës të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30, si Dhimitër Shuteriqi, Jakov Xoxa dhe Dritëro Agolli, njerëz shumë të kulturuar, të cilët pavarësisht se ishin të detyruar që të bënin letërsi të realizmit socialist, e gjetën mënyrën që të futnin në librat e tyre ide të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30, qoftë edhe duke i vënë ato në gojën e personazheve. Madje Dritëro Agolli te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” duke bërë satirën e programit kulturor të ideologjizuar të shtetit komunist, nxjerr indirekt në pah vlerat e programit kulturor të viteve ’20-’30.

Revista e Neoshqiptarizmes - Perpjekja shqiptare
Revista e Neoshqiptarizmes – Perpjekja shqiptare

Sidoqoftë, me gjithë këto përpjekje, Branko Merxhani dhe kolosët e tjerë të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30 mbetën të panjohur për disa breza dhe nuk mund të ishte ndryshe. Për regjimin komunist ishte e rëndësishme që kjo periudhë e mendimit shqiptar të mbetej e panjohur, e zhytur në harresë, e varrosur në sarkofagun e censurës shtetërore dhe partiake. Shumë-shumë, kolosët e mendimit shqiptar të viteve ’20-’30 përmendeshin sa për t’u sharë. Nëse kërkoje leje për t’i lexuar periodikët e kësaj periudhe në bibliotekë, i kishe vënë vetes damkën e armikut të regjimit. Vetëm aty-këtu kishte disa njerëz të cilët kishin fatin që të kishin nëpër bibliotekat familjare botime të periodikëve të viteve ’20-’30, ose ndonjë që mund t’i siguronte nga njerëz të besuar, të cilët mund të njiheshin me mendimin shqiptar të kësaj periudhe dhe vecanërisht me programin kulturor që përmenda më lart.
Duhej menduar që shteti shqiptar pas rënies së komunizmit do të plotësonte detyrimin që kishte për të zhvarrosur trashëgiminë intelektuale të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30, me programin kulturor si thelbin e tij. Investimi i vërtetë i shtetit shqiptar për kulturën nuk mund të niste veçse pas vitit 1990, me rënien e komunizmit. Tani ishte e nevojshme që së pari të bëhej i njohur mendimi shqiptar i viteve ’20-’30, me programin kulturor si “gurin” më të çmuar të tij. Edhe këtu shteti bëri shumë pak. Shteti paskomunist shqiptar, si pushteti qendror ashtu edhe ai vendor harxhonte dhe harxhon akoma edhe sot para për spektakle e koncerte mediokre, por në krahasim me to, e shumta harxhoi veç disa qindarka për të nxjerrë nga pluhuri i harresës veprën e kolosëve të mendimit shqiptar të viteve ’20-’30. Ndërsa pushteti Edi Ramës si kryeministër gjatë mandatit 10 vjeçar në qeverisje i thau fare edhe ato qindarka duke realizuar armiqsinë hakmarrëse ndaj kësaj lloj kulture.
Pas vitit 1990, disa intelektualë, një ndër të cilët jam edhe unë, i vunë vetes si mision që të nxjerrin nga pluhuri i arkivave programin kulturor të hartuar nga kolosët e mendimit shqiptar të viteve ’20-’30. Shumë nga ata që e nisën këtë përpjekje u tërhoqën, shumë kanë bërë pak dhe me hope, megjithëse nuk i fajësoj sepse secili bën aq sa mundet. Unë nuk u tërhoqa dhe i vazhdova përpjekjet si botues dhe si studiues. Shumë njerëz më përgëzojnë se kam bërë shumë, por mua më duket se më ka mbetur edhe shumë për të bërë akoma.
Por kur dëgjoj se shteti shqiptar merr një gjobë 120 milion euro si pa të keqe fare për kapriço të kryeministrit Rama nga gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit për gabime të pushtetarëve (Çështja “Becchetti”) dhe me një llogari të thjeshtë më del se kjo shumë përbën buxhetin e kulturës të qeverisë shqiptare për rreth 10 vjetët e ardhshëm, bëhem shumë pesimist. Dhëmbja më e madhe që më vjen si njeri i kultures dhe i arsimit është fati i mëtejshëm i kësaj kulture në këtë lloj qeverisje e cila ka këtë kryeministër në krye. Eshtë tragjike dhe e vajtueshme sa do vuaj kultura, trashëgimia historike shqiptare dhe libri shqip në vitet e ardhshëme nga pushtetarë të tillë masakrues. Projekteve të kulturës, librit, leximit dhe të trashëgimisë kulturore nuk do t’u mbetet më as emri.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.