back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjon Kolë Kujxhija – etnomuzikologu i parë shqiptar – nga Robert Prennushi

Gazeta

Robert Prennushi - muzikolog
Robert Prennushi – muzikolog
Gjon Kolë Kujxhija – etnomuzikologu i parë shqiptar
nga Robert Prennushi

(Ende pa nji titull e njohje zyrtare,
ashtu si edhe mësuesi i tij
kompozitori e pedagogu, At Martin Gjoka.
Kaloi 23 shtatori…
Kaloi edhe nji tjetër përvjetor.)

81 vite ma parë, me 23 shtator 1943, në moshën 23 vjeçare, u vra nga bombardimet në Firence, në shtëpinë ku studjonte e po punonte, studenti i konservatorit, Gjon Kolë Kujxhija.
Me thanë të drejtën kjo ditë e sotmja, pra 23 shtator i vitit 2024, po kalonte si të gjitha ditët e kësaj fillimvjeshte, po nji mëdyshje që filloi në mëngjes e u përforcue gjatë gjithë ditës, e më bani të rishkruej do gjana edhe të thana ma parë. Po edhe të reja. E vetmja gja që kemi në dorë asht me thanë at që mendojmë. Gozhda, mëdyshja, moskuptimi që më ka shqetësue gjithnji, por ma shumë sot, ishte ma shumë nji pyetje:
Pse ndodhë që Gjon Kolë Kujxhija, etnomuzikologu i parë e i shquem shqiptar, – (do të kalonin 40 vite të tjera që të kishim një vepër të tillë me kaq kërkesa shkencore), nuk ka asnji njohje zyrtare nga organet shtetnore e akademike, siç kanë të gjithë ata që kanë kontribute të shqueme në fushat e tyne!? Pse ndodh kështu edhe me mësuesin e tij, kompozitorin e pedagogun, At Martin Gjoka, autor, ndër të tjera edhe i nji opere e nji sinfonie, nji shekull ma parë!?

Gjon Kolë Kujxhija (1920-1943) - etnomuzikologu i parë shqiptar
Gjon Kolë Kujxhija (1920-1943) – etnomuzikologu i parë shqiptar

***
23 shtatori na trishton pse i riu i talentuem e andrrimtar, Gjon Kolë Kujxhija vdiq në mënyrë tragjike, kur kishte vetëm pak ma shumë se nji muej që kishte botue veprën Valle Kombëtare (Cori Nazionali Albanesi), Vol. I, me nëntitull Dasëm Shkodrane (Nozze Scutarina). Kërkonte me modesti në fund të vepës, që muzikantët të jepnin mendimet e tyne për përmirësimin e saj.
“Vepra e Kujxhisë do të ishte vetëm vëllimi i parë i nji pune që ai kishte ndërmend ta vazhdonte me viset e tjera të Shqipnisë”, do të shkruente Ernest Koliqi në artikullin “Nji krue melodie që u tha”.
Çfarë kishte shkrue Gjon Kujxhia, ai djalosh i talentuem e shumë andrrimtar, nxanës i dejë i kompozitorit At Martin Gjoka dhe i “muzikantit të vlertë”, At Bernardin Palaj, që e kishin drejtue e nxitë për ta shkrue at vepër?
Vepra e tij e botueme në pak kopje bani që, edhe në atë vit të vështirë lufte që pasoi, pra, në vitin 1943-44, të shkruhen disa artikuj shumë vlerësues për të. Shkroi Injac Zamputti, Bik Pepa, Pjerin Bushati, Kolë Ashta, Mustafa Krantja. Vetë kompozitori i madh Zandonai e vlerësoi këtë përmbledhje folklorike kaq të pasun “sa tue e shfrytëzue ate, mund të ndërtohej nji muzikë kombëtare e kultivueme”.
Kujxhija kishte zbulue rranjët e muzikës sonë të lashtë dhe tek Vallet e Dasmës shkodrane që mblodhi, ai hodhi tezën se ajo ishte muzika jonë e periudhës paraosmane. Prandaj mbi ato duhet zhvillue muzika jonë e kultivueme.
Por Lufta e mbas mbaslufta e la në heshtje, jo vetëm për gati gjysëm shekullin e diktaturës, po edhe mbas “tranzicionit”.
Çka ishte ajo vepër me fat tragjik, si edhe vetë autori? Ç’vlera kishte ajo që e bani prof. Sokol Shupon, me 2010, ta ribotojë ate, tue i kërkue të falun autorit? Shkruen Shupo: “Duhet t’i kërkojmë të falur sidomos, sepse fare pa shkak, për pothuaj 60 vjet me radhë ajo vepër e botuar me të ardhurat e tij modeste, prej së cilës në Shqipëri arritën të vinin fare pak kopje, u la në harresë, sikur të mos kishte qenë kurrë?!” U ‘fsheh’ qëllimisht dhe u mbulua me zell prej pezhishkave në skutat e errëta të ndërgjegjës së merimangave të pseodoshkencës aq sa edhe sot ende vazhdon të vështrohet me dashakeqësi, me mendjelehtësi të papërligjur, ‘si kontribut modest’. Nuk e kuptuam as Koliqin kur shkruente se: “Muzika, për te, s’ishte vetëm mjet argëtimi, po mënyrë me depërtue në thellësitë e substancës ethnike, flatër me u ngjitë kah sferat e epëra të idealeve njerzore, flakë pastruese që fuqizon prirjet ma bujare të shpirtit…”

At Martin Gjoka midis nxansave
At Martin Gjoka midis nxansave

E me gjithë këtë thirrje e autokritikë, në vitin 2018, Prof. Eno Koço, ndjeu nevojën ta ribotojë veprën, edhe me mendimet e tija prej studiuesi. Po kët herë edhe sëbashku me ajkën e shkrimeve kritike për vlerën e kësaj vepre, që ishin shkrue, e që e vendosnin Kujxhinë në vendin e vet: si etnomuzikologun e parë shqiptar, për rigorozitetin shkencor të analizës së landës së mbledhun dhe për vlerën e madhe që kanë 52 Vallet e mbledhuna, që i takojnë, si krijim, periudhës paraosmane.
Koço, në ribotimin e veprës, që përfshin edhe Ritualin e Dasmës si etnografi, boton dhe 50 kangët e ahengut që kishte mbledhë Kujxhija, po jo studjue.
Sa vlerë kanë Vallet, mjafton të kujtojmë se vetëm njena prej këtyne Valleve, “Drandofillja e Bardhë”, i ka shërbye kompozitorit Çesk Zadeja ta përdorë si laitmotiv të dashunisë së Mamicës me Palin në filmin “Skënderbeu” dhe si temë në kohën e parë të Simfonisë së tij n. 1.
Merita e madhe e Kujxhisë qëndron në faktin se ai e shihte mbledhjen me kriter dhe studimin e folklorit, si primare për zhvillimin e muzikës së kultivueme të nji vendi. Vallet e konteksti historik i ruejtjes së tyne, kujdesi për ribotimin e tyne së bashku me mendimet për këte trashigimi, janë edhe nji thirrje zemre për të gjithë e veçanërisht për muzikantët. Po edhe për shtetarët:
Sillni kryet e shihni se çfarë thesari e mrekullie na la nji djalosh 23 vjeçar, si peng dashnie për vendin e vet. Shfrytëzojeni kët thesar që na përfaqson denjësisht në kulturën e artin e familjes së madhe europiane.
Ndaj tue kujtue 23 shtatorin e vitit 1943, Eno Koço shkruen: “U ndërprenë vitet studenteske të Gjonit, u ndërpre muza e tij djaloshare, për t’u zëvendësuar me veprën e tij të pashembullt, të papërsëritshme, unikale në historinë e muzikologjisë shqiptare…”
Prof. Dr. Vasil S. Tole shkroi: “Kujxhia mbetet unik në atë trashëgimi që la pas, megjithëse ende i ri. Niveli i analizave etnomuzikologjike mbetet model ashtu dhe transkriptimet e tij të valleve dhe të ahengut shkodran.”
Modestisht kujtoj se në veprën time “Në kërkim të origjinës së Valleve e kangës shkodrane” (BERKL, 2023) ka mjaft material për të kuptue randësinë e vlerën e veprës së Kujxhisë. Shprehet për kët vepër Prof. Eno Koço në Epilog: “Studimi Robert Prennushit… është një vijim i denjë i punës titanike që kishte bërë Gjon Kujxhija…”
Ndërsa Prof. Dr Vasil S. Tole: “Nga leximi i librit, qartazi shihet se prof. Prennushi është autori i duhur për një sfidë të tillë, e cila prej së paku 100 vitesh ka preokupuar studiuesit e muzikës dhe etnomuzikës, kryesisht shkodranë e jo vetëm, autorë me peshë kombëtare si Gjon Kujxhia, Kolë Gurashi, Ramadan Sokoli, Tonin Zadeja e Tonin Daija, Eno Koço e deri tek më i riu syresh Edmir Ballgjati.” Dhe vazhdon: “Këto rradhë janë thjesht një ftesë e hapur për lexim për këtë libër kaq të veçantë që i kushtohet muzikës qytetare shkodrane, e shpallur nga Ministria e Kulturës si pjesë e “Listës Kombëtare të Kryeveprave Shpirtërore Kombëtare, dhe që me të drejtë prof. Prennushi tërheq vëmendjen e institucioneve përkatëse që të shihet mundësia që kjo trashëgimi unike të bëhet pjesë e Listës Përfaqësuese të Dukurive Jomateriale që mbrohen nga UNESCO”.
Ky 23 shtator na la.
Si do na gjejë 23 shtatori i ardhshëm?

Marrë nga muri i fb Robert Prennushi, 23 shtator 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.