back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjuha letrare është organizëm i gjallë Peter R. Prifti (1993)

Gazeta

Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta
Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

Gjuha letrare është organizëm i gjallë…

Peter R. Prifti (1993)

Koment mbi kritikën që i bëhet gjuhës së njesuar letrare prej profesor Arshi Pipës

Redaksia e revistës “Arbëria” falenderon Prof. Peter R. Prifti, për artikullin mjaft interesant, i cili ndonëse mjaft i gjatë për revistën tonë, ne do të përpiqemi ta botojmë dy herësh. Studime dhe reflektime të tilla i mirëpresim edhe nga intelektualë të tjerë. Në numrin e ardhshëm, do të botojmë nji artikull me mjaft interes të shkencëtarit Selman Riza, botuar në vitin 1936, në lidhje me gjuhën e përbashkët dhe të shkruar në dialektin toskërisht dmth në gjuhën e njehsuar… j.r.

Prof. Peter R. Prifti (1924-2010)
Prof. Peter R. Prifti (1924-2010)

E fillojmë kët koment me disa shënime mbi historinë e gjuhës shqipe, qysh prej shekullit të kaluar deri në shekullin tonë.
Çeshtja më urgjente në lëmin e gjuhës ishte, ishte ajo e alfabetit: duhej standartizuar alfabeti. Ndihej nevoja për nji alfabet të përbashkëtpër arsye se deri athere gjuha shqipe shkruhej në nja gjysëm dyzine alfabetesh si: latinisht, greqisht, turqisht, arabisht, sllavisht, plus disa varianteve të tjera të shpikura prej intelektualëve shqiptarë. Çeshtja e alfabetit u zgjidh në 1908, në Kongresin e Manastirit, që mori si bazë germat latinenë fillim, së bashku me alfabetin e Stambollit.
Por ky ishte vetëm gjysma e problemit, gjysma tjetër, ndonëse më pak urgjente, kishte kërkesa për një gjuhë të njehsuar letrare, meqënëse gjuha shqipe, ka dy dialekte: atë geg në pjesën Veriore të vendit, dhe atë tosk në Jug. Pra, ndihej nevoja për nji gjuhë të tillë, qëdo të mbrrinte nëpërmjet afrimit të këtyre dy dialekteve.
Ideja e një gjuhe kombëtare të standartizuar u shtrua si një çeshtje për t’u zgjidhur në gjysmën e dytë të shekullit të të XIX. Tre dijetarë shqiptarë  të dëgjuar të asaj kohe, që u angazhuan fort në këtë çeshtje ishin Kostandin Kristoforidhi, njohës i mirë i dialekteve dhe leksikograf; Sami Frashëri filolog dhe shkrimtar i shquar i veprave shkencore; dhe Faik Konica filolog dhe publicist i dalluar. Frashëri ishte i bindur se gjuhët dhe dialektet e shumta sjellin përçarje dhe fërkime brenda nji kombi. Po ky shqetësim shtyu Konicën të rekomandojë krijimin e një gjuhe letrare për tërë kombin shqiptar. Me mendimin e Konicës, pajtoheshin edhe disa kolegë të tij shqiptarë.
Tentativa e parë e organizuar në këtë drejtim u bë në vitin 1916 prej Komsisë Letrare Shqipe, që u themelua në Shkodër po atë vit. Komsia mori disa vendime që afruan deri-diku dialektin tosk me atë geg, megjithatë çeshtja mbeti e pazgjidhur deri në vitin 1972. Atë vit u mbajt në Tiranë, Kongresi i Ortografisë, në të cilin morën pjesë gjuhtarëtsi dhe specialistët e disiplinave të tjera. Kongresi përfundoi punimet duke sanksionuar rregullat, apo normat e drejtshkrimit shqip. U krijua kështu gjuha e njesuar letrare shqipe.
Arritjet e Kongresit përbëjnë nji gur-nishan në historinë e gjuhës shqipe, sepse ai i dha fund nji epoke prej shumë shekujsh, epokës së shumë varianteve dialektore të gjuhës letrare. Ato ishin frut i punës së disa breza dijetarësh, kështu shqipja letrare që lindi si pasojë, është cilësuar si një koine letrare (gjuhë e përbashkët letrare), e cila përmbledh në strukturën e vet elementete e përbashkët që ka në themel gjuha shqipe si edhe elementet të tjerë të veçantë të dy dialekteve. Ajo është një sintezë organike, vepron si një sistem i pavarur nga dialektet e mëparshme letrare dhe qëndron në një shkallë më të lartë se ato. Dikush mund të pyesë: “Si është e mundur të krijohet një gjuhë e sistemuar, me karakter të rregullt nga dy dialekte që kishin i rezistuar afrimit për breza me rradhë. Përgjigja si duket është se të dy dialektet, janë mjaft afër njëri tjetrit. Kjo vërejtje gjen përkrahjen në kërkimet gjuhësore të filologut të shkëlqyer danez Holger Peterson, i cili ka thënë se: “Ndryshimi midis dy dialekteve të shqipes është shumë më i vogël se ndryshimet dialektore të shumë gjuhëve të tjera nga pikëpamja praktike. Ky ndryshim nuk ka asnji rëndësi…”
Lëvizja për njehsimin e gjuhës letrare pati përkrahje si brenda ashtu dhe përtej kufijve të vendit, sdomos nga shqiptarët në ish Jugosllavi, gjë që le të kuptohet se kishte ardhur koha për një ndodhi të tillë.

Prof. Arshi Pipa (1920-1997)
Prof. Arshi Pipa (1920-1997)

Kundërshtimi ndaj gjuhës së njehsuar

Ka shqiptarë megjithatë që nuk pajtohen me gjuhën e njehsuar letrare. Në Amerikë më i njohuri prej tyre është Arshi Pipa. Profesor i italishtes në Universitetin e Shtetit Minisota në qytetin Miniapolis, autor i disa librave dhe kritik i letërsisë shqipe. Pipa shtron tezën e tij kundra  gjuhës së njehsuar në librin “Politika e gjuhës në Shqipërinë Socialiste”.
Si profesionist Pipa nuk është gjuhtar, filolog ose gramatikan, por si autor dhe si kritik, ai lë të kuptohet se është mjaft sensibël ndaj gjuhës. Veprimtaria e tij si kritik tregon se ka aftësi për atë punë. Disa nga botimet e tij në këtë fushë janë të argumentuara mirë, tërheqës nga stili dhe të pasura nga përmbajtja e njohurive. Janë vepra që e rrëfejnë autorin si dijetar erudit, shkurt, nëse ai nuk është specialist i gjuhës shqipe, kur marrim parasysh krijimtarinë e tij në fushën e letërsisë, atëherë e kemi gati për detyrë të njihemi me tezën e tij mbi gjuhën e njehsuar dhe të shqyrtojmë me seriozitet protestat e tij kundër saj.
Është e qartë që në faqet e para të librit të Pipës, ai nuk ushqen asnjë fije simpatie për gjuhën e njehsuar, përkundrazi, fryma që përshkon tezën kundër gjuhës letrare i ngjan fort shpirtit luftarak të kalorësit të vendosur për betejë…
Lexojmë në kët libër se “…e ashtuquajtura shqipe letrare e njehsuar, as që i duhej dhe as e deshi populli shqiptar, mbasi ishte mësuar në të dy dialektet që kishin bashkëjetuar në paqe për një kohë të gjatë.” Posa norvegjezët, përshembull shkojnë mirë me dy gjuhë letrare, na thotë autori, pse të mos bëjmë edhe ne shqiptarët gjithashtu? Sipas tij, nuk mund të themi se gjuha e njehsuar është rezultat i shkrirjes së barabartë së gegnishtes letrare dhe toskërishtes letrare. Pipa për studime statistikore të morfologjisë dhe leksikut të shqipes së njehsuar, arriti në përfundimin se ajo nuk është gjë tjetër veçse një variant i përpunuar i dialektit tosk, ngritur në shkallë kombëtare, ky është “argumenti statistikor” le të themi kundër gjuhës letrare.
Po ky është vetëm një nga argumentet që përdor autori në sulmin frontal që i bën gjuhës së njehsuar. Një argument tjetër është edhe ai që ne e quajmë “argumenti evolucionar”, ku shfaqet ideja se gjuha standarte lindi parakohe dhe në mënyrë jonormale… Sipas autorit ajo është “një pjellë e dështuar gjuhësore”, një “përbindësh”. “Të dy dialektet, – thotë ai – duhet të liheshin të evoluonin në mënyrë të natyrshme...” Pipa është i bindur se ky argument gjen përkrahje në teorinë gjyqsore të Antonio Gramshit si dhe tek Josif Stalini, i cili ka thënë se: “Duhen shekuj për të ndërtuar një gjuhë të re kombëtare.” Po thelbi i davasë kundra gjuhës letrare, siç kuptohet nga vetë titulli i këtij libri, është argumenti politik. Pipa mendon se motivin e vërtetë për krijimin e shqipes së njehsuar e gjeti në fushën e politikës. “Gjuha e standartizuar, – thotë ai, – buroi nga konfliktet politike, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ushtria partizane e udhëhequr përgjithësisht prej toskëve, pushtoi Shqipërinë antikomuniste të Veriut…” Si rrjedhim udhëheqja toske e Shqipërisë staliniste u imponoi gegëve dialektin tosk me qëllimin e errët që t’i mbajë nën këmbë… Sipas Pipës, ky akt nuk është gjë tjetër veçse “kolonializëm i brendshëm gjuhsor…”
Duke lexuar më tej ndeshemi me një argument të ri kundër gjuhës letrare, të cilin ne e kemi emëruar “argumenti kulturor.”.. Këtu autori diskuton trashëgiminë kulturore të toskevë dhe gegëve. Sipas Pipës, nga ky diskutim del se kultura e ortodoskëve toskë të Shqipërisë së Jugut përshkohet prej ideollogjisë bizantine, gjë e cila, i bën ata të kenë paragjykime ndaj gegëve dhe katolikëve të Veriut, lidhjet kulturore të të cilëve janë me ilirët antikë. Gegët janë të orientuar ndaj Perëndimit, ndërsa toskët ndaj Lindjes… Kjo shpjegon, thotë ai, “…mungesën e theksuar të simpatisë (nga ana e toskëve) për qyterimin e Perëndimit, si dhe opozitën e tyre ndaj vazhdimësisë iliro-shqiptare…”
Pa dyshim Pipa është i shkathët për të gjetur argumente me të cilat të sulmojë shqipen e njehsuar. Ndoshta argumenti që zgjon më tepër kurreshti nga të gjithë, është ai që ne e kemi pagëzuar si “argumenti konspirativ”, ku gjuha letrare denoncohet si gjuhë e gatuar me dinakëri dhe si “mashtrim kolosal” dhe si “agjensia kryesore ideologjike” e stalinizmit shqiptar. Autori i këtij libri e koncepton këtë gjuhë si një manovër politike, e cila ka për qëllim ta mbajë gegnishten në një pozitë inferiore dhe të përjetsojë sundimin kulturor të Jugut mbi Veriun. Fajtorët kryesorë mbi këtë akt kriminal, thotë Pipa, ishin udhëheqsit stalinistë të Shqipërisë, po jo shumë larg tyre ishin dijetarët e rremë që gatuan gjuhën e njehsuar, dhe midis tyre më i keqi në sytë e Pipës, ishte Profesor Androkli Kostallari… Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, ky tosk i besimit ortodoks, njihet si figura më e fuqishme që çoi në krijimin e gjuhës së sotme letrare, por atë qëllim ai e arriti thotë Pipa duke u sjellë si diktator dhe duke përdorur taktika të Machiavellit.
Pipa nuk druhet të përdorë edhe fjalë fyese në këtë libër, dhe as që ka ndonjë dyshim se ndofta se përdorimi i fjalëve të tilla i kalon kufijtë e diskutimit akademik… Si duket ai mendon, se rëndësia e temës që diskutohet nevojitet këtu e këndej shprehje të rënda. Megjithatë, ne mendojmë se një gjuhë e tillë me shprehje fyese madje dhe sarkastike, nuk ka vend në një diskutim shkencor, si ai që shpaloset në këtë vepër.
Argumentet e lartpërmenduara nuk e boshatisin depon e armëve që përdori në luftën e tij kundër gjuhës letrare. Ai gjen shkak për argumetimin dhe në lidhje me çeshtje të tjera dhe pas një rruge të gjatë plot argumente proteste dhe epitete, Pipa i jep fund kryqëzatës së tij me nji paralajmërim shqetësues dhe enigmatik… Ai është i bindur se gegët do të vuajnë nga ndjenja e inferioritetit përballë toskëve dhe do të bëhen “shtetas të klasit të dytë”, kjo do të ngjasë si rrjedhim i vështërsive që do të ndeshin përpjekjet për të zotëruar gjuhën letrare, “…të cilën ata nuk do të mund ta mësojnë mirë, për shkak të ndryshimeve fonologjike midis dy dialekteve…” “Zemërimi i maskuar i gegëve -vazhdon ai, – mund të shpërthejë në trazira civile dhe të çojë në përçarjen e vendit. I njejti tension që i kanosej ish-Jugosllavisë si pasojë e grindjes gjuhsore midis kroatëve dhe serbëve, mund ta rrezikojë edhe Shqipërinë.

Arberia 10 Janar-Mars 1993
Arbëria 11 qershor – shtator 1993

Teza e Pipës nën dritën e analizës

Sikurse thamë më parë arritjet akademike të Pipës e afirmojnë atë si dijetarë të denjë. Mjerisht libri në fjalë, nuk ia rrit prestigjin përkundrazi ai ia ul.
Libri megjithatë nuk është pa merita. Në të gjejmë mjaft material me vlerë mbi historinë e gjuhës shqipe, mbi popullin shqiptar dhe kulturën e tij, plus diskutime interesante mbi disa teori gjuhësore. Pipa u vë gishtin disa mungesave të fjalorit standart të gjuhës së sotme shqipe që ka për bazë gjuhën e njehsuar. Ashtu pra, fjalori nuk përmend prejardhjen e kombëtare të fjalëve të huazuara, nuk përmbledh disa fjalë që meritonin të hynin në faqet e veta, gjithashtu rëndohet nga fjalë që shpjegohen nga këndvështrimi marksist-leninist, që në vend që të shpjegohen në mënyrë objektive, pa nuanaca politike dhe ideollogjike.
Sidoqoftë ne jemi të mendjes, se ky libër nuk ia arrin qëllimit që pati autori të diskreditojë gjuhën e njehsuar shqipe. Teza që argumentohet në këtë libër nuk është bindëse. Autori nuk ka provuar në mënyrë shkencore se shqiptarët ishin të kënaqur me dy dialektet letrare që kishin më parë, (në të vërtetë ekzistonin më shumë se dy gjuhë letrare, po të numërojmë edhe nëndialektet), sikurse vumë në dukje më parë. Shqiptarët filluan të shqetësohen për çeshtjen e alfabetit dhe të gjuhës së njehsuar letrare që në shekullin e kaluar. Na duket e drejtë të pyesim: Pse të mos kenë shqiptarët gjuhën e tyre të njehsuar, kur dihet se në botën moderne, nji gjuhë e tillë është shumë e dëshirueshme, nëmos edhe e domosdoshme. Në epokën tonë ajo konsiderohet gati si një e dhënë aksiomatike, si shembull marrim francezët, gjermanët, italianët, ku secili dialekt nga dialektet e tyre ka, po kanë një gjuhë të vetme letrare.
Forca vendimtare që e bëri realitet shqipen e njehsuar nuk ishte rivaliteti për epërsi midis Veriut dhe Jugut, por dëshira për të forcuar ndërgjegjen kombëtare, që shprehet bukur nga parulla: “Një komb – një gjuhë letrare!”
Sikundër shqiptarët kudo nëpër botë e konsiderojnë alfabetin e njehsuar të gjuhës shqipe, si një ngjarje historike me vlerë të madhe për arsimin dhe kulturën e tyre, si dhe forcimin e ndjenjave kombtare, po ashtu shumica e tyre e shohin realitetin e gjuhës së njehsuar letrare në 1972, si një ngjarje pozitive që ndihmoi proceset e arsimimit dhe komunikimit si dhe mardhëniet tregtare dhe shoqërore të vendit.
Të kqyrim tash “argumentin statistikor”, sipas të cilit dialekti tosk, i maskuar si gjuhë kombëtare e gëlltiti gegnishten. Studimet statistikore që janë bërë në Shqipëri mbi këtë pikë, janë në kundërshtim me statistikat e Pipës. Këto studime na japin të kuptojmë se të dy dialektet kontribuojnë pothuaj baras në përbërjen e gjuhës letrare. Vërtet struktura fonetike e toskërishtes zë një vend më të madhse sa ajo e gegnishtes, po distanca mes tyre nga kjo pikpamje është shumë më e vogël nga ajo që reklamohet në këtë libër. Shprehur në gjuhën e shifrave, raporti midis fonetikës toske dhe asaj gege është 13:8.
Pra se të hartoheshin rregullat përfundimtare për shkrimin e shqipes së sotme, gjuhtarët si dhe specialistët e tjerë në Shqipëri shpenzuan gati dy dekada, duke studiuar me kujdes gati të gjitha problemet e gjuhës. Gjithashtu bënë kërkime sa më të thella e të plota në lëmin e dialekteve dhe nëndialekteve poshtë e lart Shqipërisë. Mbi kët aspakt të gjuhës, një dijetar në Shqipëri ka thënë se gjuha letrare “…ka në themel të saj një shumicë elementesh të përbashkëta të dy dialekteve dhe një pakicë elementesh të veçanta dialektore…”
Pa vlerë është edhe “argumenti evolucionar” që përmendëm më lart. Pipa thotë që gjatë shekullit të kaluar, “…tiparet karakteristike të dy dialekteve nuk ndryshuan…”, gjë që provon se kushtet nuk ishin pjekur për shkrirjen e tyre. Ne mendojme se ky argument provon te kundërtën. Sepse kur të dy dialektet, nuk u afruan natyrshëm, në mënyrë evolucionare në njëqind vjet, athere  me ç’arsye mund të supozojmë se ata do të afrohen pas njëqind a  dyqind vjetësh?? Sipas Eqerem Çabejt, gjuhtar shqiptar me famë botërore, pak shekuj më parë dy dialektet… në shumë pika qëndronin më afër njëri tjetrit se sa sot…!” Nuk është nevoja të zgjatemi mbi nëntekstin e fjalëve të Çabejt.

Eqerem Çabej (1908-1980)
Prof. Eqerem Çabej (1908-1980)

Ky libër sulmon rreptësisht ideologjinë staliniste që ishte në fuqi në Shqipëri deri vonë, megjithatë autori i librit përmend herë mbas here si fakt, një shprehje të Stalinit se duhen gjoja “shekuj të tërë” për të ndërtuar një gjuhë të re kombëtare. Është për t’u habitur që Pipa, e pranon këtë shprehje si fakt, kur njëkohsisht ai hedh poshtë gati çdo gjë tjetër që lidhet me emrin e Stalinit, përfshi edhe idetë e tjera që ai ka shfaqur mbi gjuhësinë, gjë që e shtyri Pipën, ta cilësojë aktivitetin gjuhsor të diktatorit sovjetik si: “ndërhyrje diletante në një shkencë që ishte e huaj për të…!”
Mendojmë se pa bazë është edhe “argumenti politik”, sipas të cilit komunistët toskë pushtuan ushtarakisht Veriun gegfolës. Pipa ka të drejtë kur thotë se lëvizja partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri udhëhiqesh kryesisht prej komunistëve toskë, por komunistët nuk e shtrinë kontrollin e tyre deri në Veri me qëllim që t’u impononin gegëve dialektin tosk. Ushtria partizane kishte në krye oficerë toskë, si dhe oficerë gegë, ashtu siç kishte toskë dhe gegë në rradhët e ushtrisë. Është fakt historik se njësitë partizane të ashtuquajturës “Lëvizje Nacional-çlirimtare”, kaluan në Shqipërinë e Veriut vetëm pasi mundën armiqtë e klasës në Jug, dmth ballistët dhe monarkistët. Pra, luftuan në Veri siç luftuan në Jug, që të mposhtnin rivalët e tyre dhe të merrnin frenat e Shqipërisë në duar.
E vërteta është se iu desh komunistëve plot nji vit tetor 1943-tetor 1944, që të nënshtronin Jugun, dhe në më pak se një muaj (nëntor 1944) të pushtonin Veriun. Arsyet për këtë ndodhi janë të shumta. Ne do të kufizohemi këtu, duke thënë se pasi nënshtruan Jugun, komunistët u forcuan shumë dhe si rrjedhim e patën relativisht të lehtë të vinin në dorë Shqipërinë e Veriut. Të vlerësosh një zhvillim të tillë të ngjarjeve si pushtim të një krahine të vendit prej një krahine tjetër, do të thotë të bësh një analizë të gabuar të historisë. Kryesore në luftën civile ishte lufta e klasave dhe jo fërkimet dialektore ose armiqësia midis Jugut dhe Veriut. (Lufta kundër ushtrive fashiste naziste në Shqipëri, përbën një kapitull tjetër)

Skeda e Peter R. Prifti

Peter R. Prifti emigroi në Amerikë në vitin 1940, në qytetin e Filadelfias, Pensylvania. U dipllomua me bachaloreatën në shkencat shoqërore “Liberas arts”, në kolegjin Pen State College, dhe një tjetër dipllomë, atë të paradoktirale, në filozofi në universitetin e Pensylvenias. Për dy vjet 1958-1960, punoi në zyrën e “Vatrës” në Boston si bashkredaktor i “Diellit” dhe si sekretar i organizatës. Gjatë viteve ’61-’76, punoi në institutin teknologjik të Masaçusetit, si kërkues shkencor dhe si shkrimtar në fushën e studimeve shqiptare. Ka dhënë kumtesa për Shqipërinë dhe shqiptarët në universitete dhe vende të ndryshme si Boston, Nju Jork, Detroit, San Françisko dhe Kanada.
Peter R. Prifti ka botuar studime, për botën shqiptare në Amerikë, Kanada, Angli dhe Gjermani. Botimet përfshijnë libra, artikuj, revista shkencore dhe gazeta, reçensione librash si dhe përkthime të ndryshme.
Është autor i librit “Shqipëria Socialiste qysh nga viti 1944 (Socialist Albania, since 1944). Bashkautor i librave “Shqipja e Folur dhe Shqipja Standarte” që trajton morfologjinë e gjuhës shqipe.
(Arbëria 11, qershor-shtator 1993)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.