back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjuha Shqype – prej At Gjergj Fishtës – përgatiti Fritz Radovani

Gazeta

Gjergj Fishta i ri
Gjergj Fishta i ri
Gjuha Shqype – prej At Gjergj Fishtës
përgatiti Fritz Radovani
me komente nga At Viktor Volaj O.F.M. (1941)

Kjo kangë, nji nder ma të bukrat poezi lirike të Fishtës, kje botue në rasën e pesëdhetëvjetorit të themelimit të shkollës françeskane, e kje vu si parathanje melodramit “Shqyptari i Qytetnuem”. Kundra asaj propagande së huej e rrymave shkollore, qi poshtnonte gjuhën shqipe, por si nji gjuhë e mangët, e pagdhendun e barbare. Fishta këndon bukurinë, fuqinë e saj, tue shquem sidomos ndër të rij dashtninë për të.

1. Porsi kanga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim të Prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjit’e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjama e rrfés zgjetare,
Porsi ushtima e njij tërmetit,
Njashtu a’ gjuha e jonë shqyptare.

2. Ah! Po, a’ e ambël fjala e sajë,
Porsi gjumi m’nji kërthì,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pa mashtrì;
Edhe ndihet tue kumbue,
Porsi fleta e Kerubinit,
Ka’i bjen qiellvet tue flutrue
N’t’zjarrtat valle t’amëshimit.

3. Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi kët gjuhë të Perendis,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’i a len ai fmisë;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi e përbuzë kët gjuhë hyjnore;
e n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
Flet e t’veten len mbas dore.

4. Në gjuhë shqype nanat t’ona
Shi prej djepit na kanë thanun,
Se asht nji Zot, qi do ta dona:
Njat, qi jetën na ka dhanun;
Edhe shqyp na tha se Zoti
Për shqyptarë Shqypninë e fali,
Se sa t’enden stina e moti,
Do ta gzojn’kta djalë mbas djali.

5. Shqyp na vetë, po pik’ma para,
N’agim t’jetës kur kem shkue
Tue ndjekë flutra nëpër ara,
Shqyp ma s’pari kem kndue:
Kem kndue, po armët besnike,
Qi flakue kanë n’dorë t’Shqyptarve,
Kah kanë dekë për besë jetike,
Kah kanë dekë kta për dhé t’t’Parvet.

6. Në kët gjuhë edhe njaj Leka,
Qi ‘i rruzllim mbretnin s’ia xuni,
Qi kah bijtë ai, shkelte deka,
Shekllit mbarë ligjë t’randë i vuni;
Në këtë gjuh edhe Kastriota
U pat folë njatyne ushtrive,
Qi sa t’ndrisë e diellit rrota,
Kanë me kenë ndera e trimnive.

7. Pra, Shqyptarë, çdo fés qi t’jini,
Gegë e Toskë, malci e qyteta,
Gjuhën t’uej kurrë mos ta lini,
Mos ta lini sa t’jetë jeta,
Por për të gjithmonë punoni;
Pse, sa t’mbani gjuhën tuej,
Fisi i juej, vendi e zakoni
Kanë me u mbajtë larg kambët t’huej.

8. Nëpër gjuhë shqype bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,
Ka me u njohtë ju për Shqyptarë:
Trima n’za sikurse jini.
Prandej, pra, n’e doni fisin,
Mali, bregu edhe Malcija
Prej njaj goje sot t’brohrisin:
Me gjuhë t’vetën Rrnoftë Shqypnija!

Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta
Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

1.Ndër katër vargjet e para, Poeti me gërshetim harmonik të tingujvet na paraqet kumbimin e ambël muzikor të gjuhës shqype, e ndër tre vargjet tjera, me mjeshtrinë e nji Poeti sovran ep, me nji crescendo të çuditshme, përshtypjen e valëve të detit qi përplasen për breg, të krizmës së rrufesë, e të shungullimit të tërmetit, – e zogut të verës: me kuptim të përgjthshëm, por në nji mënyrë të posaçme ajo e bylbylit. Me ketë shprehje e përktheu Fishta, poet për ekcelencë i gjuhës së popullit, fjalën bylbyl në nji tingull të Petrarkës, – në blerim të Prillit: kah fillimi i Prendverës, mbasi natyra të jetë veshë në blerim – qi lmon gjit’e drandofillit: qi përshkohet ndër fletëzat e drandofillës, ndër gubat e petaleve të lules. – rrfesë zhgjetare, rrufésë zhgjetuese, gjuejtëse.

2.Kërthi, foshnje. – Porsi drita… shenja e jetës e të të përtrimit, e çdo agim mbahet se bjen nafakë (të mira) të reja, tue kallë (sjellë) shpresa të reja; -gazi i pamashtrì: i pa të keq, i sinqertë, jo mashtrues. – Porsi fleta: flatra. – Ka’i bjen Qiellvet: kah përshkon qiellin. -N’t’zjarrtat valle: ndër valle shumë të shkëlqyeshme të Parrizit, ndër valle qi vezullojnë të Parrizit.

3. Mbasi na paraqet bukurinë e gjuhës, Poeti, vates i vertetë i kombit, e ndien per detyrë me u lëshue mallkimin gjithë atyne qi duen ta humbin ase përbuzin gjuhën shqype. – Gjuhë hyjnore; kjo gjuhë mashkull, gjuhë hyjnish, siç e quen tek Lahuta.

4.Shi prej djepit: Qysh në djep. – Edhe në shqyp na thanë se Zoti… Poeti shkon tue përsëritë pa da tagrin (të drejtën) shenjtë qi ka Shqyptari me gëzue Lirinë. Le të vehet oroe fuqija qi merr shprehja prej afrimit të fjalve. Shqyp… Shqyptarë… Shqypni. – djalë mbas djali: brez mbas brezi.

5.N’agim t’jetës: atëherë kur mezi kishim nisë me marrë mend e shqisë. – Tue ndjekë flutura… Shqenë reale e bukur e jetës fëminore! – armët besnike, poezia popullore shqyptare asht gati përherë kreshnikore. – jetike: të herëshme, të vjeter.

6.Leka, qi ‘i rruzllim… Leka i Madh, i cili shtroi pjesen ma të madhe të botës s’atëherëshme. Qi: ose të cilat, sa t’ndrisë… derisa të shkëlxejë (shkëlqejë) sfera e zjarrtë e diellit.

7.Çdo fes qi t’jini: çdo feje, besimi, si kristjan si musliman. Fisi i juej… kambës s’huej: Të gjithë e dijmë, si dishmon historia sesa faktor kryesor i kombësisë asht të ruejtunit e gjuhës amtare. Nji popull qi përbuzë gjuhën e vet i nënshkruen dënimin vetes e asht i gjykuem me u shue, me u zhdukë. Për kët Fishta shkroi nji dramë të vogël me titull: “Gjuha e Mësimit”.

8.Ç’fis ju kini: – se ç’kombësi keni. Mali, bregu edhe Malcija, synedotke: Të gjithë ata qi banojnë ndër male, ne Veri; brigje (fusha), të vikasin, të thërrasin nji zani. (At V. Volaj 1941)
Melbourne, 26 Tetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.