Gjuhëtari Dom Nikollë Gazulli…
nga Daniel Gazulli
“…mâ i dijtshmi
që ka pasë ndonjiherë
Biblioteka Françeskane…”
Át Zef Pllumi O.F.M
Nikolla ishte dy vjet ma i vogël se Gjoni, po studimet i vijuen njëherësh e bashkë, pse atëherë u çel shkolla në Dajç, më 1902. Mbas së mesmes në Shkodër, ai i vijoj studimet në Grac e Insbruk të Austrisë, ku kreu si teologjinë, ashtu edhe gjuhësi, tue pasë për udhëheqës albanologun e shquem Norbert Jokel, me të cilin i ruejti lidhjet gjithë jetën.
Si u kthye në Atdhe, meshtar në Malësitë i Veriut, në Rjoll e në Shkrel, ai iu përkushtue me mish e me shpirt mbledhjes së fjalëve të rralla, toponomastikës, onomastikës, e deri studimeve etnografike, historike e gjeografike.
Më 1926, u arrestue edhe Dom Nikolla, bashkë me të vëllanë Gjonin, me dom Lekë Dredhën e dom Loro Cakën. E dënuen me 101 vjet burg. Me ndërhymjen e shumë figurave të shqueme, prej Norbert Joklit tek Viktor Eftimiu, prej Asdrenit te Fishta, mbas katër vjetësh e liruen nga burgu i Gjirokastrës.
Ai ishte dijetar i mirëfilltë e shumëplanësh. Zotnonte gjermanisht, italisht, latinisht, greqishten e vjetër, frengjshten dhe sllavishten.
Porsi bleta mbledh nektarin e luleve, Ai mblodhi prej popollit të maleve tona mija fjalë të rralla, shprehje frazologjike, onomastikë e toponomastikë, gojëdhana e fakte historike, mitologji, materiale etnologjike e deri harta të vjetra mbi të cilat bani analiza që edhe sot e kësaj dite i kanë të pakta shoqet nga ana shkencore.
Sa qe gjallë, Ai botoi dy vepra, “Fjalorth i Ri”, 1942, si vëllim i XI i Visareve të Kombit, dhe “Fjalori toponomastik”, pjesë pjesë, në revistën “Hylli i Dritës” në vitet 1939-1943.
Ishin këto vepra themel në fushën e leksikografisë krahinore dhe onomastikës.
Ajo që dallon këto dy vepra, shumë të vlefshme për kulturën kombëtare, asht niveli i naltë shkencor, ku duket dora e një dijetari të mirfilltë, metodologjia e hartimit, objektiviteti i landës gjuhësore, ekuilibri në përzgjedhje, dhe sidomos shpjegimi analitik i landës.
Fjalorthi ngërthen mbi 5.000 fjalë të rralla të shtrime në 524 faqe. Çdo za asht shoqnue me shpjegim kuptimor, sinonimor – kur ka qenë rasti – etimologjik, e krahasue jo rrallë edhe me përkatëset në gjuhë të tjera, sidomos në gjermanisht e italisht.
Një vend të randësishem zanë njësitë frazologjike dhe fjalët e përbame (kompozitat) me shpjegime nga ma të hollësishmet. Veçanarisht me vlerë janë shpjegimet për lëvizjen kuptimore të fjalëve në rrjedhë të shekujve.
“Fjalori toponomastik” asht vepra e parë e këtij lloji në gjuhën shqipe, çka e ban Gàzullin themelues të leksikografisë onomastike. Në këte vepër trajtohen edhe shumë probleme historike, gjeografike, etnografike, deri tek emnat e hyjnive ilire e trake, etj.
E gjithë kjo punë e Tij, e gjithë ndihmesa e Tij në lamë të kulturës shqipatre, u mohue e u la në harresë për 50 vjet. Arsyeja ishte vetëm një: Dom Nikollë Gàzulli nuk zmbrapsej para thirrjes së Atdheut me mbrojtë lirinë dhe dinjitetin e kombit prej aneksimit fashist apo atij sllavo-komunist të Beogradit.
Me 9 Prill 1939, Ditën e Pashkëve, në Kishë të Rrjollit, gjatë predikimit, ai iu drejtue besimtarëve: “Mos i lëshoni armët! Këta (pushtuesit italianë-shënim i imi, DG), skotë e mbrapshtë si janë, duen me na shkombëtarizue! Prandaj, si dikur bijtë e Kastriotit, t’i bajmë ballë pushtimit fashist!”
Të njejtat fjalë Dom Nikollë Gàzulli ua tha edhe malësorëve të Shkrelit më 1945, kur Shqipnia faktikisht ishte kthye në nji republikë të shtatë jugosllave: “Lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue pa gjak në dorë të shkjaut në emën të ideologjisë së tyne çnjerëzore komuniste! Pra, o burra, armët për syni!”
E vranë me 2 shkurt 1946. E mohuen për gjysë shekulli.
Vite ma parë, studjuesja Ledi Shamku shkruente për te: “Nikollë Gàzulli është një yll që ndriçon fort në hyjtufëzën e kulturës shqiptare në përgjithësi e asaj veriake në veçanti. Ka shumë që e kanë përdorë dritën gazullore, porse pa e emërtuar kurrë yllin nga buronte kjo dritë”.
Evidentova një pjesë të frazës së Shamkut pse ato fjalë shpjegojnë qartë shfrytëzimin e paprinciptë e të pamoral të Gazullit nga ata që ma vonë, me punimet e Tij e të At Justin Rrotës, do të baheshin profesorë e deri akademikë. Fjalët e masipërme nuk mund të thuhen vetëm për dy burra: Profesor Eqrem Çabejn, që nuk pranoi ta mohonte kurrë, dhe Profesor Selman Rizën.
Gjuhëtari e atdhetari Dom Nikollë Gàzulli, ashtu si i madhi Gjergj Fishta, ashtu siedhe vigani legjendar Dedë Gjo’ Luli, edhe sot e kësaj dite asht pa vorr.
(Marrë nga muri i fb Gjuha Jonë Hyjnore)
Miniskedë Dom Nikollë Gàzulli
Nikollë Gàzulli lindi në Dajç të Zadrimës, më 15 qershor 1895, u vra prej forcat ndjekse të regjimit komunist n’Vrith t’Malcìs s’Madhe më 23 mars 1946. Intelektual, studiues e specialist në albanologjì, etnograf, historian, leksikograf e gjuhëtar. Gelasius – Pseudonimi letrar i D. Nikoll Gazullit.