Gjurmë të poezisë indoeuropiane në emra ilirë
nga Nelson R. Çabej
Ilirët janë një nga popujt indoeuropianë të Europës që në lashtësi zinin tërë Ballkanin perëndimor, nga lumi Sava e Danub në veri, deri në gjirin e Artës në jug, duke pasur si kufi natyror në lindje lumenjtë Morava dhe Vardar. Indoeuropianët ishin një popull i lashtë për të cilët gjëja më e sigurt që dimë është se ata flisnin një gjuhë të vetme, sot e rikonstruktuar në mënyrë të kënaqshme jo vetëm në leksikun (sot kemi një fjalor shumë të madh të proto-indoeuropianishtes), por dhe në gramatikën e saj. Teoria më e pranuar e vendbanimit të tyre i vendos ata në një rajon diku midis detit Kaspik, Uraleve dhe lumenjve Vollga e Don, në një territor që nuk i kalonte 1 milion kilometrat katrorë sepse një popullsi në një territor më të gjerë nuk mund të kishte një gjuhë të vetme. Duke u mbështetur në poezinë e lashtë indiane, iraniane dhe greke, pranohet përgjithësisht se populli indoeuropian krijoi një art poetik. Paraardhësit e ilirëve, ashtu si ata të grekëve, trakëve, dakëve, latinëve, etj., në rrugën e mërgimit të tyre shumëshekullor drejt Ballkanit kanë marrë me vete edhe trashëgiminë gojore indoeuropiane. Tekstet e poezisë popullore të ilirëve mund të mos gjenden ndonjëherë, ndaj mbi karakterin e asaj poezije sot për sot, mund të mësohet diçka vetëm tërthorazi, nga fosilet ose ngurosjet poetike të emrave të përbërë ilirë, që dalin në burimet e lashta, e që pjesërisht ruhen dhe ndër shqiptarët e sotëm.
Gjuha poetike e trashëguar indoeuropiane ka lënë gjurmë të pashlyeshme në emrat vetiakë ilirë, ashtu siç ka lënë në emrat vetiakë të shumë popujve indoeuropianë, duke përfshirë indianët, persianët, grekët, keltët e gjermanikët1). Siç vë në dukje gjuhëtari kroat, Radoslav Katičić: “Emrat e lashtë ilirë të përbërë që gjejmë në tekstet greke dhe latine nuk janë gjë tjetër veçse mbetje të copëzuara të teksteve poetike, copëza të vogla të gjuhës së një poezije heroike”2).
Disa shëmbuj të emrave vetiakë të përbërë ilirë, të konsideruar si relikte të gjuhës poetike indoeuropiane janë Vescleves, Skerdilaidas, Teutmeitis, Magaplinus, Mocolica, Nomeditus, Tritanerus, etj.
Siç pohojnë njëzëri gjuhëtarët, emri ilir Vescleves, bashkë me emrin e lashtë indian Vasusravas (“lavdimadh”) dhe me emrin grek Eukles (Eὐκλῆς) “i famshëm, i lavdishëm”, rrjedhin nga një burim i përbashkët. Edhe një emër i ngjashëm kelt (helvetian) Verucloetius ‘famëmadh’ ka ndajgjegjësin e tij në emrin grek Eurykles (Εὐρυκλῆς) dhe në indishten e lashtë emrin Uraśravas. Besohet se të gjithë këta emra kanë dalë nga një formulë poetike origjinale indo-europiane e 5 mijë vjetëve të shkuara, që është rikonstruktuar nga gjuhëtarët në formën *klewos ṇòdhwhitom “me famë të pafundme”3).
Gjuhëtari i mirënjohur gjerman, Hans Krahe ka argumentuar se emri ilir Vescleves është një emër i përbërë, që ka dalë nga dy rrënjë protoindoeuropiane *wēsu “i mirë” dhe *kleves “lavdi”. Përbërësin e dytë – cleves (kleves) të emrit ilir Vescleves e gjejmë të ruajtur në foljen e sotme shqip quaj që ka dalë nga një kluoj “quaj”, e cila është ruajtur deri në ditët tona në dialektin çam e në dialektet e ngulimeve arbëreshe në Greqi e Itali. Forma e rindërtuar më e lashtë shqipe është *kluue̅- ‘quaj’4), e trashëguar nga rrënja protoindoeuropiane *ḱlewos ‘lavdi, ‘famë, emër’. Nga i njëjti burim ka dalë dhe indishtja e vjetër (sakskritishtja) śrávas, avestania sravah, greqishtja kluō (κλύω-) ‘dëgjoj’, latinishtja clueo̅ ‘quaj, i jap emër’, irlandishtja e vjetër klu (clú) dhe sllavishtja slovo ‘lavdi’.
Prejardhja e përbashkët e këtyre emrave të katër popujve të ndryshëm indoeuropianë i ka shpënë gjuhëtarët e historianët në përfundimin se ky emër, në të katër variantet e përmëndura, është pjesë e një formule të gjuhës poetike të këngëve indoevropiane të heronjve.
Një emër tjetër ilir i po kësaj trashëgimije poetike indo-europiane është Teutmeitis, që është përkthyer “i dashur i popullit”5). Në përbërësin e parë të emrave ilirë Magaplinus dhe Magaplina, Cimochowski ka gjetur formën e hershme të mbiemrit shqip (i, e) madh < *magis6), dalë nga një pie *méǵhas kurse përbërësi i dytë mund të tregojë forcën duke i dhënë emrit të përbërë kuptimin ‘me forcë të madhe, shumë i fuqishëm”.
Emrat dy-pjesësh ilirë të tipit Vescleves, Magaplinus, etj., kanë kaluar nga frazeologjia poetike edhe në gjuhën e kultit të ilirëve, siç shihet në mbiquajtjet at/baba, që u viheshin emrave të perëndive kryesore të panteoneve të popujve indoeuropianë. Leksikografi grek Hesik në shek. e VI të erës sonë, na njofton se fisi malor i timpejve në verilindje të Epirit adhuronte një perëndi që leksikografi e përkufizonte si Zeusin e atij fisi (Δειπάτυρος – ϑεὺς παρὰ Τυμφαίοις)7). Këtë perëndi timpejtë e quanin Deipaturos (Δεıπάτυρoς). Ky është një emër i përbërë, ku elementi i parë, Dei, eshtë emri i trashëguar ilir i kreut të perëndive indoeuropiane që del edhe te grekët si Zeus, te latinët si Deus/*Djow (nga i cili doli Jove), në indianët Diaus, në gjermanishten e vjetër të lashtë Ziu, në anglishten e vjetër – Tiw, etj. Elementi i dytë, paturos në ilirisht donte të thoshte at (baba). Këtë emër, paturos, ilirët e përdorën si mbiquajtje të perëndisë së tyre kryesore, Dei, ashtu siç bënë edhe popuj të tjerë indoeuropianë.
Kështu, krahas Dei paturosit ilir, kishte dhe një Diaus pitar indian, një Zeus pater (Ζεῦ πάτερ) grek dhe një Iuppiter latin.
Nga po kjo trashëgimi poetike indoeuropiane vjen dhe emri vetiak ilir Teutmeitis në Dalmaci, që është përkthyer “i dashur i popullit”8), ku përbërësi i parë Teut- tregon fisin (popullin) kurse përbërësi i dytë është ruajtur në shqipen e sotme në fjalën mag “i vogli i lepurit, dhe ndonjë kafshe tjetër”9), që ka dalë nga një fjalë protoindoeuropiane (pie) *maghu- ‘djalë i pamartuar’. Nga po kjo rrënjë ka dalë protogjermanikja *magats “vajzë e pamartuar, virgjëreshë” dhe anglishtja maiden “vajzë e pamartuar”. Një formë akoma më e afërt me këtë emër vetiak ilir gjendet në letonishten tautu meitas “vajzë e huaj”, e prejardhur nga pie *mēy-“e butë, delikate, e dashur”.
Ndër dalmatët ka qenë i përhapur emri Skenobardus, që mund të lidhet me fjalët ilire *skeno-‘shkëlqen’ dhe *barda-mjekër, (nga pie *bhardha), me kuptimin “ai që i shkëlqen mjekra”. I këtij tipi mbiemëror duket edhe emri Skeno-kalus (Scenocalo Batonis), që del në një mbishkrim të gjetur në territorin e desitiatëve (në Bosnjën e sotme). Një gjurmë të kësaj tradite të këngës heroike indoeuropiane në shtresën më të vjetër të emrave të ilirë, dallojmë edhe në emrin e princit ilir Skerdilaidas (Skerdilaedus), që ka të gjarë të ketë kuptimin “prijës i popullit, prijës i ushtrisë”10). Këtu duhet përmendur edhe emri i përveçëm Teutiaplos, që sipas H. Krahes11) do të thotë “ai që ka forcën te populli”, ashtu si dhe emri grek Demostenes (Δηµoϭδενης). Emri i përbërë Hostidux do të thotë “prijes i miqve, mikpritës”, emri liburn Nomeditus do të thotë t’i vësh emrin, kurse Tritanerus – njeriu i tretë (krahaso *ner-us me fjalën shqipen njeri).
Emra të tjerë të përbërë të një shtrese më të vonë në këtë zonë, që në pjesën e parë përmbajnë një numëror ose një parafjalë, janë Triteuta, Etleva, Ettritus dhe Epicadus.
Emrat dy-pjesësh ilire të tipit Vescleves etj. kanë kaluar nga frazeologjia poetike edhe në gjuhën e kultit, siç shihet në mbiquajtjet at/baba, që u viheshin emrave të perëndive kryesore të panteoneve të popujve indoeuropianë. Mbreti i perëndive ilire, sipas leksikografit grek të shekullit VI, Hesikut, ishte Deipaturos, që ai thotë se adhurohej ende në zonën e thellë malore në verilindje të Epirit, në krahinën e timphejve. Në shprehjen e Hesikut, Deipaturos ishte “Zeusi i timphejve”. Siç, shihet edhe ky është një emër i përbërë ku perëndisë ilire Dei i është përngjitur fjala ilire paturos, që donte të thoshte at. Përngjitja e emrit paturos (at) emrit të kreut të perëndive është karakteristike edhe për panteonin grek ku flitet për një Zeus pater (Ζεῦ πάτερ) grek, për panteonin latin me Iuppiter, dhe për panteonin indian ku flitet për Diaus pitar. Këta emra të përbërë ilirë, që na sjellin jehonën e largët 5-mijë vjeçare të poezisë heroike indoeuropiane, na shërbejnë edhe si dritare në parahistorinë e thellë të popujve indoeuropianë.
Referimet
1.Schmitt, R. (1968). Dichtung und Dichtungsprache der indogermanischen Zeit. Wiesbaden; Indogermanische Dichtersprache. Herausg. R. Schmitt. Wissenschaftliche Buchgesellschaft, Darmstadt.
2.Katičić, R. (1985). Sur la langue des Illyriens. Recherches Albanologiques 2, f. 24.
3.Mallory, J.P. and Adams, D.Q. (2006). The Oxford Introduction to Proto-Indo-European and the Proto-Indo-European World. OUP, Oxford, p. 118.
4.Demiraj B. The Albanian Inherited Lexikon, 1998-1999.
5.Katičić, R. (1985). Sur la langue des Illyriens. Recherches Albanologiques 2, 23-33.
6.Çabej, E. (2014). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes. Çabej, Tiranë, f. 267-268.
7.Hesychii Alexandrini Lexikon, Botimi I 1867, Red. M. Schmidt, Libraria Maukiana.
8.Katičić, R. (1985). Sur la langue des Illyriens. Recherches Albanologiques 2, 23-33.
9.Demiraj B. The Albanian Inherited Lexikon, 1998-1999.
10.Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I. Rilindja, Prishtinë, f. 99.
11.Krahe, H. (1955). Die Sprache der Illyrier I. Wiesbaden, f. 60.
Marrë nga http://www.gazeta-shqip.com 3 Shtator 2016