back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjyqet e pafundme të Ahmet Kolgjinit… nga Jozef Radi

Gazeta

Ahmet Kolgjini 1939-1999
Ahmet Kolgjini 1939-1999

Gjyqet e pafundme të Ahmet Kolgjinit… nga Jozef Radi

Kët shkrim e kam mendue, e kam shkrue
dhe e kam vuejtë vetëm për Ahmet Kolgjinin…
Sinqerisht them,
se në mendje kam pasë shumë e shumë të tjerë…
Asht i lirë kushdo, para ndërgjegjes së vet,
që n’vend të emnit të Ahmetit  me vendosë emnin e vet,
apo të nji prindi, të nji teafërmi apo shoku të vet…
dhe me e përdorë kët shkrim për gjithçka aq fort e ngjajshme
me shumë jetë të tjera nën diktaturë…

Ahmet Kolgjini ishte i biri i Tahir Kolgjinit… (Kështu nisin gjithë aktakuzat kundër tij, kështu po e nis edhe unë kundërakuzën time ndaj krejt atyne…) dhe i Gjylies… (Lokes së famshme të interrnimeve), i lindun në Lusën të Kukësit, me 10 shkurt 1939…
Veç për faktin se i biri i kujt ishte, Ahmet Kolgjini do ta mbante mbi shpinë peshën e dhunshme të krejt nji shteti…
Ahmet Kolgjini ishte vetëm pesë vjeç kur i ati i tij, për t’i shpëtue ndëshkimit të sigurt, la familjen, fisin dhe atdheun…me shpresën se shpejt do të kthehej.
Ahmet Kolgjini ishte djali i vetëm midis pesë motrave që e deshën si sytë e ballit!
Edhe pse vetëm pesë vjeç, i ati në ikje ia besoi Ahmetit barrën e nderit të familjes së Kolgjinëve.
Ahmet Kolgjini ishte fëmijë për ta kuptue barrën  dhe nderin e familjes, po ai i zgjati dorën të jatit dhe e kreu aktin e parë të besës për fjalën e dhanë.
Edhe pse fëmijë, shteti e kishte dënue Ahmet Kolgjinin mos me u rritë, ose e thanë ndryshe… e lejoi me u rritë… po veç nëpër rrugët e burgjeve dhe kampeve të interrnimit.
Përkundër egërsisë së atij shtetit ndaj nji fëmije, Ahmet Kolgjini vendosi jo vetëm të rritej po edhe të bahej burrë… kur vetë natyra s’e pranonte nji gja të tillë.
Ahmet Kolgjini jo vetëm u ba burrë, po u ba edhe burrë urtësie dhe nji fisnik i vërtetë…
Për me e dëshmue fuqinë e vet shteti, filloi qysh herët me e provokue dhe me grumbullue informacion, qoftë edhe të rremë mbi Ahmet Kolgjinin…
Kur Ahmet Kolgjini ishte vetëm 13-14 vjeç, shteti dispononte informacion të bollshëm për me realizue ndëshkimin shembullor të tij…
E ndërsa shteti sajonte si ndër ethe ndëshkimin e tij, Ahmet Kolgjini mblidhte dije dhe kulturë deri n’kufijtë e rrezikut.
Ahmet Kolgjini ishte maturant, pa i mbushë ende të tetëmbëdhjetat, kur idesë rinore të pothuej nji pikniku nga Savra në Shtyllas, (prej nji kampi interrnimi në nji tjetër) iu vulos damka e arratisë dhe tradhëtisë së lartë ndaj atdheut…!!!
Pa i mbushë të tetëmbëdhjetat, Ahmet Kolgjinit i duhej të vuente jo pak po 15 vite burg…
Dhe pa e mbarue gjimnazin, ku Ahmet Kolgjini ishte ndër ma të mirët, iu desht të fillonte “universitetin” e dhunshëm të burgjeve… të shtetit burg…
Ahmet Kolgjini ishte rritë pa babë, tash i duhej të burrnohej pa nanë.
Dosjet gjyqsore të Ahmet Kolgjinit të paraqituna ma poshtë, janë nji shembull i cinizmit, i injorancës, i përdhosjes së drejësisë komuniste, janë nji dëshmi lakuriqe ku shkallët ma të nalta të gjyqsorit ishin ato ma të zellshmet për forcimin e dhunës… Asnji element lehtësues nuk asht marrë parasysh… e kundërta ka ndodhë…
Ahmet Kolgjini, më shtyn të besoj se ndaj këtyre gjyqeve ku janë shkelur edhe vetë ligjet e kanibalëve… duhej t’u hapeshin gjyqe!!!
Nga pesëmbdhjetë vitet e ndëshkimit, Ahmet Kolgjini i kreu ditë e m’ditë dhjetë prej tyne.
Kthimi i Ahmet Kolgjinit te baraka e Lokes dhe e motrave të veta ishte nji gëzim i papërshkrueshëm, gëzim që veç ata që e kanë pa me sytë e tyne mund ta ndjejnë… tjetër kush jo… Unë e kam pà me sytë e mi!
Me sytë e mi e kam pa, kur nji djalosh i imët i quejtun Ahmet Kolgjini, si t’më kishte shok, më ka mbajtë afër në dasmën e tij…
Ai më dukesh djalosh dhe s’mund ta besoja se mund të martohesh nji djalosh si Ahmet Kolgjini… dhe s’mund ta kuptoja si lindet nji njeri burrë…
Ende pa iu gëzue si duhet asaj dasme dhe atij djali që i erdhi sa hap e mbyll sytë, Ahmet Kolgjini do ta degdisnin prej nji kampi në nji tjetër, duke përfundue në Çermë Emigrant.
Po Shteti kur ndjehet Bajloz e s’ngopej as me kroje e as me kope, si mund të ngopej prej urtësisë së nji njeriu si Ahmet Kolgjini…
Ahmet Kolgjini iu dorëzue burgut të dytë pa kalue ende shtatë vite i lirë… tashma duke lanë mbas jo vetëm nanën dhe pesë motrat, po edhe gruen me dy fëmijë të mitur…
Pyetja që unë shtroj asht e thjeshtë: A s’kishte punë tjetër ai shtet i përçudun, po veç me u marrë me nji njeri si Ahmet Kolgjini?!?
Kush e ka njoftë Ahmet Kolgjinin, mendoj se atij i shkonte si askujt shprehja… “S’vritet, as hasëm me e pasë!!”
Ahmet Kolgjini e bani edhe burgun e dytë dinjitetshëm, sepse vërtet: “Burgu për burra ishte!” Pra ai shtet hajdutësh duke mos u marrë me veten, merresh me burrat… Sepse Burrat s’i duronte dot…!!!
Ahmet Kolgjini i bani kokërr më kokërr njizet vitet burgut komunist dhe doli prej atij kalvari i sëmurë, i dobët, i lodhun, por edhe krenar, edhe dinjitar, edhe i paepun në atë çka mendonte dhe besonte!!
Ahmet Kolgjini vazhdoi të punojë kanaleve dhe arave, apeleve dhe survejimeve… shpërfillshëm…
Kur ia demaskuen djalin dhe ushtruen dhunë mbi të pa mbushë as ai të tetëmbëdhjetat para kampit… Ahmet Kolgjini s’u trishtue, veç e pyeti “A mos na turpnove, mor bir?”
Ahmet Kolgjini s’e priti lirinë, liria e kërkoi dhe e gjeti atë… dhe e gjeti në kambë…
Ahmet Kolgjinit edhe pse shëndeti s’i premtonte shumë, ai i kërkoi ndjesë shendetit me i krye deri në fund detyrat ndaj vetes, ndaj familjes dhe ndaj Atdheut…
Në gjithë turbullinën postdiktaturë Ahmet Kolgjini dëshmoi ma së pari përmasën e tij si njeri, mandej përmasën si intelektual dhe poet, përmasën si idealist dhe politikan i rafinuem po edhe dimensionin shpirtnor të fetarit…
Për Ahmet Kolgjinin erdh tejet shpejt nji ditë e dhimbshme vdekjeje, në moshën 60 vjeçare…
Por të gjithë ata që e kanë njoftë Ahmet Kolgjinin, që kanë nda me të ditët e trishta po edhe të bukura të jetës, flasin për Ahmet Kolgjinin si të jetë mes tyne, sikur ai mungon veç për pak në jetën tonë… po gjithqysh kthehet!!
05 shtator 2013

Gjylie Kolgjini (Lokja) me nusen dhe mbesat
Gjylie Kolgjini (Lokja) me nusen dhe mbesat

Aktakuza kunder Ahmet Tahir Kolgjinit dhe Haxhi Dilaver Agalliut

7 Maj 1958

Prokurori N. Kol. Shaban L… (?)
Durrës 4 qershor 1958
Akt-akuzë
Në lidhje me dosjen hetimore Nr.52, në ngarkim t’pandehurve Ahmet Tahir Kolgjini dhe Haxhi Dilaver Agalliut, që akuzohen për kryerjen e krimit të parashikuar nga neni 64-10 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
U konstatua se:
Të pandehurit Ahmet Kolgjini dhe Haxhi Agalliu, duke qënë të një shtrese me përbërje armiqësore, ngase prindërit e të cilve që ndodhen të arratisur jashtë shtetit qysh me çlirim të Shqipërisë, viren në pozita armiqsore për kundër pushtetit tonë popullor, si të tillë mbasi bjen në marrveshje në mes tyre dhe me persona të tjerë me përbërje jo të mirë, bisedojnë, vendosin dhe me datën 10 Prill 1958, tentojnë për t’u arratisur jashtë shtetit në Jugosllavi, kështu kanë dashë që në këtë mënyrë të kryenin krimin e tradhëtisë ndaj atdheut.
Nga hetimet e zhvilluara rrezulton se:
1.I pandehuri Ahmet Kolgjini, duke qënë element armik, i shtyrë nga nji ide e tillë, qysh nga vera e vitit 1957, i lind ideja për tu arratisur jashtë shtetit, duke menduar se gjoja matanë do të jetonte më mirë mbasi kishte dhe ndihmën e babait tij dhe të kushrinjëve që i ka të arratisur në Turqi dhe Jugosllavi. Për t’ja arritur këtij qëllimi, është mundur të pregatisë kushtet duke kërkuar ndihmën në disa persona për ta kaluar në kufi (F.D. 12-13, 16-17, 45-47, 51-54, 58).
Nuk mjafton vetëm me kaqë, por është munduar dhe ka bërë për vete dhe persona të tjerë për t’u arratisur, siç janë Haxhi Agalliu dhe Tefik Vendresha. (Flet e dosjes 13, 45-47 dhe 51-54).
I pandehuri Ahmet Kolgjini, me datën 9 prill 1958, mbasi takohet me shokun e tij Tefik Vëndreshën, bisedon me të dhe si mbeten dakord, cakton orën dhe vendin nga ku më datën 10 prill 1958, do të bëhej nisja për arratisje. (F.D. 12-13, 45-47 dhe 51-54).
Mbasi vendosin për arratisje, me tu ndarë prej Tefikut, kërkon dhe takon shokun e tij Haxhiun, të cilit jo vetëm që i çfaqi vendosmërinë e tij për arratisje, por mundi ta bindi dhe për tu arratisur bashkërisht.(F.D.13, dhe 45-47)
2.Haxhi Dilaver Agalliu, duke qënë element armik, me datën 9 prill 1958, mbasi takohet me shokun e tij Ahmet Kolgjinin dhe me propozimin që i bën ky i fundit, Haxhiu pranon dhe vendos të arratisen së bashku me të, kështu me datën 10 Prill 1958 së bashku me Ahmetin dhe Tefikun, nisen nga Lushnja duke tentuar të arratiseshin jashtë shteti, por mbasi arritën deri në farë vendi, dyshohen tek Tefiku dhe ngase vetë nuk dijshin rrugën për të kaluar në kufi, jashtë vullnetit të tyre detyrohen dhe kthehen përsëri. (F.D. 13, 45-47, 51-54 dhe 58-59).
Siç shifet, veprimtaria e tyre armiqsore për kryerjen e krimit të tradhëtisë ndaj atdheut, nuk ja arritën dotë qëllimit për shkak të pamundësisë dhe frikës dhe jo se hoqën dorë nga rruga e tyre që deshën të tradhëtonin atdheun.
Të pandehurit Ahmet Kolgjini dhe Haxhi Agalliu, gjatë hetuesisë kanë mbajtur qëndrim të mirë dhe plotësisht kanë pranuar akuzën e njoftuar.
Fajsia e tyre provohet: Nga deponimet e dëshmitarve Tefik Vëndresha dhe Avni Bazolli, si dhe nga atribuimet që i bëjin njëri tjetrit në proceset e tyre hetimore. (F.D. 13, 45-47, 51-54 dhe 58-59)
1.Ahmet Kolgjini, i biri Tahirit dhe Gjylës, i dat. 1940, lindur në katundin Lusën të Kuksit dhe me banim (internim) në katundin Savër të Lushnjes, me arsim dy të mesme, student në shkollë 11 vjeçare Lushnje, beqar, kombësi e shtetësi Shqiptar, shtresë e mesëm fshatar, i pa dënuar ndonjiher dhe pa parti, arrestuar me datën 12 Prill 1958.
2.Haxhi Agalliu, i biri Dilaverit dhe Hadijes, i dat. 1940, lindur në katundin Çorogjath të rrethit Beratit, dhe me banim në katundin Çermë të rrethit Lushnjes, arsim unik, me profesion punëtor krahu, beqar, kombësi dhe shtetësi Shqiptar, shtresë fshatar i varfër, i pa dënuar dhe pa parti, arrestuar me datë 12 Prill 1958.
Akuzohen se: Në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë biseduar dhe si mbeten dakord, me datën 10 Prill 1958, tentojin për t’u arratisur jashtë shtetit për Jugosllavi, faj ky që parashikohet nga neni 64-10 i Kodit Penal të Republikës Popullore Shqipërisë.
Kopentant për gjykimin e çështjes, në bazë të nenit 25 i Kodit Procedurës Penale të Republikës Popullore Shqipërisë, është gjykata ushtarake e Durrsit.
Akt-akuza u përpilua në Lushnje me datën 7 Maj 1958.
Hetuesi Kapiten I-rë Nasi Nako
“Pëlqehet” Kryetar’i Degës Punve Mbrëndëshme N/Kolonel Nuçi Tira “Aprovohet”

Ahmet Kolgjini mes shokëve
Ahmet Kolgjini mes shokëve (Naim Staravecka, Sazan Dine, Eugjen Merlika, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomorr Dine, Ahmet Kola, Sokol Miraka)

Vendimi Gjyqsor i Shkallës së Parë

kundër Ahmet Tahir Kolgjinit dhe Haxhi Dilaver Agalliut 12.4.1958.

Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata Ushtarake Tiranës

NR.69 A.
NR.66 Vendimit

Vendim: n’Emër të Popullit
Gjykata Ushtarake e Tiranës me funksion në Lushnje e përbërë prej
N/kolonel: Llazi Polena Gjyqtar
Major: Ahmet Çiraku Nd.gjyqtar
Kapiteni I-rë Uan Lushnjari Nd.gjyqtar
T’asistuar prej Sekretarit Uan Priftit, me pjesëmarrjen e Zv.Prokurorit Ushtarak të Durrësit Kapiteni I-rë Servet Kadilliut dhe në praninë e Avokatërve Mufit Kasha dhe Iljaz Vilës, sot me dt.11-12.VII.1958, shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale që u takon të pandehurve të poshtë shënuar:

1.Ahmet Kolgjini, i biri i Tahirit dhe i Gjyles, i datë lindjes 1940, lindur në katundin Luzën të rrethit të Kukësit dhe banues në Savër, Rrethit Lushnjes, me origjinë fshatar i mesëm, me gjendje shoqërore të sotme student me arsim 8 klasë, me profesion student, i pamartuar, ka në ngarkim nënën dhe një motër, i pa organizuar, i pa dekoruar, i pa dënuar më parë, i arrestuar me datën 12.4.1958.

2.Haxhi Agalliu, i biri Dilaverit dhe i Edijes, i datë lindjes 1940, lindur në Korogjaf të Beratit, dhe banues në katundin Çermë Biçak të Lushnjes, me origjinë shoqrore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore të sotme puntor, me arsim 7 vjeçar, me profesion puntor, i pamartuar, s’ka njeri në ngarkim, i pa organizuar, i pa dekoruar, i pa dënuar më parë, i arrestuar me datë 12.4.1958.
Të akuzuar me akt-akuzën e Prokurorit Ushtarak të Durrësit Nr… datë 7.V.1958 për krimin se: Në bashkëpunim njëri me tjetrin kanë tentuar për t’u arratisur në Jugosllavi, krim ky i parashikuar si pas nenit 64-10 të K.P.
Gjykata, pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, nga provat e marra gjatë hetimit gjyqësor, mbasi dëgjoi Prokurorin, i cili kërkoj dënimin e të pandehurve si më poshtë:
Për të pandehurin Ahmet Kolgjinin dënimin e tij me 15 vjet burgim;
Për të pandehurin Haxhi Agalliun dënimin e tij me 10 vjet burgim, mbrojtësin e të pandehurit Ahmet Kolgjinit, i cili kërkoj dhënien e një dënimi më të butë dhe të matur, mbrojtësin e të pandehurit Haxhi Agalliut, i cili kërkoj aplikimin e nenit 10 të K.P. si dhe fjalën e fundit të pandehurit

Vëren:
Gjatë zhvillimit të gjykimit, rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit: Ahmet Kolgjini dhe Haxhi Agalliu, në bashkëpunim njëri me tjetrin kanë kryer krimin e tradhëtisë ndaj atdheut duke tentuar të arratisen jashta Shtetit për në Jugosllavi, që parashikohet dhe ndëshkohet nga neni 64 i K.P. në kombinim me nenin 10 të K.P.
Krimin të pandehurit e kanë në këto rrethana:
I pandehuri Ahmet Kolgjini, duke qenë i internuar që në vitin 1953-54 nga vendi i tija për në qytetin e Lushnjes, për faktin se babai i tija krimineli, Tahir Kolgjini ishte arratisur dhe për faktin se ky gjatë vitit 1953-54, ishte takue mbi 3-4 herë me diversantat, por që për këtë organet përkatëse nuk murrën masa penale, mbasi ay n’atë kohë ishte në moshë të mitur.
Në vend që i pandehuri Ahmet, gjatë kohës që ishte i internuar të punonte dhe të mbante sjellje të mirë, ky vepron krejt ndryshe. Ay përkundrazi e shton edhe më tepër aktivitetin e tij kriminal. Ay gjatë vjetit 1957, mbasi është takuar me persona të ndryshëm ka biseduar dhe ju ka propozuar disa herë për t’u arratisur jashta Shtetit, por këtij qëllimi nuk ia mbërrijti dot mbasi shokët nuk e pasuan deri në fund. Në vazhdim të rrugës tij të tradhtisë, në muajin Prill të vitit 1958 dhe pikërisht me datën 8-9 takohet me njeriun më adapt me qytetarin Tefik Vendresha, të cilin e njihte nga ana e vëllait të tij, mbasi ky kishte qenë i dënuar një herë për krime kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.
Mbas disa orësh që u takur me Tefikun në muhabet e sipër krijoj besim të plotë se Tefikun do ta kishte një besnik deri në fund për qëllimet i tija kriminale.
Atëherë, mbasi krijoj besimin i thot Tefikut se unë kam dashur të arratisem në Jugosllavi që në vitin e kaluar, por nuk kam mundur dhe kur Tefiku i tha se unë po të dua i kam mundësitë, i pandehuri i propozon duke i thënë që të arratiseshin që të dy sëbashku.
Në përfundim ranë dakord që të arratiseshin. Aty si orë takimi lanë orën 8 të mbramjes të datës 9.4.1958.
I pandehuri Ahmet mbasi ndahet nga Tefiku edhe gjen shokun e tija të ngushtë, të pandehurin Haxhi, në bisedë e sipër i propozon që edhe ky të arratisej sëbashku me të për në Jugosllavi, propozim të cilin edhe ky e pranojë menjëherë. Simbas bisedës që ky kishte bërë me Tefikun në orët e vona të mbramjes të datës 9.4.1958 u takuan të 3 sëbashku. Takim në të cilin vendosën që arratisjen ta lenin me datën 10.4.1958 ora 10 si dhe interirarin që do të ndiqnin. Simbas vendimit të marë ne datën 10.4.1958 n’orën 9, duallën në vendin e caktuar dhe në disa raste me automjete dhe në disa raste me këmbë n’orën 24 të datës 10.4.1958 arritën në katundin Radostinë të Rrethit Fierit dhe më vonë në një pyll të katundit Shtyllas, ku për shkak të kohës së keqe u detyruan të rrinë për gjithë natën. Në mëngjes të datës 11.4.1958, me qenë se ishin të uritur për bukë Tefikun e dërguan në një shtëpi për t’u marrë bukë. Mirëpo Tefiku i penduar për krimin e kryer nuk u kthye më tek të pandehurit, ay vajti dhe qëndroi tek miku i tij, dhe së fundi vajti e denoncoj krimin e filluar. Të dy të pandehurit i vanë për dy herë rresht ke shtëpija Tefikut duke e ftuar atë, mirëpo kur panë se Tefiku po ju vonohej me orë të tëra duke ju thënë se prisni edhe pak sa të marri bukë e të tjera, atë herë të dy të pandehurit ju hyri frika mbasi dyshuan në Tefikun dhe si të tillë, nga frika që ju hyri dhe për faktin se nuk e dinin rrugën për t’u arratisur jashta krahinës së tyre, në mbrëmjen e datës 11.4.1958 u kthyen përsëri në shtëpi ku qysh të nesërmen u kapën nga ana e Organeve të Punëve Brendëshme të Rrethit Lushnjes.
Edhe i pandehuri Haxhi me qenë se të atin e tij e ka të arratisur jashta Shtetit dhe me qenë se tek ay sikurse tha gjatë hetimit gjyqësor se atij i kishte lindur urrejtja karshi Pushtetit dhe Partise, me datën 9.4.1958 kur u takue me shokun e tija më të ngushtë Ahmet Kolgjinin dhe kur në bisedë e sipër nga besimi i math që kishin njëri me tjetrin dhe me qenë se që të dy prindit e tyre i kishin të arratisur, kur i pandehuri Ahmet i propozoj që së bashku me të dhe Tefiku të arratisej jashtë Shtetit për në Jugosllavi, ky e pranoj me një herë këtë propozim dhe si rrjedhim me datën 10.4.1958 ora 10 duke qenë sëbashku dhe me të pandehurin Ahmet dhe Tefik u nis për t’u arratisur duke shkuar nga Lushnja deri në një pyll në katundin Shtyllas të Rrethit Fierit, ku qëndruan deri n’orët e vona të datës 11.4.1958. Por me qenë se Tefiku që është si udhëheqës i tyre u largua gjoja për të marrë bukë, të dy të pandehurit me qenë se Tefiku nuk ju erdhi, dyshuan tek ay, nga frika që u hyri dhe për shkak se nuk e dinin rrugën se nga duhej të arratiseshin, u detyruan jashta vullnetit të tyre të kthehen përsëri në Lushnje. Të dy të pandehurit gjatë rrugës kanë vendosur që dhe në rast se kapeshin të mos u tregonin organeve përkatëse dhe në fakt i pandehuri Haxhi kur u kap për tre ditë rrjesht nuk pranonte n’asnjë mënyrë që ay të ketë tentuar për t’u arratisur.
Krimi i kryer nga ana e të dy të pandehurve ju provohet në kët mënyrë:
Nga thëniet e tyre direkte të bëra këto si në hetuesi, ashtu dhe gjatë zhvillimit të gjykimit, si dhe nga ndëgjimi i dëshmitarit Tefik Vendrezha, i cili gjatë hetimit gjyqsor tha se të pandehurit unë i njof dhe si mbas propozimit të bërë nga i pandehuri Ahmet me dt.10.4.1958 që të tre sëbashku tentuan për tu arratisur për në Jugosllavi, por meqenëse unë u pendova dhe e denoncova një krim të tillë, atëherë dy të pandehurve ju hyri frika, dhe nga frika u detyruan të kthehen në Lushnje të nesërmen.
Gjykata në caktimin e masës dënimit për të dy të pandehurit ka parasysh si rrethanat rëndësore, ashtu edhe ato lehtësore, si dhe afërsinë e ardhjes së pasojave,
Për këto arsye: Trupi-gjykues në mbështetje të neneve 276-277 të K.P.P.

Vendosi: Të deklarojë fajtor të pandehurin Ahmet Kolgjinin për krimin e tentativës së arratisjes jashtë Shtetit dhe në bazë të nenit 64-10 të K.P. e dënon me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim dhe me konfiskimin e pasurisë të lujtëshme dhe të palujtëshme.
Deklaron fajtor të pandehurin Haxhi Agalliu për krimin e tentativës së arratisjes jashtë Shtetit dhe në bazë të nenit 64-10 të K.P. e dënon me 8 (tetë) vjet burgim dhe me konfiskimin e pasurisë të lujtëshme dhe të palujtëshme; gjithashtu ngarkon me shpenzimet gjyqësore të pandehurin Ahmet Kolgjinin lek ……
Kundra këtij vendimi mund të bëhet ankim dhe protestë në Gjykatën e Lartë ‘Kolegji Ushtarak’ brenda 5 ditëve nga e nesërmja e shpalljes së vendimit konformë neneve 301-304 të K.P.P.
Data e paraburgimit ju fillon që nga data 12.4.1958.
Nd.Gjyqtar    Nd.Gjyqtar    Gjyqtari
(firma)
Vërtetohet se firmat e ndihmës gjyqtarëve që mungojnë, figurojnë në arsyetimin e vendimit origjinal.
Sekretari:
(firma)

Tahir Kolgjini (1903-1988)
Tahir Kolgjini (1903-1988)

Vendimi Gjyqsor i Gjykatës së Lartë

kundër Ahmet Tahir Kolgjini dhe Haxhi Dilaver Agalliut 2.IX.1958

Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata e Lartë “Kolegji Ushtarak”

Nr. 86 i Regj. Themelt.
Nr. 83 i Vendimit

Vendim n’Emër të Popullit

Kolegji gjyqsor i kolegjit ushtarak të gjykatës së Lartë i formuar nënë kryesinë e:
N/kolonel    Mustafa Qilimit – N/Kryetar i Gjykatës së Lartë, me anëtarë:
N/kolonel    Sotir Spiron – anëtar i Gjykatës së Lartë
N/kolonel    Hilmi Telegrafin – anëtar i Gjykatës së Lartë
në seancë të hapur të datës 2/IX/1958 mori në shqyrtim çështjen q’u përket të gjykuarvet:

1.Ahmet Kolgjinit, i biri i Tahirit dhe i Gjyles, i datë lindjes 1940, lindur në katundin Lusën të rethit Kukësit dhe banues në katundin Savër të rethit Lushnjes, me origjinë fshatar’i mesëm, me gjëndje student, me arsim 8 klasë, i pa martuar, i pa organizuar, i pa dekoruar, i pa dënuar, i arestuar me datën 12.IV.1958.

2.Haxhi Agalliu, i biri Dilaverit dhe i Edijes, i datëlindjes 1940, lindur në Çorogjat të rethit Beratit, dhe banues në katundin Çermë-Biçak të Lushnjes, me origjinë shoqërore fshatar’i varfër, me gjëndje puntor, me arsim 7 vjeçaren, i pa martuar, i pa organizuar, i pa dekoruar, i pa dënuar më parë, i arestuar me datën 12.IV.1958.

Skeda 1065 (Ahmet Tahir Kolgjini)
Skeda 1065 (Ahmet Tahir Kolgjini)

Të gjykuarit me vendimin Nr.66 datë 12.IV.1958 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës janë dënuar: Ahmeti, simbas nenit 64-10 të K.P. me 15 vjet burgim e konfiskimin e pasurisë. Haxhiu, simbas nenit 64-10 të K.P. me 8 vjet burgim dhe me konfiskimin e pasurisë.
Kundër vendimit të gjykatës së faktit është bërë ankim nga i gjykuari Ahmet dhe pretendohet:
Masa e dënimit është shumë e rreptë dhe e rëndë po të meret parasysh shkalla e pregatitjes së krimit dhe rrethanat personale të mijat si i i ri nga mosha.
Kërkoj ndryshimin e masës së dënimit.

Këshilli Gjyqsor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë
Mbasi dëgjoj relatimin e N/Kolonel Mustafa Qilimit, fjalën e Avokat Niko Zotos, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe ndryshimin e masës së dënimit, mejtimin e Zv.Prokurorit të Përgjithshëm N/Kolonel Vangjel Kocanit, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit dhe mbasi bisedoj çështjen në tërësi,

Veren:
Rezulton e provuar se të gjykuarit Ahmet Kolgjini dhe Haxhi Agalliu, së bashku më datën 10.IV.1958 kanë tentuar t’aratisen jashtë shtetit.
Veprimtarin armiqësore në dëm të pushtetit popullor i gjykuari Ahmet e ka filluar qysh në vitin 1953.
N’atë kohe duke qënë në katundin e tij Lusën është takuar disa herë me diversanta të ndryshëm që vinin në Shqipëri të dërguar nga U.D.B.-ja Jugosllave.
Me qënë se ishte i vogël dhe veprimtarin nuk e ndërpret i gjykuari u internua në Lushnje; por edhe atje ay vazhdoj veprimtarinë armiqësore.
Gjatë vitit 1957, ka biseduar kundra pushtetit popullor me elementa të ndryshëm dhe ju ka propozuar që t’arratisen së bashku.
Në vitin 1958, në vazhdim të punës së tij armiqësore është takuar me qytetarin Tefik Vendresha, i cili ka qënë mik i vllajt të të gjykuarit.
Mbas disa bisedash armiqësore ata aritën në marëveshje që së bashku t’arratisen në Jugosllavi. Mbas ndarjes me Tefikun i gjykuari Ahmet është takuar me të gjykuarin tjetër Haxhi dhe mbas një bisede të shkurtër i ka propozuar që edhe ky t’aratisej me të. I gjykuari Haxhi, u gjet i gatshëm dhe me një herë pranoj t’arratisej. Rrjedhimisht më datën 3.IV.1958 n’orët e vona të mbrëmjes u bë takimi i paracaktuar i të treve dhe u vendos që nisja të bëhej më datën 10.IV.1958 n’orën 10. Nisja u bë tamam n’orën e caktuar. Duke udhëtuar herë me këmbë e herë me automjet rasti, arrijtën në Fier dhe pak më von në një pyll të katundit Shtyllas. Me qënë se ishte kohë e keqe në pyll u detyruan të qëndronin për gjithë natën.
Të nesërmen q’ishte data 11.IV.1958 dërguan në një shtëpi të katundit për të siguruar bukë, shokun e tyre Tefik, i cili n’atë fshat kishte një mikun e tij. Tefiku shkoj tek miku i tij por nuk u kthye më mbassi u pendua dhe denoncoj çështjen.
Të gjykuarit Ahmet e Haxhi dyshuan mbi Tefikun prandaj vajtën edhe vet në shtëpinë ku ndodhej ay dy herë rrjesht. Kur panë se Tefiku nuk po kthehej dyshuan se mos ay i kishte denoncuar, prandaj nga frika vendosën të kthehen në shtëpitë e tyre ku të nesërmen më datën 12.IV.1958 u arrestuan.
Vepra kriminale që kanë kryer të gjykuarit Ahmet e Haxhi është cilësuar drejtë. Ajo përmban elementat e krimit simbas nenit 64-10 të K.P. Vendimi i gjykatës së faktit është i drejtë edhe për masën e dënimit. Gjykata ka bërë individualizim dënimi të drejtë duke patur parasysh rrethanat dhe shkallën e veprimtaris së sejcilit. Pretendimi i Ahmet Kolgjinit për një masë dënimi më të butë nuk është i drejtë. Ay ka veprimtari armiqësore më të gjerë. Të gjykuarin Haxhi dhe qytetarin Tefik i ka bindur ay që të aratisen, prandaj i përket që të ketë dënim më të rëndë.

Për këto arsye:
Këshilli gjyqsor i kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lartë, në mbështetje edhe të nenit 314/I të K.Pr.P.
Vendosi: Lënien në fuqi të vendimit Nr.66 datë 12.VII.1958 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës.
Tiranë, më 2.IX.1958
Antar                 Antar              Kryesonjësi
(firma)                 (firma)                  (firma)
Hilmi Telegrafi        Sotir Spiro            Mustafa Qilimi

Ahmet Kolgjini - Pasaporte '96
Ahmet Kolgjini – Pasaporte ’96

Dosja Gjyqsore e Ahmet Kolgjinit –

Pretenca e Prokurorit 11.2.1976

Sh. Gjyqtar!
I pandehuri Ahmet Kolgjini, u gjykua për agjitacion e prapagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor.
Nga provat që ndodhen në dosjen penale në ngarkim të pandehurit dhe hetimi gjyqsor u provua plotësisht fajsia e të pandehurit për krimin që akuzohet.
Veprimtarinë e tij armiqësore i pandehuri e ka filluar prej kohe, por e ka intensifikuar atë mbas daljes nga burgu dhe sidomos gjat viteve 1974-1975. Si element armik i vendosur kundër pushtetit popullor dhe i dënuar më parë me 15 heqje lirie për tradhti ndaj Atdheut, i pandehuri me veprimtarin e tij armiqësore në formën e agjitacionit e të prapagandës është përpjekur të errësojë sukseset politike, ekonomike e ushtarake të R.P.SH. dhe ka prapaganduar në favor të shteteve kapitaliste e revizioniste për potencialin e tyre ekonomik e ushtarak dhe demokracinë që gjoja ekziston në ato vende.
Drejtimet kryesore që i pandehuri ka agjituar e propaganduar në disa persona kundër pushtetit popullor kanë qenë:
a)Për të paraqitur R.P.SH. që ndjek nji politikë të mbyllur me shtetet e tjera dhe si e tillë ajo është izoluar në marrdhëniet me botën e jashtme dhe nuk merr huara në formë kredish nga shtetet e tjera siç bëjnë Jugosllavia Titiste dhe vendet e tjera revizioniste, të cilat sipas të pandehurit i përdorin këto kredi për rritjen e mirqenies së popullit.
Pikërisht synimi armiqësor i të pandehurit, për politikën konsekuente e parimore të R.P.SH. me shtetet e tjera, ka qenë që të hiqet dorë nga ruajtja e pavarësisë politike dhe ekonomike e R.P.Sh. dhe të ndërtojmë shoqërinë socialiste në vendin tonë duke u mbështetur kryesisht në forcat tona duke i prerë rrugën dhe mbyllur të gjitha shtigjet depërtimit të kapitalizmit e revizionizmit në Shqipëri.
Faktet tregojnë se në ato vende ku shtetet imperialiste e revizioniste kanë ndërhyrë dhe japin kredi, ato e kanë humbur pavarësinë politike e ekonomike dhe ju nënshtrohen diktatit të tyre. Dhe duke vepruar kështu ata kanë tradhtuar interesat e vendit dhe të popujve të tyre. Prandaj n’ato vende ekonomia e tyre është futur në darën e krizave, ngritje çmimesh, papunësi, inflacioni monetar dhe lufta klasore po merr gjithnjë e më tepër përpjestime më të mëdha.
R.P.SH. me politikën e saj parimore e konsekuente, në marrdhëniet me shtetet dhe popujt e vendeve të ndryshme e mbështetur në parimet e mosndërhyrjes në punët e brendëshme e të leverdisë reciproke dhe të internacionalizmit proletar ka autoritet ndërkombëtar dhe gëzon përkrahjen e popujve të botës. Shqipëria është fanar ndriçues i socializmit.
b)Në veprimtarin e tij armiqësore i pandehuri është përpjekur ta paraqesë miqësinë tonë me R.P. të Kinës si të parëndësishme, duke thënë se Kina është larg dhe ajo nuk llogaritet si superfuqi në botë.
Miqësia e popullit dhe e Partisë sonë me popullin e madh Kinez dhe Partinë Komuniste të Kinës është e bazuar në Marksizëm-Leninizmin, dhe në internacionalizmin proletar. Kina sot është një shtet me rëndësi dhe potencial të madh ekonomik e njerëzor, ajo po përparon me hapa të mëdha në zhvillimin e shkencës e teknikës edhe në drejtim të aftësisë mbrojtëse, ajo ka lëshuar me sukses satelitë dhe shpërthime bërthamore, ajo po ndërton me sukses socializmin, është bëre përkrahëse e mbështetje e fortë e shteteve e popujve që luftojnë për liri e pavarsi. Prandaj imperializmi e revizionizmi përpiqen ta izolojnë R.P. Kinës dhe vendin tonë në mardhëniet me botën e jashtme, por këtij qëllimi nuk kanë për t’ia arritur kurrë, sepse influenca dhe autoriteti i tyre në shkallën ndërkombëtare rritet vazhdimisht.
c)Përsa i përket gjendjes ekonomike të vendit tonë i pandehuri nëpërmjet agjitacionit e propagandës me persona të veçant është përpjekur ta errësojë realitetin e vendit tonë. Ai ka bërë krahasime me shtetet e tjera kapitaliste duke e paraqitur gjendjen e tyre ekonomike shumë të mirë dhe se tek neve puntori punon shumë e merr pak, se normat e punës janë të rritura e nuk realizohen, se personat e deklasuar nuk trajtohen mirë dhe se rinia e jonë nuk është e lirë të bredhi e të bëj qejfe si në shtetet kapitaliste e revizioniste.
Fakti është se në persona të veçant që i pandehuri ka agjituar e prapaganduar në drejtimet që u përmëndën nuk ja arriti qëllimit që t’i bindë dhe t’i ketë si mbështetje të tij për veprimtari armiqësore, por ata ju kundërvunë dhe e denoncuan veprimtarinë e tij në organet e sigurimit të shtetit. Kjo tregon se realiteti i vendit tonë nuk mund të errësohet kollaj, bile edhe në individë siç ka menduar i pandehuri.
Në vendin tonë mirqenia materiale e kulturore e popullit si në qytet e fshat vazhdimisht ka ardhur duke u rritur, nji rritje e tillë parashikohet edhe në pesëvjeçarin që porsa e filluam këtë vit. Mobilizimi i popullit tonë për të realizuar e tejkaluar planin për të rritur aftësin mbrojtëse të vendit dhe vigjilencën revolucionare shikohet në të katër anët e vendit dhe në veçanti tek rinia që rritet e edukohet nga partia e jonë e lavdishme. Mbarë populli e brezi i ri në vendin tonë i bindur plotësisht për drejtësinë e vijës partisë tonë të Punës po ndërton shoqërinë socialiste kryesisht me forcat e veta dhe Shqipëria është i vetmi vend në botë ku nuk ka taksa direkte mbi popullatën, ku shërbimi mjekësor kryhet falas dhe nuk ka papunësi. Elementet e deklasuar që nuk duan ta shikojnë realitetin në sy, që nuk duan të punojnë e të jetojnë si gjithë qytetarët e tjerë, por shikojnë ëndrra me sy hapur dhe i kundërvihen politikës së partisë e të shtetit tonë me doemos këta element siç është i pandehuri do të përfundojnë si tradhtarë e spiunë dhe si të tillë do të japin llogari e mbi ta do të godasë drejtësia e popullit në fuqi.
d)Lidhur me grupin kompllotist të Beqir Ballukut etj. i pandehuri në bisedat që ka bërë me dëshmitarin Muhamet Muhameti është shprehur se Beqir Balluku e filloj mirë, por do të kishte qenë më mirë që këto mendime t’i kthente në veprime. Po kështu i pandehuri nuk e ka quajtur të drejtë dënimin e dhënë nga Partia e Qeveria Todi Lubonjës e Fadil Paçramit. Edhe vizitën e udhëheqësit të Partisë tonë në rrethin e Korçës e Pogradecit i pandehuri e ka konsideruar se populli në këto rrethe ishte i pakënaqur, mund të ndodhin trazira e arratisje jashtë shtetit.
I pandehuri si gjithë elementet e tjerë reaksionar i është kundërvënë qëndrimeve të partisë e shtetit tonë në çështje të caktuara si në ato të brendëshme ashtu dhe marrdhëniet më botën e jashtëme, mbështetur në propagandën e shteteve kapitaliste e revizioniste kundër vendit tonë duke dëgjuar emisionet e tyre në radio.
Në veprimtarin e tij kriminale kundër R.P.SH.i pandehuri është futur nga predispozicioni i tij armiqësor. Ai ka mbajtur korespondencë të rregullt me babanë e tij, Tahir Kolgjinin, i arratisur jashtë shtetit, i cili gjatë okupacionit Italian e Gjerman ka pasur poste me rëndësi si prefekt dhe komandat i përgjithshëm i milicisë fashiste dhe u arratis jashtë shtetit bashkë me forcat gjermane në kohën e çlirimit të vendit tonë, për të vazhduar punën armiqësore dhe për t’i shpëtuar drejtësisë popullore.
I pandehuri nuk e ka dënuar të kaluarën e babait të tij, bile ai për mburrje se kishte origjinë dhe prejardhje nga nji familje e privilegjuar në të kaluarën dhe se nuk e tradhëtonte babanë dhe klasën e tij, ka mbajtur në banesë, të varur në mur, fotografinë e atit të tij kriminel lufte. Vet i pandehuri para gjykatës pranoj se nëpërmjet korrespondencës dhe pakove e valutave që i ka dërguar i jati i tij kanë ndikuar si nxitje në veprimtarinë e tij armiqësore kundër R.P.SH.
Edhe rrethi familjar e miqsor i të pandehurit përbëhet nga elementë të deklasuar e të dënuar nga pushteti ynë popullor, nji pjesë e të cilëve kanë edhe njerëz të tyre të arratisur jashtë shtetit.
Vendi i ynë ka hyrë në etapën e ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste. Zhvillimi i luftës klasore në dobi të socializmit, forcimi i vazhdueshëm i shtetit të diktaturës së proletariatit, revolucionarizimi i gjithë jetës së vendit nën udhëheqjen e Partise kanë bërë që populli i ynë të jetë gjithnjë më i vendosur e më vigjilent për të mbrojtur pavarësinë kombtare, pushtetin popullor dhe fitoret e tij në ndërtimin socialist të vendit.
Planet djallëzore të armiqëve qofshin të jashtëm ose të brendëshëm gjithmonë kanë dështuar e do të dështojnë edhe në të ardhëmen sepse në vendin tonë është populli në fuqi që është bërë zot i fateve të tija dhe udhëhiqet nga partia jonë e Punës që e ka çuar popullin tonë gjithmonë përpara nga fitoria në fitore. Uniteti moralo-politik i popullit tonë rreth partisë e pushtetit popullor është bërë më i fortë se kurrë.
Duke qënë se i pandehuri Ahmet Kolgjini është përsëritës në krim kundër shtetit, Gjykata duhet të ketë parasysh që të zbatohet dhe neni 42 gërma “a” e Kodit Penal.
Në kërkesën tonë kemi parasysh origjinën shoqërore e familjare të pandehurit, nivelin e tij arsimor, rrezikshmërinë e krimit që ka kryer dhe rrezikshmërinë që paraqet i pandehuri, i cili nuk u tregua plotësisht i penduar për krimin e kryer.
Prandaj kërkojmë
1)Deklarimin fajtor të pandehurit Ahmet Kolgjini dhe në bazë të Nenit 73/1 dhe 42/a te K.P. të dënohet me 10 vjet heqje lirie dhe me konfiskimin e pasurisë.
Prokurori Gjyqësor
(Riza Taullahu)

Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Baraka ku jetoi familja Kolgjini (Plaku, Deda, Dukagjini, Kalivioti)

Vendimi Gjyqsor i Shkallës së Parë

kundër Ahmet Tahir Kolgjinit 11.2.1976

Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata e Rrethit Lushnje
………….
Nr.19 i Regjistrit Themeltar
Nr.17 i Vendimit
Vendim: “N’Emër të Popullit”
Gjykata e rrethit Lushnje e përbërë prej:
Gjyqtar: Selami Janushaj
Nd.gjyqtar: Ramadan Saliasi
Nd.gjyqtar: Hekuran Muça
T’asistuar nga sekretare Vasilika Sylari, me pjesmarrjen e prokurorit Riza Taullahu, në seancat e çelura në datë 10 e 11.2.1976, shqyrtoi çështjen penale nr.19 që i përket të pandehurit:
Ahmet Tahir Kolgjini dhe i Gjyles, me dl.1939, lindur në fshatin Lusën të rrethit Kukës e banues në N.B. “29 Nëndori” Lushnje, sektori Nr.2. Çermë, punëtor, me origjinë fshatar i pasur, i pa parti, i dënuar me 15 vjet heqie lirie dhe me konfiskim të pasurisë në muajin korrik 1958, për tradhti ndaj atdheut, dënim të cilin e ka vuajtur, me arsim të mesëm, i martuar, me 2 fëmijë, i arrestuar në 5.12.1975.
I akuzuar se, duke filluar nga vitet 1973-1975 ka agjituar e propaganduar kundra Pushtetit Popullor e Republikës Popullore të Shqipërisë e në favor të reaksionit e regjimeve revizioniste e kapitaliste duke kryer krimin e parashikuar nga neni 73/1 K.P.
Gjykata mbasi dëgjoi provat e nevojshme, pretencën e prokurorit që kërkoi të deklarohet fajtor i pandehuri për krimin e akuzuar dhe në bazë të neneve 73/1 e 42/a K.P. të dënohet me 10 vjet heqie lirie, mbrojtjen dhe fjalën e fundit të pandehurit që kërkoi dënim të butë;
Vëren:
I pandehuri Ahmet Kolgjini gjatë viteve1974-1975 ka agjituar e propaganduar kundra pushtetit popullor dhe Republikës Popullore të Shqipërisë dhe në favor të reaksionit dhe të shteteve me regjime revizioniste e kapitaliste.
Në kontaktet personale me persona të ndryshëm që ka menduar se nuk do ta denonconin ka agjituar se gjendja politike, ekonomike dhe fuqia mbrojtëse në Shqipëri janë kritike dhe si rezultat i kësaj gjendje është sistemi shoqëror socialist i destinuar të dështojë.
Në pikpamjen e politikës që ndjek Pushteti Popullor me botën e jashtme, i pandehuri ka thënë se ndjek një politikë të mbyllur prandaj është izoluar dhe nuk ndihmohet nga superfuqitë, ndërsa Kina është larg e nuk ka mundësi ta shpëtojë nga rreziku. Po të ishte e lidhur me një nga superfuqitë nuk e kërcënonte rreziku nga jashtë.
Izolimin e Shqipërisë i pandehuri e ka shikuar edhe në mospjesëmarrjen e saj në traktatin e Varshavës, në konferencën e vendeve Europiane, të cilat në kundërshtim me trajtimin që u bënte shtypi i vendit tonë i ka konsideruar si organizma paqeje e mbrojtjeje.
Lidhur me liritë demokratike, të drejtat e punëtorëve dhe të rinisë i pandehuri ka komentuar se vetëm në shtetet kapitaliste, ku rinia është e lirë të shëtisë e të dëfrejë pa asnjë kufizim brënda e jashtë shtetit pa kufizim, se punëtorët atje punojnë pak e marrin shumë nuk mendojnë për bukë, por për qejfe, se në punë punëtorët shkojnë me veturat vetiake, se po të mos u plotësohen kërkesat, i marrin me anë grevash të lira.
I pandehuri duke bërë krahasime me vendet kapitaliste si Turqia, Italia, Amerika e tjera me vendin tonë ka thënë se në Shqipëri punëtori punon me orë të zgjatura dhe merr pak veçanërisht gruaja që merr 70-80 lekë në 15 ditësh, se është e ndaluar bëria e grevave, të qarkullojë lirisht bile as edhe të kritikuarit. Se rinia ka të drejta të kufizuar, nuk është e lirë të qarkullojë e dëfrejë, orientohet më shumë nga aksionet dhe ata që sakrifikojnë jetën në punë i bëjnë heronj për stimuj që të mos mendojnë për të kërkuar të drejtat e tyre.
Lidhur me gjendjen ekonomike i pandehuri ka folë keq për vendin tonë dhe mirë për vendet kapitaliste. Ka thënë që në Shqipëri mungojnë artikujt industrialë e ushqimorë, mallrat janë me cilësi të dobët; kurse në vendet kapitaliste ka bollëk me çmime të lira dhe garanci shumvjeçare duke dhënë shembull një pallto që ish dërguar nga Amerika kish garanci 60 vjeçare.
Ka propaganduar se shtypi e radiua Shqiptare nuk thonë të vërtetën për vendet kapitaliste dhe duke bërë krahasime ka thënë se vetëm në vendet kapitaliste ka informacion të shpejtë dhe të saktë.
Vizitat e udhëheqësit të Partisë në Mat, Korçë e Pogradec i ka konsideruar si një dobësim të pozitave të këtij regjimi meqenëse ndaj komploteve këto zona kufitare janë shumë të ndjeshme dhe mund të ngrihen në revoltë, të ngrenë flamurin grek e të arratisen në Greqi.
Goditjet e kompllotistëve në vendin tonë Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Beqir Balluku etjerë i ka konsideruar e propaganduar si viktima të diktaturës së fortë dhe si humbje për popullin mbasi simbas të pandehurit kompllotistët ishin për zbutjen e diktaturës.
I pandehuri rrjedh nga një familje e pasur fshatare, babai i tij Tahir Kolgjini, ka qënë prefekt dhe në kohën e luftës nacional-çlirimtare drejtor i milicisë fashiste në Tiranë; me çlirimin e vendit është arratisur në Turqi, ku është bërë fabrikant.
I pandehuri me babain e tij ka mbajtë lidhje të rregullta nëpërmjet letrave, pakove, valutave e turistave, të cilët kanë përpunuar në ndërgjegjen e të pandehurit mendimet për botën kapitaliste. Edhe lidhjet miqsore e fisnore i pandehuri i ka pasë me njerëz të deklasuar të pakënaqur nga Pushteti Popullor.
Vet i pandehuri me vendim nr. 66 datë 12.7.1958 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës është dënuar me 15 vjet heqie lirie e me konfiskim të pasurisë për krimin e tradhëtise ndaj atdheut edhe kur ka dalë nga burgu i pandehuri ka manifestuar pakënaqësitë e armiqësitë ndaj këtij pushteti. Në veprimtarinë e tij kriminale është ushqyer edhe nga ideologjia kapitaliste nëpërmjet emisioneve të huaja që dëgjonte në gjuhë italishte, frëngjisht e anglisht.
Këto fakte janë provuar nga dëshmitarët: Xh. Kapllani, H. Blloku dhe sidomos Muhamet Muhameti me të cilët i pandehuri ka biseduar gjatë viteve 1974-1975. Vet i pandehuri ka pohuar pjesërisht akuzën.
Provë shkresore është dëshmia e penalitetit datë 7.2.1976 që pasqyron dënimin e të pandehurit për tradhti ndaj atëdheut.
Në gjendjen e provave vepra e kryer nga i pandehuri përmban elementet e krimit të agjitacionit e propagandës kundra Pushtetit Popullor në Shqipëri dhe në favor të vendeve kapitaliste e revizioniste që parashikohet e dënohet nga neni 73/I K.P.
Në masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmërinë e krimit dhe sidomos atë të të pandehurit që ka qenë i dënuar më parë për tradhti ndaj atdheut dhe që s’ka heq dorë nga rruga armiqsore edhe mbas daljes nga vuajtja e dënimit.
I pandehuri jo se nuk e shifte rrealitetin e vendit tonë si i vetëm shtet që populli është përjashtuar nga të gjitha taksat, që gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese, që është zot i fateve të tij që merr pjesë direkt dhe nëpërmjet përfaqësuesve në qeverisjen e vendit, që mirqenia e jetesës rritet nga dita në ditë dhe ecet drejt ngushtimeve të dallimeve midis fshatit dhe qytetit, që është i vetmi shtet në botë me stabilitet çmimesh, por me qëllim armiqësor është munduar t’i errësojë këto.
Bota kapitaliste e revizioniste i ka mbuluar kriminaliteti, papunësia, varfëria nga thellimi i dallimeve midis masave në vuajtje e mjerim që shtohen përherë e më shumë dhe kapitalistëve monopolistë rrethi i të cilëve zvogëlohet, nga lufta e konkurrencës, nga kontradiktat e brendëshme e të jashtme. I pandehuri i përket kësaj bote prandaj dhe agjiton e propagandon duke e paraqit të zezën të bardhë.
Për këto arsye:
Trupi gjykues duke parë nenet 277 e 296 K. Pr. Penale:
Vendosi:
Deklaron fajtor të pandehurin Ahmet Tahir Kolgjini për krimin e agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe në bazë të neneve 73/1 e 42/a K.P.
E dënon:
Me 10 (dhjetë) vjet heqie lirie që i fillon nga data e arrestimit 5.12.1975 dhe me konfiskimin e pasurisë së lujtëshme të pjesës së tij.
Shpenzime gjyqësore nuk janë bërë.
Kondra vendimit mund të bëhet ankim e protestë në Gjykatën e Lartë Tiranë brënda 5 ditëve nga data e shpalljes.
U shpall Lushnjë datë 11.2.1976
Sekretare               Gjyqtari
Vasilika Sylari    Selami Janushaj

 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Jetë e dhimbshme… çfarë njeriu i mrekullushëm ishte Ahmeti… Përlotem për fatin e tij, po vjen edhe për me qeshë me tragjikomeditë që krijonte ai sistem për t’i dënuar këta njerëz të pafajshëm… E mbaj mend mirë Ahmetin… sepse ne at kohë unë isha moshatare me Dritën mbesën e tij, dhe më takonte të shkoja shpesh në shtëpinë e tyre në Savër… Të them të drejtën mua më dukesh një njeri që mund ta quaj pa frikë simbol i së mirës… Sigurisht në at kohë unë isha fëmijë dhe nuk e kuptoja që veç të tjerash ai ishte edhe njeri i kulturuar dhe me shumë cilësi të spikatura…
    Por më vjen mirë që erdhi dita që t’i rrëfejmë dhe t’i lexojmë këto tmerre të dokumentuara… që u janë bërë padrejtësisht këtyre martirëve…!

    • Dritë qoftë kujtimi i Ahmet Tahir Kolgjinit!
      E kam pasë njohun babën e tij kur vinte në Belgjikë dhe rrinte te kushrini i tij i respektuem, Rifat Kolgjini.
      Ju falenderoj për botimin e ktyne shkrimeve. Duhen të botohen sa ma shumë shkrime të tilla!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.