
Gladiatorët dhe Qiriri i Nikolin Kurtit
nga Visar Zhiti
Lexoj se është shuar Nikolin Kurti… dhimbshëm më shfaqet qiriri që më dhuroi, kur u kthye nga Kosova në Tiranë, sikur shoh dritën e shpirtit të tij tani, por dhe një si vrull gladiatori po të tij, – do të thosha, – për të bërë më të mirën dhe më të lartën për kujtesën kombëtare, me art dhe shpirt…
Po, po! Me Inxh. Nikolin Kurtin mua më lidhën dy punë:
1-Gladiatorët ilirë – dy skulptura të mëdha të skulptorit të mirënjohur Jani Paço dhe
2-Dom Shtjefën Kurti dhe ai qiriri i tij nga Kosova jonë, Dardania.
-Po ka dhe një të tretë, do të shtoja, përkushtimi qytetar i Nikolinit, mirësia dhe respekti që tregonte, zelli për t’i arritur ato që duheshin…
Ndoshta me Inxh. Nikolin Kurtin jemi parë si fillim në meshë, në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, por e kujtoj kur vinte në Ministrinë e Kulturës, me kostum të zi, serioz dhe i përzemërt, më solli një dosje: “Gladiatorët ilirë”, ja, dhe fotot, më tregoi se skulptori Jani Paço i realizoi, punoi gjatë me to, ndërkohë ishte zbuluar amfiteatri antik i Durrësit, është amaneti i tij, duhej të vendoseshin diku këto skulptura të mëdha, që shpërfilleshin, madje i kishin lënë mënjanë nën pluhur në një magazinë, të shtrirë, të vrarë sërish nga moskuptimi ynë…
Unë do të doja të ishin në qendër, te shkallët në hyrje të Muzeut Kombëtar në kryeqytet, por s’po zgjatem të tregoj, se as tani s’e kuptoj pse s’donin dhe cilët pengonin, u lidha me Bashkinë e Durrësit, etj, etj, por sot falë përkushtimit të Inxh. Nikolin Kurtit, pa asnjë shpërblim punës së Skulptorit, “Gladiatorët Ilirë” janë në një park ndanë detit në Durrës.
Me Inxh. Nikolin Kurtin ishim parë sërish në tubime të ndryshme e kuvende, në mesha, shkëmbenim fjalë me shumë respekt, më bënte përshtypje pasioni i tij, nuk e fshihte, gjithmonë do të flisnin për Dom Shtjefën Kurtin…
Shoh mesazhet e tij, së fundmi më shkruante shpesh në email për artikujt apo videot që kishte për Domin patriot, ç’dilte ndonjë gjë e re, etj. Ai ishte i përkushtuar i gjithë në kërkim të eshtrave të Martirit, diktatura s’dihej në ç’gropë masive i kishte hedhur…
Ne ishim në ceremoninë e lumturimit të 39 martirëve shqiptare nga Papa Françesku, në meshën e shenjtë në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër…
Nikolini kishte shprehur mirënjohjen dhe mua për ato pak fjalë modeste që kisha botuar për të Lumin Dom Shtjefen Kurti.
Kur isha në Tiranë para pak kohësh, më tha se donte të takoheshim, do më jepte dy libra dhe një qiri, sa të kthehej nga Kosova.
Kam shkruar për atë takim, mallëngjyes për mua, në Rrugën e Atjonit, ku ai zbriti nga taksia sa për pak dhe do të ikte po me atë taksi se qëllimi i tij ashtu si dhe dëshira e tij ishin të dhuronte veprën “I lumi Dom Shtjefën Kurti – Jeta dhe pavdekësia” me autorë Dr. Nikollë Loka dhe vetë Ing. Nikolin Kurti, botim dy gjuhësh, edhe anglisht, “Blessed Dom Shtjefën Kurti – Life and Immortality” dhe shoqërohet me dokumentacion dhe me një album fotografish me ngjyra, që flasin, – thashë, – tregojnë që nga Domi e deri te Papa.
Libri tjetër, i përgatitur nga Dr. Nikollë Loka sërish, i një rëndësie tjetër të veçantë dhe historike: “Memorandumi drejtuar Lidhjes së Kombeve nga klerikët Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigj Gashi”. Poshtë emrave të tyre ishte shkruar: Dëshmitarë të popullit martir”. Kjo trini klerikësh në vitin 1930, në janarin e ashpër të maleve, kaluan ilegalisht kufirin nga Jugosllavia për në Shqipëri, nga Tirana shkuan në Romë duke u keqkuptuar se mos kishin ndërprerë shërbimin në Kosovë, por jo, përkundrazi dhe nga Roma shkuan në Gjenevë. Në zyrat e Lidhjes së Kombeve dorëzuan Promemorien “Për gjendjen e minoritetit shqiptar në Jugosllavi”, si u shkeleshin të drejtat, shtypeshin, dëboheshin apo vriteshin…
Dhe ky akt madhor e bëmat më pas do t’i kushtonin jetën Dom Shtjefën Kurtit duke e çuar burgjeve të Shqipërisë, në pushkatim, por dhe në udhën e lume të shenjtërimit…
…Dom Shtjefën Kurti ishte ai, ku rrëfehej Nënë Tereza dhe në oborrin mbretëror, ku rrëfehej Mbretëresha Geraldinë, – kisha shkruar. Patjetër që e gjeta në librat e dhuruar. Dhe është axha i z. Nikolin Kurti. Dhe ai jo vetëm përhapte fjalën dhe veprën e tij, por vazhdonte porosinë si një misionar…
Më kishte sjellë dhe qiririn nga Kosova, me portretin ikonik te Dom Shtjefën Kurtit…
Kur të ndes këtë qiri, do të shoh sërish nga drita e shpirtit të martirit dhe e gjithë martirëve tanë, – shkruajta atëhere dhe shtoj tani, – në atë dritë u përzje dhe drita e shpirtit të Nikolin Kurtit.
-Qoftë i parajsës! – mërmëris nga larg.
Visar Zhiti