back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Golgota e intelektualit, publicistit, poetit e përkthyesit pelegrin! nga Erenestina Gjergji – Halili

Gazeta

Dr. Lazer Radi (1916-1998)
Dr. Lazer Radi (1916-1998)

Nga lartësitë e Sapienzas – në baltovinat e Savrës

Golgota e intelektualit, publicistit, poetit e përkthyesit pelegrin!

nga Erenestina Gjergji – Halili

In Memoriam – Lazër Radi  100 vjetori i lindjes

“Dhe çfarë, Sokrat, është ushqimi i shpirtit?
Vërtet – thashë unë – dituria është ushqim i shpirtit”.
(Platoni)

Dr. Erenestina Halili
Dr. Erenestina Halili

Viti 2016 shënon edhe 100-vjetorin e lindjes së dr. Lazër Radit, prozator, përkthyes, poet, publiçist i doktoruar në Jurisprudencë në La Sapienza – Romë, e më pa I burgosur e internuar në Shqipëri…
Lind në Prizren më 1916 më 29 janar, fëmijërinë e hershme e jetoi atje, më pas si rezultat i raprezaljeve, jeton në Tiranë, Durrës dhe Shkodër… ku prej 1931-38, studion në gjimnazin e me emër të Qytetit, dhe merr dije prej  profesorëve Ernest Koliqi, Skender Luarasi, Eqrem Çabej, Simon Rrota, Paul Guzhoni, Prof. Llupi etj. Qysh herët nis shkrimet dhe aktivizimin në shtypin e kohës si: “Kombi”, “Drita”, “Diana”, ku boton me emër, me iniciale L.R., apo me pseudonime të ndryshme si Lara, Lapredi, Ladi, etje.
…“Kam fillue me shkruejt në shtyp qysh prej vitit 1934, në “Vatrën e Rinisë” të Vasil Xhaçkës (Intervista e L. Radit me gazetarin Blendi Fevziu, AKS e dielë 1-2 prill 1995).
Në vitin 1936, njihet me Migjenin, e prej kesaj njohje e miqësie do të vinte më pas libri “Një verë me Migjenin”, i cili pa dritën e botimit në ditën e largimit të autorit nga kjo botë. Ishte ndër të parët, (në mos i pari, njoftuar nga  motra e Milloshit), që botoi shkrime kushtuar vdekjes së Migjenit, si ai i “Dritës”, me 4 shtator 1938: “Poeti i ri Migjeni vdiq”.

Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina - Pukë 1936
Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina – Pukë 1936

Veprimtaria e tij publiçistike dhe letrare është e dendur gjatë viteve të paraluftës, shënohen nje varg i gjerë kontributesh në shtypin e kohës…
Një ndër datat kalendarike domethënëse për formimin e tij, ishte takimi me Patër Gjergj Fishtën, gjatë kohës së studimeve të tij për drejtësi. “Doli nga shtypi “XVI Prilli”, nji numër unik, botue nga disa studentë të Romës. Në pjesën ma të madhe ishin studime sociologjike dhe kritika letrare natyrisht të letërsisë shqiptare. Kolë Ashta ishte thellue pak ma tepër tek Dom Ndre Mjeda, kurse Pashko Gjeçi bante nji panoramë të përgjithëshme të letërsisë shqiptare, tuj përcaktue edhe vendin e seicilit dhe tuj ba edhe krahasimet e nevojshme.
-Kemi ardhun Padre me ju dorëzue kopjen e parë të këtij botimi unik, që kanë nxjerrë disa studenta shqiptarë, që studiojnë këtu në Romë…” (“Në vorbullën e jetës universitare”).
Ndërkohë vazhdon botimet e shkrimet e tij  letrare në organet e shtypit të kohës edhe gjatë viteve 1940-1944.
Demokracia shqiptare dhe partitë (“Bashkimi”, Viti II, Nr.34, 11 shkurt 1944)
Lodrat e diplomacisë  (Viti II Nr.51 , 2 mars 1944)
Kosova – faktor i pamvarsisë shqiptare  (“Bashkimi”, Viti II, Nr. 53, mars 1944)
Dasija ideologjike prodhim i propagandës së armiqve  (23 mars 1944)
Si mendon për ne, një shkrimtar serb i kohës sonë?  (5 prill 1944)
Autonomia e Kosovës dhe Jugosllavia  (23 prill 1944)
Problematika kombëtare (“Bashkimi i Kombit”, Viti II, Nr. 98, 28 prill 1944)
Heroi i bashkimit  (“Bashkimi i Kombit”, Viti II, Nr.102, 3 maj 1944)
Romantizmi në Shqipëri (Nr. 124, 28 maj 1944)

Lazer Radi dhe Pashko Gjeçi - Tirane 1993
Lazer Radi dhe Pashko Gjeçi – Tirane 1993

Siç shihet, në ketë përmbledhje të shkurtër  datash intensiteti i angazhimit të tij publiçistik e letrar, është tregues edhe i reputacionit të penës  mendimit të tij.
Botimi i broshurës “Fashizmi dhe fryma shqiptare” me parathënie të Vangjel Koçës në 1940, shënoi krahas (“veprës së parë sociologjike shqiptare” – Vangjel Koça), edhe Golgotën e doktorit të La Sapieza-s, gjatë regjimit komunist…
“Gjyqi special” e dënoi me 30 vite burg e më pas nis udhëtimi prej burgjeve drejt kampeve të internimit, me gjithë familje e fëmijë, në vuajtje të pafundme fizike, shpirtërore e gjithëfarësh, deri në 1991…
Tashmë, në liri, por me peshën dhe vrragat e viteve të mohimit, ai rinis të shkruajë  e të  rishfaqet në shtyp, edhe pse I ka kalur 75 vitet. Shkruan veprën “Shqipëria e viteve ’30”; përgatit dy libra me poezi; risheh dhe plotëson veprën “Nji verë me Migjenin”, përgatit një përmbledhje kujtimesh mbi Mirash Ivanaj, përkthen Platonin, Frojdin, Mark Milanin po edhe librin “Qytete dhe Fantazma” të Duçiqit.
Përmes poetit Visar Zhiti dhe pianistes Ermira Zyrakja njihet me poemën e jashtëzakonshme antidiktaturë e antistalinizëm të Jevrem Bërkoviqit “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, të cilën e përkthen mjeshtërisht në vitin 1989, nga gjuha serbo-kroate. Poemë që pa dritën e botimit më 1993, kohë kur në bashkëautorësi me të birin, Jozef Radi, botojnë edhe vëllimin poetik, “Muret e Muzgut” .
Vitet 1994-1998, shënojnë një tjetër intensitet publiçistik e letrar për Lazër Radin. Si për të kapur vitet e mungesës së gjatë, krahas botimeve ne shumë gazeta. Ai drejton gazetën “Bashkimi i Shqiptarëve” (52 numra), dhe boton librat 15 libra si “Misteret e një Ministri”, “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”. Përkthen Frojdin dhe Jungun, një “Enciklopedi të historisë së botës” dhe një seri veprash ende nëdorëshkrime…

Lazer Radi gjate punes...
Lazer Radi gjate punes…

Në 1995, boton librat me përkthime “Epopeja e njeriut”  të vëllezërve Ivanaj dhe “Jeta dhe Zakonet e shqiptarëve” të Mark Milanit. Më 1996, boton librin e dytë poetik “Shpresa vdes e fundit” dhe monografinë “Njeriu i rrugës së gjatë”. Po edhe përkthimet “Platoni, vepra”, dhe “Qytete dhe Fantazma” të Jovan Duçiq, apo studimin “I pari Gjyq Special në Shqipëri”, memuarin “Shqipëria në vitet ‘30”, ku autori paraqet një tablo të letërsisë, rrymave letrare e kontributeve të poetëve e shkrimtarëve shqiptarë të kohës. Ndërkaq boton vëllimin poetik “Anzave të Sharrit”, novelën “Apollogjia e Sokratit në Tiranë” nji opus prej 15 (pesëmbëdhjetë) titujsh të botuar…
Mbyll sytë mëngjesin e 23 shtatorit të ’98, po atë ditë, doli nga shtyp libri i tij i dashur “Një verë me Migjenin”.
Libri sjell dëshmi vetjake për poetin e madh, si dhe një kronologji të kritikës rreth tij prej vitit ’39 e deri në 1990. Ai gjithashtu sjell tipare karakterologjike të Migjenit, parë në sytë e Radit, duke e bërë një interes të shtuar për lexuesit e studiuesit.
Kontributi i Lazër Radit, meriton studim të thelluar shkencor e kritik, sepse kështu jo vetëm njohim vlerat tona në historinë e letërsisë shqipe, por edhe historinë shqiptare të panjohur, o të njohur përkitaz…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.