back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gomari i Sokratit – Rrëfenjë e lashtë

Gazeta

Sokrati (469-399 p.k)
Sokrati (469-399 p.k)
Gomari i Sokratit –
Rrëfenjë e lashtë
Sokrati i madh e kishte bërë zakon që të qëndronte mbi një gur të madh, në qoshen e tregut dhe të mbante ligjërata, në të cilat u fliste njerëzve mbi tematika të ndryshme rreth jetës dhe filozofisë. Njerëzit kalonin pranë tij, ia vinin veshin për pak kohë, pastaj largoheshin, pa treguar ndonjë interes për filozofinë e Sokratit.
Duke parë njerëzit që nuk tregonin pikën e interesit për filozofinë, Sokrati mendoi të provojë diçka tjetër. Ai deklaroi me zë të lartë se do të rrëfente një tregim shumë të bukur. Menjëherë, të gjithë ata që e dëgjuan njoftimin, u afruan, gjithë kureshtje se çfarë do u dëgjonin veshët.
Kur numri i dëgjuesve u bë i konsiderueshëm, Sokrati ia nisi:
“Një tregtar kishte shumë mall stok të pa shitur, prandaj, një ditë vendosi të niset drejt një qyteti tjetër, me shpresë se do ta shesë mallin atje. Mori mallin, e mbështolli me një copë dhe pasi e hodhi në shpinë, me të lindur drita e ditës së re, u nis drejt qytetit ku do shiste mallin. Rruga e vetme kalonte nga një mal, i cili duhej ngjitur. Gjatë rrugës, takoi një burrë tjetër, në shoqërinë e gomarit të vet, nisur drejt të njëjtit qytet. Mbasi përshkuan një copë rrugë bashkë, u prezantuan, bënë muhabet… edhe u miqësuan. Duke u çapitur malit, tregtari i tha bashkëshoqëruesit të tij:
-Të paguaj sa të kërkosh, nëse ma jep gomarin me qera, që të më mbajë mallin deri në destinacion.
Ai pranoi kundrejt një shumë parash dhe tregtari ia ngarkoi gomarit barrën…”
Në këtë çast, Sokrati vuri re se grumbulli i njerëzve përreth veç shtohej. Kishte një interes shumë të madh për ta dëgjuar tregimin e tij. Shumë prej tyre i kishin harruar dhe arsyet pse kishin vajtur në pazar atë ditë.
Sokrati vazhdoi tregimin:
“Ngjitja e malit ishte e vështirë, dielli përvëlues dhe mungesa e ujit e bënte ngjitjen më të zorshme akoma. Të djersirë e të rraskapitur, vendosën të pushojnë.”
Sokrati vuri re se dëgjuesit ishin shtuar edhe më shumë, të gjithë qëndronin të heshtur, sy e veshë në pritje të detajeve të tregimit.
Ai vazhdoi dhe tha:
“Mali ishte i zhveshur dhe nuk kishte as dhe një hije për të pushuar, hija e vetme ishte ajo e gomarit të ngarkuar me mallra tregtie. Por, hija e veshgjatit nxinte vetëm një person. I zoti i gomarit tha se hija i takonte atij, sepse gomari ishte i tij. Sakaq, tregtari kundërshtoi me pretekstin se e kishte marrë me qera gomarin dhe ai gëzonte të drejtën ta shfrytëzojë dhe hijen e tij.
Nga ana e tij, i zoti i gomarit protestoi dhe tha: -Zotëri, unë të kam dhënë me qera gomarin dhe jo hijen e tij.” Por tregtari u përgjigj: “Unë mora me qera gomarin dhe kjo përfshin dhe hijen e tij.”
Numri i njerëzve të etur për të dëgjuar tregimin veç shtohej. Në këtë pikë, Sokrati ndaloi, zbriti nga guri i tij dhe çau mes turmës së njerëzve, të cilët iu vunë pas dhe i kërkuan të përfundojë tregimin e nisur. Nga ana e tij, filozofi bënte sikur nuk i dëgjon lutjet dhe kërkesat e tyre. Njerëzit e ndaluan dhe i kërkuan me vendosmëri ta përfundojë tregimin e tij, pasi për këtë qëllim kishin ardhur.
Sokrati ndaloi dhe duke u kthyer nga njerëzit u tha:
“O njerëz! Kam shumë kohë që u flas për jetën dhe filozofinë e saj, por as që ma vinit veshin. Ama, me të filluar t’ju tregoj një përrallë të stisur nga mendja ime, e që vërtitej rreth një gomari dhe hijes së tij, ju u grumbulluat si të marrë për të më dëgjuar. Ju u kushtoni rëndësi tematikave idjote, e lini pas dore ato që lidhen me jetën tuaj…”

(Përzgjodhi dhe përktheu: Elmaz Fida)

Marrë nga Muri i FB “Mbi libra nga Agim Baçit e Blendi Salaj”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.