back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Grafia e “metaforës” socioreale te poezia e Andi Bejtjes – nga Emrie Krosi

Gazeta

Andi Bejtja - AtdheDashuri - Poezi
Andi Bejtja – AtdheDashuri – Poezi

Grafia e “metaforës” socioreale te poezia e Andi Bejtjes

nga Emrie Krosi

Deshifrimi i numrit të pesëdhjetë të moshës me pesëdhjetë poezi, nuk është rastësi, sepse Krishti ka simbolikën e numrit 33. Në alkiminë numerike të mesmoshës jetësore dhe numrit të poezive, është “peshtafi” jetësor i Bejtes, në analogji edhe me “Alkimisti” e Coehlio-s, por unë do bëj një paskthim në kohën e viteve ’30, kur kritiku Krist Maloku, hedh pyetjen qindmilionëshe “A është poet Poradeci?” . Unë do të pyes: A është gazetar, a poet Andi Bejtja??!
“Mëkati” poetik nuk ka pësuar “katarsis”, pasi pluhuri kozmik ka mbuluar areolën e “harresës” poetike nëpër analet e “dilemave” të politikës, si gazetar opozitar si analist, (fundja herë-herë e ka bërë mirë), në rolin jo të gjithëditurit si ca “kolegë” letrarë, apo “(pan)analistë” të gjithëditur nën “pikëllimin” e kotësisë dhe absurdit shqiptar, të paktën Andi ka një alibi: poezinë!
.
Emi Krosi
Emi Krosi
Libri përmban vetem 50 poezi, me dëshirën për të thënë gjithçka!
Ai hapet me një citim të Faustit: “ajo që nuk e dimë ajo na duhet; ajo që dimë, nuk na hyn në punë”, “Fausti”, Gëte. Libri me poezi “AtdheDashuri”, i Andi Bejtjes, hapet me skicën “Grafi”, në formën e skicave letrare të Migjenit, me detajin e saj, është një formë e ndërmjetme letrare, të quajtur edhe ‘realizëm ekspresiv’. Me përqëndrimin e vëmendjes në raportet referent (kontekst)-tekst, sipas Prof. Kristaq Jorgos, citon: “të gjykuara si “thellësisht besnike”, shpërfillet tipari kryesor i shenjës letrare, autorefleksiviteti”, poezia e parë e librit është edhe poezia paskopertinë, me titull: “Gjithë natën”. Me vargjet: gjithë natën eci nëpër ëndërra/ në mëngjes s’më dhembim këmbët/ por zemra f. 17, një poezi pesëvargore të tipit surrealist. Është poezi e tipit “poetika e ajzbergut”, ku simbolika e ëndrrës sipas Frojdit, tek libri “Interpretimi i ëndërrave” , si një mosplotësim të dëshirave të papërgjegjshmërisë, apo për Calvin S. Hall, “ëndrrat janë procese njohëse”, që “hirnojnë” edhe poezinë “Dëshirat”, kur poeti “projekton” hënën, për dëshirat e fshehura, që për G. William Dumhoff, “ëndrrat janë një refkletim i jetës që bëjmë kur jemi zgjuar”, se: për në ëndërr…/ dhe deri në ëndërr/ dhe deri në ëndërr…/, ku anafora dhe përsëritja, janë mëtime të absurdit të “Çdo ditë” ku shkruan: O Zot,/ majmun u bëra,/ por këtu nuk ka asnjë pemë! f. 20., evolucioni i qenieve, apo “teoria e Darvinit”, nuk evolucionon majmunin, por majmunëson njeriun. Përtej receptimi të poezive, poeti sa absurde edhe ekzistencialist, “kryqëzon” kohën, në poezinë: “Apokalipsi kurrë nuk ndodh”, me vargjet: e djeshmja fle në shtrat me të nesërmen/ teska e sotmja e djersitur…f.21, si një “ndërfutje” e Todorovit, për të kuptuar së përnasa e apokalipsit të njeriut, nuk është shkatërrimi i absurdit brenda vetes, por shpërfaja e një substrati inekzistencial, për të ardhem “imagjitative”, për Rugovën, është “dimension i katër prustian i kohës së kthyer në shumë “momente të tashme”, ku poeti vetë ka skajuar tashmë tri kohë të tjera: koha historike, ose koha që ecën pambarimisht (tranzicioni shqiptar i pambarimtë) në poezinë: “Grafi e një dite nga viti 1990”, me vargjet: prapë s’ka drita!/[…] Prapë s’ka drita!/[…] Prapë s’ka drita!/[…]ku hipën profetë që/ s’e parashikojnë dot të ardhmen. Prapë s’ka drita!f. 22-23, koha historike “shpërfaq” akoma grinë e saj e hapërdarë, në asgjënë dhe absurdin e shoqërisë tonë. Sipas Kamy-s, “absurdi është arsyeja që cakton caqet e saj”, sepse njeriun absurd e tradhëton arsyeja. Përsëritja disa herë e vargut: Prapë s’ka drita, (katër herë) bashkë me asonancat dhe aliteracionin, që vazhdon po me të njëjtin varg me përshkallëzimin zbritës deri tek përsëritja, [prapë]. Mënyra shkrimore, nuk “anon” nga shpërfaqja e një kohezioni poetik në metrikë të rregullt, ku poeti nuk është aspak “nihilist”.
koha e atdheut, të paktën koha shekullore koha universale, tek poezia; “Atdhedashuri”,
një poezi rrëqethëse, ku “përshkrimi” i Atdheut nuk bëhet në mënyrë snobe, por aq pafajësisht, saqë mbetet një poezi, që të frymëzon. Kjo kohë e dytë e atdheut, është koha më e gjatë (jo fizikisht si kontinuitet kombëtar me kufinj, status, emër, flamur, apo himn dhe gjuhë), por te kapërcimi i kohëve me tri grupe vargjsh:
 
Grupi I: (shpërfaqja e absurdit), në vargjet: Në këtë vend ku dembelizmi është virtyt/ ku ka fusha të gjëra me vesë/ dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë/ unë historinë e kam lidhur/ pas një gomari veshkurtër, f. 28, janë vargje të një prototipi të një (Mersoi) shqiptar. Vargu: në këtë vend ku dembelizim është virtyt, duket sikur nuk ka fare lidhje me vargun e dytë. Një Vladimir indiferent dhe dembel që po pret Godonë, diku në hijen e Parnasit të Fishtës dhe po “lexon” “Gomari i Babatasit”, se çdo gjë është “tabu”, është “fasadë”, është “mur” është “gënjeshtër” dhe çmitizimi i një gënjeshtre, në vargun: dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë, vjen pas vargu: pas një gomari veshkurtër, ku sarkazma “derdhet” për të shkuarën sa heoike aq edhe ç(heroike). Të çmitiztosh epokën Skënderbiane, (nëpërmjet një sarkazme) nuk është “krim” as vrasëse për poetin, i cili fundja shkruan dhe flet si shqiptar, herë si (pro)Skënderbe, herë si (anti)Skënderbe. Fundja edhe mitet bien, se “miti është thënie”, thotë Barthes.
 
Grupi II, (“qetësi sarkastike”), në vargjet: po unë nuk mërzitem/ as ofendohem/ Europës/ nuk i mbaj mëri/ vazhdoj të eci nëpër tym/ si një Konstadin/ që ngrihet nga varri/ dhe kujton se motër nuk ka patur kurrë, f.29, mjegulla e kotësisë dhe mërzitja ndaj Europës është edhe përbuzja ndaj qenies tonë shqiptare, se sarkazma nuk e fsheh groteskun e pritjes shekullore, si pjesë politike të Europës (elemete të modernitetit në poezi), kur dyvargorët: Europës nuk i mbaj mëri/ vazhdoj të eci nëpër tym, poeti duket i qetë në (për)tymësinë “sarkaistike” të metaforës së fjalës Europa. Fundja Fishta kot nuk “pëlcet” ndyrë me vargjet e tij: moj Europ’ moj kurva motit, si në “ftohtësinë” e një Makiavelisti si Bejtja, që: vazhdoj të eci nëpër tym, se koha shqiptare ka “djegur” etapat e të qenit vetë njeri shqiptar.
Rozafa, Skënderbeu, Kostandini, janë emrat e kulteve tona të “ndaluara” dhe të “regjura” në kohët e lavdisë së mitologjisë tonë, si “ushqim” jo për shqiptarizmin e “verbër”, por ndoshta hiperbola e “lavdisë” galopante ka humbur.
 
Grupi III, (shpërfaqja mentale e intelektualit largpamës), në vargjet: e shumta që mund të kërkoni/ është të jem Ismail Qemal;/ të ngre flamurin kombëtar/ në xhep të pantallona bluxhins/ për të shpallur në paqe dhe pa bujë/ pavarësisnë e Mendjes Sime, f. 29, është “vizatimi” i qenësisë së Atdheut, të “pushtuar” nga Vetvetja (vetë ne), jo ndaj konjukturave të kohës, por nga realiteti i “ngjitshëm” i mendësisë së (pa)varuar të intelektualit individualist, që shkërmoq antivlerat, personale dyzohet dhe “dyshon” tek të tjerët, duke ecur brazdave të vetëdijes se e ardhmja është përbashkësia jonë: ejani të bashkohemi! Poezia “Peizash i lashtë”, me vargjet: ndoshta po lind një legjendë një mit,/ një përrallë…f.30, poeti na sjell poetikën e realizmit magjik të Markezit, vargjet; mjegulla lëshon ofshamë mbi fushë, është një varg epifamik, se në letërsi epifamia është pjesë e poetikës moderne të shkrimit.
 
Simbolika dashurore, me poezinë “Natë vjeshte”, vargjet: e dikush luan në piano/ e gjethet bien, f. 32, është një “udhëtim” natë dashurie në botën fantastike të kujtimeve, nëpërmjet vargjeve përsëritësë. Metafora më përfaqësuese: dashuria, ëndërra, hëna, “frymojnë” lehtë si tek poezia: “Me kokën tek gjijtë e tu”, kur me vargjet; me kokën në gjijtë e tu/ bota është ndryshe,f. 39, ka mbetur dashuria tek gjidhënia (fëmijëria) por gjipirja (dashuria), është kalimi në etapat e jetës (burrërimit) jo nëpërmjet “dashurisë së pistë” por të një mahnitjeje si të një fëmije, larg çdo elegjie, në kumtimin e të bukurës. Poezia “Kur e dashura vjen nga deti”, “Hëna e plotë”, “Sonte gjithçka dëgjohet”, “Dashuri mbi dashuri”, vargjet: dhe unë bie të fle/ me njё fytyrë majtas, një djathtas/ pa dashur/ me dy dashuri, f. 41, duke u “kacavjerrë” nëpër shpirtin e dashurisë, që “strehohet” në portën e vjetër të shpirtit të shqetësuar. Një shkapërderdhje e dashurisë, si ujë në një lëfyt druri, në udhë, ku të gjithë “do pinë” është edhe njëmendësia e dashurisë tonë përditësore, pa lajle dhe zbukurime, në poezinë “Dashuria është orë”, vargjet: dashuria është orë,[…], akrepat janë këmbët e tua/ kur ti bëhesh e mërzitshme, f.43, në këtë dashuri të hallakatur s’ka mëkat, por në poezinë “Shtrati yt”, “mëkati”, nuk është një virgjëreshё, por një Shën Madalenë, që nëpër shtratin tënd/ të mbushur me imazhe meshkujsh , f. 44, poeti “zgjon” tek “Vogëlushja” duke e përligjur me Bodlerin, “e nga fundi i këndshëm i gojës tënde”, larg “grishjes” të orgazmave “vegjetative” që prodhon sot poezia moderne, si tingulli i “ndryshkur” i telave të këputura të kitarёs. Ndërkallja e rrymave por edhe tematika, të poezive të shkurtra, por që të joshin drejt një “lexuesi model” të Ecos, e bën poetin të zhytet në ujërat e hermetikës dhe hermetizmit. Poezitë; “Asgjë dhe Asgjë”, dhe “Shfletim”, asgjëja, absurdi janë “derdhur” në vargjet: asgjë dhe asgjë… sërish asgjë,[…], asgjë dhe asgjë. Ndoshta sërish asgjë, një poezi e mbushur me përsëritje, të vargut të parë dhe të fundit, konsonanca, asonanca, nxiton për një “Shfletim”, thelbi ungaretian ka mbetur përsëri… përsëri një zbrastësi.
 
Një sagë familjare,“Shtëpia jonë”, hija e njerkut përkund vetveten/ babai nuk dimë se ku ka shkuar f. 52, jo pa qëllim e emërtova saga familjare si “Saga e Forsajtëve” John Galsёorthy, citon se: hija e njerkut përkund vetveten, në “pasqyrën” e kujtimeve të një fëmije pa figurën atërore, ku “figura” e njerkut është një hije tundëse, i padukshëm dhe i padobishëm për fëmijët, vetëm se është burri i mamasë, dhe poezia tjetër “Orë stilistike”, kemi një dashuri normale/ të cilën duhet at paraqesim […] por burri dhe gruaja/ duhet të flisnin papushim,[…], për të treguar se sa shumë e duam njëri-tjetrin/ sesa të lumtur janë më njëri-tjetrin,/ siç bëjnë shumica/ e bashkëshortëve të pakënaqur/ apo poetët e dështuar të kësaj bote, f. 53-55, një poezi që duket si një poemë, ku poeti dënon hipokrizinë e shumë çifteve tona, apo edhe familjeve që thjeshtë mbajnë “maska” dhe “fytyra fasada”, sikur janë të lumtur, por brendia është shkërmoqur si kala rëre. Nuk është vetëm një klithmë “alla shqiptarçe” por problem i çdo familjeje moderne globale. Tabloja e “fundit të lumtur” apo të një “deux ex machina” për poetin ka marrë fund. Poeti e urren hipokrizinë, duke thënë: “njerëz hiqni maskat!” Jeta është e shkurtër dhe koha duhet vlerësuar duke lumturuar të dashurit dhe familjen tënde. Poezia “I lumturi”, ah kur bëj dashuri me sekretaren/ të nesërmen… kështu, pra, kurvëroj/ nga pak, por mund të çmendem/ nëse gruaja më tradhëton ndonjëherë, f. 56, ka një kumt tronditës që shemb çdo vlerë jo vetëm të marrëdhënies mes bashkëshortëve, por edhe fenomeni i “prostuticionit” zyrtar, ku “shefat” shfrytëzojnë postin për të treguar “kush është shefi” ndaj vartësve sidomos femra, por hipokrizia maskiliste “griset” nga maska e “xhelozisë” ndaj gruas, së tradhëtuar. Kjo tipologji socioreale jo vetëm shqiptare, por edhe e mendësisë ballkanike, na “ngushton” imazhin e lindorit (pro)perëndimor, ku “pushteti maskilist”, sundon si një mendësi e prapambetur. Nuk po përjashtoj nga saga e familjes, dy poezitë me të dhëna autobiografike, apo (memoaristike), jo në formën klasike, por si ndërkëmbim mes reales dhe groteskut, se për Derrida-n, “autobiografia është sistem i gjurmëve, shenjave nga të cilat nuk ka kthim tek origjina përtej tekstit”, tek poezia: “Për të mbetur fëmijë” vargjet: dhe ashtu bëra për të mbetur fëmijë, f. 75, është një poezi ku absurdi dhe grotesku rrinë shumë mirë sёbashku, ku “kriza moderne” e familjeve dhe mbarë shoqërisë shqiptare, nuk është vetëm substrat i etnopsikikës tonё, një sagë “egoiste” por edhe klithëse, kurse poezia: “Lindje”, me vargjet: ndodhem në bark të nënës/ duke pritur të bëhem foshnje, f. 76, duket si një ricklim jetësor, me kthim në gjenezë. Gjeneza, apo arti i paralindjes, (fara e ngjizjes dhe rritja e filizit) brenda placentës, “përcakton” të ardhmen dhe Qenien që akoma nuk është shkëputur nga Hiçi, (jomateria njerzore), për të kuptuar absurdin dhe kotësinë e njeriut “të tepërt”, të botës shtatë miliardëshe, një kronikë sa biografike, aq reale dhe surreale, që sipas Rusell; “në kuptimin e ngushtë memoria përdoret vetëm për të sjellë ndërmend kujtesën e ngjarjeve të shkuara”.
 
Klithma “vrastare” e realiteti modern, që “maskohet” pas tragjedive, tek poezia: “Tragjedi moderne”, Kleopatra, Kleopatra, mjerë ai që e njeh!/ vallë a do mbetet njeri/ I shtrirë në këmbët e saj gjithë jetën?[…] O perëndi/ pa më thuaj/ Ç’bëhet këtu/ askush nuk vdes/ dhe tragjedi luhen përditë!? f. 57-58, një “qethje” brisk të politikës, por një ndërthurje me personazhet letrare dhe historike, (personazhet e Shekspirit), tregon se tragjeditë e “vrasjeve në politikë” me mashtrime, korrupsion, premtime boshe, ndodhin çdo ditë, që kur ka lindur shteti. Politikat shtetërore dhe politikanët “pjellin” vetëm tragjedi, (aktor janë popujt) në (prapaskenat) e tragjedive të fateve të tyre, por askush nuk vdes. Personifikimi i Kleopatrës, është mesazhi: se politika prodhon çdo ditë tragjedi, me “vrasës” anonimë. Kurse poezia e fundit “Pasthënia”, vargjet: në këtë funndshekull/ ju/ nuk para lexoni poezi,[…]të përbërë nga/ fjalë, zjarr, ëndërra dhe letër/[…]njerëz,/ ne ju kemi lënë me barrë/ në shtrat pa shkuar ende, f. 77, është “shenja” e Kupidit jo të zemrave, por të shigjetës kundër poezisë, që ka humbur ekuilibrat e saj nga “konkurenca” jo me librin, por me internetin dhe niveli i saj “mediokër”, ka rrëzuar vetveten në humnerën e harresës, sepse ka humbur edhe lexuesi. Mungesa e “poezisë elitare” përkundër “horizonit të pritjes ” të Jauss-it, vjen nga mosfunksionimi i kritikës, si “kandari” i vlera të munguara nga tranzicioni i gjatë, që ka “shterrur” jo vetëm politikën me “ikonat e zvedhura të kohës”, por edhe shoqërinë, artin, letërsinë dhe në veçanti poezinë. Ngjeshja pa stilema letrare pa retiçença apo edhe përsëritja, stili i të shkruarit shkurt të poezive, “Mbi lavamanin e bardhë”, “I ndihmuar nga hëna”, “Stina e pestë”, “Poetit”, “Fjalët”, “Pak borë”, “Hon”, “Evolucion”, “Dy pleq”, “Fusha” “Kërmilli”, një stil modern, që ndërthur vetëdijen dhe realen, njëmendësinë dhe kotësinë, çastin dhe përjetimin, natyrën dhe frymëzimin, sikur poezia “Hon”, pyetja ekzistencialiste PSE si te “Pse?!” e Spasses, shton akoma më shumë dilemën e thënies së Sartr-it: “ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi!”
 
***
Poezitë e Bejtjes, kanë një stilistikë moderne, me vargje që përsëriten në fillim dhe fund. Poezia “Ëndërra ime andej”, apo edhe ndërrimi i [f/l] tek poezia, “Fjalët”, kur unë fle, flenë dhe fjalët, apo edhe poezia “Hon” ndërkëmbimi i zanorere (sonancave) dhe bashkëtingëlloreve (konsonancave) [{p} (buzore) + {s }(kërcitëse)], formon një “orkestër” si një iso polifonike, me anafora dhe epifora, poezitë e Bejtjës “pluskojnë” në të gjithë ujëra që rjedhin nga rrymat letrare; që nga realizmi, simbolizmi, absurdi, hermetizmi, ekzistencilalizmi, modernizmi dhe potsmodernizmi.
Si përfundim: Andi Bejtja, ka një poezi me stilisitikë të pasur, poezi kryesisht me vargje të lira dhe më pak, me rimë, por Bejtja pyetjes time do t’i përgjigjej: mё mirë poet, se sa i eklipsuar nga politika. Ndoshta, një ditë do ta “tredhë” politikën, t’i kthehet poezisë, për të na treguar, se thirrma e poezisë është më tunduese, sesa “britma” e politikës.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.