back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Gratë e mija – tregim i vërtetë e i jetuem nga Kapllan Resuli

Gazeta

Kapllan Resuli - në kohën e rinisë
Kapllan Resuli – në kohën e rinisë

Kapllan Resuli (1934-2022) mbetet një shkrimtar i rëndësishëm, po edhe njeri kontravers! Shpesh kanë ndodhur beteja të mëdha midis Shkrimtarit dhe Njeriut e po ashtu ka ndodhur që herë të fitojë Njeriu e herë Shkrimtari… Kjo ka ndodhur së shumti me Kapllan Resulin! (e quaj kështu, për arsyen e thjeshtë, se gjithë leximet e librave të tij më janë të lidhura me këtë emër. Unë nuk merrem me anagrafet. Të tjerët mund ta quajnë si të duan, problem i tyre)
Në gjithë itinerarin e jetës, ai është trajtuar më shumë për njeriun se për shkrimtarin, mbasi fragmente të të qenit shkrimtar i janë thuajse mohuar krahasuar me ato të qenit njeri. Ai është përfolur më shumë për rebelimin e fundjetës, se sa për veprën, qendresën e rinisë dhe stoicizmin e burgjeve.
Kapllan Resuli s’është më!
Ai as mund ta mbrojë veten e as mund të sulmojë kënd, siç ndodhte në të gjallë të tij. Ai e ka kryer dhe e ka lënë një vepër, por ka lënë edhe një model sjelljeje. Besoj në gjakftohtësinë e gjykimit të Veprës dhe Njeriut prej atyre që e duan vërtet letërsinë dhe letrat shqipe, dhe kanë përgjegjësi për të… Njerëzit e ideollogjizuar deri në gen s’duhet ta poshtërojnë veprën e tij me elementet jashtëletrare!
Simbas konceptit tim të njohjes, kur ylli i Kapllan Resulit po ngjitej në zenit, pikërisht në atë kohë ai preku humnerën!!! Se cilat janë arsyet dhe cili ka qenë organizimi i kësaj ngjitje-zbritje të rrufeshme (prej qiejve në humnerë) koha gradualisht do ta shpalosë. Ajo çka vlen mbi gjithçka është vepra e tij letrare, qëndresa e tij stoike, pa e anashkaluar rebelimin i tij të shproporcionuar. Askush s’ka të drejtë ta bëjë këtë udhë në invers… sepse është antikohë dhe antikoherencë, ndaj ndoshta erdhi edhe ai rebelim i skajmë ndaj botës që e rrethonte.
Tregimi që paraqes është një fluturim mbi ca nyje të jetës së tijë, të lidhura ngusht me çaste dramatike njerëzore. Ai e ka quajtur tregim i vërtetë e i jetuar, por është rrëfim artistik i sinqertë i jetës së tij… mbasi mjaft nga personazhet për të cilët ai flet janë ende gjallë… Ajo çka vlen simbas meje, është leximi si produkt letrar, pjesa tjetër gradualisht do të marrë formë përmes trajtimit të një shoqërie të emancipuar që e ndjen letërsinë, i kupton labirinthet e shkrimtarit dhe ndoshta i zbulon e mban qëndrime ndaj përbindshave që deshën ta vrasin Njeriun dhe Shkrimtarin bashkë; ndoshta arrin t’i mirkuptojë (së paku mos t’i keqkuptojë) ata individë të veçantë kontraversë, e t’i falë ata, sepse më së shumti janë produkt i dhunës së pësuar prej strukturash kriminale të një regjimi kriminal, e të ketë kurajo të lartojë gjithçka që shfaqet si art dhe si humanizëm…
jozef radi, 28 shkurt 2023

Gratë e mija…

– tregim i vërtetë e i jetuem nga Kapllan Resuli

Thonë se: çdo e keqe ka edhe një të mirë mbrapa.
Unë s’e kam besue, por ama e kam provue në jetën time. Po ashtu thonë se populli ynë çdo disfatë e kthen në fitore! As këtë s’e kam besue, po pa dashje, ashtu, vetvetiu, në mënyrë fare-fare spontane, si bir i këtij populli, e kam realizue…
Urdhëroni e lexoni këtë tregim të jetuem, këtë histori tejet të vërtetë, që të bindeni se çdo e keqe ka edhe nji të mirë mbrapa, se çdo disfatë mund të kthehet në fitore tejet të sinqertë.
Në vitin 1956, i ri isha, 22 vjeçar, u martova me një tetovare shumë të bukur. Bukuri turke të ka nusja – më thonte nana duke më përkëdhelur. Moshatare me mue: nja shtatë muej ma e vogël besoj. Quhej… e ç’randësi ka si quhej ajo?! E randësishme asht se gjatë jetës me te, që qe krejt e shkurtë, botova një libër që-ë… si t’ju them… nuk i pëlqeu Druzhe Titos. Merret me mend se ç’banë me mue: sa hap e mbyll sytë më përplasën në burg, m’i numëruen brinjtë nji nga nji, mi shkrythën kockat mirë e mirë dhe më dënuen jo vetëm për agjitacion dhe propagandë kundra komunizmit, socializmit, partisë, pushtetit popullor e vllaznim-bashkimit, por edhe si “anmik i popullit”, bile edhe si anmik tepër i rrezikshëm. Ndaj edhe burgun ma caktuen “Strogi” – “të rreptë”.
Nusja ime e dashtun, besnike e fisnike, pa pritë me u tha në vendim boja e firmës së kryetarit të trupit gjykues Koço Tulevski (Pa le ma që s’priti të vinte vendimi i formës së preme të Gjykatës Supreme!), që aty, në sallën e gjyqit, deklaroi se ndahej prej meje, me që ajo, si bijë e popullit, e devotshme ndaj Druzhe Titos dhe të partisë së tij, nuk mund të ishte ma grueja e nji “anmiku të popullit”.
U zemrova sigurisht shumë me të!
Kjo histori ka ndodh në Tetovë, atje në Makedoni, në shpatet e Malit Sharr, ku bora nis me ra që në shtator dhe nuk shkrin as në maj. Pra, ban ftohtë dhe gratë naziqe, siç ish nusja ime, nuk flenin dot vetëm. Prandej u martue fill pas arrestimit tim. Patjetër, nuk më pëlqeu që më ndau grueja. E kujt mund t’i pëlqente kjo?!
Po-o, me që s’kisha fëmijë me te, as nuk m’u ba shumë vonë, megjithëse kujtojsha se e dojsha atë femën. Se, që ta merrni vesh ju, kur nuk do perëndia me ta marrë gruen që të ka zanë derën, atëherë s’asht keq me ta marrë edhe Udba!! Shpresoj se e dini që burri dy herë në jetë gëzohet: Kur martohet… edhe kur i vdes grueja! E thotë populli këtë, jo-o unë! Mue vërtet që nuk më vdiq, po – kur ta merr Josip Broz Tito – zene se ta ka marrë Perëndia!
Kur dola prej burgut ia mbatha për Shqipëri, kalova kufirin Ulqin-Shkodër me not në lumin Buna. Thashë se do të gjejsha selametin. S’e dijsha se nga shiu, po shkojsha në breshën.
Dhe ç’të bajsha? Të mbajsha zi për ish gruen time që më ndau pa mendue fare se ku e në duart e kujt po më lente! U martova përsëri.
Kjo grue, pra e dyta, ishte ma e re se tetovarja. Mund ta merrni me mend gëzimin tim, isha ende i ri, plot energji. E kisha meritue që mbas burgut dhe vuajtjeve të mija të ngushllohesha në përqafimin e një zogze që i vjen era qumësht?!
Asht e idhtë me të nda grueja. Si thotë populli, aq sa ndahet thoni prej mishit, aq ndahet grueja prej burrit. Asht e vështirë me të nda grueja kur je i lirë, se jo ma mbasi je i mbyllun në burg. Por kur del prej burgut shëndosh e mirë, i ri, i zhdërvjellët si isha unë dhe me të gjitha pjesët e trupit në vend, edhe mbas kësaj martohesh përsëri të kalon hidhnimi dhe i harron të gjitha të këqiat. Në mos qoftë e vërtetë, së paku të krijohet përshtypja se e ke kthye disfatën në fitore, se mbas të keqes të ka ardhë edhe nji e mirë. Me ju thanë të vërtetën, gadi kam qenë tue i dërgue telegram falenderimi Druzhe Titos që ma mor gruen e parë.
Në Shqipni më hangrën duert dhe prap u ula me shkrue. Ç’të bajsha, ka pasë të drejtë shkrimtari Jakov Xoxa që ka thanë se na, shkrimtarët, jemi si gratë: grueja kur lind fëmiun e parë, ban be e rrufe se kurrë ma s’ka me lindë fëmi. Mbas disa muejsh i harron vuejtjet dhe ia fillon e fërkohet prap. Kështu edhe shkrimtari, mbas vuejtjeve që ka hjekë tue shkrue librin e parë, sidomos në qoftë se për shkakun e atij libri e përplasin edhe në burg, ban be e rrufe se kurrë ma s’do të shkruejë asgja, as nji letër, as nji kartolinë, as nji telegram. Mbas disa muejsh që i botohet libri, ose del prej burgut, edhe ai fillon e fërkohet si grueja në shtrat, nxehet, fillon e shkruen jo vetëm telegrame, kartolina e letra, por edhe romane, bile edhe ma me pasion se herën e parë. Kështu ndodhi edhe me mua…
Kur romani im “Tradhtia” doli prej shtypit dhe e lexoi Enveri, thonë se gjithë natën asht përpëlit në shtrat e ka rënkue si kurrë ndonjiherë. As Nexhin s’e ka lanë të qetë. Sapo i ka dalë gjumi, me sy të zgurdulluem si Mulla Mameri, personazh i romanit tim, Enveri ka urdhnue me më arrestue. Pse?!
Atë natë kishte pa nji andërr shumë të keqe: eserja e saj Fanya (Ana) Kapllan ia kishte drejtue revolen Leninit. Në çast fytyra e Anës i trubullohet dhe, nga femër i shndërrohet në mashkull, në fillim me mustaqe e me mjekërr, me flokë të gjatë, mandej iu shkurtuen flokët, iu zhduk mjekrra, iu zhdukën mustaqet, dhe iu ba pikërisht si unë. Veç kësaj edhe revolja, nga gjoksi i Leninit, në çast iu kthye atij. Gryka e revoles iu ba si grykë topi, ma e madhe se gryka e topit të Mic Sokolit. Ashtu e drejtueme në ballin e tij i shkaktoi djersë të ftohta, e mbuloi me djersë dhe, kur krisi, Mullait i doli gjumi. Mund ta merrni me mend se çka ndodhi mbas kësaj.
Prap më përplasën në burg dhe më nxorën në gjyq, më dënuen. Po prap për agjitacion e propagandë kundër komunizmit, socializmit, pushtetit popullor e partisë së punës, si shërbëtor besnik dhe i regjun i ideologjisë borgjeze, i djallit dhe i të birit. Vetëm që nuk më dënuen për tërmetet që bien pareshtur në Japoni! Unë pritja që të më dënojshin edhe për mbiemrin tim, ku nji rrugë në Ulqin mban këtë mbiemër, se për firmën time të gjatë e të bukur, që ta merrni vesh ju, ulëritën në kupë të qiellit. Më akuzuen se firmossha si… si vajza e re Ana Kapllan, vrasësja me plumba e Leninit. Jo! Si Lenini!!! Se të firmosshe si Lenini, ishte krim mbi krimet, krim tepër i randë.
Dhe prap më ndan nga grueja e dytë. Edhe kjo, si e para, deklaroi menjëherë se nuk donte ma me qenë e shoqja e nji “anmikut të popullit”. S’i erdhi fare keq për mue që kisha punue, shkrue e sakrifikue aq shumë. Që isha mundue për të sigurue një mirëqenie të lartë ekonomike në familje e mbi të gjitha pas botimit e ribotimit të romanit tim. Çdo gja e shtrenjtë e praktike gjendej në shtëpinë tonë, me gisht ishin ato familje që i kishin. Me gisht ishin ato gra që kishin të gjitha komoditetet në ato kohna të vështira, ku mungonin shumë orendi shtëpiake, ku grave u mundohej e u vuante kurrizi shumë në punë. S’i erdhi fare keq për fëmijtë që do të mbeteshin jetimë. Kujtim Spahivogli, një ndër dramaturgët dhe regjizorët më të spikatur në Shqipëri, ka thanë një fjalë të urtë për gratë e të burgosunve në Shqipni: “Se i kanë burrat si mallotën, që e veshin kur ban ftohtë dhe e hekin kur ban vapë!”

Kapllan Resuli në vitet e fundit
Kapllan Resuli në vitet e fundit

E ç’të bajsha unë i mjeri që me gratë, ah, me gratë s’po më ecte fati fare?! U struka në fund të qelisë së errët e të ftohtë brej betoni dhe kafshova gjuhën me dhambë që të mos ulurijsha si nji bishë e egër, e tërbueme, nga padrejtësitë që po më baheshin nga të gjitha anët.
“Mirë e ke, mirë t’u ba, Kapllan trimi! – i thashë vetes me shumë dëshprim – Deshe me shkrue roman, vazhdo e shkruej!”
Ky burg nuk qe dhe aq i shkurtë. Si burgjet e Shqipnisë ma! Hyn e s’del. Thonë se prandaj quhet Burrel! Vërtet që nuk më ranë dhambët. E ku të lente Mulla Enveri me t’ra dhambët?! T’i zhgulte me dana nallbani! Vërtet që nuk m’i zhgulën flokët, por m’i thinjën. Vërtet që s’më vranë, se s’ia dolën dot, por ama brinjtë e kockat m’i numruen nji nga nji, bile edhe m’i thyen. Bereqatvers që nuk ma thyen edhe zemrën. Eh, kjo zemra ime e gjorë! As kuajt e Banatit nuk besoj se e kanë zemrën ma të madhe e ma të fortë!
Megjithëse m’u betuen se në Burgun e Burrelit do t’i lejsha kockat, ja pra, që në ditën e parë të muajit korrik të vitit 1991, në një ditë të nxehtë – dola prej atij ferri. E fejuemja ime, Arben dhe Mira Zeneli, si dhe shumë kushërinj e dashamirë të mi që më mbrojtën e më shërbyen n’ato kohë të vështira, më përcollën deri në aeroportin e Tiranës. Ndërsa deri te shkallët e avionit zviceran “Swissair” u shoqërova nga e fejuemja ime e re dhe Arben Zeneli, i cili ishte i armatosur me më mbrojt nga ndonjë atentat tjetër i mundshëm. Momentet e ndarjes me Etlevën ishin shumë emocionues, por e dinim se do të takoheshim për së shpejti. Përqafova me mirënjohje Arbenin. I hypa avionit me të shpejtë, – e fill e në Zvicër, në të bukurën Gjenevë, që thonë se ashtë kryeqyteti i botës.
Kur nuk mbajta zi për gruen e parë, me siguri që nuk do të mbajsha zi as për të dytën, që më kishte nda 21 vite ma parë, s’kisha asnji llogari me dhanë dhe askujt. Aq ma tepër këtu, në Gjenevë, pra përsëri u martova zyrtarisht, këtë radhë me një banore të Tiranës. Fati u zbut me mue. Zoti më flaku me njerën dorë, por me tjetrën më priti e nuk lejoi të bahesha copë-copë.
Prap mora një nuse shumë ma të re se të parat, të bukur e të ditun. Që ta merrni vesh ju, me këtë nusen time, që e thërrissha “mickë”, lujshim, laheshim, qeshnim në det e buzë detit, shëtisnim në ranën e nxehtë të plazhit të Durrësit, shpesh shikonim plazhista që lexonin romanin tim “Tradhtia”. Ajo u afrohej lexuesve dhe më prezantonte. I recitojsha edhe vjershat e mija, kur ajo ishte 13 vjeçe. Xhaxhi Kapllan, më tha një ditë: “Kjo vjershë që po reciton më ngjall s’e di çka, se si ma bën këtu në stomak!” Ke të drejtë i thashë, je akoma e vogël për me e kuptue këtë vjershë. Jemi miq familjar. I njoh prindët e saj që janë me kulturë të naltë. Para burgimit tim u shkojsha edhe për vizitë. Kam bisedue me ta mbi romanin “Tradhtia” dhe mbi një botim të dytë, ku edhe më dhanë mendimet e tyre. Nuk i harrova, u shkova përsëri në shtëpi pas daljes sime. Shpesh e kujtojsha gruen time të ardhshme në burg, bile edhe në gjumë, herë me flokë të shkurta kur ishte e vogël e herë me flokë të gjatë kur e takoja si studente. Për takimin e fundit me te dhe me shoqen e saj Tatjana Kallushi, do të shkruej ma gjatë herë tjetër. Sa e çuditshme ishte për mue, takimet me të lenin gjurmë tek unë, prandaj dhe e kujtojsha shpesh në liri dhe në burg. Sa herë pyetsha në heshtje – Ku asht, ku punon, si i shkon jeta, a ka pat fat të mirë? Edhe ajo s’më kish harrue. I thash me të qeshur: – Etleva, pse s’erdhe të më shohësh në burg? Kam pyetur për ty dhe shpesh herë – më tha, kam dashur të të ndihmojë, por më thonin se ka vdekur, se është vetvrarë, se është i izoluar, i rrezikshëm, i çmendur. Aq më tepër që nuk e dija se ishe i ndarë nga grueja dhe që nuk kishe ndihma nga familja! – Kam ndihmuar shokë të burgosur – më tha Etleva me shumë siklet, nëpërmjet nënave dhe motrave të tyre.
Më citoi edhe emnat, e besova se i njihsha. Më recitoi pjesë nga vjersha ime që ia kisha recitue në plazh, ku edhe më bani vërejtje: “Thirri mendjes!” Kjo ndodhi në një natë të freskët pranvere të vitit 1991, në shtëpinë e saj, kur pranoi, ma së fundi, propozimin tim për martesë, pas shumë ditë e orë bisedimesh të gjata, pse nuk i pëlqente e nuk dëshironte me u largue nga Shqipnia. I shpreha me sinqeritet dëshirën e madhe që kisha për martesë me te. I thash se: “Kam me dashtë të bahesh ti e shoqja e Kapllan Resulit dhe në rastin më të keq e veja e Kapllan Resulit! Kam me dashtë që të bahesh ti nana e fëmiut tim që e andërroj dhe e kërkoj me padurim. Kam me dashtë që ti të ma çosh trupin e të më varrosish në Ulqin në rast se më ndodh ndonji gja e keqe në Shqipni, po edhe në Zvicër. Mos u tremb, nuk do të jesh vetëm, do të kesh Arbenin dhe Mira Zenelin që m’u gjenden gjithë këto kohëra të vështira e që më mbrojtën nga atentatet që më banin edhe fëmijët e mi. Pastaj u ngrita nga kolltuku, e pushtova Etlevën duke i thanë: Të dua shumë e të kam dashtun përderisa të andërrojsha në përqafimin tim. Po ti mue?
Etleva mu përgjigj sinqerisht: E vogël kur të njoha, të desha me dashuri fëminore, ishe “Xhaxhi interesanti”, kur u rrita e takoheshim në Tiranë të respektoja si njeri që vije për vizitë në familjen tonë. I ndjeva shumë vuajtjet e tua, por unë nuk dija ç’kish ndodhur me ty, askush s’tregonte gjë, të dija të martuar e me fëmijë, e dija se kishe njerëz që të ndihmonin, pra s’mund të të ëndërroja në gjumë.
Qesha me përgjigjen e saj.
-Kjo që kërkon ti sot, do të lindë gradualisht te unë në të ardhmen besoj. E mbylla duke i thane Etlevës: “Të dashurova në vetmi, të preferova në liri, të mora sot përgjithnji!”
Atë natë Etleva më shpëtoi edhe jetën nga një atentat për të cilën i jam dhe do t’i mbetem përgjithmonë mirënjohës. Mbasi dështoi atentati që më banë në banesën e kushrinës, kalova përfundimisht në banesën e Etlevës, ku ndenja deri ditën e largimit tim nga Shqipnia.
Kjo nusja ime asht mbesë e Nënshkruesit të Pavarësisë të rrethit të Lushnjes, Nebi Sefa dhe shumë e afërt në familje me disa Nënshkrues të tjerë të Pavarësisë: Ymer Deliallisi i rrethit të Durrësit, është gjyshi i nuses të vëllait dhe Qemal Karaosmani i rrethit të Elbasanit, gjyshi i burrit të motrës të Etlevës. E rallë kjo: -Tre Nënshkrues të Pavarësisë në nji famillje. Po, edhe gjyshërit e stërgjyshërit, nga e ama e nga i ati, i kishin ba universitete që në ato kohëra. Prandej dëshronte të rrinte në Shqipni për t’i shërbye vendit të vet si e kishin lanë amanet këta burra të mëdhenj shteti.
Që ta dini ju, Etlevës nuk i pëlqejnë livdatat në publik rreth prejardhjes të familjes së saj, prandaj nuk ka dëshirë që unë të shkruej për te. Po, po unë shkrimtar e gazetar jam, më lejohet me shkrue çka shoh e çka digjoj. Të vërtetën shkruej unë, nuk po egzagjeroj gja.
Ah, sikur ta kishim ditë na të dy, atëhere, se në nji kohë kaq të largët do të lidheshim shumë ngushtë, do të martoheshim, do të andrrojshim e do të luftojshim për me ba fëmijë e me i rritë bashkë. Unë do ta kisha kalue burgun e egër shumë ma lehtë e plot andrra shpresdhanëse që do të ma qetësonin sado pak shpirtin e do të më drejtojshin që ta kalojsha ma me kollajllëk burgun e mallkuem!
Kishte të burgosun që më thonin: “Ti, Kapllan, do ta kalosh pleqërinë të bardhë!”. Hajde, mos u beso parandjenjave të këtilla! Me vete thosha gjithmonë: “Fundi, fundi i jetës do ta tregojë se kush vallë do të mbylli sytë e mi!?”
Etlevën ma ka lavdrue shumë në nji letër që më dërgoi në Gjenevë edhe kryeredaktorja e romanit tim “Tradhëtia” Donika Omari, “çokollata” si e thërrissha unë e që për bukuri ishte primadona e kryeqytetit të Shqipnisë. Edhe ajo e njihte mirë Etlevën. Ajo letër më mbërriti tri ditë përpara se të vinte Etleva ime në Gjenevë. Çfarë rastësi e habitshme ishte për mue kjo letër. Donika na njihte të dyve. Prandaj me at zarf të vanë nën jastek më zinte gjumi i ambël, mundesha me thanë se shikojsha vetëm andrra rinore.
Ja, ndër të tjera dy-tri fjali nga letra e Donikës: “Mora vesh Kapllan për martesën tënde me Etlevën dhe m’u bë qejfi shumë. Me sa ju njoh të dyve, shpresoj dhe ju uroj me gjithë zemër jetë të lumtur. Edhe kjo është një shenjë tjetër se jeta jote Kapllan po merr për së mbari e se të këqiat i le prapa… duke ju uruar edhe një herë martesë të gjatë e të lumtur, ju përqafoj Etlevën edhe ty. Donika”
Sa letra të bukura kam marrë nga Tirana për gruen time të re, më shkruejshin se kanë shkrue edhe gazetat për punë shembullore të saj, për edukatën e saj gjithashtu. Sa e qetësojshin shpirtin tim të përvëluar këto letra të ambla, të sinqerta, ku në nji letër Anila shkruhen: “Ato sytë e tu të shndritshëm na flisnin aq shumë, sa mësime kemi marrë, o mësuesja ime fisnike, s’e beson dot, sa guxim, sa këmbëngulje, sa kurajo për çdo gjë! Je thjesht idhulli im!”
Ditën e martesës mue më veshën dhandër, nusen me të bardha. Të ftuarit ia morën kangës e valles. Mandej, na nxorrën prej banese e na futën në një veturë të zbukuruar. Vetura mori drejtimin e Mairie (Meri-s shqiptohet në shqip), kështu i thonë këtu Bashkisë. Kjo asht një ndërtesë madhshtore, me kupolë gotike. E bukur sa s’ka ma ku shkon, në anën e djathtë të Liqenit Leman, në lagjen Les Eaux-Vives, në kryqëzimin e rrugëve të gjana, e të stolisuna përherë me flamuj, gadi-gadi si kështjellë, rreth e qark së cilës rrjedhin lumenjtë e veturave me ngjyra të shumllojshme.
Në një sallë të veshun me pelush gjak të kuq, me perde tyli të bardhë si bora në dritare, me drapëri të randa, me drita të shumta që edhe ditën i mbajshin ndezun, me nji lustër të madh prej kristali të shkëlqyeshëm, vezullues, që varej në mes të plafonit me kornizë e gravura allçije në skajet dhe në mes, me shandanë po ashtu kristal anve të murit, me tryeza të gjata e të gjana, me karrige, me kolltuqe të rehatshëm. Të merrej mendja me i pa edhe në fotografi, se le ma me hy në atë sallë, për ma tepër si dhandër, me një nuse shumë të re e të bukur si molla, siç e ka përcaktue një gazetar kosovar, që të mban krahun, të ngroh e të ringjall shpirtin e ftohun prej vitesh.
Blicët shkreptijshin nga të gjitha anët dhe na merrshin sytë, ndërsa nji shok i imi, me aparatin e filmimit në krah, që kur kishin nisë me më vesh dhandër, kish nisë edhe me na filmue.
Solemnitetit të celebrimit tonë i jepshin nji hije të randë nëpunësat e Mairie, të gjithë të veshun me uniformë, kostume me ngjyrë të zezë, si prifta, me këmisha të bardha e kravata flutur të zeza, zyrtarë seriozë, sikur nuk do të më bajshin celebrimin e martesës, por do të më vejshin në kokë kuronën prej hekuri të skuqun në zjarm, si Matija Gubeci, kryengritësi i fshatarëve, të egzekutuar në vitin 1573, në Kroaci. As në kishë celebrimi nuk bahet ma me solemnitet e seriozitet se këtu në Gjenevë, në këtë Mairie. Të vijshin në mendje ngjarje të trishta të jetës së kalume që të drithrojshin shpirtin dhe trupin. Ç’të kujtojsha ma parë, ç’të mos kujtojsha?! Të hyjshin do të dridhuna në kokë, në trup, të hynte një ftohtësi dhe vetvetiu detyroheshe me e mbledhë mendjen dhe me u mendue thellë se ç’po ban, si do të ecë kjo jetë e re kaq bukur stolisur? Besoj se as stërgjyshi im, konti Jozo, kur ka ba celebrimin e tij në kishë, nuk do të jetë ndie ma ngusht. Vetëm që s’më merrej fryma dhe s’më binte të fiktë, sepse vetvetiu më shkoi mendja te dy martesat e mija të para, të cilat ma prishën gjendjen e lehtësume shpirtërore që kisha krijue në Tiranë me Etlevën, para se të largohesha nga Shqipnia dhe këtu në qytetin e Gjenevës. Kujtova zyrën e ngushtë e të mjerë të Matiçni Otsekut, si quhej në Makedoni kthina në Mairie ku baheshin celebrimet, dhe zyra e Gjendjes Civile në Lushnje të Shqipnisë, ku mbas shpinës time shtyheshin dhe ulërijshin të tjerët, të cilët me javë të tana, ma zi se në radhë për bukë, që shumë herët në mëngjes fillonin të pritshin radhën me ba celebrimin, regjistrimin e fëmijëve të lindun para 10 ditësh, apo, ma e tmerrshmja, ç’regjistrimin e atyne që kishin vdekë, kush e din sa ditë e javë ma parë. Në nji moment e pyeta nusen, nëse edhe asaj po i dridheshin kambët. Jo – m’u përgjigj me za të ulët. Po pse? – e pyeta përsëri. Pse po dëgjoj me vemendje ofiqarin dhe njëkohësisht po të përkthej edhe ty. Për këtë kemi ardhur këtu. Përqëndrohu, harro të këqiat e kaluara! – më dha urdhër kategorik dhe shtrëngoi fort dorën time të ftohtë. Dhe bani mirë ajo, se më shkundi e më solli në vete. Nusja ime, jo vetëm që po martohej me mue, por ishte edhe përkthyesja ime personale, prandaj ofiqari nuk i kuptonte bisedat tona.
Ofiqari hijerandë, i hijshëm e që të ngjallte respekt, na lexoi ligjin mbi martesën me za të plotë e me fjali të qarta, më pyeti mue, mandej nusen time nëse ishim dakort për këtë martesë. Me që thamë “Po”, unë me za të lartë e ajo me za të qetë, ofiqari na tha që të ndërrojshim burmat, unazat e martesës. E ama e Etlevës më dhuroi në Tiranë unazën prej floriri të babait të nuses time. E vura këtë unazë në gisht me krenari se asht mbajt nga një burrë i mençur, shumë i kulturuem dhe autor i shumë teksteve në lëmin e ekonomisë. E bamë dhe këtë formalitet, megjithëse na i kishim thanë e ba të gjitha këto që me kohë. Mandej, në sy të gjithë atij mileti që ishte mbledhë me ba sehir, në gjithë atë sallë me akustikë të mirë, merret me mend se ç’u dëgjue atje, unë e putha fortë Etlevën me zjarm dashunie si… si me thanë, si i burgosuni i porsa dalë nga burgu, ndërsa ajo më puthi lehtë si përherë. Plasi e qeshuna me lotë, me lotë…
Në vazhdim ofiqari na afroi librin, ku duhej të firmosshim martesën tonë, një libër i madh, i trashë, i randë, me faqe si fletë llamarine, të lustrueme, me kopertinë ngjyrë ari.
Tue firmosë këtë akt të randësishëm për jetën tonë, me atë firmën time të gjatë, që ma pëlqen shumë Etleva, i pëshpërita në vesh:
“Shiko grue, në qoftë se më arrestojnë edhe në Gjenevë, mos gabo me më pritë, po më ndaj, edhe ti, menjëherë, si ato dy të parat, se… kur të dal nga burgu mue tashma më asht ba zakon me u martue përsëri, me një nuse ma të re dhe ma të bukur!” Kur firmosi grueja me firmë të shkurtë më shikoi me habi me cep të syrit e m’u përgjigj gjithë seriozitet: – S’i ndajmë burrat për arsye politike, ne, në familjet tona”. Dhe i ka dhanë provat familja e saj. Ua them unë, se jam dëshmitar okular. Gratë e kësaj familje të madhe, në të gjitha rrethanat, bashkë me fëmijët e tyre, i kanë ndjek burrat e shtëpisë kudo në burgjet e Shqipnisë!
Ndërkohë nusja ime nuk e pëmbajti dot veten. Megjithë se u shtrëngue, bani mbytas: “Ki! Ki!” Dhe nxori shaminë e saja të bardhë të qendisur me fshi lotët që i shkuen prej gazit. Për rastin e ditës së celebrimit të martesës tonë, zvicerania Antoinette, na kishte ba, ndër të tjera, të dyve peshqesh shami të qendisura.

Kapllan Resuli - Tradhëtia - Roman
Kapllan Resuli – Tradhëtia – Roman

Ofiqari, i habitun nga mungesa e seriozitetit të saj, pyeti njerëzishëm, ashtu si janë të edukuar këta këtu:
-Më falni zonjë e nderume, do të mund të më thoni përse qeshni?
-Ky… ky, jo në këtë çast gëzimi, por edhe në pushkatim sikur ta çojnë, prap do të thotë ndonjë fjalë dhe me zor do të na bajë me qesh! – iu përgjigj nusja ime tue kërkue sidomos të falun.
Ofiqari e falenderoi dhe e pyeti përsëri: – Ç’ka ju tha zotëria, zonjë e nderuar?
Zonja ime i tregoi, ç’ka i thashë. Ajo e skuqur në fytyrë dhe shumë e emocionuar, ktheu kokën nga unë e më tha me zë të ulët: “Ti bën e unë pësoj, Kapllan, vazhdo kështu!”
Ofiqari i Mairie, pasi dëgjoi përgjigjen dhe që kishte përpara dosjen time me dokumenta, ku shkruej se kisha ba burg të gjatë e të llahtarshëm në Shqipni dhe se kisha qenë i martuem edhe dy herë të tjera, e dinte fort mirë biografinë time të randueme, (nxjerrë këto informacione nga shtypi zviceran, nga gazetat kryesore të kantonit të Gjenevës dhe të kantoneve të tjera të Zvicrës) i tha nuses time me seriozitetin e tij profesional të pandryshueshëm:
-Mos u shqetësoni, zonjë e nderume! Zotnisë, nuk do t’i jepet ma rasti me u martue edhe nji herë tjetër. Këtu organet e drejtësisë nuk arrestojnë njerëz të pafajshëm si rasti i zotnisë dhe sidomos për agjitacion e propagandë. Pra, mund ta kryej punën e shkrimtarit me qetësi, të shkruejë çka të dojë dhe kundra kujt të dojë, por pa çpif e pa intrigue. Drejtësia këtu dënon delinkuentë, por në asnjë mënyrë dhe aq ma tepër shkrimtarë të talentuar si zotnia që kërkojnë të përhapin dije e kulturë nëpër botë. Zanati i shkrimtarit asht i vështirë, por i bukur.
Grueja ime mori frymë gjatë e thellë pasi dëgjoi thëniet e vërteta të ofiqarit. Me këtë rast i vura dorën në bel dhe e shtrëngova për t’i shprehur kënaqësinë që më dha kjo frymëmarrje e gjatë.
Ofiqari vazhdoi: “Askush nuk ka me e arrestue zotnin tuej në Zvicër, zonjë e nderueme, dhe grue tjetër, mbi të gjitha, veç jush, nuk do të ketë ma!” Grueja ime i buzëqeshi, ndërsa unë falenderova ofiqarin me kokë dhe me sy të qeshun e të lotuem dhe të dy përnjiherësh, poshtë tavoline, kapëm e shtrënguem duart tona.
Ndërsa ofiqari i tha ato fjalë me të njejtin solemnitet me të cilin na lexoi edhe ligjin e martesës, sikur edhe ishin të shkruejtuna atje, Etleva drejtoi sytë nga dritarja e diç po shikonte e mendonte, ndërsa unë përsëri i buzëqesha atij dhe të gjithë të tjerëve. Po vështrimi i përvuejtun i syve të mi të zbardhun nga vuejtjet, që tash rreth 60 vite vrojtojshin jetën, të etshëm për dritë, djell e gëzime, të etshëm për jetë… sikur u tha: “Sa keq që edhe në vendin tuej nuk paska Stalin, as Tito dhe as Enver Hoxhë!” Papritun se ç’më erdhi nëpër sy nji fëmi, nji bebe, një djalë, një gëzim i madh, i pafund. A mos vallë këtë po mendonte edhe Etleva? E di fort mirë që edhe ajo e pret me padurim. A do të na ndihmonte fati i mirë edhe na?! Etleva e besonte dhe ma shprehte me gjithë kënaqësinë e shpirtit të saj, ndërsa unë, akoma vueja të kaluemen, dështimet me fëmijët e parë, moshën time të avancuar, pastaj thashë:
-Mbau Kapllan, mbahu fort, e treta e vërteta, ec përpara, se kjo bebe, se ky djalë do të na dojë e do të na nderojë. Me Etlevën do ta rritim, do ta edukojmë si s’ka ma mirë!
Kur po përgatiteshim me dal, pashë ofiqarin, të gjatë e të hijshëm, me fytyrë të gëzueme që po vinte drejt nesh. Ai na falenderoi për ambientin e kandshëm që çifti ynë krijoi dhe na uroi që martesa jonë të jetë solide. Por edhe ai vetë e ndjeu se diti ta drejtojë ceremoninë si dirigjent i përgatitur – gja që ia vuni në dukje edhe Etleva. Pastaj i tha grues time se jeta me një shkrimtar të tillë nuk do të jetë e lehtë, do të jetë plot ngjitje e plot zbritje, plot zig-zage, plot gëzime, plot harmoni, plot ndërhyrje dashakeqe, por ju, zonjë, do të dini si të drejtoni në familje edhe në situata shumë të vështina se e tillë eshtë jeta e tij, e mbushun me miq, por edhe me shumë anmiq. Kini durim e bani kujdes! Ai fliste i bindur e dukej sikur e njihte formimin dhe karakterin e grues time që prej vitesh. Dosja e saj në Mairie ishte e mbushun me livdata nga organet shtetërore të Gjenevës.
Këtu, u japin vendin e punës nëpunësve sipas meritave dhe jo sipas hatëreve – thamë me Etlevën.
U përshëndetëm me ofiqarin, i buzqeshëm me sinqeritetin ma të madh dhe u larguem me zemër të çlodhur.
Përtej perdeve të dritareve, atje nga rruga, u ndigjue kanga e bukur dhe ritmike franceze “Oh, les filles, oh, les filles!” që e këndojshin duke kërcyer disa të rinj e të reja zviceranë në kalim e sipër. Ata ishin të gëzuar, plot vrull rinor e hare. Dhe kishin pse. Ata as emnin s’ia dijshin Stalinit, Titos dhe Enverit. As diktaturë s’kishin jetue. Ishin të lirshëm e përhapshin gëzim rreth e qark. Atë kangë të bukur ritmike e dëgjojsha në shtëpi. Nusja e dinte këtë kangë përmendsh që në Tiranë. Shpesh, atje në dhomën time të punës, me shikim nga parku i madh, me pemë të larta, i lulëzuem në çdo stinë, i qetë, i cili rrethon banesën tonë, shkruejsha, dirigjojsha, me stilografin e bukur të dhuruar nga Etleva ditën e nisjes time nga Tirana, fjalitë e mija nën tingujt e kangës “Oh, les filles, oh, les filles…” Papritur, ajo kangë, aty jashtë, më dha të tjera emocione të forta, rrënqethje kënaqësie më përshkuen gjithë trupin. Por, prap edhe në këtë mbasdite të kandshme, mendja ime, për një çast, shkoi në errësirën e netëve që kalojsha i vetmuar e i pangranë në atë burg të egër që e kishte emnin Burrel. Thashë me vete: “Pse, në këtë mbasdite të butë pranvere, më erdhën këto imazhe të shëmtuta? A vallë do të më largohej ndonjëherë nga sytë e mi të lodhur errësira shumë vjeçare që më pinte gjakun si ushunjzat? Etleva e ndjeu shqetësimin tim të fortë prej dorës që i kisha kapur. Ajo dorë, me të cilën unë shkruej me orë të tana pa pushim e nuk ndjen lodhje, nisi të më dridhej. Nusja u tremb, më shikoi me habi të frikshme. Për të mos e lanë të vuente ma gjatë vuejtjen time, e mblodha mendjen në çast. E mora Etlevën prej krahu, zbritëm krenarë shkallët e kësaj kulle magjepëse, për çfarë realizuam atë mbasdite të ngrohtë pranverore dhe dolëm në rrugë, që të bashkoheshim me ta e të gëzoheshim edhe na se ndjenim dëshirë të madhe për argëtim.
Të kapun të dy prej belit të njani tjetrit ndoqëm ata njerëz të çpenguem deri te liqeni i bukun i Gjenevës me ujë të kulluem. Kush e pa Liqenin Leman e nuk u mahnit!? Kaluam mbi urën “Mont Blanc” (Mali i Bardhë), që bën shkëputjen e lumit Rhone (Ronë) nga liqeni për të marrë drejtim nga Franca. Flladi i freskët i Liqenit na shplodhi shpejt.
Matan urës po na priste vetura e stolisur. Brenda ishin ulur miqtë tanë të devotshëm Pashie e Ali Krasniqi. Kur u kthyem në shtëpi, sipas zakonit shqiptar, nusja e shtëpisë na kishte përgatitur darkën. Mbramja kaloi gjithë gaz e hare. Këtij gazi dhe hareje iu bashkua edhe dëshmitarja e martesës tonë, e nderuemja zvicerane, zonja Antoinette, e afërt e ngushtë e familjes nga ana e princit Skënder Zogu, djalit të hallës të Etlevës time. Për këtë zonjë do të shkruej në një të ardhme të afërt.
Bukurinë e kësaj dite e mbylli nga Tirana telefonata e ambël e familjes Najada dhe Hamdi Canaj. Na uruen me fjalët ma të sinqerta, e ma të bukura martesën tonë zyrtare. E thuaj pastaj se nuk është fat martesa! I vendosun plotësisht, isha nisur me taksi për t’i shtruar propozimin tim Etlevës për martesë. Shumë takime e bisedime kishim ba bashkë, po asaj nuk i shkonte ndër mend se qëllimi im ishte bashkimi i ngusht me të, krijimi i nji familje të re e të vërtetë. Në rrugicën e shtëpisë së saj pashë Etlevën me të amën që po ecnin në drejtim të kundërt. I thash shoferit të ndalte. Dola me shpejtësi nga taksia dhe i pyeta nga po shkonin. Familja Canaj e kishte thirrur për darkë Etlevën, e ama po e shoqnonte deri te shoqja. U thashë se kisha ardhun për do përkthime që më duheshin urgjent. Etleva më kërkoi që t’i përkthente te shoqja e vetë, ku edhe do të flinte atë natë, e të veja t’i merrsha të nesërmen në mëngjes.
Ç’të bajsha unë i shkreti, s’i të veprojsha, s’duhej ta leja këtë rast, e kisha mendue, e kisha vendos me e çlirue veten nga kjo kërkesë e dëshirume prej kohe. Pas shumë insistimesh e binda më së fundi. Ia prisha darkën edhe Familjes Canaj edhe Etlevës. Mirë e bana, fitova. Fati më ndihmoi që të takoheshim në të njejtën rrugicë. Mora vesh se me këtë familje Etleva dhe nëpërmjet sajë gjithë të afërmit ishin shumë te lidhun. Sot edhe mua më kanë futun në gjinin e familjes tyne e më konsiderojnë si vëlla. Edhe unë i due shumë si pjestarë të familjes time të re. Me sa kënaqësi, me sa humor, me sa gëzim, me sa ambëlsi, me sa sinqeritet flasim në telefon me këta njerëz.
Të tillë njerëz janë të vlefshëm në këtë jetë sidomos për mua!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.