back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Gratë Shqiptare në beteja diplomatike dhe në zjarrin e luftës për mbrojtjen e kufijëve 1919-1920 – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pertefe Leka
Pertefe Leka

Gratë Shqiptare në beteja diplomatike dhe në zjarrin e luftës

për mbrojtjen e kufijëve 1919-1920

nga Pertefe Leka 

Eshtë e papranueshme kur dëgjojmë të diskutohen lëvizje kufijsh mes trojeve shqiptare të ndara prej trungut në 5 shtete, kur hyrja në Europë na krijon mundësinë e bashkimit natyror.
Urtësia Shqiptare është përpjekur ndër vite dhe shekuj për të mbrojtur tokën e të parëve, brenda të drejtës së vet.
I Madhi Fishta, në fjalimin e 20 qershorit 1919, e ka përcaktue: “Me përskajue kufijtë e natyrshëm të Shqipërisë, simbas parimit të autodecizionit… si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive Wilsonjane”. Na kujton Presidentin Ëilson, në Konferencën e Paqës në Paris që ndaloi ndarjen e mëtejshme të Shqipërisë.
Humanisti i madh dhe nobelisti, Simbol i Paqës, Wilson, njihej si hartuesi i 14 pikave të famshme, ku përfshihej edhe krijimi “Lidhja e Kombeve” për t’i siguruar paqën botës mbarë.
Ku theksonte: “Drejtësi dhe vetëvendosje për të gjithë kombet, të mëdhenj e të vegjël, që kërkonin liri politike, mos me lejue pushtimet e huaja, as sundim nga të huajt…”
Lideri amerikan ngrihet madhështor përpara nesh, sepse kontriboi në ruajtjen e territoreve të Shqipërisë së pavarur. Kur nderojmë Presidentin Wilson, ne nderojmë përpjekjet e gjithë luftëtarëve të lirisë, që endërruan për një shtet shqiptar të pavarur.
Kjo gatishmëri e personalitetit të nderuar ndaj Shqipërisë ishte mirë informuar nga vetë Shqiptarët, të cilët me fakte dhe dokumente kishin zbuluar të vërtetat, realitetin e hidhur shkaktuar nga agresorët fqinj dhe të pranuar nga disa shtete të Evropës.
Në këte betejë diplomatike, përveç njerëzve të shquar si Noli, At Fishta, At Bumçi, Konica, Kristo Dako… u dëgjua edhe zëri i grave…
Përpjekja e grave dhe vendosmëria e tyre si Zj. Lelja Dino, bija e Çamërisë e familjes së Abedin Dinos, (kontribuesi dhe luftëtar i zjarrtë i çështjes Kombëtare në Lidhjen e Prizrenit) i shkruan Presidentit Ëilson për tmerret e popullsisë çame nga fqinji jugor.
“…Shtetet fqinj të Shqipërisë duan të aneksojnë vende të tokës sonë të dashur, që të marrin prej nesh indipendencën tonë politike…”
“Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria që nënat, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhimshurve të tyre të rrokulliset nën zgjedhën e shtypësve të huaj, kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do të na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur … Qindra, mijëra prej punëtorëve shqiptarë, të cilët u shtrënguan të lënë shtëpitë e tyre dhe të refugohen në Amerikën tuaj, shpresojnë nxehtësisht se Atdheu i parë i tyre, provincë e Kosovës dhe e Çamërisë, të cilët u ndanë padrejtësisht nga Shqipëria me 1913… do të lirohen” (publikuar në Albania, 1 janar 1919)
Parashqevi Qiriazi intelektuale e shquar, misionare aktive për çështjen kombëtare, merr pjesë në Konferencën e Paqës në Paris së bashku me Charles Telford Erikson, i cili ia dedikoi jetën Shqipërisë. (e diplomuar me 1904, në kolegjin Amerikan për vajza “Robert College” në Turqi. U emërue drejtoreshë dhe mësuese e shkollës së vajzave në Korçë. Me 1908, ishte e deleguara e shkollës së vajzave në ngjarjen historike të Kongresit të Manastirit, ku ajo u caktua Sekretare e 11 burrave të respektueshëm që do të zgjidhnin problemet e Alfabetit shqip. Një vit më pas shkroi abetaren sipas alfabetit të ri shqiptar. Më 1912 themeloi me të motrën shoqatën e parë të grave “Ylli i Mëngjesit” në qytetin e Korçës. Me 1913, përfundoi masterin për edukimin në kolegjin Oberlin në Ohaio. Me tezën e saj, ajo hartoi një sistem arsimor kombëtar për Shqipërinë e sapoçliruar. Në vitin 1915, shpërngulen në Boston ku botoi revistën shqiptaro amerikane “Ylli i Mengjezit”… 
Sevasti Qiriazi Dako (1871-1949) së bashku me të shoqin, Kristo Dako, mbrojti të drejtat e shqiptarëve në shumë forume ndërkombëtare, Ajo shkroi “Memorandumin mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve” dërguar fuqive të mëdha në prag të Konf. së Paqës. (E para grua që studioi në një shkollë amerikane, Robert Kolegj e sponsorizuar nga Richard Crane, diplomat dhe biznesmen, këshilltar i Pres. Wilson, mik i Kristo Dakos dhe i gjithë shqiptarëve. Hapen të parën shkollë shqipe me vëllezërit në Korçë 1887 dhe shkollën e vashave në Korçë 1891, mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin e Elbasanit, merresh me përgatitjen e teksteve shkollore, botoi edhe një gramatikë për shkollat fillore. Çifti Dako në Amerikë themeluan “Partia Kombëtare Shqiptare”, kryetare ishte Sevastia, Me 1922 u kthye në Tiranë me motren Parashqevi, rihapen shkollën e vashave pa dallim feje e krahine. “Instituti Kyrias” 
Jo vetëm në fushën diplomatike por edhe në fushë betejë, gratë shqiptare u gjendën në ballë Vashat shqiptare sa të brishta siç i përshkruan poeti i Lirisë, Ali Asllani.
“Un’jam një arbreshë, rroj këtu në rrëza// një gjak e një gjuhë kemi me thëllëza…”
Janë po ato arbëreshe, që u bënë heroinat e Epopesë së Lavdishme të Luftës së Vlorës. Gratë fshatare e qytetare u bënë tok me burrat në atë betejë çlirimtare që vulosën lirinë.
Parashqevi Qiriazi (1887-1971) dhe Sevasti Qiriazi (1871-1949)
Parashqevi Qiriazi (1887-1971) dhe Sevasti Qiriazi (1871-1949)
Sipas mundësive, gratë e të pasurve dorëzuan gjërat më të çmuara, për të ndihmuar luftëtarët e lirisë. Një pjesë e tyre vepronin si infermiere pranë të plagosurve.
Gratë e Labërisë u gjenden drejt për drejtë në sheshin e luftës.
Ata ishin në front me burrat, ashtu siç kishin vepruar edhe në vitet 1913-1914. Ato kalonin në shtigje të rrezikshme, përmes bombardimeve nga deti dhe nga ajri, që furnizonin luftëtarët me ushqime të përgatitura prej tyre dhe me municione. Këte e dëshmojnë vargjet e folklorit:
“Gratë e Labërisë, sorkadhet e malit.// Bukë, ujë e fishekë, i shpien luftëtarit .”
Pas mbledhjes së komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, nga dolën shumë grupe në krahina të ndryshme, u dallua mes tyre edhe Çeta e Tragjasit. Historianët kanë fiksuar një episod: Kur hynë në fshat katër karabinier 
me një marshall në krye, ndaluan në qendër të fshatit për të frikësuar popullin. Ata nuk gjetën njeri në shesh, sepse burrat ishin bashkuar me çetat e luftëtarëve. Gratë sa i panë lajmëruan njera tjetrën dhe dolën me sopata, shkopinj e hanxharë, duke bashkuar zërat “Largohuni nga fshati se do t’ju coptojmë”. Njëra nga gratë, më e moshuara, Kadëne Xhaferi, ngriti lart një jatagan dhe u thirri shoqeve: “Hapeni rrugën që të largohen, se ndryshe këtu do të mbeten.” Gratë pranuan, krijuan një kalim të ngushtë dhe ata u larguan nga fshati në praninë e grave.
Emri i një zonje të nderuar, Sado Koshena, eshtë gdhendur në epikën historike:
“Sado, Sado Koshena jeshë rritur në Ravena // keshje pirë ujë bore// N’ato kullota verore// Mbi polkë veshe gjerdanë// More perpjetë Llogarasë// Me një malher të gjatë// luftove me ditë e natë// Ti vëlla keshje dyfekun,// Me plumba e prite grekun// Hape zjarr mbi italianë, se të zaptuan vatanë.//“ (mbledhur nga Albert Habazaj).
Ishte një luftë gjithë popullore që çuditi botën “Luftojnë me një mbret 40 miljonë…”
Nuk munguan në ate mobilizim edhe fetarët (Babai i Teqesë së Tepelenës, Babai i Teqesë Permetit, Don Marku, At Shtjefen Gjeçovi, Myftiu Muka, Arbëreshi Xhovani Valencia, që punonte në Vlorë, dorëzoi magazinat e tij në dispozicion të luftëtarëve.)
Edhe nga jashtë vinin ndihma e luftëtarë. Shoqëria Vatra e Amerikës dërgoi një grup vullnetarësh. Bashkë me trupat e vullnetarëve kishte ardhur edhe vatrani atdhetar Thoma Nasi. (kompozitor, dirigjent, instrumentist, themeluesi i dy formacione orkestrale me shqiptarët e Amerikës: mandolinatën “Dodona” dhe bandën kombëtare të shoqërisë “Vatra”) Patrioti Th. Nasi i ndodhur në një atmosferë të ndezur luftarake, muzikoi himnin e Luftës së Vlorës të shkruar nga këngëtari i lirisë, Ali Asllani (poet, diplomat, sekretar i përgjithshëm në qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar Bashkie në Vlorë… pjesëmarrës në luftën e Vlorës…).
Vargjet e poetit A. Asllani “Vlora Vlora, bjeri më të lumtë dora” u bënë marshi solemn kushtuar asaj beteje çlirimtare. Kjo këngë frymëzoi trimat e trimëreshat jo vetëm gjatë asaj periudhe të nxehtë lufte, por edhe në përpjekje të tjera me armiqtë e jashtëm.
Fryma e Epopesë së Vlorës u bë nervi kryengritës i gjithë poezisë patriotike në mbarë shqiptarinë. Nikollë Ivanaj nga Trieshi i Malësisë së Madhe (historian, poet, atdhetar – aktiv në kryengritjet e veriut, pjesëmarrës në Konferencën e Paqës në Paris…) në poezinë “Vlona” i kushton vargjet:
“Në zjarrm e në gjak, sot po vlon Vlona,// Në kambë asht çue e gjithë Shqipnija // Nuk e lshojmë, thotë asht e jona,// Pa dekë për te gjithë burrnija…” dhe vazhdon.
Jo vetëm shqiptarët e diasporës, por edhe miqtë e shqiptarëve si Miss Durham së bashku me Herbert bënin thirrje fuqive të mëdha ta ndalonin këte dramë.(Mbretëresha e Malësisë, Durham në gusht të 1914, ishte kthyer në Londër dhe në përfundim të luftës së parë botërore bashkë me deputetin e parlamentit britanik Aubrey Herbert nën flamurin e shoqatës anglo-shqiptare që ata kishin formuar në vitin 1912) Ata lobonin fuqishëm për Shqipërinë, e sidomos pas Luftës së Vlorës, për pranimin e Shqipërisë në lidhjen e Kombeve. Në letrat me Parashqevi Qiriazin ajo ishte në dijeni të të gjitha lëvizjeve patriotike të shqiptarëve, prandaj zëri i saj ishte mobilizues, edhe pas Konferencës së Paqës.
Gratë në Luftën e Koplikut
Trazirat nuk po pushonin për shqiptarët, një tjetër vatër zjarri hapet në veri. Me 7 Korrik 1920, reparte të ushtrisë Jugosllave, pushtuan Malin e Taraboshit. Lartësia u siguronte kushte të favorshme për pushtimin e qytetit. Lidhjet e reja midis Parisit dhe Beogradit ishin në dëm të sovranitetit. Beogradi kërkonte të realizonte qëllimin e kahershëm për pushtimin e qytetit verior, dhe të fuste në dorë Kalanë e Shkodrës. Ishte një ëndërr e vjetër, kur Rusia nxiste Malin e Zi për agresion që me 1878. Rreziku duhej shmangur sa më parë, qeveria e re, e posadalë nga “Kongresi i Lushnjës” e merr në dorë situatën, organizon së bashku me Shkodranët “Mbrojtja Kombëtare” si kundërofensivë ndaj formacioneve jugosllave dhe mercenarve te Esat Pashë Toptanit.
Në ditët e para të gushtit një lajm i gëzueshëm vinte nga Vlora e cila me luftën e saj heroike kishte hedhur në det okupatorët italianë. Me 2 gusht 1920, u nënshkrua marrëveshja me qeverinë shqiptare për zbrazjen e Vlorës nga ushtria italiane. Me largimin e forcave italiane nga Vlora qindra vullnetarë erdhën nga Shqipëria e mesme në drejtim të Shkodrës; Kruja, Ishmi, Shijaku, u bashkuan me formacionet luftarake të organizuara nga qeveria. Dibranët edhe pse luftonin kundra serbëve që kërcënonin zonën e tyre, sollën forca për të mbrojtur qytetin verior. Qindra luftëtarë nga Gjakova dhe Prizreni, Hoti, Gruda, Postriba dhe nga e gjithë Malësia e Madhe u bashkuan në një front të përbashkët për t’i bërë ballë pushtimit jugosllav. Im atë që ishte pjesë e atij tubimi të madh masiv, përmendëte shumë nga dega e Bushatlinjve. I numëronte si në vjershë emrat e Hasan Bushati, Sylçe Beg Bushati, Maliq Bushati, Xhemal Bushati, Ahmet Bushati, edhe kleriku i shquar, deputet i Shkodrës dhe i Lezhës në Kongresin e Lushnjës, Sabri Beg Bushati. Sekretari i këtij organizimi ishte historiani Hamdi Bushati, i cili i përshkroj më vonë ngjarjet si dëshmitar okular në vëllimet “Shkodra dhe Motet”,
Në këte mobilizim të rinjtë shkodranë krijuan grupin e çiklistëve korrier nën drejtimin e Simon Rranxit. Doktor Sadetini themeloi shoqatën “Ylli Kuq” për të ndihmuar të plagosurit. Farmacisti Ndoc Ashiku ndihmoi shumë në mjekime dhe në veshmbathje… Fotografi i mirënjohur shkodran krijoi “Çetën Marubi”. Banda muzikore e qytetit u mobilizue duke shërbyer edhe në frontin e luftës.
Në gjithë këto organizime, pjesëmarrja e grave ishte evidente në këte luftë.
Gratë e Malësisë ishin të përmendura në angazhimet e tyre të herëshme në luftë përkrah burrave. Në këte mbrojtje të kufijëve ata nuk ishin të veçuara por përfshinin gjithë Malësinë e Madhe. Historiani, Hamdi Bushati, e tregon ngjarjen tragjike të një gruaje nga Hoti: 14 Hotjanë ishin të rrethuar nga malazezët në shtëpinë e Dedush Markut në Vukëpalaj, po luftonin si dragoj. Kur atyre iu mbaruan fishekët, një grua malësore u kishte thirrur me sa fuqi që kishte, për t’u dhënë zemër “Qëndroni se ju erdhi në ndihmë Shkodra”. Hotjanët e fituan betejën, por malësoren trimëreshë e vranë malazezët.
Gratë e qytetit të Shkodrës me 3 gusht krijuan komitetin bamirës “Gruaja Shqiptare” me kryetare Shaqe (Marie) Çoben, kryetare nderi, Habibe Bekteshi, sekretare Paulina Lekën, dhe arkëtare Albina Ashikun. Kishte edhe shumë anëtare të tjera, shumica gra që nuk prononcoheshin me emra por; e shoqja e Hoxhë Kadrisë, e shoqja e Rauf Begut, e shoqja e Fahri Begut… ndërsa njiheshin me emra; Tina Gurakuqi, Zina Ashiku, Kushe Kadarja… etj. Ardhjen e këtij komiteti në frontin e luftës e përjetësoi populli në vargjet: “Krisi pushka në përrua të thatë// Në Koplik kanë ardhë gratë//…
Në këte komitet bënin pjesë gra të besimeve katolike e myslimane, që kishin për qëllim të ndihmonin forcat e bashkuara shqiptare në luftën për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni jugosllav. Gratë ndihmuan në grumbullimin e ndihmave dhe trajtimin e të plagosurve.
U dallua në këte bashkim kryetarja Marie (Shaqe) Çoba,1875-1954, (lindi në Shkodër ku edhe mori mësimet e para. Shkollën e mesme e vazhdoi pranë një Kuvendi Austriak në Kroaci, ndërsa studimet e larta për shkenca politike në Firence.) Ishte një ndër intelektualet e para shkodrane e cila botoi edhe revistën po me të njejtin emër “Gruaja Shqiptare” që u bë një tribunë e lëvizjes për lirinë kombëtare dhe emancipimin e gruas. E përkrahur nga bashkëshorti i saj Ndoc Çoba (Doktor i shkencave ekonomike, publicist e gazetar te “Ora e Maleve”, kryetar i klubit “Gjuha Shqipe” 1908, përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës 1920, kryetar i Bashkisë Shkodrës 1937-’39, i internuar prej fashistëve, merr pjesë në organizimin e “Konferencës së Pezës” 1942 me Mustafa Gjinishin e Ymer Dishnica për bashkimin e të gjitha forcave antifashiste. vdiq në burg nga torturat e komunistëve) Si bashkpunëtore e ngushtë e të shoqit, Shaqe Marie Çoba, u shqua për atdhetarizmin e saj në luftën për mbrojtjen e kufijëve, ku së bashku me shumë gra të tjera intelektuale shkodrane organizonin ndihma jo vetëm për ushtrinë kombëtare, që luftonin për ndalimin e coptimit të trojeve shqiptare, siç ishte “Lufta e Koplikut” por shtrihej ndihma edhe në spitale.
Kontributin e familjeve shkodrane e pasqyronte në revisten “Gruaja Shqiptare” ku aty trajtoheshin edhe probleme të tjera shqetësuese të gruas për respektimin e të drejtave të saj, arsimimin e vajzave, edukimin me ideale kombëtare dhe me virtyte mirësie. Aktiviteti i saj arriti edhe më lart, kur arriti të riorganizonte shoqatat e grave në nivel Kombëtar 10.11.1937.
Këta gra të përmendura të lënë pa fjalë për vlerat që mbartin, për guximin dhe vendosmërinë për të kërkuar të drejtat legjitime. Ata nuk flasin me emrin e tyre por në emër të grupit, të shoqatës, të komunitetit që kanë krijuar.
Bija e Çamërisë, Lejla Rasih Dino, shkruante në emër të grave shqiptare “Komuniteti i Gruas Shqiptare Zvicër” 1919, krijuar prej saj. Ajo shfrytëzoi njohjen e saj me Edith (Galt) Willson, gruaja e presidentit Amerikan,i pari president Amerikan, që vinte në Europë. Letra e shkruar në rrethana deçizive për fatet e Atdheut tonë, shtronte kërkesat legjitime të popullit shqiptar mohuar prej grabitqarëve.
Zonja, Shaqe Marie Çoba krijoi edhe shoqatën edhe revistën “Gruaja Shqiptare” duke ngritur problemet më jetike të kombit shqiptar duke i dhënë përmasa në rritje forcës së bashkimit të gruas shqiptare…
Motrat Qiriazi krijuan shoqatën e parë të grave në Korçë “Ylli Mëngjezit”po me këte emër botuan revistën shqiptaro-Amerikane “Ylli Mëngjezit” kur u shpërngulën në Boston.
Këto morën pjesë në konferenca të nivelit të lartë në emër të “Partia Kombëtare Shqiptare” prej ku shkruanin memorandume drejtuar fuqive të mëdha për çështjën e kufijëve. Korrespondenca e tyre me miqtë e Shqipërisë, si Miss Durham, Herbert, Erikson, Crane… për probleme madhore, të arsimimit dhe emancipimit të vashave shkonte në favor të zgjimit të ndërgjegjës kombëtare për bashkimin e trojeve shqiptare.
Këta janë vetëm disa shembuj tipikë, por studiusit e historisë kanë mbushur faqe të tëra me heroina.
Sot po rritet çdo ditë e më shumë kërkesa për gratë, që të vendosen në pozicione drejtuese sepse vetëm ata që dinë të qeverisin familjen, të edukojnë fëmijët, të mbajnë ekonominë, dijnë edhe të drejtojnë shoqërinë, të mbrojnë drejtësinë, të respektojnë disiplinën, të zbatojnë ligjet e të zbusin konfliktet.
E pra sot Shqipëria dhe Shqiptaria ka nevojë për Gra të Urta e të guximshme, për Mësuese misionare, për Mjeke të përkushtueme, për gra të të gjitha profileve, që të bashkohen si një forcë e madhe pa dallime e ngjyrime të trashëguara, por me mendime pozitive, që t’i japin progres shoqërisë Shqiptare. E gratë e mençura nuk i mungojnë botës Arbnore në se do të respektohen nga pala tjeter dhe të vendosen në vendin e merituar. Fisniket do t’ia çojnë në vend Fjalët e Pashko Vasës kur i drejtohet Shqipnisë “Ti ke pasë kenë nji zojë e randë” dhe “ndër gjithë shoqet ke kenë ma e mira” vetem atëhere kur të kemi harmoni mes vedit, vullnet për punën, dhe mbi të gjitha të bashkuar në dashurinë për Atdheun, Shqipëria do të bëhet një Zonjë e Nderuar.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.