back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Grazie Silvio, Grazie di Cuore Silvio! – requiem nga Jozef Radi

Gazeta

Silvio Berlusconi (1936-2023)
Silvio Berlusconi (1936-2023)

Grazie Silvio, Grazie di Cuore Silvio!

requiem nga Jozef Radi

Mëngjesin e 12 qershorit 2023, në orën 9.30,
ndërroi jetë në spitalin San Raffaele në Milano, Silvio Berlusconi
ku ishte i shtruar prej së premtes së kaluar.
Në moshën 86-vjeçare, u ndanga jeta drejtuesi i Forza Italias.
Gjendja e tij ishte përkeqësuar dukshëm dhe orët e fundit
u thirrën fëmijët e tij Marina, Piersilvio, Eleonora dhe Luigi…
Marrë nga shtypi Italian…

100 emocione te Cavalieres
100 emocione te Cavalieres

Lajmin e vdekjes së Silvio Berlusconit,
ma solli im vëlla Alfredi, nga Verona me mesazh.
Edhe pse e dija se beteja e tij nuk ishte e lehtë, ndjeva dhimbje… shumë dhimbje!
Sepse nuk ka italian që më ka mbushur me aq shumë emocione se Silvio Berlusconi.
U ndala për çka më dhimbti në shpirt, sepse në mjaft gjera,
Silvio Berlusconi shpesh më me kujtonte edhe tim atë…!

Forza Italia - Partia e Silvio Berlusconit
Forza Italia – Partia e Silvio Berlusconit

Me 12 qershor 2023, në orën 9.30 të mëngjesit, në Spitalin San Raffaele të Milanos, u largua nga jeta, një prej figurave më të rëndësishme të Italisë së këtyre 40 viteve të fundit: Silvio Berlusconi.
Nga e gjithë historia e tij, ajo çka mbetet tejet e rëndësishme është: Vëmendja që ai kërkoj ndaj vetes së tij dhe vëmendja e tij ndaj të tjerëve, duke u bërë epiqendër e vorbullave italiane të thuajse 40 viteve të fundit, e nuk ishte një vëmendje boshe, por e një mendjeje të kalkuluar e largpamëse, e cila në periudha të caktuara bëri beteja të jashtëzakonshme për ti dhënë Italisë dhe italianëve, më shumë liri, më shumë hapësirë.
Silvio Berlusconi do të dipllomohej në Jurisprudencë, po do të tërhiqte vëmendjen si ndërtues i Milano 2; themelues i Fininvestit (më pas shëndrruar në Mediaset) fillimisht me Canale 5 më 1978, më pas me Italia 1 më 1982, dhe së fundi më 1984 me Rete 4, President i Milanit më 1986, me 29 trofe të fituara (si askush në Botë), më 2018 President i Monzas që e mori nga Serie C dhe e solli në Seria A, mbi të gjitha themelues i Qendrës së Djathtë dhe Forza Italia-s – Partia Personale e tij, në kohën e krizës së madhe të Tangentopolit, më shumë për ta shpëtuar Italinë se për të demantuar të Majtën komunisto-socialiste, e cila simbas gjasave kishte të gjitha mundësitë ta sundonte, ta dominonte dhe ta deformonte dukshëm realitetin politik italian, dhe në vazhdim i “Shtëpisë së Lirisë” dhe “Popullit të Lirisë”,

29 Trofetë e Milanit nën firmën e Berlusconit
29 Trofetë e Milanit nën firmën e Berlusconit

Po Berlusconi në kujtesën time vjen herët, si President i Milanit, i cili mbasi ra në kategorinë e dytë për Skandalin e Basteve, do të ishte dora e tij që e ngriti hap mbas hapi deri në përmasën e e jashtzakonshme sa të quhej Milani Planetar, i treshes hollandeze Gullit-Van Basten-Rijkaard, një skuadër që ju ka dhuruar emocione të pakufishme jo vetëm atyre që ishin tifozë të Milanit apo dashamirë të tij, por edhe të kundërshtarëve të tyre, e siç thoshte ai vetë: “Tri janë skuadrat që kanë bërë histori në futboll: Ajaksi i Krujffit, Milani i Berluskonit dhe Barcelona e Pep Guardiolës”, pra ky njeri që e ngriti Milanin në lartësitë e skuadrës ndërplanetare, i bëri tre Kanalet e Mediasetit, kanalet më të rëndësishme televizive në Europë, duke u vendosur përballë RAI-t italian, që po rrëshqiste marramendshëm gjithnji e më majtas, si një pasqyrë ku RAI ta shihte vetveten dhe të ndreqej me aq sa mundej! Në televizionet e tij u mblodhën emrat me të mëdhenj të skenës dhe spektaklit italian…
Berlusconi u shfaq në politikë fillimisht si mbështetës i Craksit, më pas futet vetë në betejë me një dinamizëm që ia quajtën demagogji, me një besim që ia quajtën interes, me një luftë që edhe vetë ata që ia kanë bërë, sot e quajnë të paskrupullt pse ishin rreth 400 procese gjyqsore dhe mijra gjyqe, që sigurisht do të mbeten turpi i drejtësisë së politizuar italiane…
Ai do të ishte fitimtar qysh në herë të parë, po shpejt do t’i vihej stërkëmbësi, që asnjëherë fitoret e tij të mos mund të shfaqeshin të plota. Do të rrëzohej shpesh po edhe do të ngrihej shumë herë gjatë 30 viteve të politikës italiane, prej një së majte që gjithnji e trajtoi si përbindësh, deri në triumfin e padiskutueshëm të së djathtës së bashkuar, më 2022, ku Treshja Meloni-Salvini-Berlusconi, u rikthye në pushtet dhe Cavaliere – Senator, mbasi e kishin përjashtuar nga Senati, në 2011.

Salvini - Berlusconi - Meloni - Lupi 2022 - Fitorja e Centro Destres
Salvini – Berlusconi – Meloni – Lupi 2022 – Fitorja e Centro Destres

I kam ndjekur altitudat e karrierës politike të Berluskonit qysh prej vitit 1994, kur së bashku me tim atë ndiqnim Tangentopolin e Famshëm të Italisë, ku krahas vetvrasjeve politike, u shfaq edhe Ai – Berlusconi – si Njeriu i së Arthmes. Im at e desh qysh në shfaqje figurën e tij, mbasi rënia e Demokristianëve, do të ishte një tragjedi për Italinë, dhe deri në ditët e fundit të jetës, Ai mendonte se edhe Shqipërisë i duhej një Berluscon i vërtetë dhe jo i rrejshëm, një Berluscon i paepur dhe kokëfortë, që s’ka majë të pakapshme për vullnetin e tij, një Berluscon që përplasej me të majtën e Occheto-s, Prodi-t, d’Alema-s, Veltroni-t… edhe fitonte! Më pas, ndodhi që t’i ndiqja nga afër betejat e tij elektorale, së pari kur erdhi me Anijen-Sallë në portin e Anconës, e më pas edhe në stadiumin e lojrave me dorë të qytetit… dhe e kam mbështetë politikën prej më se 13 vitesh, në vendin ku jetoj me të drejtë vote… dhe kam parë sa entuziazëm dhe besim shpërndante, me sa kurajo e shpresë nisnin betejat e tij, për të sjellë stabilitet në politikën italiane me bipolarizmin e tij, po edhe me qeverinë më jetëgjatë që ka njohur politika italiane e 80 viteve të fundit, e ku gjurmët e tij do të mbesin të pashlueshme dhe figura e tij s’do të harrohet lehtë, qoftë për sensin e tolerancës dhe komunikimit, qoftë për sasinë e manovrave që përdori në jetën e tij politike, për t’i shkuar deri në fund betejave, qoftë edhe rrëzimeve të tija të organizuara si kurthe apo qëllime afatlargëta të oligarive financiare të botës. Berlusconi do të kujtohet si ndërmjetës “par exelance” i politikës italiane, edhe teprimet e tij, ishin pjesë e privates së tij, të cilën lentja moraliste e së majtës u përpoq me të gjitha mjetet ta denigronte… Silvio Berluskoni s’e pati kurrë të lehtë as jetën politike, as jetën ekonomike e as jetën personale. Edhe pse pati katër martesa (prej vitit 1965 deri më 2022, me Carla Dell’Oglio, Veronica Lario, Francesca Pasquale dhe e fundit Marta Fascina) ai pati një familje shembullore, fëmijë që nuk pranuan të merreshin me politikë, e ku secili ndoqi rrugën e vet, e që kurrë s’e trazuan të atin e tyre me at natyrën ezuberante, gjithnji aktive, ekspresive dhe hokatare. Bile me 12 qershor 2023, në majë të antenave të Mediasetit, ishte shkruar dashurisht dhimbja: Ciao Papa!!

Kulla e Mediasetit - 12 qershor 2023
Kulla e Mediasetit – 12 qershor 2023

Berlusconi do të mbetet një figurë, përmasa e së cilës, do të bëhet gjithnjë e më e madhe mbas vdekjes së tij, sepse ai e dëshmoi në të gjallë se betejës së paskrupullt që iu bë nga politika e më gjerë, ku hynte edhe një pjesë e figurave që ai kishte mbështetur dhe lartuar, në bisnes, në media dhe në politikë, po edhe në betejën e fundit mbas dhjetë vitesh i përjashtuar cinikisht nga Senati, ai do të rikthehej me shenjën e destinit të fitores, si një maratonomak i paepur, fitues dhe sfidues me gjithë luftën e paskrupullt nga media, nga politika, nga tribunalet, të atyre që ai kishte mbështetur fuqishëm në drejtimin e Italisë, prej ndërkombëtarëve në ato përpjekjet për ta gjunjëzuar Italinë, e goditën pafund figurën e tij, e cila jo vetëm simbas meje, po prej gjithë atyre që kanë buonsens në gjykimin e historisë dhe politikës, do të mbetet i papërsëritshëm në llojin e vet, si në politikën italiane të 30 viteve të fundit edhe atë europiane…

Silvio Berlusconi dhe fëmijët e tij
Silvio Berlusconi dhe fëmijët e tij

Grazie Silvio,
deri në ditë të fundit kam parë në ty luftëtarin dhe guximtarin, italianin e dashuruar me vendin e vet, që bëri njëmijë beteja për një Itali ndryshe, më të mirë e më të fortë, Njeriun që e desh edhe vendin tim, Njeriu që e ftoi në Senat At Zef Pllumbin, të fliste italisht përmes kryeveprës së tij “Rrno për me tregue”, që i respektoi dhe i ndihmoi shqiptarët si asnjë shtetar tjetër i përtejadriatikut, jashtë demagogjisë, jashtë interesave elektorale…

Grazie Silvio,
për gjithë emocionet e pafundme që më ke dhuruar ne këto 40 vite: së pari me Milanin tënd magjik, me Mediasetin e frymës së lirë, ku gëlonin kundërshtarët e tu, me betejat e tua të paepura, po edhe me të Djathtën e Qendrës atë forcë me bosht solid ku e kam gjetur dhe do ta gjej veten, sa të kem frymë…
Grazie di cuore Silvio!

Ancona, 12 qershor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.