Gremina
poezi nga Lasgush Poradeci
Ti sot as qesh as qan
Rri larg e qetë
Në shpirtin tënd ti mban
Një faj përjetë
Një dashuri me gas
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera
U ngrove ashtu sa mund
As shumë e as pakë
S’të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë
Më ndriu e griu e shkriu
Ah, mua zjarri!
U mvarrësh un’ i ziu
Mi buzë varri!
E nuk më dhemb aspak
Një vdekj’e gjallë
Ndaj qava lot me gjak
Si në përrallë;
.
Ndaj hoqa rëndë ashtu
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu
Për dashurinë;
Për dashurinë o Zot
Që shëmb një burrë
Që s’e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;
Që lind e ndritur krejt
Bukuriplote!
Me dritën drejtpërdrejt
Nga drita Jote!
Që qesh e qan e zjen
E s’jep të qetë
Që e zien e bren e shfren
E s’vdes përjetë.
.
Revista “Shkëndija” korrik 1940, numri i parë!
.
Marrë ngamuri u FB i Agim Morines, 10 shtator 2020
.