back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Grid Rroji dhe Servet Pëllumbi përballë me Katovicën

Gazeta

Katowice
Katowice

Grid Rroji dhe Servet Pëllumbi përballë me Katovicën

Katovica, (e Ramiz Alisë) e publikuar para do kohësh në sit… pati nji “boom” lexuesish dhe pëlqyesish… Nga debatet publike të ditëve të fundit nisur nga nji intervistë e Profesor Servet Pëllumbi është dëshmuar se misioni i saj është kryer përtej asaj çka ishte parashikuar… duke dhenë shenjat bindëse se praktikisht Shqipëria sot është pa Opozitë reale…
Le të ballafaqojmë Opinionet e Profesor Pëllumbit dhe Grid Rrojit për të reflektuar mbi nji të nesërme të mundshme të politikës shqiptare… j.r.

Profesor Servet Pëllumbi
Profesor Servet Pëllumbi

Pëllumbi zbardh dokumentin e Byrosë në ‘89:

Ramiz Alia zbatoi Katovicën e Gorbaçovit

Profesori i PS: PS e LSI të shkrihen në një parti.
Pëllumbi zbardh dokumentin: Alia zbatoi “Katovicën. “Ramiz Alisë i kanë ardhur materialet në ’87 nga Gorbaçovi, e tha në Byro në 1989”

I ftuar në emision “Debat” në televizionin “Channel One” me gazetarin Roland Qafoku, ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi zbuloi një dokument sekret të 1989-s, që Ramiz Alia e kishte lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike. Sipas këtij dokumenti, që njihet si platforma “Katovica”, Pëllumbi tregoi se ishte Ramiz Alia që vendosi drejtuesit politikë të partive politike pas 1990, reformat për pronën dhe trajtimin e ish-të përndjekurve politikë…

Është folur gjatë që Ramiz Alia ka një rol të rëndësishëm në pluralizmin shqiptar, por dhe teori konspirative se ai ka zbatuar në Shqipëri platformën e partive të tjera komuniste të Lindjes, që njihet si platforma “Katovica”. Ju keni një koment për rolin e Ramiz Alisë? Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri. Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87. Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë. Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete. Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës. Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji. Dokumenti që po ju tregoj është një faksimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike.
Ka pasur edhe një përgënjeshtrim. Kanë thënë që nuk ka pasur një dokument të Katovicës. A është e vërtetë që ekzistojnë disa pika orientimi? Ky dokument është shtruar në Byronë Politike dhe ndër të tjera unë po citoj disa pjesë. Ramiz Alia është mbështetur në materialin e Gorbaçovit dhe thotë: “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?”.
Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”. Dhe kështu u bë. Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.
Momenti i dytë është ai i përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”.
Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne!”.
Dhe moment tjetër. “Çdo gjë e kemi programuar, strategjinë e kini të gjithë të qartë dhe kemi caktuar rrugët për qëllimin e misionit tonë”. Dhe përfundimi është ky: “Me këtë strategji brenda dy apo tri legjislaturave, do të kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.
Pra realisht me këtë strategji të Katovicës është vepruar edhe në Shqipëri, megjithëse në Katovicë të Polonisë, delegacioni i Partisë së Punës nuk mori pjesë. Por realisht materiali ka ardhur… Ndër të tjera, Ramiz Alia thotë se këtë material kam dy vjet që po e studioj. I ka ardhur në 1987-n dhe në tetor të viti 1989, ai e bëri publik në Byronë Politike si strategji të kalimit të Shqipërisë në demokraci. Dhe kujdestarët që do zbatonin këtë strategji i ka zgjedhur Ramiz Alia. Ka 23 vjet edhe çështja e të përndjekurve politikë nuk është zgjidhur, çështja e pronës po ashtu. Kush ka qenë në krye të vendit? 15 vjet Sali Berisha dhe 8 vjet Fatos Nano.

Servet Pëllumbi dhe Dritero-Agolli
Servet Pëllumbi dhe Dritero Agolli

Kush janë “ne”, dhe kush është sot në pushtët? Ne në atë kohë e kishte fjalën për komunistët.
Sot stafeta e Katovicës nga kush është marrë? Stafetën e ka ai që edhe sot e kësaj ditë flet për bllokmenë, për larva të Bllokut. Pra është po ajo gjuhë që ka edhe Katovica. Ka ardhur koha që kjo spirale të ndërpritet dhe demokracia shqiptare të ecë në rrugë të mbarë.
A ka dualizëm mes Ramës dhe Metës në pushtetin e marrë më 23 qershor? Ngacmimet e Berishës për dy kryetarët janë të zakonshme. Unë e quaj si diversion. Ata janë dy figura politike që janë në krye të dy partive kryesore në koalicionin. Kryetari i Kuvendit me Kushtetutë quhet figura e dytë në vend. Të dy këta kryetarë kanë postet kryesore në vend. Ka shumë faktorë që koalicioni i tyre është i frytshëm.
A e parashikoni jetëgjatë këtë koalicion? Ai do të zgjasë derisa këto parti të shkrihen në një. Në nivelin e bazës, ai ka qenë faktori kryesor që këto dy parti ndodhen bashkë në fushatë. Po ai faktor mund të jetë që këto parti të bëjnë kongrese veç e veç, por edhe kongrese të përbashkëta. Sepse programi është i njëjtë, qeverisjen e kanë të përbashkët. Një qeverisje e frytshme ata do t’i afrojë dhe jo t’i largojë, siç mendon Berisha.
Me dy kryetarë? Partitë kanë dy kryetarë dhe kur të bëhet kongresi zgjidhet një kryetar. Ne duhet të gjykojmë për këtë nivel që është sot. Prirja edhe botërore e partive është drejt unifikimit të partive.
Si e komentoni zëvendësimin e të vjetërve në PS me të rinjtë? Unë në përgjithësi i përmbahem parimit se duhen harmonizuar brezat në parti e në qeveri. Edhe në rastin konkret një harmonizim i mirë duhej bërë. Por, kryesorja është që PS të ketë rolin e saj me të gjitha strukturat e saj që të jetë në mbështetje të reformave dhe të ketë rolin e saj kontrollues.
A është modeli i mirë Kodi i Etikës? Për të krahasuar modelet është herët. Ajo që dua të them është se qeveria duhet të transmetojë mbledhjen, se është një nga kushtet e demokracisë transparenca. Edhe siç e bënte Berisha, nuk është praktikë e mirë. Por, një lloj transparence është e domosdoshme që qeveria të jetë e hapur. (Panorama – 11 tetor 2013)

Grid Rroji
Grid Rroji

Paria e Katovicës Grid Rroji (FSHAD)

Dalja në skenë e dokumentit sekret të Byrosë Politike për Katovicën nuk ishte një ngjarje e rastësishme, por as e papritur. Fjalimi i Ramiz Alisë në Byronë Politike njihej nga profesionistët, por edhe ka kohë që qarkullon në formë gjysëm zyrtare në shtyp dhe në rrjetet sociale. Gjithashtu është e ditur se plani origjinal nuk ishte për t’a lejuar pluralizmin menjëherë por me faza.
Ndaj, deklarata e Servet Pëllumbit se Ramiz Alia inskenoi tranzicionin shqiptar në të gjitha hallkat e tij nga prapa perdeve të trasha të regjimit komunist, duke caktuar deri edhe kryetarët e partive të para pluraliste nuk përbën risi.
Po ashtu, tashmë ka kohë që në shtypin e shkruar diskutohet klasa politike si një pari katundare e dalë nga sinoret e regjimit komunist, e cila ka ndjekur një linjë të qartë interesash personale në kurriz të interesit kombëtar. Shenasi Rama e ka trajtuar problemin e parisë në librin Përrallat e Tranzicionit Shqiptar (Botimet Princi 2012) duke analizuar shkaqet dhe pasojat e krijimit të një grupimi të tillë shoqëror madje duke i tipologjizuar grupimet e saj, si për shembull trusti i gështenjave të Tropojës, klani i jeniçerëve, çeta e lavatriçeve apo bandat e martallozëve dhe bashibozukëve.
Më tej, gjatë fushatës së fundit zgjedhore një grup studiuesish dhe analistësh tek blogu Rrethi i Ferrit përfshi edhe të nënshkruarin, e interpretuan fushatën duke u bazuar në analizën e parisë. Pra, z.Pëllumbi nuk tha asgjë të paditur e të pathënë publikisht më parë.
Risia e deklaratës i përket burimit prej nga doli informacioni. Z. Pëllumbi është një nga eksponentët e lartë të PPSH-së dhe të parisë së Tiranës, me interesa të qarta në ekonomi dhe në lojën politike të tranzicionit. Gjithashtu, megjithëse media i referohet si “filozofi i të majtës” z. Pëllumbi kredinë e ka fituar në politikën aktive. Më tej, si një nga njerëzit e dalë nga Partia e Punës dhe si një individ që ka përfituar nga skema e Ramiz Alisë, të cilën e zbulon sot me dokumenta konkrete, ai ka gjasa të ketë qenë i informuar me kohë për këto çështje. Pra, deklarata nuk mund të jetë as një lajthitje e rastësishme e as e pakëshilluar me qarqe të caktuara, të cilat ndonëse në hije, kanë përcaktuar të gjitha lëvizjet politike gjatë tranzicionit. Thënë thjesht, deklarata ishte e porositur dhe e mirëllogaritur.
Më anë tjetër, kjo deklaratë disi e papritur në fillim të pushtetit Rama-Meta krijon më shumë pikëpyetje se sa përgjigje. Së pari, përse tani? Cilat janë arsyet që e shtyjnë “dorën e padukshme” të pohojë ekzistencën e vet, ndërkohë që është kujdesur gjatë këtyre viteve t’ja fshehë popullit prezencën e saj me të gjitha mjetet? Së dyti, cili është mesazhi i vërtetë pas deklaratës? Kujt i drejtohet ky mesazh dhe cili është synimi i tij? Së treti, cilat janë përfundimet që mund të nxjerrim duke marrë parasysh se tashmë paria e Katovicës nuk ngurron të dalë hapur dhe madje ta vendosë vetveten qartazi kundër popullit?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk janë të thjeshta. Duke u nisur nga momenti politik kritik, pritej që reagimet të ishin të egra, sidomos nga personazhet që janë në politikë. Mirëpo, pas mesazhit të Pëllumbit duket se ka rënë heshtja, a thua se të gjithë protagonistët kërkojnë ta hedhin pas këtë episod, e t’a harrojnë sikur të mos ketë ndodhur.
Nuk kemi parë deri më sot reagim nga i diskredituari i parë nga ajo deklaratë, Sali Berisha. Megjithëse gjeti kohë të kritikojë Tifozat Kuqezi, në llogarinë e tij në Fejsbuk nuk gjindet asnjë reagim për këtë akuzë e cila ja rrëzon të gjithë legjitimitetin si udhëheqësi i Lëvizjes demokratike të Dhjetorit. Në rastin e tij veçanërisht, heshtja flet shumë.
Heshtja ka pushtuar edhe Kryeministrin cicërues Rama dhe bashkëudhëtarin e tij Meta, por edhe të gjithë eksponentët aktualë të PS-së. Përbën habi sidomos heshtja e atyre që e kanë ndërtuar profilin politik me anë të sulmeve kundër “gogolit” Berisha, paçka se sipas z.Pëllumbi, Berisha nuk paska qenë aq i ndryshëm nga ata.
Nuk ka reaguar as ndonjë nga kryetarët e partive të vogla si Skënder Gjinushi apo familja e të ndjerit Sabri Godo, të cilët kanë rregulluar dhjetë breza me pazaret që kanë bërë në emër të demokracisë.
Nuk kanë reaguar as familjarët e “tribunit të demokracisë” Azem Hajdari, eshtrat e të cilit sapo u transferuan me ceremoni shtetërore në varrezat e dëshmorëve. Aq më pak mund të pritet ndonjë reagim nga një pensionist i politikës si Fatos Nano.
Duke u nisur nga sa më sipër, gjykoj se mesazhi i përçuar nga z. Pëllumbi nuk i drejtohet vetëm përfaqësuesve të klaneve të parisë, por përbën një mesazh për gjithë qytetarët shqiptarë se loja politike dhe rrjedhimisht edhe shteti kontrollohet tërësisht prej arkitektëve të parisë sipas strategjisë së Katovicës.
Një tjetër mesazh është se qeveria aktuale duhet mbështetur sepse e ka gjetur gjuhën me njerëzit e duhur. Edhe pse kryeministri Rama duket se ka krijuar një celulë ojq-iste brendapërbrenda PS-së, me të cilën dëshiron të qeverisë, dërguesit e z.Pëllumbi kërkojnë të na thonë se Rama ka siguruar mbështetjen e dorës së padukshme, atij grupi të konsoliduar pa miratimin e të cilit askush nuk ka mundur të qeverisë gjatë këtyre 23 viteve.
Më anë tjetër, koha e përzgjedhur për t’a përçuar këtë mesazh është po ashtu e rëndësishme. Me rrënimin përfundimtar të shtetit dhe krijimin e një sistemi politik pastërtisht oligarkik, me kapjen e interesave ekonomike nga paria dhe rënien e kontributeve nga diaspora, me zvetënimin tërësor të shoqërisë dhe normave të moralit, si dhe me bjerrjen e pritshme të mitit të integrimit paria e ka të qartë se farsës së saj 23 vjeçare po i vjen fundi. Çfarëdo strategjie mediatike të gatuajë Kryeministri Rama, dhe sado që skuadra e tij e marrëdhënieve me publikun do të vazhdojë të na servirë nga një lajm “të madh” çdo ditë, duket qartë se paria nuk i ka mjetet e nevojshme për t’ja hedhur edhe kësaj here. Kur thika ekonomike të prekë kockën, shqiptarët do kërkojnë llogari.
Mirëpo në mendjen e parisë shteti është i tyri, ndaj shqiptarët kanë marrë atë që meritojnë. Duke qenë në kontroll të plotë të të gjitha hallkave të pushtetit, demokracia u është kthyer në një procedurë të bezdisshme.
Megjithatë, ata e dinë se katastrofa ekonomike që po afrohet nuk do lerë shumë vend për manipulimet e zakonshme. Paria i druhet me të drejtë kthesave të mëdha, sepse vetëm ato ja rrezikojnë realisht vazhdimësinë në pushtet. Ndaj, duke u treguar shqiptarëve se edhe Edi Rama është aty ku është në sajë të mbështetjes së dorës së padukshme të parisë së Katovicës ata synojnë të dekurajojnë çdo lloj lëvizje politiko-qytetare që ka për qëllim ndërtimin e shtetit. Me mesazhin e z.Pëllumbi ata po i thonë publikut dhe kujtdo tjetër se zgjidhjet kalojnë domosdoshmërisht nëpërmjet tyre.
E fundit, por jo nga rëndësia, publikimi i skemës së Katovicës bëhet edhe për të delegjitimuar Lëvizjen Studentore të Dhjetorit, e cila me sa duket u kish dalë dore. Historia e manipuluar e Dhjetorit 90’, e promovuar këto 23 vjet nga paria, i ka shërbyer pikërisht kësaj dite kur i gjithë tullumbaci i fryrë i versioneve që ndryshonin sipas stinës të delegjitimohej përfundimisht. Me sa duket dora e padukshme ende i druhet legjitimitetit të asaj Lëvizjeje në popull dhe kërkon t’ja mbyllë të gjitha shtigjet e mundshme në të ardhmen.
Mirëpo, megjithë përpjekjet e mëdha për të ngritur tymnaja do të jetë e pamundur të mbulohen të vërtetat e Dhjetorit. Në fakt, disa ish-studentë i kanë publikuar kujtimet e tyre, të cilat ndryshojnë kryekëput nga historiografia zyrtare, pa u ndeshur me ndonjë reagim nga protagonistët e vetëshpallur e as nga shoqatat tashmë të shumta që popullojnë skenën publike. Mungesa e reagimit ndaj tyre dëshmon se ende ka shpresë për të zbuluar të vërtetën e plotë të atyre ngjarjeve. Gjithashtu, fatmirësisht versionet e ndryshme të palëve dhe metamorfoza e tyre gjatë viteve janë të regjistruara nëpër arkiva televizive dhe të medias së shkruar, të cilat nuk do t’i shpëtojnë historisë. Publikimi i skemës së Katovicës e rihap këtë debat.
Për ta përfunduar, gjykoj se bërja publike e dokumentit zyrtar të Byrosë Politike për Katovicën është një ngjarje e rëndësishme për disa arsye. Së pari, i heq çdo lloj velloje legjitimiteti politikanëve që derimëtani kanë deklamuar meritat për ndryshimet demokratike në dhjetor të nëntëdhjetës. Së dyti, ridimensionon legjitimitetin e sistemit politik në tërësi duke konfirmuar atë që shumë nga ne ka kohë që e quajnë një oligarki e pastër. Së treti, konfirmon kapjen totale të shtetit dhe politikës nga paria dhe mungesën e zgjidhjeve reale brendapërbrenda kontekstit të parisë. Së katërti, nënvizon ekzistencën e një strukture të padukshme, e cila kontrollon në masë të madhe të gjitha klanet e parisë. Së pesti, demaskon si taktikë pastërtisht konjukturale dhe në masë të madhe të stisur përdorimin nga paria të ndasive e veçanërisht ndasitë komunist-jo komunist dhe gegë-toskë. Së gjashti, rikonfirmon strukturën dhe mendësinë katundare dhe antikombëtare të klaneve të parisë, të cilat nuk janë ndalur përpara asgjëje për të ruajtur interesat e tyre meskine.
Ndaj edhe duhet që shqiptarët të mos ua vënë më veshin premtimeve dhe llomotitjeve të kësaj klase politike.
Ata të gjithë i ka pjellë Katovica…
(Marrë nga Forumi Shqiptaro Amerikan për Demokraci FSHAD)

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. “Katovica” asht e kjartë si realitet, mbasi edhe në gjithë periudhën asht kuptu zbatimi saj. Thanja e Pjetër Arbnorit: “Këto nuk janë socialista, por specialista!!” kishte domethanjen e ekzistencës së “Katovicës”…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.