back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

“Grimca” kujtimesh me babanë – nga Fatmira Allmuça

Gazeta

Hamit Allmuça - pikture nga Sali Allmuça (i biri)
Hamit Allmuça – pikture nga Sali Allmuça (i biri)

“Grimca” kujtimesh me babane

nga Fatmira Allmuça

A dini me m’than pse asht’ luani m’reti i kafsh’ve…? Pooooo: Se është i fuqishëm…i bukur… se ka krifë… seeeee… dhe ne vazhdonim me fantazitë tona fëminore me metafora midis reales dhe surreales… Saktë. Por, mos harroni: Luani asht’ m’ret se asht’ fisnik! Edhe kur sulmon e m’yt prenë e vet menjëherë duke e prerë n’fyt. Nuk e len t’vu’j sikurse ban njeriu që para se me t’vra’, të torturon… Në jetë duhet të jeni si luani: Të mos tuteni dhe të jeni të drejpëdrejt… me çfardolloj pasoje… të paktën do e shihni veten në sy përpara pasqyrës!
Isha në vitin e tretë të gjimnazit kur mësova për herë të parë për burgosjen e babait. Reagimi i vetëm ishte humbja e interesit për mësimet, me bindjen se, sido që të ishin rezultatet, shkolla e lartë nuk do më “dilte”. Nuk guxoja ta pyesja tim atë për atë periudhë të jetës së tij deri vonë. Ai kurrë nuk e kishte përmendur këtë fakt…ndoshta ishte ky shkaku që miqësitë e vërteta të babait ishin “të testuara”… Miq për kokë, respekt i padiskutueshëm… Miqtë e vërtetë njihen n’der të burgut se n’der të klubit i ke të gjithë miq!”
…në vitet e para të demokracisë, në një bisedë midis nesh si miq të vërtetë e pyes: bab’ a të kan’ torturuar në burg? Heshtje e thellë. U pendova në moment dhe u mata të kërkoj ndjesë. Im atë mori frymë thellë dhe më tha: nigjo’ k’tu. Kur më arrestu’n peshoja 78 kg dhe kur kom dal’ n’gjygj isha vetëm 45 kg… tashti llogjiko vet’ dhe mos më py’t mo’ për kët’ tem’…”

Hamit dhe Fatmira Allmuça
Hamit dhe Fatmira Allmuça

Im atë ndërroi jetë, me bindje Legaliste…

Më kujtohet kur mësoja me zë të lartë (për t’i mbushur mendjen vetes), të vetmen lëndë “Historinë e partisë” dhe ndërsa një ditë përsërisja me zë të lartë… Satrapi Zog… dëgjoj një trokitje në derë. Hyr, – i them instiktivisht duke vazhduar me refrenin tim… – satrapi Zog… Ishte babai që me buzëqeshjen karakteristike në cepin e buzës, sa herë që ironizonte, që më thotë: Atje në shkollë thuaj çfar lexon, por, këtu në shtëpi, nuk je e detyruar…Qeshëm të dy…!
…kur u pushtu’ Shqipnia nga Italia fashiste, në Tiron’ u organizu’ nji demostratë e modhe ku të mbledhun para pallatit të M’retit bërtisnim: Du’m armë! Du’m armë! Nuk isha ma shumë se 17 vjeç. E kishim ven’os që bashkë me shokët do të shkojshim në Durrës me luftù. Nuk e keni provù, por kur të cënohet atdheu, të zì gjaku vet’vetiu e nuk py’t për gjò… Paprit’, turma u qet’su’ e nuk pip’tinte as miza. Në ballkon doli vetë Mreti Zog. Foli me ne dhe ajo që m’osht’ fiksù jon’ fjalët e tij: edhe un’ du’ me e luftù armikun, por, jemi në kushte të pabarabarta. Italia osht si balenë dhe ne jemi peshk i vogël… A mun’et peshku me e luftù balenën!? Nuk dù të vritet pop’lli i pafajshmëm… dhe lotët i rrodhën prej syve… e gjith’ turma në kor brohoriti: Zogu, Zogu…
Na përshn’eti me dor’ e u fut’ mre’na me kokën var’… Nji ku po ta them, aty jom bind’ përfundimisht, pavar’sisht se ç’më kishte tregù baba jem, që ishte burrë trim! E imagjino ti se çfar’ distance ishte nga ballkoni i tij e der te turma!?… Ishte aq afër sa ne dallu’m ene lotët. Ballkoni ishte aq i ulët, sa nëse nonji nga turma do të shti’te me arm’, ene mund ta kishte vrà e atij s’i boni syni tërr ne dul para nesh… Le të thon’ ç’të du’n k’to se ishte armik, tradh’tar, satrap, apo ku di un… Ai ishte burrë! Nuk po i futem detajeve se ç’ka bò ai për kët Shqipni…
…Baba m’kishte tregù se kur u afru’ Serbi m’kufi, të gjith’ bejlerët e Tironës rrokën armët e shkun n’Qaf të Plloçës me i dal para. Të gjith kishin shkù me m’rojt vatanin se m’rojshin ene pronat e veta… ne a e di ti se kush i kishte pri….!? Nji djal’ i ri, nja 17-18 vjeç, që me nagant në dor’ e para të gjith’ve mbi 100 metra që bërtiste: Para burra se nuk jon’ mo trima se ne… Ene me t’vërtet’, i kthym serbët n’kufi… Ky pra ishte M’reti Zog, që në at kohë, pa pas asnji pozicion e kishte tregù veten trim.
Baba, që mas asaj dite u bo tifoz i flaktë i M’retit Zog. Aq shum’ e ka rrespektu, sa kur qiti dekretin M’reti me n’ryshù mbiemnin, baba e n’ryshoi përiher, se, Nuzi, Bajromi, Ceni etj, e majtën Mumajesi e nuk e n’ryshun…

Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë
Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë

…nuk isha ma shum’ se 7-8 vjeç e kisha mor’ rrugën me shkù ke pylli i babës që ishte njit me Farkën. Ishte zheg e un isha me pantoll t’shkurtna. Më presin rrugën ushtarë me arm. Isha i vogël e u tre’ma e zuna me qà… Nigjoj i zò burri që i thot ushtar’ve me ju afrù… Më py’ti si e kisha emnin ne i kujt isha. U përgjigja tu e pa m’msy e m’tërhoqi si magnet. Më përkedheli kokën e qiti e m’dhà dy monedha florini, nga 1 për sejcilin xhep… e m’tha: boji t’fala babës prej Nalt’madhnis’. Ishte burr’ i pashëm e bashkë me te pashë ene nji burr’ tjetër, i pashëm ene ky dhe me mustaqe që nuk kishte arm’, por kishte hedh’ xhaketen n’sup… e që m’tha: Mos u trem’ se jemi për gjueti… A e di kush ishte ky i dyti!? Sadik Tirona, burri i Dides… Kur u rrita, u bom’ miq…
Ishin këto histori, dënimet e tij me akuza fallce, por që në fakt lidheshin dhe me faktin e qënies së tij anëtar i partisë së Legalitetit, simpatia e tij e hapur për mbretin Zog, miqësitë e tij me Fatbardh Kupin, Akile Bashën dhe legalistë të tjerë me bindje, që një ditë i them babait: Ke dëshirë të takosh princ Lekën? Po! – më tha dhe i ndritën sytë.
…takimin e kishim fiksuar për të nesërmen në orën 12.00. U nisëm shumë më parë duke konsideruar që princi banonte në një vilë me qera në autostradë. Pritëm orën 12.00 dhe u paraqitëm në hyrje. Na priti një burrë paksa i hollë dhe i zeshkët me një bllok në dorë. I thamë emrat dhe burri bëri përsëri “verifikimet” në bllok… pasi u sigurua për emrat tanë, na ftoi brenda. Na priste princ Leka me dy qentë e tij “gjigandë” që m’u afruan e nuk më shqiteshin duke më lëpirë duart, gjatë gjithë kohës që ndenjëm. Ishte pritje e ngrohtë dhe me biseda qoftë politike ashtu dhe njerzore. Im atë i tregoi takimet që kishte patur me mbretin Zog dhe politikat e tij largpamëse. Kishin kaluar më shumë se 20 minuta dhe babai që fliste lirshëm e burri i zeshkët diç shënonte… Në një moment, princ Leka thotë: nuk ju prezantova, ky është këshilltari im Fluturak Gërmenji…! Im atë u nxì. Unë po ashtu… e kishim dëgjuar si emër, por nuk e njihnim si fytyrë…im atë, kërkon leje dhe u ngritëm të dy duke i shtërnguar dorën princit dhe kinse nuk e pamë më Fluturakun… Ahaaaaa, më thotë babai, me sigurimsa bo’ka politikë ky!? …Ndoshta nuk ka qenë sigurims, – i them… edhe po s’pat qen’ a ka qen’ oficer ky apo jo!? Aty heshta dhe nuk ktheva përgjigje…
…kur po afroheshim në shtëpi, e pyes duke qeshur: Nuk më the përshtypjet për takimin. U kthye nga unë dhe më tha me ton më shumë se të prerë: Un’ jom me Ahmet Zogun!
Nuk kishte më vend për pyetje të tjera…
Sot… duke “gërmuar”, gjeta këtë fotografi të çiftit mbretëror, e cila u bë shkas t’i shkruaj këto grimca kujtimesh, në kët ditë të lindjes së tim eti…
30 shtator 2021

“grimca” kujtimesh me babane, në këtë ditë të lindjes se tij, 30 shtator 1923…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.