back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Grimca mendimesh e persiatje ruejtë në blloqet e Lazër Radit – Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Gazeta

Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij - Saver 1989
Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij –
Kampi i Savres 1989

Grimca mendimesh e persiatje ruejtë në blloqet e Lazër Radit

Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Këto shënime të shkurtëra të Dr. Lazër Radit,
janë seleksionuar dhe shkëputur nga blloqet e tija të punës,
në të cilat gjeje gjithë grimcat e mendimeve të tij të ditës.
Ai mbante shënime në bibliotekë, kur ishte në mbledhje,
kur shetiste nëpër Tiranë, po edhe kur ecte…
ai ndalesh edhe në rrugë ulesh diku dhe shënonte gjithçka..
.
Lazër dhe Jozef Radi - Tiranë, 23 shtator 1997
Lazër dhe Jozef Radi – Tiranë, 23 shtator 1997

***

Sot fillova inglishten. E kam të vështirë, sepse edhe mbamendjen e tashma e kam të randë. Do të përpiqem me marrë disa nocione kryesore, disa shprehje të domosdoshme, sa mos të mbetem pa kuptue gjanat kryesore e të domosdoshme.
Mësimin e parë e bana me Armardën e vogël. Ka nji shqiptim të shkëlqyem dhe nocionet e thjeshta gramatikore i din aq mirë. Pranova të baj mësim me të, edhe pse asht e vogël, por edhe nga arsyeja e vetme se do të detyrohem të mësoj pak ma me forcë, se do t’ishte e turpshme për mue, mos t’i përgjigjem si duhet mësimit. Të shikojmë deri ku ka me shkue kjo punë.
 
***
Në drejtim të lirisë, njerëzit nuk kanë ide fort të qarta. E dinë nga përvoja, se liria po të vijë, vjen për të tanë, mund të përmbysë kufijtë ma të lashtë e të zhdukë mbrenda disa ditëve krejt privilegjet, për të cilat ata kanë punue nji jetë të tanë me i gëzue…
***
Në kët xhungël të pamëshirshme politike, afirmohen agjentët e randomtë, sepse ata dijnë të përfitojnë nga tana konjukturat e poshtërsitë; kurse njerëzit e ndershëm fundosen, pavarsisht nga meritat politike e intelektuale që mund të kenë d.m.th. merita politike, fitore, profesionale, kulturore e morale që mund të kenë.
 
***
…Mit i ngritur mbi bazën e frikës…
.
Lazer Radi, Cascade delle Mormore - Terni, korrik 1991Terni
Lazer Radi, Cascade delle Mormore – Terni, korrik 1991
***
“Ai që është i verbër, shurdh e memec, jeton njiqind vjet i qetë”.
 
***
-Opozita e fshehtë – të burgosurit politikë.
-Pëllumbat – opozita.
-Për urrejtjen – njerzve të armatosun, t’u hiqen armët.
-Si ajo uthulla e fortë që e thyen shishen e vet – klithma e popullit.
-Pluralizmi – hallall burgjet dhe internimet, nëse populli shkon në votimet me qëllimin e lartë për t’i shërbye atdheut.
 
***
Për të mbijetue na u desh të sakrifikojmë dy vdekje në veten tonë:
a)vdekjen shpirtnore
b)vdekjen mendore
.
Lazër Radi dhe gazetarja Genta Popa - Tiranë 1994
Lazër Radi dhe gazetarja Genta Popa
– Tiranë 1994
***
Shteti juridik i përjashton dallimet para ligjit, respekton barazinë e qytetarëve e barazinë nacionale, siguron zgjedhje të lira, pavarësinë e gjyqësisë, etj. Kurse “shteti policor” zhduk “de facto” çdo pavarësi, krijon “rrethana të posaçme”, në të cilat, doemos antikonstitucionale, e tanë jeta e vendit vihet nën dhunën policore…!
 
***
Populli duhet vërtet të bahet i përgjegjshëm ndaj të drejtave të veta ligjore. Eksperienca e nji gjysë shekulli, duhet ta ketë mësue që të dallojë e të vlerësojë si duhet çastet historike që lidhen me të ardhmen e tij. Duhet të gjejë rrugën e vet të përcaktimit e të vetorganizimit.
 
***
Do të kisha dashtë që tek intelektuali të shifej shpirti dhe trimnia e Prometeut që nuk i trembet kryezotit Zeus, e fyen dhe e quan tiran të urryem. Zeusi, tiran i rafinuem, përpiqet ta marrë me lajka, t’i premtojë detra e male. Prometeu nuk ligshtohet as atëhere kur urrejtja e Perëndisë e rropos n’humnerat ma të tmerrshme.
.
Lazer Radi gjate punes...
Lazer Radi gjate punes…

***

Njeriu në çdo punë të vetën ven edhe nji pjesë të nderit të tij. Ky parim i etikës shkencore asht nji nga veçoritë e punës së nji dijetari me mendime origjinale e të pavarun me temperament e shpirt antikonformist, e nji shkencari, ndërgjegja morale e të cilit nuk mund të pranojë asnji kompromis, asnji diktat o paragjykim ideologjik, që e dhunon të vërtetën dhe vë në pikëpyetje objektivitetin, nderin e ndershmërinë shkencore e njerzore. Zbulimi i së vërtetës për jetën e njeriut dhe drama e tij dhe e kombit të tij, duhet të jetë motivi i veprës letrare të nji intelektuali.
 
***
Grueja e zgjut, e mprehtë – ban nji presion të vazhdueshëm në trurin dhe talentin e burrit. Kur gjendesh në shoqërinë e nji gruaje të talentueme nuk bien kurrë as në përtaci shpirtnore e as në ramie trupore. Burri, pranë nji grueje të tillë përpiqet t’ia kalojë edhe nji ma të madhi se vetja, bile ia kalon edhe vetes. Në bisedat e zakonshme themi aq sa dijmë dhe si të mundemi. Kurse para nji grueje me mendje të mprehtë themi ma shumë se sa dijmë dhe ma bukur se tjera herë.
 
***
Shpesh herë e kam pasë zakon që shëtitjet e mija nëpër vende të bukura dhe interesante me i ba vetëm. Udhës, duke ecë, baj reflektime të tilla që mund t’i interesonin edhe nji filozofi kristian po edhe nji poeti romantik rebel. E, nëse të duhet të jesh i shoqnuem, atëherë rrugëto vetëm me gruen që dashuron. Kjo do t’ishte e vetmja mënyrë me e pa gjithçka ndryshe dhe, çdo gja do të fitonte nji vlerë të qindfishtë. Pse ndodh kjo? Sepse gruaja mbetet përherë fëmi, dhe për çdo gja që i rrëfen befasohet, çuditet. Në lidhje me kët Platoni na jep nji përkufizim: “Rini, do me thanë me pasë aftësi me u çuditë…”.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.