back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Grimca mendimesh në mbyllje t’nji fushate zgjedhore… Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2007
Jozef Radi 2007

Grimca mendimesh në mbyllje t’nji fushate zgjedhore… Jozef Radi

***
23 qershorin e ndajnë fare pak orë, bile countdown i kësaj here, si zakonisht zgjedhjet në Shqipëri më shumë se emocion përzgjedhjesh, ka pasion, ka tifo, ka ekstazë, pse jo edhe pak çmenduri… mbetemi nji popull stadiumesh dhe jo tavolinash ping-pongu… A është mirë?! Mos ndoshta është keq…?! S’kam nji përgjigje bindse ndaj vetes… as ndaj jush… ndaj u jap të drejtë të gjithëve… si Dy Palëve të Mëdha që ndeshen për të nxjerrë fituesin e këtyre zgjedhjeve, po edhe atyre 64 Parti-zave, ku asnjëra s’ma merr mendja se ia mbrrin t’i rrokë dyshifrat…!! Shtoj se edhe Partitë-hije kanë të drejtë ta dëshmojnë praninë e tyre në pluralizëm… e rëndsishme mbetet që mbasi këto zgjedhje t’i dëshmojnë si të tilla, (Parti-za) duhet qetësisht ta kuptojnë dhe të reflektojnë se të jesh nji numër në listën elektorale nuk është çeshtje gallate… as dëshmi e të gjallit të ndonji mjerani që s’e voton as veten!!!
***
Tirana, po edhe mjaft qytete të Shqipërisë i ngjajnë kësaj here nji pragfeste… Shumngjyrsi e flamujve, e banderolave, e kartonave me numra, me sigla, me mesazhe, me portrete mbushin gjithkah të përditshmen e kësaj vere që vërtet kishte nji përtesë të jashtzakonshme për të ardhë, po ama kur erdhi derdhi nji vapë të pabesueshme sa frikem… se mos befas e shton ndërdyshjen dhe i shtyn njerzit që të futen bashkë me votat në detë dhe të mos lahen në djersë duke pritur radhën para kutive të votimit…!!!
***
Kjo fushatë zgjedhjesh parlamentare, dëshmon shoqëria shqiptare ka bërë hapa përpara… Ajo shfaqet e pakënaqur nga politika; është në kërkim e në vëzhgim të alternativa të reja; sheh dhe mat gjithçka, edhe pse shpesh kushtëzohet tek vota, prej njimije arsyesh…; bindjet politike shpesh vërtiten edhe rreth interesave ekonomike… qoftë edhe të vogla; edhe pse vazhdojmë të jemi popull idolatrik, ndjehet nevoja për figura të reja bindëse dhe entuziazmuese… Kapitalizmi i egër shqiptar, po ndjehet si e njëjta anë e medaljes e atij socializmit më barbar që prodhoi Europa…; sot edhe mund të flitet qetësisht; gjithsecili mund t’i mbrojë me arsye ose pa bindjet e veta, mund edhe ta kundërshtojë publikisht pakënaqsinë… E rëndësishme mbetet që kjo atmosferë feste paraelektorale… të jetë qetësi dhe pranim paselektoral, ku pala fituese ose humbse… të mos shohin dramën e partive dhe liderit si tragjedi të popullit… Ky duhet të jetë mesazhi i Megapartive që ndeshen për Pushtetin, por si duket kjo fjalë është ende e vështirë të thuhet prej tyre…
***
Dihet që fitoren e zgjedhjeve në Shqipëri ende e përcakton fshati (ruralja) edhe pse propaganda mediatike u ka mëshuar me zell qyteteve(urbanes)… Qytetet edhe pse duket janë fasada dritash dhe marramendjeje… thelbi i betejës është fshati… atje do të bëhet ajo beteja e heshtur e klaneve, interesave, miellit, sheqerit, orizit, viçave, gjelave të detit… Sigurisht atje emisarët e ngatrresës politike kanë mjaft mish për dhëmbët e tyre… Edhe pse në dukje kjo shfaqet si pjesa më e parëndësishme e kësaj fushate…
I vetmi që u shfaq me fshatin dhe trokiti ashtu qetësisht në çdo portë ishte kandidati Astrit Veliaj, që pa sllogane as parrulla, po me nji butësi çarmatosëse dhe nji konkretësi shembullore dëshmoi nji mënyrë të re të hipotekimit të votës së fshatit në këto zgjedhje…
Unë jam si ju unë jam me ju!!!
***
Ajo që pritesh, ka ndodhur gjatë gjithë kësaj fushate… Dy Partitë e mëdha janë ndërtuar mbi emrat e liderve të tyre… pra edhe lufta politike e pritshme do të zhvillohej mes tyre: Pozitë-Opozitë; Doktor-Piktor; I Vjetri-I Riu; Ndryshimi-Rilindja, 44-29 (44-ën edhe si vit lindjeje-jo Rilindjeje)! Edhe pse në më të shumtën e rasteve përballja nuk ishte mbi konfrontimin e programeve… por mbi kundërshtinë e përhershme mes tyre… Lideri i opozitës duke e vlersuar kët periudhë qeverisje si të errët, të korruptuar, mashtruese, anakronine, pa rrugdalje… i ka bashkuar slloganin “Rilindje”… me shpresë së njerzit i besojnë kësaj fjale dhe kesaj Fryme… Lideri i Pushtetit, duke i besuar tetë viteve të qeverisjes së vet, kërkon nji mandat të tretë, mbështetur kryesisht të “Rrugët” (rrugët, tunelet, vizat, Nato dhe Europa) dhe te dinamika e lëvizjes së njerzve dhe ideve duke e pretenduar fuqishëm atë… Të dy janë njerëz të energjive, të dy kanë mbas vetes struktura të fuqishme partie… veç eksperiencat ndryshojnë…!! Kush do të fitojë… Më i Miri i së Keqes, apo më i Keqi i së Mirës…!? Njerzit stepen! Vota është e lirë… ne jemi të lirë ta shprehim vullnetin tonë… varet nëse ata që e kanë për detyrë ta lexojnë si duhet vullnetin tonë… s’e mendojnë dhe s’e trajtojnë kët detyrë sublime… si pazar dhishë…!!

***
Që Shqipëria po ndryshon dhe do të vazhdojë të ndryshojë kjo është diçka e lexueshme edhe prej të verbërve… që shumçka mund të ishte bërë shumë më mirë dhe që shumë probleme mund të ishin zgjidhur ndryshe, kjo as diskutohet… që pushteti i gjatë sjell pakënaqësi të mëdha, këtë e dëshmojnë vendet e qytetëruara, që ia kufizojnë mandatet liderve, ne jo… se jemi ende përplot atavizma nga e kaluara; që ka ligje që rëndojnë si panxha mbi shpatullat e shumë shtresave kjo është e dukshme, duke filluar bash nga ky ligj elektoral!!; që duhej të ishin larguar mjaft prej figurave penguese, ketë e kuptojnë më mirë 25 vjeçarët që kanë lindur, rritur, shkolluar dhe po martohen nën jehonën e të të njejtëve emra… që Ndryshimi duhej të ishte më i thellë as diskutohet; që Rilindja ndjehet e domosdoshme, mjaft që të mos kthehet në Ringjallje kufomash…; që Partitë dhe Leninët s’duhet të nënkuptojnë përjetsinë e liderve është imperative; veç të mos harrojmë se Kohën e së Keqes s’e largon aq lehtë Koha e së Mirës… KOHA do bëjë të vetën!!! Këto dhe plot të tjera, që shumë prej nesh i ndjejnë dhe i kemi në lëkurë s’mund të kapërdihen thjesht me futjen e votës në kuti… dhe hajt Mirupafshim mbas katër vitesh!!! Duhet të edukohemi të gjithë me shpirtin e protestës legale dhe të kundërshtimit publik të së Keqes së përbashkët, ashtu siç duhet të ç’edukohemi prej pasionit të mbushjes së shesheve, ku s’jemi asgjë më shumë se daullexhinj të nji festë që nuk është jona…
***
Shumë është folur pergjatë kësaj fushate se dy partitë e Mëdha janë aty… krejt afër njëra tjetrës… si të thuash rrotë e m’rrotë, nji term çiklistik, ose garë me fotofinish po të kihet parasysh gara e vrapit njiqind metrash… Nga nji anë, nji garë e tillë të emocionon, të bën ta jetosh me emocion çdo votë, çdo shpallje saj, çdo listë elektorale, çdo qark elektoral, edhe deklalirmin final, por nga ana tjetër, kjo mund ta bëjë agresiv humbsin… ta shndrrojë bishë… të kërkojë me çdo kusht hapsira abuzimi… pra mundet që emocionit pozitiv t’i mbivendoset si bishë emocioni negativ… Kjo do të jetë dhimbja më e madhe…
Prandaj këto zgjedhje fshehin gjithfarë alternativash… gjithfarë shpresash… mjaft të mos prodhojnë kaos… Qetësia e numërimit të votës duhet të jetë e shenjtë… A është e mundur… le të shpresojmë!!
***
Tirana vazhdon të shfaqet festive, e butë, e qetë, mikpritëse, ndërtuese, (në prag fushatash lartësohet çuditshëm!!), jeta rrjedh nën flamujt e banderolat e zgjedhjeve; kurse Ajo duket sikur bluan në heshtje fatin e gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen… por edhe e fsheh trishtimin: që këto zgjedhje s’duhet ta kapërcejnë qytetarinë tonë, s’duhet ta shkelin as ta përdhosin at që quhet vullneti legjitim i nji shumice votuesisht… sepse vetëm kështu kësaj vere elektorale, mund t’i vijë në ndihmë Adriatiku dhe Joni i qetësimit të Erinive tona!!!
Tiranë qershor, 2013

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.