back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Grimca rrëfimesh mbi Mark Temalin dhe vdekjen e tij – nga Pervizi – Radi – Mirakaj

Gazeta

Varrimi i Mark Temalit - Lushnje 1
Varrimi i Mark Temalit – Lushnje 1 (foto L. Mirakaj)

Grimca rrëfimesh mbi Mark Temalin dhe vdekjen e tij

nga – Pervizi – Radi – Mirakaj

Emni i Mark Temali për shumkend s’thotë asgja të randsishme… Mark Temali, nga rrefimet e tim eti di të ketë qenë ndër ma të parët studentë që mbaruen studimet në Gjimnazin e Shkodrës, pra nxanës i Ivanajt… Ma vonë, rreth vitit 1944, ai ka qenë në kryesinë e grupit themelues të shoqatës Kroato-Shqiptare, mbasi mbështetë në do kujtime të vakta fëminisë, kujtoj të kem ndigjue se ka krye studimet e nalta në Zagreb për ekonomi, se ka shkrue në shtyp përgjat viteve 1943-’44, në gazetën “Bashkimi i Kombit” . Mandej, mbas vitit 1944, duhet të ketë qenë fillimisht i burgosur politik për gati 10 vite, e simbas gjithë gjasave, ka qenë i internuem në Kampet Kucit të Kurveleshit, e të Myzeqesë e kryesisht n’atë të Gradishtës.
Mundem me e thanë me siguri, Mark Temali ishte shumë mik me tim atë, s’e di saktësisht n’se janë njoftë në Shkodër, në Tiranë, apo në kalvarin e burgjeve të gjata; po di se në  “liridaljet e Mark Temalit” në vitet ’60, ishin edhe vizitat e tij në Savër, kryesisht në familjen tonë, mbasi gjente jo vetëm nji mikpritje të ngroftë, po njoftja e prindve të mi të  gjuhëve kroate e italiane, bante që bisedat për tema delikate, humori i hollë e ajo gjendje e vështirë që po kalonin n’at skëterrë të ndëshkimeve të pafundme, e maskonin përmes gjuhëve të hueje, nga vëmendja jo vetëm të pushtetit, po edhe prej spiunave që edhe pse me emna të fisëm, e kryenin me aq zell detyrën që u kishte ngarkue Partia dhe Sigurimi i shtetit në dam të bashkvuejtsve të tyne…
Mark Temali n’ato vite të internimit, vinte me leje në Savër, mbasi deri aty ishte “limiti i lirisë” së tij; pse aty n’ato kohë ishin edhe disa prej miqve të tij të rinisë si: Guljelm Deda, Zef Gjeta, Zef Gjeçi e ndonji tjetër, po ajo çka e ban të trishtë kët rrëfim, asht se zelli i bashkëpunëtoreve të Sigurimit, ishte i pranishëm në gjithë raportimet e këtyne vizitave dhe bisedave, disa prej të cilave ndodhen në dosjen e Sigurimit Numër 793, të Lazër Radit…
.
Varrimi i Mark Temalit - Lushnje 1
Varrimi i Mark Temalit – Lushnje 1 (foto Lek Mirakaj)
Mark Temali, ishte burrë energjik, plot humor e dëshirë për jetë. Në Savër e shifja që vinte me nji biçikletë t’errët, zakonisht të shtunave në mbramje, po edhe të djelave në mëngjes herët e ikte mbasditeve vonë. Me sa kujtoj, vinte në periudhën e verës ose të kremteve fetare: për Pashkë o Krishtlindje. Marku kishte trup të ngjeshun e mesatar; kur hiqte kapelen vërehej se kishte nji kokë të shogët e rrumbullake. Veç të tjerash, ishte fort i apasionuem mbas lojës së shahut, dhe s’ka pasë rast, të ketë ardhë në Savër e mos t’i çoja fjalë shahistave ma të mirë të lagjes, që të ndesheshin me të. Ajo që s’mundem m’e harrue ishte dhjetëlekshi jeshil, o ndonji çokollatë, që nxirrte prej xhepit e ma dhuronte, çka i bante ardhjet e tij edhe ma të dashtuna e ma të nguluna në kujtesë…
Mark Temali, duhej t’ishte do vite ma i madh se Lazër Radi. Në kampin e internimit në Gradishtë, ai s’kishte as grue, as familje e as të afërm… Ishte fillikat… dhe mesa kujtoj, në Kamp ai jetonte në gazermën e beqarëve, veçse gëzonte respektin dhe vlerësimin e shumicës së banorëve, jo veç atyne të Kampit të Gradishtës, po edhe ma gjanë. Kët e dëshmon edhe ngjarja e dhimbshme dhe tronditse, që na trishtoi të gjithve në familje… Vdekja e tij e parakohshme!
Duhet të ket qenë fundi i viteve ’60, kur na erdhi lajmi se Mark Temali, na là! Kishte qenë nji vdekje e beftë dhe e parakohshme, ndokush prej atyne që e njofin thonë se ishte edhe vdekje e dyshimtë. Besoj se Marku s’i kishte mbushë 55 vitet, dhe e kujtoj tronditjen e thellë që patën dy prindët e mi, mbasi nji tjetër ngjarje, ishte edhe ma tronditse se vdekja. Mark Temalit s’i ishte dhanë leje me u varrosë në qytetin e lindjes, pranë të afërmve të vet… Kështu vdekja e tij u kthye në nji shembull të madh solidariteti ndër bashkëvuejtsit e tij, prej gjithë të interrnuemve të Kampeve të Myzeqesë. Përballë atij njeriut që e kishte vetmue diktatura, u demostrue se ndaj atij intelektuali dhe njeriu plot dashni për jetën, përcjellja nga disa qindra pjesmarrës të ardhun nga Gradishta dhe Plugu; nga Grabiani dhe Çerma; nga Savra dhe Dushku; nga Gjaza e Rrapëza, të cilët përkundrejt egërsisë së diktaturës, e përcollën Mark Temalin, në banesën e fundit në qytetin e Lushnjes me nderime e respekt të rrallë… Asnjiherë s’ka ndodhë nji solidaritet i tillë, çka më shtyn me besue se ndër ata njerëz të vuejtun, ekzistonte shpirti i besimit dhe respektit, i cili me kohë do të vinte duke u zbehë e duke u shprishë…
Humbja e Mark Temalit, dhe fati i tij, i mërziti mjaft prindët e mi… S’kishin mjaftue dënimet e shumta, po ishim të detyruem me vuejtë edhe braktisjen e të afërmve tonë, që në kësi rastesh tragjike, s’mund të ktheheshim as të vdekun pranë të afërmve…
Ajo çka më dhemb sot, ndërsa i mbyll këto rreshta kushtue Mark Temalit, asht se në vorrimin dinjitoz të tij ishe edhe nji fotograf. Dhe disa foto të këtij vorrimi në qytetin e Lushnjes, i kemi pasë në albumin e familjes, sot s’i gjej dot ma…!! Asht i lutun cilido, që ka ndonji foto të këtij vorrimi, o ndonji foto të Mark Temalit o me Mark Temalin, me ia bashkue këtij shkrimi modest, n’emën t’nji Njeriu vetmitar, që pothuej asht përthithë prej heshtjes…
Mbas këtij shkrimi, të tria këto foto m’i solli Lek Mirakaj, cka deshmon edhe nji pjesë të fjalëve të mia rreth Mark Temalit..
janar-shkurt 2019
.
Varrimi i Mark Temalit - Lushnje 3
Varrimi i Mark Temalit – Lushnje 3 (foto Lek Mirakaj)

Porosia e fundit e Mark Temalit

nga Dine Dine

Me Mark Temalin, s’kam pasur mundësi të jetoj afër e të njiheshim mirë, ndoshta edhe pse isha mjaft i ri, por jam takuar disa herë me të dhe e kujtoj mirë. Vlen të rrëfej një rast kur ai ishte i shtruar në spital, që më ka lënë një përshtypje të thellë.
Kishte ca kohë që Mark Temali nuk ndjehej mirë, dhe qe shtruar në spitalin e qytetit të Lushnjes. S’e mbaj mend nga se vuante. Meqë ishim si familje të interrnuar në Gjazë, kur morëm vesh kët gjë, kërkuam leje dhe për çudi na u dha leja, gjë që ndodhte rrallë. Kështu, një të dielë u nisëm si shoqëri me biçikleta për vizitë te Mark Temali, në spital.
Siç ka qenë e zakonshme në raste sëmundjesh, çdonjeri prej nesh mori fruta: si mollë, portokalle, vazo me koposto, o fruta të stinës. Si ne kishin ardhur edhe mjaft miq tanët nga kampet e Savrës, Plugut, Gradishtës e Gjazës.
Befas atë të dielë, në spital u shfaq një grup i madh të interrnuarish, të shqetësuar për shëndetin mikut tonë të vuajtjeve, çka atë e emocionoi jashtëzakonisht. 
Për fatin e tij dhe tonin, atë ditë Marku ndjehej shumë mirë. Mbasi u përshëndetëm u hapën biseda të ndryshme me miqtë e tij si Lek Pervizi, Tomorr Dine, Valentin Pervizi, Genc Pervizi, Tefik Cela, Naim Staravecka, Lek Mirakaj, Genc Bajraktari, Qemal Dema, Viktor Dosti, e plot tw tjerë, ku Marku i emocionuar përpiqej ta mbante veten e të na jepte besim se së shpejti do të ishte mes nesh.
Do ta kujtoj një bisedë që ai bëri me Tomorr Dinen, ndërsa ma mbante shtrënguar fort dorën si më i riu mes tyre… Më mbeti në mendje pamja e tij, dhe kujtoj me dhimbje fjalët që ai i drejtoi Tomorr Dines, kushëririt tim, që po shtyhej në moshë, dhe ishte ende i pamartuar.
-Ju falenderoj të tanve që keni ardhë me m’pa. Unë për njat zot, s’kam nevojë për asgja. I kam tana t’mirat! – ndërsa e futi dorën në xhep dhe nxorri një tufë të konsiderueshme parash, e vazhdoi, – Ardhja e të gjithëve bashkë më ka prekë jashtëzakonisht, e duke u munduar t’i përmbante emocionet, ma kapi sërish dorën.
S’kam nevojë për asgja, më mjafton kjo ngrohtësi që më sollët, e që mv dëshmuet se s’jam vetëm. Po ty Tomorr, të duhet m’u martue. Familja asht e shtrenjtë. Po ta them unë që s’e kam nji të tillë. Ndigjomë mue, vllau asht ortaku ma i keq…! – dhe kët shprehje ia përsëriti dy-tri herë, sikur desh t’ia theksonte fatkeqsinë e tij, e të mbeturit beqar…
Unë u hodha një sy të gjithë atyre që ishin rrotull, dhe pashë që ajo fjalë e tij, drejtuar Tomorrit kishte lidhje me dhimbjen tij të thellë.
Ndejtëm edhe pak me Markun dhe u larguam me besimin dhe shpresën se shpejt do të përmirësohesh. Humori dhe bisedat e tij na lanë të mendonim se shpejt do ta linte spitalin.
Qe një trishtim i madh, kur pak ditë më vonë morëm vesh vdekjen e tij, dhe më e keqja ishte se ne të Gjazës nuk na u dha leje të marrim pjesë në lamtumirën e fundit e të hidhnim një grusht dhe në varrin e tij…
.

Djemtë e Kampit (Gradishtë 1969)
Djemtë e Kampit (Gradishtë 1969) Dine Dine, Viktor Dosti, Genc Pervizi, Genc Bajraktari, Sazan Dine, Naim Staravecka,Tomorr Dine,Tomorr Dosti, Tefik çelo.

Matilda Mirakaj

Unë kam qënë e vogël dhe s’e kujtoj shumë, por di që kur u sëmur, para se të vdiste ai ndejti në shtëpinë tonë dhe nana Xhinë i bënte shërbim. Mbase nuk kishte pjestarë të familjes, por familje ju bën shoqëria e interrnimit. Mami thotë se ditët e fundit të jetës se tij i ka kalue tek Albina dhe Genc Pervizi.

Lek Mirakaj

E ke pershkrue mjaft mirë Markun, për aq sa mund të mbajë mend një fëmijë. Une kam fotografi nga dita e varrimit të Markut, po do ta dërgoj kur atij palo burimi t’i japësh emnin e vërtetë. E kam njoftë Markun aq mire sa jam i sigurt se atë bisedën për Rusinë, ai spiuni e ka sajue. Marku mund të fliste, po asnjëherë në grup. Marku ka vdekë në spitalin e Lushnjes. Gjatë kohës që ka qënë i sëmurë ka pasë kujdesin e nanës tonë dhe të Albina Përvizit. Studimet Mark Temeli i ka krye ne Zagreb për ekonomi. Mund të flasë shumë për Markun, për njërin nga njerëzit që unë kam mësue shumë prej tij. Edhe një gjà: Marku ka qenë shahist profesionist, nga Marku kanë mësu shahun një numër i madh shahistësh profesionistë.

Varri i Mark Temalit - Projektue nga Lek Pervizi
Varri i Mark Temalit – Projektue nga Lek Pervizi

Lek Pervizi

I dashun Nini,
më vjen shumë mirë për kët gjest tandin në nderim e respekt të Mark Temalit, i cili e meriton plotsisht të përkujtohet. Më vjen keq, se Marku vinte vazhdimisht në dhomën tonë në Kuç dhe nuk mbrrita ta fiksoj ndër vizatimet e mia. Për fat të keq nuk kemi asnjë fotografi të tij, as të varrimit ku ishim mbledhë të gjithë, kampi i Gradishtës, po edhe nga kampet e tjera.
U hap fjala se vdiq në spital nga keqtrajtimi me ilaçe të papërshtatshme. Saqë ai kishte protestue se po e vdisnin.
Varri iu ndërtue sipas një vizatimit tim, realizue nga Nezir Kola, falas. Do të provoj mos e vizatoj varrin sepse asht një varr disi i veçante që pat ra në sy të keq komunistëve. Në fakt unë i dhashë një kuptim simbolik “abstrakt”. Ndoshta ekziston akoma. Po njohe njeri që të kontrollojë te varrezat e Lushnjes, mundet, sepse varri gjendet e fotografohet.
Shkrimin ma ço patjetër për numrin e ardhshëm të revistës “Kuqezi”.
Shkrimin bane të fortë, si për një intelektual të nëpërkambun e trajtue si mos ma keq, ku dhe vdekja e tij ne spital, ka diçka të dyshimtë e tragjike për si u trajtue dhe si ndodhi.
Bane mirë që më shkrove…
Mbasi e shtrydha mendjen munda me realizue afërsisht origjinalin e  varrit të Mark Temalit. Ky projekt synonte që të theksohej braktisja që u bahej këtyne intelektualëve, të syrgjynosun përjetësisht. Në mungesë të ndonji fotoje, po të nis kët vizatim të vorrit, i cili përmbledh krejt tragjedinë e Mark Temalit dhe sivllazënve të tij….
Shumë të fala, Lek Pervizi
 
.

Shpjeguesi i fotove:

Foto e parë nga e majta në të djathtë:
Ramiz Mena, Valentin Pervizi, ?, Naim Staravecka, Lek Mirakaj, Tomorr Dosti, Lek Pervizi, Gazmir Kaloshi, Albina Pervizi, Shanisha Dosti,
 
Fotoja e dytë nga e majta në të djathtë:
Naim Staravecka, ?, ?, Qemal Dema, Mojs Mirakaj, Valentin Pervizi, Genc Pervizi, Men Mena, Gazmir Kaloshi, Lek Pervizi, Lek Mirakaj, Ramiz Mena, Liman Mula, Albina Pervizi, Ernest Dosti, Lazër Radi, Lek Bajraktari, Beba Pervizi, Shanisha Dosti, Tomorr Dosti.
 
Fotoja e tretë nga e majta në të djathtë:
Genc Pervizi, Valentin Pervizi, Lek Mirakaj, ?, ?, Lazër Radi, Lek Bajraktari, Dan Kaloshi, Liman Mula, ?, Bajazit Kaloshi, Fatos Merlika, Xhelal Kaloshi, Ernest Dosti, Gazmir Kaloshi, Beba Pervizi, Albina Pervizi, Xhina Mirakaj, ?, Nurie Neotolemi.
 
Falenderojmë për këto tri foto Lek Mirakaj, i cili mundësoi përkujtimin e figurës së Mark Temalit dhe përcjelljen dinjitozë që iu bë këtij njeriu të mbetur vetëm interrnimeve…
 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.