back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Grimca rrëfimesh të nënës sime… – nga Fatmira Allmuça

Gazeta

Fatmira Allmuça
Fatmira Allmuça
Ndoqa me vëmendje ngjarjet e këtij rrëfimi të pashoq,
përmes një sinqeriteti që të mbush me dritë njerëzore,
por ajo çka më mrekulloj krahas gjuhës së përdorur dhe ngjyrosjes emocionale,
ishte edhe dialekti i përshtatur përsosmërisht personazheve.
Më habiti ai uniformitet i përdorur me aq mjeshtri në gjithë shtrirjen e rrëfimit,
që s’ka shkrimtar që mund ta arrijë kaq bukur e me kaq finesë…
Përmes kësaj mënyre shkrimi autorja e ka madhështuar shumfish rrëfimin…
duke realizuar një mrekulli letrare e gjuhësore njëherësh…
U ndodha befas përballë një mrekullie trishtuese, të thellë e të bukur,
dhe e pashë e ndjeva si në një film drithërues magjinë e sinqeritetit… 
Diçka mahnitëse si një katedrale në shkretëtirë…
e që me shumë kënaqësi po e paraqes në faqen time… jozef radi, janar 2020
.

Grimca rrëfimesh të nënës sime…*

nga Fatmira Allmuça

“…Gjyshi im ka vdekur afro 100 vjeç dhe e ka njohur mirë gjyshin tënd Sali Mumajesi. Më ka thënë që ishte zotni i vërtetë dhe nga të gjithë Mumajest, ishte burri më i veçantë, ndaç si paraqitje e ndaç për burrni…”, më thotë Luli, qeraxhiu i një pjese farë të vogël të një shtëpie, trashëgimi nga gjyshi….
Kjo më bëri të kujtoj fjalët e mamasë që: “nëse babai yt është burrë me karakter, mos e harro që në krahasim me të jatin është kopje e zbehtë… Gjyshi yt, ishte njeri me veti të rralla: i zgjuar, xhentil, me zemër të madhe e me karakter t’fortë. Aq i ven’osun e me karakter ishte, saqë vetëm gjasht’ muj para se me vdek’, u konfrontu’ me arm’ me njenin ne dyqan. Aj që kishte hi n’dyqan, ishte oficer me grada dhe ma vonë murme vesht se ishte v’llau i Shefqet Peçit. Nuk e di se ç’i tha e Sala hapi syrtarin e tavolinës ku ishte ulun e për pak e vrau. Po të mos ishte ken’ për nji mik, kush’ri, nga Zelt që i kapi dorën Salës, aj oficer i tesh do t’ishte i vdekun… Na pamë vetëm nji burr’ të zverdhun dyll’ që i lypte t’falun Salës n’gjunj’… e Sala që i tha: mos t’shof ma k’tu, se nuk të ban derman njeri!. Nat’ koh’ Sala nuk ishte mir’ me sh’net e na u g’zume që nuk nolli Hamiti aty se, nuk kishte me përfun’u mir’ historia… N’dyqan të tij gjejshe qumësht dallnyshje: qe nga krypa, sapuni e vajguri e deri ke manifaktura. Tana mallnat vijshin prej Italie e Arabie. Xhixhibanos, hurmat e arabis’, as që kishin t’krahasume me k’to që bleni ju sot. Nuk mund të hajshe me shum’ se 2-3 cop’. Sheqeri i hapun i kuq edhe me kubike e peta. Amëlcina të çdo lloji. Copat prej taftaje lloj-lloj ngjyrash e stofnat angleze. Ishte gjymert i madh. Kur vijshin katunar’t me ble’ e nuk kishin lek, i thojshin se kishin pre’ vaden e martesës e t’i bime’ paret n’vjesht’ kur t’shesim qingjat. Ai i jepte veresie e m’ante shënim n’defter të dyqonit. Kur vdiq Sala, e para gja’ qi bani Hamiti, ishte djegja e defterit. Kur e pytme pse e bani, tha: ma mir’ mos me i ditë borxhlitë…! Kishte pas’ të drejtë. Vetëm njeni erdhi me pru’ paret m’as vdekjes së tij, dhe Hamiti nuk ja murri.
Sala m’ka trajtu’ si vajzën e vet. I shkëlqenin syt’ kur i nimojshe t’shoqen, vjehrrën teme. I hekuros’she rrobat kom’tarçe. Veshja komtar’çe i shkonte shum’ se ishte burr’ i gjat’, me trup të drejtë si filiz e me sy bojqilli (ti i ke gja’ shum’ me formën rrum’ullake të ftyrës e me xhymertllik…). M’ante brekushe stofi boj kafe e xhaketë, me shallin te lidh kryq për qafet. I pastër, akull, nuk i binte as “qimja”. Meqense isha bij’ tregtarit e ja “dijshe” dyqonit, na trajtoi si ortak’ m’dyqon. Me Hamitin nuk vente njeri. Ishte martu’ për dy her’ se me grun’ e par’, Ijen e Lemes, qi ishte prej Xhuzerakëve, kishte vetëm nji goc’, Lemen. I kishin vdek’ 11 kalamoj e kishte p’shtu’ veç Lemja… At’her gru’ja e par’ e kishte detyru’ me zor me u martu’, për me pas trashëgimtar’ çun, e Hamiti leu i pari. Hamitin, në fakt e ka lind e ama, por e ka rrit’ Ija e Lemes. Kur jom martu’, baba jem më dha nji radio Fanola e të dy, plaku me Ijen e Lemes kan’ kërcy me ma ba qejfin. Ishin çift simpatik, të dy të gjat’ e të drejt’. Nana e Hamitit ishte e sh’pis mir’, prej fisit Vyshka, por ishte e shkurt… Kur vijshin katunarët me ble’ e nijshin kongët, pytshin a ka hi’ noj “xhin” m’radio… Sala qeshte dhe i thoshte se “punonte” me vajguri. Mu m’vi’te keq, por aj m’thote se asht’ v’shtir’ me ja shpjegu atyne. Hamiti asht’ rrit’ mir’. Men’oj se ushqimi i mir’ e ka p’shtu me i rezistu’ furtunave t’jet’s e sidomos burgut. Dy herë ka qin’ru’ n’biruc’… Nji vit m’biruc’, vetëm me dy k’puc’t që i ve’te: nji nën kre’ e nji ner vedi… Ah, çfar’ kon’ hjek….
Mumajest jan’ ken’ t’pasun. Kan pa pas’ pronat qi fillojshin ka shpiat e Kursit, aty ku itesh e ka shpin’ Piro Mani e përfshihej edhe tan toka ku asht n’ërtu’ Uzina Traktori. Sala ka pas han, përveç dyqonit si edhe sh’pinë e modhe dy kat’she me tull që e kishte dhan për shkollë. Aty asht’ ken shkolla “Ali Kukaleshi” e që në fakt, ishte shpia qi na u dha na kur u martume’, por qe shkolla nuk e liro’te ma’… Asht’ ba’ gjyq, m’as vdekjes së Salës nga nona e Hamitit për pjesën e vet e nga Hamiti për pjesën ton’, por Bashkia e asaj kohe nuk e liroi qi nuk e liroi shkollën. Sala ka pa pas edhe mulli vojit.
Fill mas martese, Sala me dhuroi nji varg të modh me dupje florinit. Lemja u ba’ keq e filloi me ba’ shamat’… Qe n’ato kohna tironcet femna ishin “t’forta”, se na shkodrant, kurr’ nuk ja thejshim fjalën bab’s. Kur py’ta Hamitin, se pse ishte ajo shamatë e m’tha: Për dupjet…! Fill’ i hoqa prej qafet e ja dhaç Lemes… Nuk du’ gja me sherr, i thaç… Salës ju m’ushën syt me lot e m’tha: Ti do jesh pjestare në pronat e mia, isoj si f’mit’ e mi… Nuk jam lakmitare i thaç. I past’ rahmet shpirti.
Sala ishte i avasht’ n’muhabet e kishte nji bised’ t’amël e me shum’ zgjuarsi. Kishim kojshi poetin Lasgush Poradeci. Aj’ vinte me pi kafe e me ba’ muhabet me “zotni” Saliun, siç e quante ai Salën. Rrinin gjatë në biseda dhe njiher’ m’asi iku Lasgushi, Sala qeshi e tha’: “…asht i kandsh’m e vëzhgues i holl’!” Më tha që nuk e kuptoj pse Ju Tironcit kur shani dikë, i thoni: “qen e bir qeni” …qeni asht’ kafsha ma fisnike dhe e don te zotin…” dhe vazhdoi: E di që ka të drejtë… dhe qeshi nën buzë. Edhe ti Mira e ke m’rrit Lasgushin. A e m’an men’ edhe ti, qe Lasgushi ka m’ajt qen gjat’ gjith’ kohës…
Sala me pat’ diftu’ që Hamiti, kur ishte i ri’, para se m’u martu për herë t’par’, kishte të drejtën me “prish” lek sa të dote, por i jati nuk i nepte lek’ m’dor’. Hamiti, kishte pas qejf me shku’ ke honi i Hamz Files qi gatu’te me nam. M’diftonte Hamiti, vet’ ma von’ që shkonte me shokët e kushrinjt’ e vet e i qeraste të tan’. Hamz Filja i shkrunte në defter. Shkonte Sala n’fund të mu’jit e pyste: sa ka shpenzu djali jem, e pagu’te me napolona florini. Kosi i Hamz Files paska pas ken’ me nam se u xente n’tasa t’vogjël xingatoje e u ha’te me pirun. E përmys’shin tasin e kosi s’delte prej tasit. E m’an men’ tasin e vogël, xingato jeshil që Hamiti e përdorte me hek mjekrën? Aj asht tasi qe e ka ru’jt si kujtim që prej asaj kohe. Hamiti asht’ ken’ nxan’s shum’ i mir’ dhe e patne zgedh me shku’ n’Itali me ba shkollën, por Sala s’e la’ se e donte ta kishte krah’ e i kishte than’ se, nuk kishte nevoj’ për asnji sen, se kishte pasunin’ e vet. Hamiti e kishte pishman. Kishte pas dasht’ shum’ me shku’ në shkoll’… M’ka diftu që kishte pas’ n’klas Beqir Ballukun. Kur kishte shku’ i jati me pyt si shkonte djali në shkoll’, msu’si i kishte pa thon: jepi zanot se asht shum’ i trash’ për shkoll’… E pernjimen’, ku u ba ministër, u martu me nji vajz të mrekullueshme prej Beratit qi un’ e kom pas shum’ shoqe, Nasiben. E merrte me makine gjithan’ej e i hedhte dorën m’qaf sapo hypshin n’makin’, por, aj vet’ asht ken i trash’…
Kur ishte Hamiti ushtar në Cërrik t’Elbasonit, ishte n’grupin e pun’s. Punojshin si skllevën, tuj hap kanal e llogore aq të ngusht’, sa iu bajshin brrylat gjak… Un’ që e kom njek gjithan’ej Hamitin, e kam pa me ito dy sy se çfar’ torturet kan’ hjek ushtar’t qi ishin të deklasum ose kulakt siç e qujshin babën tan’. E megjithat’ Hamiti, m’as asaj pune torturu’se jepte m’sim për ushtar’t e tjer’ që ishin analfabet’. Njiherë i kishin rreshtu’ m’rresht se do shkonte Beqir Balluku. Sa e kishte pa Hamitin, ishte n’al e i kishte pa than “o Kuq”, po ti k’tu dhe e kishte pa rrok për qafet. Se bab’s tan’ i thojshin “kuq” masi qi ishte bjond e shum’ i bardh’ saqe nuk u nxinte kurr’ prej di’llit, por vetëm u kuqte. Për nja dy jave’ e kishin trajtu’ mir’ Hamitin e manej “harru’n” prep…!!
M’aj men’ nji rast tjetër. Kur shkova me e taku’ Hamitin ushtar, se kush i tha’ që t’erdhi familja e aj kthen krytin. Ç’më kan’ pa syt, nuk mun’em me e diftu’. Un’ ishe larg e nuk nijshe por shifsha Hamitin që vrapo’te e bante barkas e ma pas vrapo’te prep e prep barkas. Nuk m’aj men’ për sa koh’, por di që vrapova në komand’ e i bërtas’ oficerit: ç’far bani k’shtu!!?? Me e poshtnu’ nji niri para familjes se vet!!?? Un’ do ta baj çasht’je ma nalt i kyt pun! Nuk e laj me kaq!!! Edhe n’ato kohna që ishin kriminel’ e injorant’, me kërku’n falje! Jam ken’ e ven’osun e nuk jam trem’ para vështirsinave….
…Kjo është një pjesë e rrëfenjave të mamës time, që e shkrova, masi, që në mëngjes, kur po përshkroja sheshin për të mbrritur në punë, ndërsa në mendje kisha Gjyshin tim, n’atë çast një re’ e zeze sikur fluturonte për të “depërtuar” në dritën e shndritshme të qiellit, që të krijonte idenë e parajsës, aty ku dhe e përfytyroj un’ gjyshin tim e që, padyshin janë takuar edhe me tim atë…
…Deri në rrëfenjën e radhës, ju uroj ditë të qetë.
Miq… edhe nji gjë tjetër: historitë rrëfenjat janë të besueshme, kur shkruhen kohë ma pas dhe aq më tepër nga njerëz të paanshëm e jo të gjakut tënd! Eshtë kjo një arsye më teper se pse i vleresoj rrëfenjat e mamasë time…
Qiell mbi qendër të Tiranës
Qiell mbi qendër të Tiranës
Siç të thaç, Hamitin e mur’ne ushtar fill mas daljes nga burgu… asht ken’ viti 1946. Ishte ushtar kur leu çuni i par’ e qe, për me respektu’ Sali Mumajesin dhe për dashninë që kishin për njeni-tjetrin Sala me Hamitin, ja njitme emnin Sali. Hamiti nuk e pau djalin, as’ kur leu e as kur iku…!
Un’ shkojshe me Liqin në Cërrik të Elbasonit se nuk mujsha me shku’ vetëm. Njiher’ Hamiti m’u lut me i çu nji fotografi të djalit e njajo asht’ e vetmja fotografi qi mujta me i ba’ djalit. Për mos me i ngatërru’, sa herë qi binte fjala për Sali Mumajesin, mes nesh e qujshim ”Plaku”, pra, që ishte ma i vjetri…
Kur leu’ djali ishte g’zim i madh ke Mumajest. Ishte ken i dishrum për me trashëgu m’iemnin e për ma tepër, që Hamiti nuk ishte n’shpi. Aj leu i bukur e i shnet’shëm. Tuj kalu’ mujt’ e djali tregonte se ishte i fuqishëem si dragu’ e i squt. Ka fillu me fol’ pa i ba 2 vjetat. I fliste fjalët t’plota e, siç duket, ishte pa ba’ për tok’… Kam pas’ do vath’ t’bukur e kur i jepshe me pi, aj m’kapte njenin vesh e ma von’, sikurse me fliste n’emën, m’thojte sapo m’shifte: “Buli, Buli me nji vesh…”, se ishte njeni vesh qi kapte. Qesh’shim të tan’… e aj vet’, bashk’ me na.
Ma par’, n’ato kohna thojshin me u rujt’ prej “synit t’keq” e tironcit e rrespektojshin kyt bestytni e ruheshin prej “synit”, siç i thojshin. Un’ kurr’ s’kam besu’ n’besytni e nuk i kam rrespektu ito rregulla, por, kur m’nolli s’mun’ja e djalit fillova me dyshu… M’aj men’ qi kur erdhi Deja për vizit’, kur m’leu djali, e un’ m’asi e qerasa e shkova me i ba kafen, e laç vetëm bashk’ me djalin. Kur u ktheva me filxhanin e kafes e “xuna” që e kishte n’rejt kuvertën e po e shifte djalin që po flente, me nji sy t’keq. Nuk i vuna ranci, e n’oshta nuk ishte ky rasti, por mu’, ky shikim i saj, me m’eti gozhd’ ma von’…
Kur u ba’ djali dy vjec, Hamitit i erdhi koha m’u liru’ prej ushtriet. Prit e prit, e nuk po vinte n’shpi. Te tan’ shokët u lirun’ e vetëm ky s’po vin’e. Pytme, e asnjeni s’dinte me na diftu’. U kujtume që kapterr n’ushtri ishte Hasan Tabaku, djali i Sudes, që ishte goca e tezes së Ali Bardhoshit, burrit të Nafijes. Hamiti m’pat’ than’ qe “asht’ ma i keq se të ardhunit… Kur jon’ tironcat komunist’, jon’ njer’zit mo pa karakter qi ekzistojn’…!” Kishte shum’ të drejtë, por, kishte dhe prej atyne që i kishte xan’ rrota bishtin, e s’mujshin me u kthy’ m’rapa, se kishin frig’ pasojat…
Venosme me shku’ e me e py’t t’amën. Shpin’ e kishte n’rrug’ t’Shehbegve, fare afër sh’pis’ së shoqes tanë Marasie. Shkume bashk’ me babën, se baba ka ken’ m’shtetje e madhe për mu, e s’më ka lon’ kurr’ vetëm. Kishe djalin e vogël n’krah. Sudja, sa më pa, më kapi prej mange t’fustanit e më tha: “Ah, moj e shkrete, aj (për Hamitin) ka m’aru’ që ka maru’, po edhe ty, as k’të që ke vesh’ s’kan me ta lan…!”
Plak’ e keqe m’shpirt. Atje Nalt u gjykofshim… As më ftoi me hi mrenë, masi ishim krushqi. Nafija, nusja e djalit të tezes së saj, Ali Bardhoshit, ishte motra jeme, e Bardhosht ishin familje e pasun e me emën t’mir’… Dula jasht’ prej oborrit dhe e tronditun siç isha, i diftova babës se ç’më kishte than’ Sudja. Baba heshti për nji moment e ma’nej m’tha se, duhet me ju nënshtru’ fatit e m’u ba e fort’ për me hap’ dyrt’ e mortes. N’oshta Hamitin e kan’ “zhduk” n’ushtri si “nji kundërshtar ma pak” për ato kriminelë… Nuk e di se ç’më shtynte me besu’ se Hamiti ishte i gjall’! Shtër’nova djalin në krahë e ecshe pa e dit’ se ku po i hedhsha kamt…
Sa m’rritme n’shpi’, e rraskapitun nga lodhja e tepërt e dishprimi, u shtriva me pushu’ n’kuzhin’ e baba nej m’korridor. Ishte vap’ e madhe, zheg. Për nji moment’ m’u errsu’ qilla e mu ba se m’zbriti nji dash e zi nër kam e m’u ba kurban. Ma’nej u çil nji drit’ e madhe… Hapa syt’ si jerm’ e nuk pash’ kërken. Duhet të kem bërtit’ se baba erdh vrik’ e m’pyti si isha. I them se ç’kisha pa’ e aj u çudit. Kishim fillu’ me besu’ ke andrrat se e kishim hup shpresën ke njerzit. Dhe me t’vërtet’, pytme nji burr’ të ditun, mik i babës, e aj na tha: mos e hapni mortën se Hamiti asht’ i gjallë…
Jeta asht film e kinema, maj Mira…!
Të nesërmen ven’osa me shku’ n’Kavaj’, se me kishin than’ që Hamitin e kishin transferu’ nga Cërriku n’Kavaj’. Prita jasht’ me orë e orë, kur paprit’ po vjen drejt meje nji makin’ ushtriet e hapun e n’te Hasan Tabaku me nji oficer. Hasani me pa e seç foli me oficerin. Oficeri m’u afru’ e m’py’ti: Si e ke hallin maj shoqe?! I diftova që prej një viti nuk kisha lajm’ për burrin. M’ajti shënim emnin e Hamitit e më tha me shku të nesërmen tek Garnizoni në Tiran’ për me marrë përgjegje. E falen’erova dhe s’e di, po ai burr’ më nj’alli besimin se do më diftonte për fatin e Hamitit.
Shkova të nesërmen ke Kazermat e Ali Rizait, ku ishin zyrat e garnizonit. Nuk dijsha si me e kërku’. Nuk kisha as’ emën. Oficeri i kishte pa than rojes që kur të vi’ nji gru’ shoqnoje ke un’. Kalume bashk’ me rojen nëpër do korridore të ngushta e të gjata, derisa u gjendëm para nji dere të hapun. Oficeri sa na pa’, u drejtu kah un’ e m’tha: “Mos u mërzit. Burri juj ka ba nji “gabim të vogël” e n’odhet në burgun e Tiranës!”. E kam falen’eru me shpirt. Megjith’se ishte lajm i keq, për mu ishte pshtim! Të paktën Hamiti ishte gjall’ e kjo ishte gjithça për mu’… Pyta rojen për emnin e atij oficeri. Quhej Hito Çako. S’e di si ka përfunu’, por un’ ruj respekt për te. Ai ishte i vetmi që me diftoi të vërtetën për Hamitin.
Shkova në burgun e Tiranës e kur e kam taku Hamitin, kishte kalu’ nji vit në burg e që na nuk dishim asgja’. Ishte ba’ kock’e lëkur’, ashtu sikur e kisha pa’ edhe kur doli n’gjyq’ në sallën e kinemas, në burgimin e par’. Ishte jo vetëm i paushqym, por edhe i paveshun. Kishte pa fjet’ me dy k’pucet: nji nën kry e nji nër vedi. Sapo u pamë, më dhe lajmin e keq’ e të mir’ në t’njejtën koh’.
Hamiti ishte në nji qeli me dajën tem Izet Bebeziqi. Aty e murme vesh’ që edhe dajën tem e patën pa fut n’burg. Që prej asaj dite, do të shkojsha rregullisht n’burg e do t’i çojshe ushqim të dyve. Izet Bebeziqi ishte nji burr’ i ditun, me tan’ kuptimin e fjalës intelektual. Kishte m’aru shkollën n’Austri e fliste 13 gjuh’ t’huja. Ishte atdhetar’ e me karakter shum’ t’fort’. A u fuste n’burg aj far’ burri fisnik, me at pamje engjëlli, vetëm pse kishte than të vërtetën e s’ishte me partinë!?! Çfar’ s’kan’ ba k’to…!!
Aj “gabim i vogël” që m’tha Hito Çako, ishte se Hamitin pak para se me u liru prej ushtriet, kur n’ollën provokacionet n’kufi me grekun, e kishin akuzu’ se bashk’ me nji grup shok’sh kishin pa dasht me u arratisë… Kurr’ s’kishte pas’ n’ermen me e ba’ nji gja të till’. Kishte lan’ gru’n e re’ me tre f’mij n’shpi e qe dojshin me jetu’… E ku mos mun’esh me i than kriminela k’tyne akuzuesve!?!
M’aj mend njiher’ që Hamiti po më priste në datën e takimit dhe ktheu krytin nga pexherja… Fill roja i burgut i shtiu me plum’ e aj pshtoi për qime… Jet’gjati s’bahet jet’shkurtën. Plu’mi i kishte kalu’ përmi kry’ e për pak e kishte xan’, e ita nuk jepshin as llogari… Katu’nar e kriminela ishin njato qi punojshin n’ushtri e n’burgje e nëpër ven’e tjera, n’ato kohna…
Voglushi Sali Mumajesi
Voglushi Sali Mumajesi
Dimnat ma par’ kan ken dimra t’vërtet’. Bante shum’ ftofët. A m’duket mu’, a i tesh nuk ka dimna fare… Megjith’se e mështjell mir’ me pelice deri n’fun t’kamve, tuj shku’ n’burg ke Hamiti, kalova nji t’fohun t’rand’ e doktor Byluku, shok klaset me Hamitin dhe që e kishte ru’jt miq’sin’ edhe në kushtet ku ishim na, m’tha se: “Duhet të kurohesha seriozisht e te rrijshe n’ajër t’pastër. E pleqnume dhe ven’osëm me shku’ n’Priskë ke Rrem Peta, që ishte aj katun’ari që na kishte pa pru’ lekët e që Hamiti s’ja murr. Ti besoj se e din, se t’ka diftu vet’ Hamiti, qe “kumari”, aj qe i kishte marr’ flok’t Hamitit, ishte pa ken prej Prisket, por familja ma e par’. N’ato kohna, pasunit’ n’katun u matshin me numrin e krevne t’bagtive dhe aj, ku’mari, kishte ma shum’ se 300 kry bag’ti t’imta. Nji dit’ kishte ken tuj kthy n’shpi dhe i kishte pa xan rrugën orteku i bor’s e kishte m’etun i bllokum. Kali i tij nuk ishte largu’ prej të zotit, e qeni kishte shku’ n’shpi me lajmëru’ dhe kur kan’ shku’ njerzit nëpër terr me pishtar’, e kanë gjet të ngrim prej t’fohtit… Kali dhe qeni jan’ kafshët ma fisnike e t’besës. Pran’ej niri duhet më i m’ajt fort…
Dy vajzat, Lumen dhe Semihan i laç ke nana jeme e un’, baba jem e Burhani murrme rrugën me shku’ n’Priskë. Me vete kishim edhe djalin që e hypme’ n’gamar. Aq i fuqishëm ishte djali, saqë edhe pse ishte dy vjeç e gjys’, udh’toi vetëm n’shpin t’gamarit e pa pranu’ n’im’ prej askujt. Nejse, në mramje mrritme n’shpi të Rrem Petës. M’etme pa fjale kur pamë varfnin’ e madhe t’asaj shpie. U futme në nji dhom’ t’madhe të pa shtrume. Tabani ishe dhe… Nuk pamë frym’ njeriu. Gratë e f’mijet ishin të m’shelun e Rrem Peta, i zoti i shpis’, vetëm buzqeshte me mirsi dhe i hedhte zjermit që ishte në mes t’dhomës e tymi delte e m’ushte tan’ dhomën, ca karthia të holla sa gishti. Varfni’ që bërtiste… M’as i far’ kohet, u futne dy gra’ si të trem’me e na qitne pak dhall’. K’shtu nisme me ba muhabet. Kishim marr’ me vedi shtrojet dhe të tana ushqimet e nevojshme: mish të freskët, tlyn, mjalt, sheqer, mill, oriz, djath, vez’ e gjana t’jera që nuk m’aj men’. E gdhime at’ nat pa u shtru’ me fjet. Te nesërmen pa gdhi’ u nisme për Tiran’ dhe ja lame të tana ushqimet asaj familje! Nuk folme tan’ rrug’s. Na kishte trem’ ajo varfni që as në p’rralla s’e kishim ndi…!
Na shkodran’t kemi nji shprehje: “Kur t’kcen qyqja, prit ciripupen m’rapa!!”
Un’ u bana mir, por m’as do kohe djali m’u s’mu ran’. Kishte temperarur’ të nalt’ e nuk i bajshin fajde as ilaçet qe ja gjetme me të shtrenjtë. Burhani ishte student n’mjeksi at’her’ dhe e shtrume në spital. Djali i habiste të tan’ me zgjuarsin’ e tij, saqë doktorat s’e besojshin se ishte vetëm tre vjeç, aq i zhvillum ishte. Kishte dhimje aq të forta, sa bërtiste me të madhe e un’ qajshe m’anën tjetër e pafuqishme për ta n’imu. Sa vinte ora 12.00 e nat’s, u çfaqte nji infermjere, që edhe sot e k’saj dite ja m’aj men’ tiparet e egra të f’tyrs saj të thatë, e që me nji za të prem’, e pa pik’ m’shiret, na xjerrte jasht. Për çdo nat’ e kam qa’ me lot rrugën prej spitalit te Shkolla e Kuqe, aty ku ishte shpia e bab’s tem.
Djali m’donte aq shum’ sa që kur isha n’spital e aj kishte dhim’je, i thote infermjerëve me m’xjerr jashtë: “Qiteni Bulin, jasht!”, e ma’nej bërtiste “me gishta n’vesh”. Aj bërtit’ e un qajshe n’korridor. I murr’ne palcën për analiz’ e aj nuk mbijetoi…
Tan’ Mumajst e kan’ qa’ at’ djal’. Qajshin burrat me za’… e Hamiti nuk ishte. Asnji s’e dinte se ku ishte…
Vdekja e djalit më mësoi që nuk duhet të kisha besim “qorr” te mjek’sia. Prej asaj eksperience t’kam pshtu’ ty ma vonë, kur dojshin me të operu’ kot nesi koti e un’ nuk pranova. Vuna firme e të xorra prej spitalit n’kokë teme. E qe’ ku je ti. Nuk je s’mu kurr’ n’jet tane. Ka edhe doktorr’ t’mir’ e t’zot… po kurr’ nuk duhet me ba si të thojn’ ata, pa u bind që kan’ të drejtë për diagnozën.
Hamit Mumajesi me te shoqen
Hamit Mumajesi me te shoqen
Kur m’u s’mu’ djali, nuk shkova për nji koh’ t’gjat me e taku Hamitin n’burg. Shkonte nana jeme e shkreta, bashk’ me Dushin e n’oj herë me Dogën. Me njat’ rast’ takonte Izetin e Hamitin bashk’. M’asi m’vdiq djali, shkojshe prep n’burg, e mos me m’kuptu’ Hamiti që isha vesh me t’zeza, shkojshe e m’ulume me çarçaf. Isha dobsu’ e kisha m’aru’ krejt. I thojshe Hamitit që jam ken’ pa qejf. Nji dit’ nuk mujta me duru’ e kërkova vetëm dajën tem n’takim. Tuj kja’ i diftova për djalin. Aj u pre’ në ftyr’ e me za të dridhun m’tha: “Kur të vish herës tjetër n’takim me Hamitin, duhet me i diftu’. Nuk mun’esh me e msheh’ për nji koh’ të gjat’ të vërtetën!”
Herën tjetër, kur shkova me i takue, isha veshun me të zeza e Hamiti sa me pa’, u pre n’fytyr’ e më tha: Nona, apo Ija e Lemes? Unë ula krytin e nuk fola. Pa hap fare gojën, aj ma bani me dor’ me u largu’… Ashtu, n’heshtje, pa fol’, lashë ushqimet e u largova tuj k’ja.
Ma von’, m’ka diftue se kur e murrne vesht’ shok’t e burgut, kishin fillu’ me i ba “qokën” tuj n’ez nga i cigare, për me e ngush’llu’… Izeti m’pat diftu’ se nuk kishte gja ma prek’se… E aj, Hamiti, kishte qinru’ burr’! Nuk e vejshe n’dyshim se e njifsha karakterin e Hamitit.
Na kurr’ nuk e përmenme djalin mes nesh, por që të dy e dijshim se ishte plag’, që nuk u m’yll kurr’…!
Vetem nji her’ ma ka permen’, kur me tha se, “N’moment që e kuptoi se djali s’ishte ma, i ishin pre’ gjunjtë e ma kishte ba me dor’ m’u largu’, për mos me e pa qe mund të ishte rrxu përtok’… Ishte ulun në nji stol, e fill i kishte shku’ Izeti që e dinte ma par’ e i kishte than’ me u ba i fort’. Sa e kishin marr vesht’ shok’t e burgut, ishin rreshtu njeni mas tjetrit e shkojshin me i dhan’ dorën e me e ngushllu’ Hamitin. Ishte pamje rrënqeth’se, m’pat than Izeti. Hamiti që ishte i mpim’ krejt e burrat e përlotun n’varg tuj i shtërngu’ dorën e tuj i rrah krahët…
Jan’ ken’ burra me karakter ma par’, e jo si i tesh që s’ka ma burra! E kujt do t’i shkonte nëpermen’ qe Hamiti do të ikte ushtar në vitin 1946 e do të kthehej në sh’pi vetëm në vitin 1952… Plot 6 vjet!!
E kam qa’ shum’ djalin që m’ka vdek’. Man’ej e kam qortu’ vedin e jam ngushllu’ tuj than’ ma mire që vdiq’ e s’pau sikletet që kalum na’… e, noshta, kishin edhe me e arrestu’, se aq i squt e me atë tru’ që kishte, patjetër që do t’ishte “rebelu”… e Sala tjetër leu vonë, por Hamiti, nuk hoqi dor’ prej emnit. Megjithse ne e kishim hum’ nji Sali, prep Sali ia njitme. Jam g’zu shum‘ kur leu Sala se me t’vërtet e ka meritu Plaku me ja trashëgu’ Emnin!….
…Kur vdiq baba, mama u përlot, por nuk qau me zë para arkmortit. Mori fotografinë e Saliut që kishte ndërruar jetë kur ishte tre vjeç, dhe ja vuni mbi fytyr’ duke i thënë: “…du përgjegje prej tejet që e ke taku’, aty ku po shkon!!! Pas nji muaji, duke pire kafe të dyja më tha: “Ma m’ajti premtimin Hamiti. Mram’, pashë n’andërr sikur ishin tuj loz të dy, mes nji drite verbu’se, t’veshun me kostum boj’ kaf’ e tuj ec koma-doras. Hamiti ishte para e sjellte krytin tuj qesh me djalin… Jam e bindun që jan taku’!!! Ta kam than që jan’ tri botë: Kjo në tokë’, ajo në qiell dhe tjetra nën dhe’… Zoti t’i difton gjanat. Edhe andrra e par’ kur nuk dijshim se ku ishte Hamiti, e m’u m’zbrtiti dashi i zi prej qi’lle, ishte djali që u ba’ kurban për te’…!
Nuk është e rastësishme që ëndrrat e mamasë time janë reale… Çuditërisht, gjatë viteve, kanë ndodhur të gjitha ngjarjet ashtu siç dhe i ka parë në ëndërr, si për të treguar që subkoshienca e saj është e një niveli përtej normales… Nuk e vë në dyshim që është!
Më besoni miq, i shkruajta këto kujtime/rrëfenja të mamasë, jo pa ngarkesë emocionale. Sa herëbie fjala për vëllanë tim, qënuk e njoha dot, nuk mund të mos përlotem…
E ndava me Ju këtë rrëfenjë se, brenda rreshtave të “historise” së familjes, janë pa dyshim gjurmat dhe faktet e kohës që kaluan shqiptarët dhe në veçanti tiranasit, në vitet më të vështira të përndjekjes së pakuptimtë të shqiptarit nga shqiptari…!!
.
29 -31 janar 2020 nga muri i Fb i Fatmira Allmuçes
.
Titulli redaksional, radiandradi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.