Grimca shënimesh nga Ikja e nji Miti të Humorit shqiptar…
Si sot nji vjet ma parë, me 21 Nandor të 2013, u nda nga jeta artisti dhe humanisti i madh shkodran Gjosho Vasija… Ishte mëngjesi i nji ditë të ftohtë e me shi, kur më telefonoi ime motër, Dhurata, dhe më informoi se Gjoshja ishte shtru urgjentisht në spitalin Katinara të Triestes, për nji operacion të randë. U nisa menjëherë… për me qenë sa ma afër motrës Berina dhe mbesës Anxhela. Kur mbrrita në spital e gjeta të gjallë me sy të mbyllun, por me at buzqeshjen e tij karakteristike që nuk ju nda deri në momentin e fundit. Aty rreth orës 19.00, sapo ndjeu që i erdhi edhe mbesa e tij Terenza, hapi edhe njiherë sytë për t’i mbyllë për gjithmonë! U shue “Meteori i humorit shkodran”, siç e pat quejt i ndjeri Pjetër Pepa. Dhimbje e madhe për të gjithë ne që ishim të pranishëm në at ditë nantori. “Pushoftë në paqën e përjetshme të Parajsës e Zoti ju dhashtë forcë me përballu dhimbjen!” – Me kto fjalë u përpoqa me i ngushëllue tri të shtrenjtat e Gjoshos Berinën, Anxhelën e Terenzën… – Nga Muri i fb i Osman Kacelit
***
“…S’ka shumë që iku përgjithmonë nga kjo jetë aktori i humorit, Gjosho Vasija, duke lënë pas jehonën e një të qeshure të madhe e të mënçur si një shteg në një si mizanskenë me maska të pikëlluara kllounësh, të cilët bëjnë të shqyhen gazit të tjerë e vetë ata së brendshmi vuajnë. Po shfaqen dhe maska të tanishme me brirë demi, që dalin kërcënueshëm përtej ekranit të televizorit, që një gazetare arti i ka mbi krye e sulmon veprat…” – Visar Zhiti – http://www.forum-al.com
***
“…Natyra nuk është aq dorëlëshuar, që artistë të kalibrit të Gjosho Vasisë të dalin shpesh në skenë. Arti i humorit të tij do të vazhdojë të jetojë gjatë në kujtesën e njerëzve, si melhem për plagët e shpirtrave të trazuar. Me energjinë që e karakterizonte dhe me shpërthimet e tij mitike përmes telave të kitarës tingujëmbëloshe, me të cilën publikut i përcillte gjëmimet e shpirtit qelibar, magjinë e fantazisë së tij të jashtëzakonshme…” – Prof.dr. Eshref Ymeri
***
“…I persekutuar që në vitet e para të rinisë dhe i internuar në kampin famëkeq të Tepelenës, atij ju desh të mbijetonte në luftë të heshtur por të pandërprerë me diktaturën. Sepse, veç “njollës” në biografi, ai kishte edhe atë eshkën përherë të ndezur në shpirtin e tij, humorin e mprehtë e satirën e hollë që në çdo kohë mund të ndizte zemrat e publikut. E diktatura e dinte se ajo eshkë mund të ndizte zjarr të madh, ndaj e mbante nën survejim të përhershëm, ja kufizonte në minimum mundësinë e skenës e të ekranit, por nga ana tjetër s’mund ta bojkotonin tërësisht, sepse publiku e donte, e dëshironte, e duartrokiste, e kërkonte praninë e tij…” Ndue Lazri – http://www.albdreams.net
***
Këngëtari shkodran, Frederik Ndoci shkruan në profilin e tij të Facebook-ut, lajmin e ndarjes nga jeta për Gjosho Vasijan, por dhe hedh idenë për ngritjen e një obelisku për këta artistë që eshtrat e tyre treten nëpër botë. Sipas Ndocit, atleti, poeti, publicisti, humoristi dhe kompozitori Gjosho Vasija kishte një botë shumë të madhe artistike dhe shpirtërore, ai ishte me një edukatë të stilit precioz që i parapriu të gjithë artistëve shkodran. “Është pikërisht ai që nxori për herë të parë në skenë “Artisten e popullit”, Vaçe Zelën, Zef Dedën dhe shumë të tjerë. Frederik Ndoci nga muri i fb
***
“Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta te humoristit shkodran Gjosho Vasija, i cili ishte nji meteor i humorit shkodran, dhe falë personalitetit e karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti t’i rezistojë me fisnikëri përpjekjes së egër të diktaturës komuniste e cila nëpërmjet internimit u përpoq ta mposhte dhe ta denigrojë figuren e tij, por përkundrazi, Gjosho Vasija me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerëzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve të tij, jo vetëm në qytetin e Shkodres, por në të gjithë vendin…” – Bashkia e Shkodrës drejtuar familjes