back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Grueja Shqyptare… Romance nga Vinçenc Prennushi

Gazeta

At Vinçenc Prennushi (1895-1949)
At Vinçenc Prennushi (1895-1949)

Grueja Shqyptare…

Romanace nga Vinçenc Prennushi

Romanca e Imzot Prennushit “Gruaja Shqiptare”
duhet lexuar detyrimisht nga çdo shqiptar
për të kuptuar se çfarë kanë krijuar Kleriket Katolikë
dhe si e konsideronin Femrën Shqiptare në aspektin social dhe kombëtar.
Të flasësh për Imzot Prennushin pikë së pari duhet folur për këtë romancë,
që duhet konsideruar kryevepra e Rilindjes së vërtetë Shqiptare.
Me këtë kryevepër ndahet shkrimtari që i shërben Kombit drejt progresit
nga shkrimtari që i shërben shtetit për të shfrytëzuar kombin.
Genc Hoti
.
"Gjeth e lule" - Poezi Vincenc Prennushi
“Gjeth e lule” – Poezi Vincenc Prennushi

Grueja Shqyptare…

Ka rà rrezja ndër bajâma!
T’bîjn e vet kshtû e pvetë e âma:
-Ç’kè, moj bì, qi kjàn e fshân?
Kjàn e fshân, e vetllat vrân?
 
-Kjava shumë, mori lum nâna,
Tuej qindisë e m’rà gjylpâna;
M’râ gjylpâna nën balkue,
E jam ulë tash me e kërkue.
 
-Po çka kje qi lott t’i xori?
Kû kje dhima, a kû kje zori?
A por, drue, moj, m’jè harlisë,
Qysh se kjàn – o tuj qindisë.
Pasha nânën nuk mûnd t’bari,
Qi të më ndezet bija zhari!
Do t’a dijë e zeza nânë,
Pse ti vetllat shpesh m’i vrânë;
Pse ç’kah mot, moj, buza s’t’qeshet
E n’argtime zêmra s’t’ndeshet.
 
-Nuk â’ gjâ, moj nânë s’â’ gjâ;
Por po t’tham, se as kot s’jam vrâ:
Diçka vlon n’ket çerdhe zânash;
Vlon dashtnì, si n’bija nânash!
Nânë, dashtnija m’kà molisë,
Prandej kjàj – o tuej qindisë!
 
-T’u thafët goja, bì, ç’po thue?
A kaq shpejt ti m’je tërbue?
Po shikjo, moj, bì kërcûna,
Se, po bâna ‘i herë e t’xûna,
Bâna e t’pava tuej m’dalë n’derë,
Nuk m’kè pshtim, jo, metsha e mjerë!
 
-Jam shqyptare e bì shqyptari,
E ato fjalë, nânë, s’mûnd i bari:
S’kè me m’pà, jo, tuej dalë n’derë,
Si kujton, pse m’kè për nderë;
As, moj nânë, nuk jam harlisë,
Veç pse kjàj – o tuj qindisë,
Pse ajo dashnì qi m’kà pengue,
Asht e dêjë, o nânë, për mue.
 
Fillon nâna tash me u vrâ:
Diçka nakël së mjerës i âsht bâ:
Don me çilë të ngrîten gojë,
Por dro e mjera mos t’gabojë:
 
-Fol, moj bì, mos m’lên ndër grepa,
Mos më m’sheh gjâ, moj, se do djepa
I kam luejtë dèr tash e m’kè
Dhelpën t’vjetër: Ty sot bè
T’paça lshue, tash, me m’diftue,
Se pse zêmra peshë t’âsht çue.
 
-Nânë, dashtnija m’kà molisë,
Prandej kjàj – o tuej qindisë.
 
Bindej nâna – gjâ s’kuptote,
Por, të mirën kah ia dote
Muer me t’âmël e i tha e mjera:
 
-Mori, bì, moj si prêndvera,
Pàsh njat diell e pàsh njat hânë,
Pàsh njat Zot qi kthiell e vrânë,
M’difto sot, ç’sokol ke xânë?
 
-Ç’farë sokolit thue, moj nânë?
T’thaçë, moj, t’thaçë se s’m’a bàn ndera,
S’m’a bàn shpija, as s’m’a bàn dera
Me luejtë mêndsh, moj nânë, mas kuej:
S’i kam dhânë, jo, fjalë kurrkuej.
E po t’tham: Se n’t’êndun t’motit,
Po t’tham, po, me besë të Zotit,
Se due fjalët me t’i ndigjue,
As s’kam mênd, me t’u largue.
Zêmrën dysh un s’mûnd e dàj:
M’lên t’qindisi, m’lên të kjàj!
 
U ngrî nâna, lott i pshtuene;
Para t’bìs fort sŷt i u xuene.
 
Kaluen dit e kaluen net,
Vajza mâ me gojë s’po flet:
Me gojë s’flet edhe na â smue,
Ràt e mjera â tuj lingue.
Lingon keq n’at shtroje deket.
E shpesh paket edhe meket.
Ftyra e sajë porsi flok bore;
Mndàsh, gjylpânë s’i hjekë prej dore;
Por pûnon e tuj pûnue,
Shef pëlhurën se â marue:
I lshon sŷt mî tê me mâll,
Edhe e puthë e e vên në bàll.
 
Nâna vajzen tuej dihatë
Shpesh e ndîn e: -Mori e ngratë,
A njimênd s’don me m’diftue,
Se pse zêmra peshë t’âsht çue?
 
-Nânë, dashtnija m’kà molisë;
Kjava mjaft – o tuej qindisë!
Kjava mjaft… – Mâ desht t’ligjrojë,
Por iu kput ksajë fjala n’gojë.
 
Si fjalë tjera nuk mûnd xori,
Mndàsh, gjylpânë prap n’dorë i mori;
Por dy duert porsi florîni,
Mî pëlhurë deka i a ngrîni.
 
-Kukû nâna kjàn me lot,
Se ç’me gjet mue t’mjerën sot!
Se ç’e gjet të zezën nânë,
Nën kët diell e nën kët hânë!
 
Mêrr pëlhuren, qi pat ênë
Bija e sajë; kishte pasë kênë
Kuq e Zi e m’tê qindisë
Gjet dashtnìn qi e kisht’ molisë.
N’krye t’flamurit kisht’ pûnue,
Për rreth shqypje, m’dorë prarue,
Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:
Se Shqypnia asht e Shqyptarve;
E nder skâje fjalët “Liri”.
Me kët flamur kuq e zì
Mêrr nânë-shkreta e pshtiell at bì,
Qi, pà njoftë tjetër dashtnì,
Ishte shkrî veç për Shqypnì.
 
Eni bija, zâna malit,
Ju qi kjani n’dekë t’njaj djalit,
E, përmysë mî kët bujare,
N’të nderoni bìjn shqyptare.
Ju, tuej puthë e mâll e vajë
Njat flamuer, qi dora e sajë
Dijti aq bukur me qindisë,
Pse dashtnija e kisht’ molisë;
Lidhniu tok: Përherë dashtnija
Për vênd t’uej t’u jèt stolija;
Pse, po kjè qi si kjo bìj,
Rriten varzat në Shqypnì,
N’vênd do të shkojë – o fjala e t’Parve,
Se Shqypnia âsht e Shqyptarve.
Lidhniu tok, si bâjshin motit
Ato bijat e Kastriotit,
E broh’ritni n’gzim e n’vajë:
Rrnoftë Shqypnija e flam’ri i sajë.
Marrë nga Libri “Gjeth e Lule” i At Vinçenc Prennushit
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.